Të fuqizuar që t’i kundërvihemi tundimit dhe të përballojmë shkurajimin
«Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi.»—VEP. 1:8.
1, 2. Çfarë ndihme u premtoi Jezui dishepujve të tij dhe pse do të kishin nevojë për të?
JEZUI e dinte se dishepujt e tij nuk do t’ia dilnin dot vetë të zbatonin tërë urdhërimet që u kishte dhënë. Duke pasur parasysh shtrirjen e veprës, kundërshtarët e fortë dhe brishtësinë njerëzore, ishte e qartë se kishin nevojë për fuqi mbinjerëzore. Prandaj, pikërisht para se të ngjitej në qiell, Jezui i siguroi dishepujt: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.»—Vep. 1:8.
2 Ky premtim nisi të përmbushej në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. kur fryma e shenjtë u dha fuqi ithtarëve të Jezu Krishtit të predikonin në mbarë Jerusalemin. Asnjë kundërshtim nuk mund ta ndalte këtë. (Vep. 4:20) Ithtarët besnikë të Jezuit, përfshirë edhe ne, do të kishin nevojë të ngutshme për të njëjtën forcë nga Perëndia «gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit».—Mat. 28:20.
3. (a) Shpjego ndryshimin mes frymës së shenjtë dhe fuqisë. (b) Për çfarë mund të na aftësojë fuqia nga Jehovai?
3 Jezui u premtoi dishepujve se, ‘kur fryma e shenjtë do të vinte mbi ta, do të merrnin fuqi’. Termat «fuqi» dhe «frymë» kanë kuptime të ndryshme. Fryma e Perëndisë, forca e tij aktive, është energjia që derdhet dhe përdoret te njerëzit ose gjërat që të përmbushin vullnetin e Perëndisë. Ndërsa fuqia mund të përcaktohet si «aftësia për të vepruar ose për të shkaktuar një efekt». Mund të qëndrojë e fjetur te dikush a diçka derisa të jetë e nevojshme që të sjellë rezultatin e duhur. Kështu, fryma e shenjtë mund të krahasohet me energjinë elektrike që ngarkon një bateri, kurse fuqia ngjan më tepër me energjinë e fjetur që ruan bateria. Fuqia që u jep Jehovai shërbëtorëve të vet me anë të frymës së shenjtë, aftëson secilin të përmbushë kushtimin e krishterë dhe, kur është e nevojshme, t’u bëjë ballë faktorëve negativë që ushtrojnë ndikim mbi të.—Lexo Mikenë 3:8; Efesianëve 3:16.
4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull dhe pse?
4 Nga duket se kemi fuqinë nga fryma e shenjtë? Çfarë ndikimi mund të ketë fryma e shenjtë te veprimet e reagimet tona? Ndërsa përpiqemi t’i shërbejmë me besnikëri Perëndisë, hasim pengesa të shumta, që mund të na i shkaktojë Satanai, sistemi i tij ose papërsosmëria jonë. Që të vazhdojmë në udhën tonë si të krishterë, të marrim pjesë rregullisht në shërbim dhe të ruajmë një marrëdhënie të mirë me Jehovain, është e rëndësishme t’i kapërcejmë këto pengesa. Le të shqyrtojmë si na ndihmon fryma e shenjtë që t’i kundërvihemi tundimit dhe të përballojmë lodhjen dhe shkurajimin.
Të fuqizuar që t’i kundërvihemi tundimit
5. Si mund të na fuqizojë lutja?
5 Jezui i mësoi ithtarët të luteshin: «Mos na ço në tundim, por na çliro nga i ligu.» (Mat. 6:13) Jehovai nuk do t’i braktisë shërbëtorët e vet besnikë që i bëjnë këtë kërkesë. Në një rast tjetër, Jezui tha se «Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë». (Luka 11:13) Sa na qetëson premtimi se Jehovai do të na japë këtë forcë për të bërë atë çka është e drejtë! Natyrisht, kjo nuk do të thotë se Jehovai nuk do të lejojë të tundohemi. (1 Kor. 10:13) Por, kur ndodhemi përballë tundimit, është momenti të lutemi edhe më me zjarr.—Mat. 26:42.
