Të zbatojmë Rregullën e Artë në shërbim
«Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»—MAT. 7:12.
1. A ka rëndësi mënyra si sillemi me njerëzit në shërbim? Jepni një shembull. (Shih figurën hapëse.)
PAK vite më parë një çift Dëshmitarësh në Fixhi po merrte pjesë në një fushatë për të ftuar njerëzit në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Teksa flitnin me një grua në oborrin e shtëpisë së saj, filloi shiu. Vëllai i dha një çadër dhe u fut nën çadër me të shoqen. Çifti u kënaq kur pa se gruaja erdhi në Përkujtim. Ajo tha se nuk i kujtohej edhe aq ç’i kishin thënë Dëshmitarët kur i vajtën në shtëpi. Por i kishte bërë shumë përshtypje mënyra si ishin sjellë me të, prandaj donte të shkonte medoemos në Përkujtim. Ku zinte fill ky reagim i bukur? Çifti kishte zbatuar atë që njihet si Rregulla e Artë.
2. Ç’është Rregulla e Artë, dhe si ta zbatojmë?
2 Ç’është Rregulla e Artë? Është kjo këshillë që dha Jezui: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mat. 7:12) Si mund ta zbatojmë këtë rregull? Në thelb, duke ndjekur dy hapa. Së pari, të pyesim veten: «Po të isha në vend të tjetrit, si do të doja të më trajtonin?» Së dyti, të veprojmë sipas kësaj e të bëjmë sa kemi në dorë që ta kënaqim.—1 Kor. 10:24.
3, 4. (a) Shpjegoni pse nuk e ndjekim vetëm me bashkëbesimtarët Rregullën e Artë. (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Shpesh Rregullën e Artë e zbatojmë me bashkëbesimtarët. Por, Jezui nuk tha se duhet t’u tregojmë dashamirësi vetëm atyre që janë të lidhur me ne në besim. Ç’është e vërteta, për Rregullën e Artë foli kur po tregonte si duhet të sillemi me njerëzit në përgjithësi, madje edhe me armiqtë. (Lexo Lukën 6:27, 28, 31, 35.) Nëse duhet ta ndjekim Rregullën e Artë me armiqtë, aq më tepër duhet ta zbatojmë kur u predikojmë njerëzve, shumë prej të cilëve mund të jenë «të prirur për jetën e përhershme».—Vep. 13:48.
4 Do të shqyrtojmë katër pyetje që duhet t’i mbajmë parasysh kur të jemi në shërbim: kujt do t’i flas? Ku do t’i flas? Kur është momenti për të folur? Si duhet të flas? Siç do ta shohim, këto pyetje do të na ndihmojnë të marrim parasysh ndjenjat e atyre që u predikojmë dhe ta përshtatim mënyrën si flasim në përputhje me to.—1 Kor. 9:19-23.
KUJT DO T’I FLAS?
5. Cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes?
5 Në shërbim zakonisht flasim me individë. Çdokush ka formim dhe probleme unike. (2 Kron. 6:29) Kur përpiqemi t’i japim lajmin e mirë dikujt, të pyesim veten: «Po të ndërronim rol, si do të doja të më shihte? A do të më pëlqente të më quante thjesht një njeri të rëndomtë si gjithë banorët e lagjes? Apo dua të më njohë siç jam?» Meditimi për këto pyetje mund të na kujtojë ta trajtojmë si individ këdo në predikim.
6, 7. Ç’duhet të bëjmë nëse në shërbim takojmë dikë që na duket nevrik?
6 Askush nuk ka qejf ta etiketojnë «njeri negativ». Ta ilustrojmë: si të krishterë, bëjmë çmos të zbatojmë këshillën biblike: «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir.» (Kolos. 4:6) Por, si të papërsosur që jemi, nganjëherë këputim ndonjë fjalë për të cilën bëhemi pishman. (Jak. 3:2) Nëse i kemi thënë ndonjë fjalë lënduese dikujt—mbase ngaqë nuk ishim në terezi atë ditë—nuk do të donim të na vihej vula «harbut» ose «i paedukatë». Do të shpresonim që tjetri të ishte mirëkuptues. A nuk duhet të tregohemi edhe ne po kaq dashamirës?
