Mitet përballë fakteve e vërteta për Jezuin
SI MENDON, JANË FAKTE APO MITE POHIMET E MËPOSHTME?
Jezui lindi më 25 dhjetor.
Tre dijetarë shkuan për vizitë kur lindi Jezui.
Jezui nuk kishte motra e vëllezër të tjerë.
Jezui ishte Perëndia i mishëruar.
Jezui ishte më tepër se një njeri i mirë.
SHUMË do të përgjigjeshin se të gjitha këto pohime janë të vërteta. Të tjerë do të thoshin se është e vështirë, madje e pamundur të dish të vërtetën me siguri. Ndoshta këta të fundit mendojnë se, për aq kohë sa beson te Jezui, të tjerat nuk kanë shumë rëndësi.
Megjithatë Bibla thotë të kundërtën. Ajo na inkurajon të kemi ‘njohuri të saktë për Zotërinë tonë Jezu Krisht’. (2 Pjetrit 1:8) Këtë njohuri e fitojmë duke studiuar Ungjijtë. Ata zbulojnë të vërtetën për Jezuin dhe na ndihmojnë të dallojmë mitet nga faktet. Prandaj, le të shqyrtojmë se çfarë na tregojnë Ungjijtë për bindjet e përmendura më lart.
BESIMI I PËRHAPUR: Jezui lindi më 25 dhjetor.
ËSHTË MIT.
Në Bibël nuk thuhet një datë ose një muaj se kur ka lindur Jezui. Po nga e ka origjinën 25 dhjetori? Sipas një enciklopedie, disa që e quanin veten të krishterë, «donin që kjo datë të përkonte me festën romake . . . të solsticit të dimrit, kur ditët fillojnë sërish të zgjaten dhe dielli ngjitet më lart në qiell». (Encyclopædia Britannica) E njëjta vepër referimi vëren se shumë zakone të Krishtlindjeve e kanë origjinën nga festat «pagane të bujqësisë dhe të diellit, që mbaheshin në mes të dimrit».
A do të ishte dakord Jezui që t’ia festonin ditëlindjen më 25 dhjetor? Ki parasysh se dita e lindjes së Jezuit nuk dihet. Gjithashtu, në Shkrime nuk na thuhet gjëkundi për t’i festuar lindjen dhe nuk ka asnjë dëshmi që tregon se të krishterët e hershëm e festonin. Përkundrazi, Bibla na jep ditën e saktë të vdekjes së Jezuit dhe ai i urdhëroi dishepujt që ta kremtonin atë ditë.a (Luka 22:19) Pra është e qartë, Jezui donte që t’i jepej rëndësi vlerës së vdekjes së tij flijuese e jo lindjes.—Mateu 20:28.
BESIMI I PËRHAPUR: Tre dijetarë (ose mbretër, sipas disa gojëdhënave) shkuan për vizitë kur lindi Jezui.
ËSHTË MIT.
Ndoshta ke parë piktura ose skena të lindjes ku foshnja Jezu paraqitet në një grazhd, i rrethuar nga tre dijetarë me dhurata në duar. Megjithatë kjo tablo nuk është fakt, por trillim.
Është e vërtetë që një delegacion nga vendet e Lindjes i bënë nderime Jezuit të vogël. Megjithatë këta vizitorë në të vërtetë ishin astrologë ose magjistarë. (Mateu 2:1, Përkthimi i Kristoforidhit) Po a e gjetën në një grazhd Jezuin? Jo, ata i shkuan për vizitë në shtëpi. Me sa duket, mbërritën disa muaj pasi lindi Jezui.—Mateu 2:9-11.
Po sa ishin këta vizitorë, 2, 3 apo 30? Bibla nuk thotë gjë. Ndoshta numri tre, siç njihet gjerësisht, doli nga tri llojet e dhuratave që kishin.b (Mateu 2:11) Disa madje kanë menduar se secili prej këtyre të ashtuquajturve dijetarë përfaqësonte një racë njerëzore. Por as për këtë nuk flitet në Shkrime. Përkundrazi, siç vëren një komentues i ungjijve, ky mit i veçantë është fryt «i një historiani të shekullit të tetë me imagjinatë të gjallë».
BESIMI I PËRHAPUR: Jezui nuk kishte motra e vëllezër të tjerë.
ËSHTË MIT.
Që Jezui kishte motra e vëllezër, tregohet qartë në Ungjij. Ungjilli i Lukës i referohet Jezuit si ‘i parëlinduri’ i Marisë, duke nënkuptuar se më vonë ajo lindi edhe fëmijë të tjerë.c (Luka 2:7) Në Ungjillin e Markut thuhet se disa në qytetin e Nazaretit e konsideronin Jezuin njësoj si motrat e vëllezërit e tij, jo si të veçantë. Ata pyetën: «A nuk janë vëllezërit e tij Jakovi, Jozefi, Juda dhe Simoni? A nuk jetojnë akoma këtu në qytetin tonë motrat e tij?»—Marku 6:3, Contemporary English Version; Mateu 12:46; Gjoni 7:5.
Pavarësisht nga ajo që thonë Ungjijtë, shumë teologë këmbëngulin se Jezui ishte fëmijë i vetëm. Disa hedhin idenë se vëllezërit dhe motrat për të cilët bëhet fjalë, në të vërtetë ishin kushërinjtë e Jezuit.d Të tjerë spekulojnë se këta ishin thjeshtrit e Marisë. Por mendo pak: nëse Jezui do të ishte fëmija i vetëm i Marisë, a do t’i thoshin ato fjalë nazareasit? Për më tepër, ka mundësi që disa ta kenë parë me sytë e tyre çdo rast që Maria kishte qenë shtatzënë. Ata ishin dëshmitarë okularë se Jezui ishte një nga fëmijët e shumtë që kishte lindur Maria.
