Shpërblesa—Një ‘dhuratë e përsosur’nga Ati
«Çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet, është nga . . . Ati.»—JAK. 1:17.
1. Cilat bekime bën të mundura shpërblesa?
SA SHUMË bekime bëhen të mundura falë flijimit shpërblyes të Jezu Krishtit! Shpërblesa çel derën që të gjithë fëmijët e Adamit që e duan drejtësinë të bëhen në fund pjesë e familjes së Perëndisë. Veç kësaj, shpërblesa bën të mundur që të kemi shpresën të jetojmë përgjithmonë e të lumtur. Gjithsesi, shpërblesa e Krishtit nuk siguron vetëm një të ardhme plot bekime për njerëzimin e bindur. Gatishmëria e Jezuit që të vdiste duke përkrahur drejtësinë e Jehovait ndikon te çështje me rëndësi universale.—Hebr. 1:8, 9.
2. (a) Cilat çështje me rëndësi universale përmenden te lutja e Jezuit? (Shih figurën hapëse.) (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Rreth dy vjet para se të vdiste e të siguronte flijimin shpërblyes, Jezui i mësoi dishepujt të luteshin kështu: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mat. 6:9, 10) Që të thellojmë çmueshmërinë për shpërblesën, le të shqyrtojmë si lidhet ajo me shenjtërimin e emrit të Perëndisë, me qeverisjen e Mbretërisë së Perëndisë dhe me plotësimin e qëllimit të Tij.
«U SHENJTËROFTË EMRI YT»
3. Çfarë përfshin emri i Jehovait, dhe si shpifi Satanai për këtë emër të shenjtë?
3 Kërkesa e parë që përmendi Jezui në lutjen e tij model ishte shenjtërimi i emrit të Perëndisë. Emri i Jehovait përfshin gjithçka që lidhet me virtytet e shkëlqyera, me madhështinë dhe me shenjtërinë e Tij. Në një lutje tjetër, Jezui e quajti Jehovain «Atë i shenjtë». (Gjoni 17:11) Meqë Jehovai është i shenjtë, gjithë parimet dhe ligjet që vijnë prej tij janë të shenjta. Pavarësisht nga kjo, në kopshtin e Edenit, Satanai me dredhi vuri në pikëpyetje të drejtën e Perëndisë që të vendosë norma për njerëzit. Duke gënjyer për Jehovain, Satanai shpifi për emrin e shenjtë të Perëndisë.—Zan. 3:1-5.
4. Si kontribuoi Jezui në shenjtërimin e emrit të Perëndisë?
4 Në anën tjetër, Jezui e donte me gjithë shpirt emrin e Jehovait. (Gjoni 17:25, 26) Ai kontribuoi në shenjtërimin e emrit hyjnor. (Lexo Psalmin 40:8-10.) Me anë të jetës së përsosur që bëri në tokë, Jezui dha prova se është e arsyeshme dhe e drejtë që Jehovai të vendosë norma për krijesat e tij inteligjente. Edhe kur Satanai bëri që ai të kishte një vdekje të dhembshme, Jezui i qëndroi plotësisht besnik Atit të tij qiellor. Duke qëndruar besnik, Jezui tregoi se një njeri i përsosur mund të vazhdojë t’u bindet në mënyrë të përsosur normave të drejta të Perëndisë.
5. Si mund të bëjmë pjesën tonë për të shenjtëruar emrin e Perëndisë?
5 Si mund ta tregojmë se e duam emrin e Jehovait? Nëpërmjet sjelljes sonë. Jehovai kërkon të jemi të shenjtë. (Lexo 1 Pjetrit 1:15, 16.) Kjo do të thotë të adhurojmë vetëm Jehovain dhe t’i bindemi me gjithë zemër. Edhe kur na përndjekin, bëjmë çmos të jetojmë në përputhje me parimet dhe ligjet e tij të drejta. Kur bëjmë vepra të drejta, e lëmë dritën tonë të ndriçojë, dhe kështu i japim lavdi emrit të Jehovait. (Mat. 5:14-16) Si popull i shenjtë, me mënyrën si jetojmë, tregojmë se ligjet e Jehovait janë të mira dhe se akuzat e Satanait janë të rreme. Kur gabojmë, çka na ndodh të gjithëve, pendohemi nga zemra dhe largohemi nga praktikat që e çnderojnë Jehovain.—Psal. 79:9.