7 Nëse në shërbim takojmë dikë që na duket nevrik, a nuk është më mirë të mos e gjykojmë menjëherë? Mos vallë është i stresuar nga puna a shkolla? Mos po kalon ndonjë problem shëndetësor të rëndë? Ka ndodhur shpesh që i zoti i shtëpisë ka qenë me nerva, por më pas ka reaguar mirë ngaqë shërbëtorët e Jehovait e kanë trajtuar me butësi e respekt.—Prov. 15:1; 1 Pjet. 3:15.
8. Pse nuk duhet të stepemi t’ua japim ‘njerëzve të çdo lloji’ mesazhin për Mbretërinë?
8 Në shërbim takojmë lloj-lloj njerëzish. Një provë të kësaj e gjejmë te mbi 60 përvojat e botuara vitet e fundit në Kullën e Rojës, në serinë «Bibla të ndryshon jetën». Disa nga njerëzit për të cilët flasin këta artikuj, dikur ishin hajdutë, pijanecë, pjesëtarë bandash ose të droguar. Të tjerë ishin politikanë, krerë fetarë ose karrieristë. Disa bënin jetë imorale. Prapëseprapë, të gjithë këta ia vunë veshin lajmit të mirë, pranuan të studionin Biblën, bënë ndryshime në jetë dhe përqafuan të vërtetën. Prandaj, kurrë të mos nxjerrim përfundimin se është e pamundur që mesazhi për Mbretërinë t’i ndihmojë disa njerëz. (Lexo 1 Korintasve 6:9-11.) Përkundrazi, jemi të bindur se lajmin e mirë mund ta pranojnë «njerëz të çdo lloji».—1 Kor. 9:22.
KU DO T’U FLAS NJERËZVE?
9. Pse duhet të tregojmë respekt për shtëpinë e të tjerëve?
9 Ku u predikojmë njerëzve? Zakonisht në shtëpitë e tyre. (Mat. 10:11-13) A nuk e vlerësojmë kur të tjerët tregojnë respekt për pronën dhe shtëpinë tonë? Tekefundit, për ne shtëpia është e rëndësishme, një vend ku duam të kemi siguri dhe privacitet. A nuk duhet t’u tregojmë këtë lloj respekti edhe njerëzve në territor? Bëjmë mirë të reflektojmë për mënyrën si sillemi kur shkojmë në shtëpinë e tyre.—Vep. 5:42.
10. Si mund të bëjmë kujdes të mos i shqetësojmë njerëzit në territor?
10 Në botën e sotme plot krime, shumë njerëz i shohin me sy të shtrembër të panjohurit që u shkojnë te dera. (2 Tim. 3:1-5) Duhet të bëjmë kujdes të mos ngjallim më tepër dyshim kur jemi në territor. Për shembull, ta zëmë se trokasim në derën kryesore të një shtëpie. Nëse nuk përgjigjet njeri, mbase na vjen të hedhim një sy te dritarja ose t’i biem rrotull shtëpisë që të gjejmë të zotin. Në zonën tuaj, a do të shqetësohej ai nga kjo sjellje? Po komshinjtë, ç’mund të mendojnë? S’diskutohet se duam t’u japim dëshmi të plotë njerëzve. (Vep. 10:42) Mezi presim të përhapim një mesazh pozitiv, dhe kemi motive të pastra. (Rom. 1:14, 15) Prapëseprapë, është e mençur të mos bëjmë asgjë që i shqetëson më kot njerëzit në territor. Apostulli Pavël shkroi: «Në asnjë mënyrë nuk po japim asnjë shkak për pengesë, që në shërbimin tonë të mos gjendet e metë.» (2 Kor. 6:3) Kur tregojmë respekt për pronën dhe shtëpitë e njerëzve në territor, disa mund të tërhiqen drejt së vërtetës falë sjelljes sonë.—Lexo 1 Pjetrit 2:12.