BESIMI I PËRHAPUR: Jezui ishte Perëndia i mishëruar.
ËSHTË MIT.
Ideja se Perëndia erdhi në tokë dhe jetoi si njeriu Jezu, ide qendrore e doktrinës së Trinitetit, ka qarkulluar për një kohë të gjatë, por nuk ka dalë gjatë kohës që Jezui ishte në tokë. Gjithsesi një enciklopedi vëren: «As fjala Trinitet dhe as ndonjë doktrinë e qartë që lidhet me të, nuk gjenden në Besëlidhjen e Re . . . Doktrina u zhvillua pak nga pak, përgjatë disa shekujve dhe përmes shumë kundërshtimesh.»—The Encyclopædia Britannica.
Në të vërtetë, feja e ul figurën e Jezuit kur mëson se ai ishte Perëndia i mishëruar.e Pse themi kështu? Le ta ilustrojmë. Disa punëtorë i bëjnë një kërkesë shefit, por ai u thotë se nuk e ka autoritetin për t’ua plotësuar. Nëse ka thënë të vërtetën, shefi ka treguar me mençuri se është i vetëdijshëm për kufizimet e veta. Nëse nuk ka thënë të vërtetën, pra, nëse mundet por thjesht nuk do që t’ua plotësojë kërkesën, atëherë i ka mashtruar.
Tani, si u përgjigj Jezui kur dy nga dishepujt kërkuan vende me pozitë? Ai u tha: «Nuk më takon mua t’ju ul në të djathtën dhe në të majtën time. Ai vend u takon atyre që ua ka bërë gati Ati im.» (Mateu 20:23) Po të ishte vërtet Perëndi Jezui, a nuk do të ishte një gënjeshtër kjo? Në të vërtetë, duke iu nënshtruar Atij që ka më shumë autoritet, Jezui la një shembull të bukur modestie dhe tregoi se nuk ishte i barabartë me Perëndinë.
BESIMI I PËRHAPUR: Jezui ishte më tepër se një njeri i mirë.
ËSHTË FAKT.
Jezui tha hapur se ishte më tepër se një njeri i mirë. Ai tha: «Jam Biri i Perëndisë.» (Gjoni 10:36) Sigurisht, çdokush mund të pretendojë se është Biri i Perëndisë. Por, nëse në rastin e Jezuit ishte një pretendim, atëherë çfarë njeriu do të dilte ai? Në fakt, nuk do të dilte një njeri i mirë, por një mashtrues i madh.
Dëshminë më të besueshme për këtë e ka dhënë vetë Perëndia. Në lidhje me Jezuin ai tha dy herë: «Ky është Biri im.» (Mateu 3:17; 17:5) Mendo pak: Shkrimet tregojnë vetëm pak raste kur është dëgjuar vetë zëri i Perëndisë në tokë, e megjithatë në dy prej tyre ai e identifikoi Jezuin si Birin e tij. Pa dyshim, kjo është prova më e mirë se Jezui ishte vërtet Biri i Perëndisë.
A ke mësuar nga ky artikull ndonjë fakt që nuk e dije më parë në lidhje me Jezuin? Nëse po, pse të mos i shqyrtosh më tej Ungjijtë e frymëzuar nga Perëndia? Ky shqyrtim mund të jetë i këndshëm dhe dobiprurës. Në fund të fundit, vetë Jezui tha se mësimi i së vërtetës rreth tij dhe Atit do të thotë ‘jetë e përhershme’.—Gjoni 17:3.
[Shënimet]
a Sipas kalendarit judaik, Jezui vdiq ditën e Pashkës ose më 14 nisan.—Mateu 26:2.
b Mateu tregon se të huajt «hapën thesaret e tyre» dhe i paraqitën Jezuit ar, temjan të bardhë dhe mirrë. Interesante është se ato dhurata të shtrenjta mund të kenë qenë në kohën e duhur, pasi familjen e Jezuit, me sa duket e varfër, do ta detyronin të ikte në mërgim.—Mateu 2:11-15.
c Këta fëmijë të tjerë të Marisë u ngjizën në mënyrë natyrore me burrin e saj, Jozefin. Vetëm Jezui u ngjiz në mënyrë të mrekullueshme.—Mateu 1:25.
d Kjo ide e hedhur nga Jeronimi rreth vitit 383 të e.s., është mjaft e përhapur ndër ata që besojnë se Maria mbeti virgjëreshë gjatë gjithë jetës. Jeronimi më vonë shprehu dyshimet e tij për këtë teori, por në mendjet e shumë njerëzve—dhe në hierarkinë e Kishës Katolike—ky mendim vazhdon ende.
e Për një shqyrtim të plotë të doktrinës së Trinitetit, shih broshurën A duhet të besosh në Trinitet?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia dhe figura në faqen 14]
Fakte të tjera që mund të të habitin
Çfarë njeriu ishte Jezui? A ishte kaq i rreptë, i ftohtë dhe indiferent, sa njerëzit e thjeshtë nuk i afroheshin dot? Disa do të thoshin se po. Ndoshta ja pse habiten kur mësojnë se Jezui . . .
• merrte pjesë në raste të gëzueshme shoqërore.—Gjoni 2:1-11.
• i lavdëronte të tjerët.—Marku 14:6-9.
• kënaqej kur rrinte me fëmijët.—Marku 10:13, 14.
• qante në sy të njerëzve.—Gjoni 11:35.
• ishte i dhembshur.—Marku 1:40, 41.