6. Ku u bazua Jezui që t’u përgjigjej tundimeve të Satanait?
6 Jezui iu përgjigj tundimeve të Djallit duke cituar shkrimet. Duket qartë se Jezui e njihte mirë Fjalën e Perëndisë kur iu përgjigj: «Është shkruar . . . Përsëri është shkruar . . . Ik tutje, Satana! Sepse është shkruar: ‘Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.’» Për hir të dashurisë për Jehovain dhe për Fjalën e tij, Jezui nuk u josh nga ato që i ofroi Tunduesi. (Mat. 4:1-10) Pasi i rezistoi çdo tundimi, Satanai e la.
7. Si na ndihmon Bibla t’u rezistojmë tundimeve?
7 Nëse Jezui u mbështet te shkrimet që t’u rezistonte tundimeve të Djallit, aq më shumë duhet të veprojmë edhe ne kështu. Në fakt, që të mund t’u rezistojmë Djallit dhe përfaqësuesve të tij, në radhë të parë duhet të jemi të vendosur të njohim standardet e Perëndisë e t’u përmbahemi atyre plotësisht. Shumë njerëz, duke studiuar Shkrimet, janë nxitur të jetojnë sipas standardeve të Biblës e të çmojnë mençurinë dhe drejtësinë e Perëndisë. Në të vërtetë, «fjala e Perëndisë» ushtron një fuqi të tillë që është në gjendje të dallojë «mendimet dhe qëllimet e zemrës». (Hebr. 4:12) Sa më shumë të lexojmë Shkrimet dhe të mendojmë thellë për to, aq më shumë do të fitojmë ‘gjykim të thellë për besnikërinë e Jehovait ndaj së vërtetës’. (Dan. 9:13) Kështu, bëjmë mirë të meditojmë për shkrimet që na ndihmojnë të luftojmë ndonjë dobësi tonën specifike.
8. Nëpërmjet cilave mjete mund të marrim frymën e shenjtë?
8 Përveçse njihte Shkrimet, Jezui mundi t’u rezistonte tundimeve sepse ishte «plot me frymë të shenjtë». (Luka 4:1) Që të kemi forcë e aftësi si të tijat, duhet t’i afrohemi gjithnjë e më shumë Jehovait dhe të nxjerrim tërësisht dobi nga çdo mjet që përdor për të na dhënë frymën e tij. (Jak. 4:7, 8) Në to bëjnë pjesë studimi i Biblës, lutja dhe shoqërimi me bashkëbesimtarët. Shumë e shohin të dobishme të kenë një program të mbushur me aktivitete të krishtere, që i ndihmon të mendojnë në mënyrë frymore dhe ndërtuese.
9, 10. (a) Cilat tundime hasin zakonisht të krishterët? (b) Si mund të na fuqizojë meditimi dhe lutja që t’i kundërvihemi tundimit edhe kur ndihemi të lodhur?
9 Cilave tundime duhet t’u rezistosh? A je tunduar ndonjëherë të flirtosh me dikë që nuk është bashkëshorti yt? Nëse nuk je i martuar, a ke pasur ndonjëherë dëshirë të pranosh ftesën për të dalë me një jobesimtar? Kur shohin televizor ose përdorin Internetin, të krishterët papritmas mund të joshen të shohin diçka të papastër. A të ka ndodhur edhe ty? Nëse po, si ke vepruar? Do të ishte e mençur të meditoje se një hap i gabuar mund të të çojë në një hap tjetër të gabuar dhe pastaj në një keqbërje serioze. (Jak. 1:14, 15) Mendo ç’dhimbje do t’i sillte ai akt jobesnikërie Jehovait, kongregacionit dhe familjes. Nga ana tjetër, duke i zbatuar me besnikëri parimet hyjnore, do të kemi një ndërgjegje të pastër. (Lexo Psalmin 119:37; Proverbat 22:3.) Sa herë të gjendesh përballë sprovave të tilla, ji i vendosur të lutesh për forcë që t’u rezistosh.
10 Nuk duhet të harrojmë edhe diçka tjetër rreth tundimeve të Djallit. Satanai iu afrua Jezuit pasi ky kishte agjëruar për 40 ditë në shkretëtirë. Pa dyshim, Djalli ka menduar se ishte veçanërisht ‘koha e volitshme’ për të vënë në provë integritetin e Jezuit. (Luka 4:13) Satanai kërkon kohën e volitshme për të vënë në provë edhe integritetin tonë. Prandaj, është jetësore të qëndrojmë të fortë frymësisht. Satanai shpesh e sulmon prenë e tij kur dallon se është më i dobët. Kështu, sa herë ndihemi të lodhur ose të shkurajuar, duhet të jemi më të vendosur se kurrë t’i lutemi Jehovait për mbrojtje dhe për frymën e shenjtë.—2 Kor. 12:8-10.