6. Pse mund të na konsiderojë të drejtë Jehovai, ndonëse jemi të papërsosur?
6 Në bazë të flijimit të Krishtit, Jehovai u fal mëkatet atyre që tregojnë besim. Ai i pranon si adhurues të tij ata që i kushtohen. Të krishterët e mirosur Jehovai i shpall të drejtë si bij të tij, dhe ata që janë pjesë e ‘deleve të tjera’ i shpall të drejtë si miq të tij. (Gjoni 10:16; Rom. 5:1, 2; Jak. 2:21-25) Pra, që tani shpërblesa na jep mundësi të jemi të drejtë në sytë e Atit dhe të bëjmë pjesën tonë për të shenjtëruar emrin e tij.
«ARDHTË MBRETËRIA JOTE»
7. Cilat bekime do të gëzojmë falë shpërblesës kur të qeverisë Mbretëria?
7 Më tej në lutjen model, Jezui i bëri këtë kërkesë Perëndisë: «Ardhtë mbretëria jote.» Si lidhet shpërblesa me Mbretërinë e Perëndisë? Shpërblesa bën të mundur mbledhjen e 144.000 njerëzve që të shërbejnë si mbretër e priftërinj me Krishtin në qiell. (Zbul. 5:9, 10; 14:1) Jezui dhe bashkëqeveritarët e tij, që së bashku përbëjnë Mbretërinë e Perëndisë, do ta ndihmojnë njerëzimin e bindur të nxjerrë dobi nga shpërblesa për një periudhë 1.000-vjeçare. Toka do të shndërrohet në parajsë dhe gjithë njerëzit besnikë do të rifitojnë përsosmërinë, e kështu pjesa qiellore dhe ajo tokësore e familjes së Perëndisë do të jenë në unitet të plotë. (Zbul. 5:13; 20:6) Jezui do t’i shtypë kokën gjarprit dhe do të zhdukë nga universi çdo gjurmë të rebelimit të Satanait.—Zan. 3:15.
8. (a) Si i ndihmoi Jezui dishepujt e tij të kuptonin rëndësinë e Mbretërisë së Perëndisë? (b) Si tregojmë sot se mbështetim Mbretërinë?
8 Kur ishte në tokë, Jezui i ndihmoi dishepujt e tij të kuptonin rëndësinë e Mbretërisë së Perëndisë. Menjëherë pasi u pagëzua, Jezui e shpalli «lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë» anë e kënd. (Luka 4:43) Në fjalët e fundit që u tha dishepujve të tij para se të kthehej në qiell, Jezui i udhëzoi të ishin dëshmitarët e tij «deri në skajin më të largët të tokës». (Vep. 1:6-8) Falë veprës së predikimit për Mbretërinë, njerëzit kudo në botë do të kishin mundësi të mësonin për shpërblesën dhe të bëheshin nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë. Ne sot tregojmë se mbështetim Mbretërinë duke ndihmuar vëllezërit e Krishtit në tokë që të kryejnë detyrën për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë në botën mbarë.—Mat. 24:14; 25:40.
«U BËFTË VULLNETI YT»
9. Pse mund të jemi plotësisht të sigurt se Jehovai do ta plotësojë qëllimin e tij për njerëzimin?
9 Ku e kishte fjalën Jezui kur tha më tej: «U bëftë vullneti yt.» Jehovai është Krijuesi. Kur ai thotë fjalën që të ndodhë diçka, është sikur të ketë ndodhur tashmë. (Isa. 55:11) Ai nuk do të lejojë që rebelimi i Satanait të pengojë qëllimin e Tij për njerëzimin. Që nga fillimi, vullneti i Jehovait ishte që toka të mbushej me fëmijët e përsosur të Adamit dhe Evës. (Zan. 1:28) Nëse Adami dhe Eva do të kishin vdekur pa fëmijë, qëllimi i Perëndisë për të mbushur tokën me pasardhësit e tyre do të dilte huq. Ja pse, pasi Adami dhe Eva mëkatuan, Jehovai lejoi që të lindnin fëmijë. Me anë të shpërblesës, Perëndia u jep të gjithë atyre që tregojnë besim mundësinë të arrijnë përsosmërinë dhe të jetojnë përgjithmonë. Jehovai i do njerëzit dhe është vullneti i tij që njerëzit e bindur të jetojnë ashtu siç kishte ndër mend ai.