KUR ËSHTË MOMENTI PËR TË FOLUR?
11. Pse e vlerësojmë kur të tjerët e respektojnë programin tonë?
11 Si shërbëtorë të Jehovait jemi mjaft të zënë. Që të plotësojmë detyrimet tona, përcaktojmë përparësitë dhe bëjmë një program të menduar mirë. (Efes. 5:16; Filip. 1:10) Nëse diçka na e prish programin, mund të acarohemi. Prandaj e vlerësojmë kur të tjerët respektojnë programin tonë dhe tregohen të arsyeshëm e nuk na marrin shumë kohë. Duke mbajtur parasysh Rregullën e Artë, si mund të tregojmë edhe ne respekt për ata që u predikojmë?
12. Si mund të dallojmë cili është momenti më i volitshëm për t’u folur njerëzve në territor?
12 Duhet të përpiqemi të dallojmë kur është momenti më i volitshëm për të predikuar. Në territorin tonë, kur i gjejmë zakonisht njerëzit në shtëpi? Kur janë më të gatshëm të na dëgjojnë? Të përpiqemi ta përshtatim orarin e predikimit me këtë. Në disa pjesë të botës, predikimi është më i frytshëm pasdite vonë ose në buzëmbrëmje. Nëse është kështu në zonën tuaj, a mund të programosh që të paktën një pjesë të shërbimit shtëpi më shtëpi ta bësh në këtë orar? (Lexo 1 Korintasve 10:24.) Pa dyshim, Jehovai do të bekojë çdo sakrificë për të dalë në shërbim në oraret më të volitshme për njerëzit në territor.
13. Si mund të tregojmë respekt për të zotin e shtëpisë?
13 Në ç’mënyrë tjetër mund të tregojmë respekt? Kur gjejmë ndonjë që është i gatshëm të dëgjojë, le të japim dëshmi të mirë, por të mos abuzojmë me mikpritjen duke ndenjur gjatë. I zoti i shtëpisë mund ta ketë rezervuar atë kohë për diçka që e quan të rëndësishme. Nëse thotë se është i zënë, mund ta sigurojmë se do t’i biem shkurt, dhe pastaj vërtet t’i biem shkurt. (Mat. 5:37) Kur mbyllim bisedën, ta pyesim kur e ka më mirë t’i shkojmë prapë. Disa lajmëtarë kanë pasur rezultate të mira, duke thënë: «Kam qejf t’ju takoj përsëri. Mos e keni më mirë t’ju telefonoj ose t’ju dërgoj një mesazh para se të kaloj nga shtëpia?» Kur përshtatemi me programin e njerëzve në territor, ndjekim shembullin e Pavlit, që ‘nuk kërkonte përfitimin e vet, por atë të të shumtëve, që të shpëtonin’.—1 Kor. 10:33.
SI DUHET TË FLAS?
14-16. (a) Pse duhet t’ia bëjmë të qartë arsyen e vizitës të zotit të shtëpisë? Ilustrojeni. (b) Cilin prezantim përdor me sukses një mbikëqyrës udhëtues?
14 Imagjino sikur një ditë të telefonon dikush, por nuk ia njeh zërin. Është një i panjohur, e megjithatë të pyet se ç’lloj ushqimesh të pëlqejnë. Vret mendjen kush është dhe çfarë do. Sa për edukatë, mbase flet pak me të, ama me marifet i lë të kuptojë se do që ta mbyllësh muhabetin. Tani imagjino sikur telefonuesi prezantohet, të thotë se është specialist në fushën e të ushqyerit dhe me mirësjellje të tregon se ka ca informacione të dobishme. Ka të ngjarë të jesh më i gatshëm ta dëgjosh. Fundja, na pëlqen kur na flasin qartë, por edhe me takt. Si mund të jemi po kaq të mirësjellshëm me ata që u predikojmë?