Të fuqizuar që të përballojmë lodhjen dhe shkurajimin
11, 12. (a) Pse sot shumë ndihen të shkurajuar? (b) Çfarë mund të na fuqizojë që t’i rezistojmë shkurajimit?
11 Jemi të papërsosur, ndaj herë pas here ndihemi të shkurajuar. Kjo është e vërtetë sidomos sot, pasi po jetojmë në një periudhë tejet stresuese. Po kalojmë ndoshta kohët më të vështira që njerëzimi ka përjetuar ndonjëherë. (2 Tim. 3:1-5) Me afrimin e Harmagedonit, shtohet presioni ekonomik, emocional etj. Prandaj, nuk duhet të befasohemi që për disa është përherë e më e vështirë të kujdesen për familjen dhe t’u sigurojnë gjërat materiale. Ndihen të lodhur, të rënduar, të sfilitur e madje të stërmunduar. Nëse edhe ti ndihesh kështu, si mund ta përballosh këtë presion?
12 Të mos harrojmë që Jezui i siguroi dishepujt se do t’u jepej një ndihmës: fryma e shenjtë e Perëndisë. (Lexo Gjonin 14:16, 17.) Ajo është forca më e fuqishme në univers. Me të, Jehovai mund të na japë «shumë më tepër» fuqi që na nevojitet për të përballuar çdo sprovë. (Efes. 3:20) Apostulli Pavël tha se, kur mbështetemi te kjo forcë, marrim ‘fuqi përtej asaj që është normale’ edhe pse jemi «të shtrënguar në çdo mënyrë». (2 Kor. 4:7, 8) Jehovai nuk premton se do të na heqë stresin, por na siguron se nëpërmjet frymës së vet, do të na japë fuqinë që t’ia dalim mbanë.—Filip. 4:13.
13. (a) Si është fuqizuar një e re të përballojë një situatë të vështirë? (b) Dini ndonjë rast të ngjashëm?
13 Le të mendojmë për Stefaninë, një pioniere të rregullt 19-vjeçare. Kur ishte 12 vjeçe, i ra një iktus dhe e diagnostikuan me tumor në tru. Që nga ajo kohë, Stefania është operuar dy herë, ka bërë rreze dhe ka pasur edhe dy iktuse të tjera që i prekën anën e majtë të trupit dhe i dobësuan shikimin. Asaj i duhet t’i kursejë energjitë për gjërat që i konsideron më të rëndësishme, si mbledhjet e krishtere dhe shërbimi. Me gjithë këto probleme, e ndien dorën e Jehovait që e forcon dhe e ndihmon në shumë mënyra që të qëndrojë. Në botimet tona ka lexuar përvoja të të bashkëkrishterëve që e kanë ngritur peshë kur ishte zemërlëshuar. Vëllezërit dhe motrat e kanë mbështetur duke i dërguar letra ose duke i folur në mënyrë inkurajuese para dhe pas mbledhjeve. Madje edhe personat e interesuar kanë treguar kaq shumë çmueshmëri për ato që u mëson Stefania, sa i shkojnë në shtëpi për të studiuar Biblën. Për të gjitha këto, ajo i është thellësisht mirënjohëse Jehovait. Asaj i pëlqen shumë Psalmi 41:3, që mendon se po e përjeton.
14. Çfarë nuk duhet të bëjmë kur jemi të lodhur ose nën presion, dhe pse?
14 Kur jemi të lodhur ose nën presion, nuk duhet të mendojmë kurrë se për t’i bërë ballë stresit, duhet të pakësojmë aktivitetet frymore. Kjo është gjëja më e gabuar që mund të bëjmë. Pse? Sepse aktivitete të tilla si studimi personal e familjar i Biblës, shërbimi dhe mbledhjet janë mjetet me anë të të cilave marrim frymën e shenjtë që na përtërin. Aktivitetet e krishtere na freskojnë gjithnjë. (Lexo Mateun 11:28, 29.) Shpesh vëllezërit dhe motrat kur vijnë në mbledhje janë të lodhur por, kur u duhet të kthehen në shtëpi, janë plot gjallëri, sikur t’u jenë ringarkuar bateritë frymore.