10. Si do t’u sjellë dobi shpërblesa njerëzve që kanë vdekur?
10 Ç’të themi për ata miliarda njerëz që vdiqën pa pasur kurrë mundësi ta njihnin Jehovain e t’i shërbenin? Shpërblesa do të bëjë të mundur që të vdekurit të ringjallen. Ati ynë i dashur qiellor do t’i kthejë në jetë dhe do t’u japë mundësi të mësojnë për qëllimin e tij e të fitojnë jetën e përhershme. (Vep. 24:15) Jehovai dëshiron që njerëzit të jetojnë e jo të vdesin. Si Burimi i jetës, ai bëhet Ati i kujtdo që do të ringjallet. (Psal. 36:9) Sa me vend është, pra, që Jezui na mësoi të lutemi me këto fjalë: «Ati ynë që je në qiej.» (Mat. 6:9) Jehovai i ka dhënë Jezuit një rol të rëndësishëm në ringjalljen e të vdekurve. (Gjoni 6:40, 44) Në Parajsë, Jezui do të plotësojë rolin e tij si «ringjallja dhe jeta».—Gjoni 11:25.
11. Cili është vullneti i Perëndisë për ‘shumicën e madhe’?
11 Bujaria e Jehovait nuk kufizohet te një pakicë e privilegjuar, sepse Jezui tha: «Vëllai im dhe motra e nëna ime është kushdo që bën vullnetin e Perëndisë.» (Mar. 3:35) Vullneti i Perëndisë është që ‘një shumicë e madhe’ që s’ka të numëruar nga të gjitha kombet, fiset e gjuhët të bëhen adhurues të tij. Ata që tregojnë besim te shpërblesa e Krishtit dhe që bëjnë vullnetin e Perëndisë mund të jenë mes atyre që do të thërrasin: «Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë, i cili rri ulur në fron, dhe Qengjit.»—Zbul. 7:9, 10.
12. Si pasqyrohet te lutja model qëllimi i Jehovait për njerëzimin e bindur?
12 Qëllimi i Jehovait për njerëzimin e bindur pasqyrohet te kërkesat që gjejmë në lutjen model të Jezuit. Në përputhje me lutjen e tij, ne duam të bëjmë çmos që të shenjtërojmë emrin e Jehovait. (Isa. 8:13) Vetë emri i Jezuit do të thotë «Jehovai është shpëtim», dhe shpëtimi ynë nëpërmjet shpërblesës nderon emrin e Jehovait dhe i jep lavdi. Mbretëria e Perëndisë do të përdoret për të zbatuar dobitë e shpërblesës në të mirë të njerëzimit të bindur. Vërtet, lutja model na siguron se asgjë nuk e ndal dot vullnetin e Perëndisë të bëhet realitet.—Psal. 135:6; Isa. 46:9, 10.
TREGOJE MIRËNJOHJEN PËR SHPËRBLESËN
13. Çfarë tregojmë me pagëzimin tonë?
13 Një mënyrë e rëndësishme si e tregojmë mirënjohjen për shpërblesën është duke iu kushtuar Jehovait në bazë të besimit tonë te shpërblesa dhe duke u pagëzuar. Pagëzimi tregon se «i përkasim Jehovait». (Rom. 14:8) Kur pagëzohemi, i bëjmë Perëndisë një kërkesë për të pasur ndërgjegje të mirë. (1 Pjet. 3:21) Jehovai i përgjigjet kësaj kërkese duke zbatuar për ne fuqinë pastruese të gjakut të flijimit të Krishtit. Jemi plotësisht të sigurt se ai do të na japë gjithçka që na ka premtuar.—Rom. 8:32.
