Lexuesit pyesin
A e vizituan vërtet tre dijetarë Jezuin foshnjë?
Që nga Amerika Jugore deri në Evropën Lindore e në Azi, historia tradicionale e periudhës së Krishtlindjeve përshkruan skenën e lindjes së Jezuit me tre mbretër ose dijetarë që sjellin dhurata të çmuara për Jezuin foshnjë. A është e vërtetë kjo histori? A përputhet me faktet? Le të shohim.
Në dy ungjij, tek ai i Mateut dhe i Lukës, është dokumentuar lindja e Jezuit. Sipas këtyre tregimeve, vetëm barinjtë e thjeshtë nga fushat aty pranë e vizituan Jezuin kur lindi. Të ashtuquajturit mbretër ose dijetarë, në të vërtetë ishin astrologë, dhe numri i tyre nuk thuhet në Bibël. Astrologët nuk shkuan kur Jezui ishte i sapolindur në një grazhd, por mbërritën kur ai ishte fëmijë e jo më foshnjë, dhe jetonte në një shtëpi. Madje prania e tyre vuri në rrezik jetën e Jezuit.
Nëse sheh nga afër tregimin e shkrimtarit biblik Luka për lindjen e Jezuit, do të vëresh se aty thuhet: ‘Ishin disa barinj që jetonin jashtë dhe natën ruanin me radhë kopetë e tyre. Befas, engjëlli i Jehovait zuri vend pranë tyre dhe u tha: «Do të gjeni një foshnjë të mbështjellë me pelena dhe të shtrirë në një grazhd.» Ata shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë e Jozefin, si edhe foshnjën të shtrirë në grazhd.’—Luka 2:8-16.
Të pranishëm me Jezuin foshnjë ishin vetëm Jozefi, Maria dhe barinjtë. Në tregimin e Lukës nuk përmendet askush tjetër.
Tani shqyrto tregimin e Mateut 2:1-11 nga Bibla Diodati i Ri: «Pasi Jezusi lindi në Bethlehem të Judesë në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jerusalem.» Pastaj, Herodi i dërgoi në Betlehem. Tregimi vazhdon: «Mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij.»
Vër re që tregimi thotë thjesht «disa dijetarë» e jo «tre dijetarë», dhe se së pari ata shkuan nga lindja në Jerusalem e jo në Betlehem, qyteti ku lindi Jezui. Kur më në fund mbërritën në Betlehem, Jezui tashmë ‘fëmijë’ nuk ishte më në një kasolle, por në një shtëpi.
Gjithashtu, ndërsa për të përshkruar këta vizitorë Bibla Diodati i Ri përdor fjalën «dijetarë», përkthime të tjera përdorin fjalën «magjistarë» ose «astrologë». Sipas një manuali, fjala «dijetarë» është përkthim i «një emri grek që në fillim përdorej për priftërinjtë persë, të cilët ishin ekspertë në astrologji». (A Handbook on the Gospel of Matthew) Ndërsa një fjalor e përkufizon këtë fjalë si «magjistar, dikush që pretendon se ka fuqi magjike ose zotëron artet e magjisë». (The Expanded Vine’s Expository Dictionary of New Testament Words)
Megjithëse astrologjia dhe magjia janë ende të përhapura sot, Bibla na paralajmëron që të mos merremi me to. (Isaia 47:13-15) Ato janë forma spiritizmi që Perëndia Jehova i urren. (Ligji i përtërirë 18:10-12) Ja pse astrologëve nuk ua njoftoi lindjen e Jezuit asnjë engjëll i Perëndisë. Megjithatë, me anë të ndërhyrjes hyjnore në një ëndërr, ata u paralajmëruan që të mos ktheheshin te mbreti i lig Herod për t’i treguar, sepse ai po përpiqej ta vriste Jezuin. Kështu «ata u larguan për në vendin e tyre nga një udhë tjetër».—Mateu 2:11-16.
A do të donin të krishterët e vërtetë të përjetësonin një përrallë, e cila e shtrembëron të vërtetën rreth lindjes së Jezuit? Patjetër, përgjigjja është jo.