15. (a) A premton Jehovai se të krishterëve do t’u shkonte jeta vaj? Shpjego me anë të shkrimeve. (b) Çfarë na premton Perëndia dhe ç’pyetje lind?
15 Natyrisht, nuk mund të themi se ngarkesa që mbajmë si të krishterë, nuk peshon. Kërkohen përpjekje që të jemi të krishterë besnikë. (Mat. 16:24-26; Luka 13:24) Megjithatë, me anë të frymës së shenjtë, Jehovai mund t’i japë fuqi të lodhurit. Profeti Isaia shkroi: «Ata që shpresojnë te Jehovai, do të rimarrin fuqi. Ata do të ngrihen me krahë si shqiponjat, do të vrapojnë e s’do të rraskapiten, do të ecin e s’do të lodhen.» (Isa. 40:29-31) Nëse është kështu, bëjmë mirë të pyesim veten: cili është vërtet shkaku i lodhjes frymore?
16. Çfarë mund të bëjmë që t’i zhdukim shkaqet e mundshme të lodhjes e të shkurajimit?
16 Fjala e Jehovait na nxit ‘të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’. (Filip. 1:10) Apostulli Pavël e krahason jetën e krishterë me një garë të gjatë vrapimi dhe nën frymëzim na nxit: «Le të flakim edhe ne çdo peshë . . . , e të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara.» (Hebr. 12:1) Ai donte të thoshte se s’duhet të merremi me aktivitete të panevojshme dhe të mbajmë pesha të kota që na lodhin. Disa thjesht mund të kenë tashmë një jetë të ngarkuar dhe përpiqen të bëjnë akoma më tepër. Prandaj, nëse shpesh ndihesh i lodhur dhe nën presion, bën mirë të mendosh sa energji të merr puna, sa herë udhëton për qejf dhe sa i kushtohesh sporteve ose zbavitjeve. Arsyetueshmëria dhe modestia duhet të na nxitin të gjithëve të pranojmë kufizimet tona dhe të mos marrim përsipër punë të panevojshme.
17. Pse disa mund të ndihen të shkurajuar, por për çfarë na garanton Jehovai?
17 Disa nga ne mund të jenë paksa të shkurajuar edhe ngaqë ndoshta pritnim që ky sistem të mbaronte më shpejt. (Prov. 13:12) Por kushdo që ndihet kështu, mund të inkurajohet nga fjalët te Habakuku 2:3: «Vegimi është ende për kohën e caktuar dhe vazhdon të nxitojë duke gulçuar drejt fundit e nuk do të gënjejë. Edhe sikur të vonojë, rri në pritje të tij, sepse pa dyshim do të dalë i vërtetë. Nuk do të vonojë.» Jehovai na garanton se fundi i këtij sistemi do të vijë tamam në momentin që ai ka vendosur.
18. (a) Cilat premtime të japin fuqi? (b) Për çfarë do të na ndihmojë artikulli vijues?
18 Sigurisht, të gjithë shërbëtorët besnikë të Jehovait mezi presin ditën kur nuk do të lodhen e shkurajohen më, kur të gjithë do të gëzojnë ‘gjallëri si në ditët e rinisë’. (Jobi 33:25) Edhe tani mund të kemi forcë të brendshme falë frymës së shenjtë që vepron te ne kur marrim pjesë në aktivitete frymore ripërtëritëse. (2 Kor. 4:16; Efes. 3:16) Mos lejo që lodhja të të privojë nga bekimet e përjetshme. Çdo sprovë—e shkaktuar nga tundimi, lodhja apo shkurajimi—do të kalojë, në mos menjëherë, në botën e re të Perëndisë. Në artikullin vijues, do të shqyrtojmë si i fuqizon fryma e shenjtë të krishterët të përballojnë përndjekjen, t’i rezistojnë presionit të dëmshëm të shoqërisë dhe të kapërcejnë vështirësi të tjera.
Si do të përgjigjeshe?
• Si na fuqizon leximi i Biblës?
• Si na fuqizojnë lutja dhe meditimi?
• Si mund t’i zhdukim shkaqet e mundshme të shkurajimit?
[Figura në faqen 24]
Mbledhjet e krishtere mund të na ripërtërijnë frymësisht