14. Pse kemi urdhrin që t’i duam të tjerët?
14 Cila është një mënyrë tjetër si e tregojmë mirënjohjen për shpërblesën? Meqë gjithë sa bën Jehovai motivohet nga dashuria, vullneti i tij është që tërë adhuruesit e tij të shfaqin dashuri si cilësinë e tyre mbizotëruese. (1 Gjon. 4:8-11) Ne japim prova se duam të jemi ‘bij të Atit tonë që është në qiej’ duke dashur të tjerët. (Mat. 5:43-48) Urdhri për të dashur njerëzit vjen i dyti fill pas urdhrit për të dashur Jehovain. (Mat. 22:37-40) Një mënyrë e rëndësishme si e tregojmë dashurinë për të tjerët është duke iu bindur urdhrit që të predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Teksa shfaqim dashuri për njerëzit pasqyrojmë lavdinë e Perëndisë. Në fakt, dashuria për Perëndinë «bëhet e përsosur te ne» kur i bindemi urdhrit që t’i duam të tjerët, sidomos vëllezërit tanë.—1 Gjon. 4:12, 20.
SHPËRBLESA SJELL «KOHË FRESKUESE» NGA JEHOVAI
15. (a) Cilat bekime marrim tani nga Jehovai? (b) Cilat bekime na presin?
15 Kur tregojmë besim te shpërblesa, kjo hap rrugën që Perëndia të na falë plotësisht. Fjala e Tij na siguron se mund ‘të na fshihen’ mëkatet. (Lexo Veprat 3:19-21.) Siç e pamë më sipër, në bazë të shpërblesës Jehovai i birëson si fëmijë shërbëtorët e tij të mirosur nga fryma. (Rom. 8:15-17) Ndërsa për ne që jemi pjesë e ‘deleve të tjera’ është sikur Jehovai të ketë përgatitur një certifikatë birësimi me emrin tonë në të. Pasi të kemi arritur përsosmërinë dhe të kemi kaluar sprovën përfundimtare, me kënaqësi Jehovai do ta firmosë, si të thuash, atë certifikatë dhe do të na birësojë si fëmijët e tij të dashur në tokë. (Rom. 8:20, 21; Zbul. 20:7-9) Dashuria e Jehovait për fëmijët e tij të shtrenjtë është e përhershme. Dobitë e shpërblesës zgjasin përgjithmonë. (Hebr. 9:12) Kjo dhuratë nuk do ta humbë kurrë vlerën. Asnjë person ose fuqi nuk na e grabit dot.
16. Si na jep mundësi shpërblesa të jemi vërtet të lirë?
16 Djalli s’mund të bëjë asgjë për t’i penguar të gjithë ata që pendohen sinqerisht që të bëhen në fund pjesë e familjes së Jehovait. Jezui erdhi në tokë dhe vdiq «një herë e mirë». Pra, shpërblesa është paguar një herë e përgjithmonë. (Hebr. 10:10; 9:24-26) Ajo e fshin krejtësisht dënimin që trashëguam nga Adami. Falë flijimit të Krishtit jemi çliruar nga skllavëria e kësaj bote që është nën kontrollin e Satanait dhe nuk jetojmë më me frikën e vdekjes.—Hebr. 2:14, 15.
17. Si ndihesh ti për dashurinë e Jehovait?
17 Premtimet e Perëndisë janë plotësisht të besueshme. Ashtu si ligjet e natyrës që bëri ai nuk na zhgënjejnë kurrë, po kështu edhe Jehovai vetë nuk do të na zhgënjejë kurrë. Ai nuk ndryshon. (Mal. 3:6) Jehovai na dhuron shumë më tepër se jetën. Ai na dhuron dashurinë e tij. «Ne vetë e kemi njohur dhe e kemi besuar dashurinë që Perëndia ka ndaj nesh. Perëndia është dashuri.» (1 Gjon. 4:16) Mbarë toka do të bëhet një parajsë që do të na sjellë kënaqësi të thellë, dhe çdo njeri në tokë do të pasqyrojë dashurinë e Perëndisë. Le të bashkojmë zërat tanë me krijesat besnike të Perëndisë në qiell e të themi: «Bekimi, lavdia, mençuria, falënderimet, nderimi, fuqia dhe forca i qofshin Perëndisë tonë në jetë të jetëve! Amin!»—Zbul. 7:12.