15 Në shumë territore, duhet t’ia tregojmë qartë arsyen e vizitës të zotit të shtëpisë. S’diskutohet, kemi informacione me vlerë që ai nuk i ka. Megjithatë, ta zëmë se, pa u prezantuar, fillojmë në çast me një pyetje si kjo: «Po ta kishe në dorë të zgjidhje çfarëdo problemi në botë, cilin do të ndreqje?» Ne e dimë ku duam të dalim me këtë pyetje: të zbulojmë çfarë mendon personi, pastaj ta drejtojmë bisedën te Bibla. Mirëpo, i zoti i shtëpisë mund të vrasë mendjen: «Kush është ky dhe çne që më bën këtë pyetje? Ç’hall ka, xhanëm?!» Prandaj duhet të përpiqemi që i zoti i shtëpisë të ndihet rehat. (Filip. 2:3, 4) Si ta bëjmë këtë?
16 Një mbikëqyrës udhëtues ka parë se prezantimi i mëposhtëm bën punë. Pasi përshëndetet me të zotin e shtëpisë, i jep fletushkën A do të dish të vërtetën?, dhe i thotë: «Sot po u japim këtë fletushkë gjithë fqinjve tuaj. Këtu trajtohen gjashtë pyetje që mundojnë mjaft veta. Kjo është kopja juaj.» Vëllai tregon se shumica qetësohen disi kur e dinë qëllimin e vizitës. Në këtë pikë, shpesh është më kollaj të hapësh një bisedë. Pas kësaj, mbikëqyrësi e pyet: «A ju mundon ndonjë nga këto pyetje?» Nëse i zoti i shtëpisë zgjedh njërën, vëllai hap fletushkën dhe i tregon çfarë thotë Bibla për atë pyetje. Përndryshe zgjedh vetë një pyetje dhe vazhdon bisedën, pa e vënë në siklet personin. Sigurisht, ka lloj-lloj mënyrash për të hapur bisedën. Në disa zona njerëzit presin të ndjekim ca rregulla të mirësjelljes para se të themi arsyen e vizitës. Puna është të mendojmë si u pëlqen njerëzve në zonën tonë t’u flasim. Pastaj ta përshtatim prezantimin me këtë.
TË VAZHDOJMË TA ZBATOJMË RREGULLËN E ARTË NË SHËRBIM
17. Siç u shqyrtua në këtë artikull, cilat janë disa mënyra si e zbatojmë Rregullën e Artë?
17 Atëherë, cilat janë disa mënyra si e zbatojmë Rregullën e Artë në shërbim? E trajtojmë si individ këdo që i predikojmë. Tregojmë respekt për pronën dhe shtëpinë e njerëzve në territor. Mundohemi të dalim në shërbim në oraret kur shumica ndodhen në shtëpi dhe janë më të gatshëm të dëgjojnë. Gjithashtu, e prezantojmë mesazhin në një mënyrë që mirëpritet në territor.
18. Ç’të mira vijnë kur i trajtojmë njerëzit në territor siç do të donim të na trajtonin neve?
18 Vijnë shumë të mira kur i trajtojmë njerëzit në territor siç do të donim të na trajtonin neve. Kur jemi dashamirës me të tjerët, lëmë dritën tonë të ndriçojë, nxjerrim në pah vlerën e parimeve biblike dhe i japim lavdi Atit tonë qiellor. (Mat. 5:16) Mënyra si flasim mund të tërheqë më shumë njerëz drejt së vërtetës. (1 Tim. 4:16) E pranojnë apo jo të tjerët mesazhin për Mbretërinë, kënaqemi që po bëjmë më të mirën në shërbim. (2 Tim. 4:5) Secili nga ne le të imitojë apostullin Pavël, që shkroi: «Çdo gjë e bëj për hir të lajmit të mirë, që të bëhem pjesëmarrës i këtij lajmi bashkë me të tjerët.» (1 Kor. 9:23) Prandaj, në shërbim le të zbatojmë gjithmonë Rregullën e Artë.