KAPITULLI 9
«Krishti është fuqia e Perëndisë»
1-3. (a) Cilën përvojë të tmerrshme patën dishepujt në detin e Galilesë dhe çfarë bëri Jezui? (b) Pse Jezui quhet me të drejtë ‘Krishti, fuqia e Perëndisë’?
DISHEPUJT ishin të tmerruar. Po lundronin përmes detit të Galilesë, kur papritur filloi një stuhi. S’diskutohet që kishin hasur edhe më parë stuhi në këtë liqen, se në fund të fundit disa nga burrat ishin peshkatarë me përvojë.a (Mateu 4:18, 19) Por ky ishte «një tufan i egër e i fortë» dhe shumë shpejt i trazoi ujërat duke ngritur dallgë të furishme. Burrat punonin si të tërbuar për të manovruar barkën, por stuhia ishte më e fortë. Dallgët e fuqishme «përplaseshin me barkën», e cila nisi të mbushej me ujë. Me gjithë këtë rrëmujë, Jezui po bënte një gjumë të thellë në kiçin e barkës, i rraskapitur pasi kishte mësuar turmat për një ditë të tërë. Të frikësuar për jetën e tyre, dishepujt e zgjuan dhe iu lutën: «Zotëri, na shpëto, gati po marrim fund!»—Marku 4:35-38; Mateu 8:23-25.
2 Jezui nuk u frikësua. Me një siguri të plotë ai qortoi erën dhe detin duke thënë: «Pusho! Hesht!» Menjëherë era dhe deti iu bindën, stuhia u fashit, dallgët u zhdukën dhe «u bë një qetësi e madhe». Dishepujt tani i zuri një frikë e pazakontë. «Kush është në të vërtetë ky?»—murmuritën me njëri-tjetrin. Vërtet, cili njeri mund të qortonte erën dhe detin sikur të ishte duke qortuar një fëmijë të pabindur?—Marku 4:39-41; Mateu 8:26, 27.
3 Por Jezui nuk ishte një njeri i zakonshëm. Jehovai e tregoi fuqinë e tij në dobi të Jezuit dhe e shfaqi nëpërmjet tij në mënyra të jashtëzakonshme. Apostulli Pavël, duke qenë i frymëzuar, mund t’i referohej me të drejtë atij si «Krishti që është fuqia e Perëndisë». (1 Korintasve 1:24) Në cilat mënyra u shfaq te Jezui fuqia e Perëndisë? Veç kësaj, ç’lidhje mund të ketë me jetën tonë mënyra se si e përdorte Jezui fuqinë?
Fuqia e Birit të vetëmlindur të Perëndisë
4, 5. (a) Çfarë fuqie dhe autoriteti i delegoi Jehovai Birit të tij të vetëmlindur? (b) Si ishte i pajisur ky Bir për të përmbushur qëllimet krijuese të Atit të tij?
4 Mendo për fuqinë që kishte Jezui gjatë ekzistencës paranjerëzore. Jehovai e ushtroi ‘fuqinë e tij të përjetshme’ kur krijoi Birin e tij të vetëmlindur, i cili u njoh si Jezu Krishti. (Romakëve 1:20; Kolosianëve 1:15) Më pas, i delegoi këtij Biri fuqi dhe autoritet jashtëzakonisht të madh, duke e caktuar që të përmbushte qëllimet e Tij krijuese. Bibla thotë për këtë Bir: «Të gjitha gjërat erdhën në ekzistencë nëpërmjet tij dhe pa të nuk erdhi në ekzistencë as edhe një gjë.»—Gjoni 1:3.
5 Vështirë ta përfytyrojmë plotësisht se sa i madh ishte ky caktim. Mendo sa fuqi do të nevojitej për të sjellë në ekzistencë miliona engjëj të fuqishëm, universin fizik me miliarda galaktikat e tij, si edhe tokën me shumëllojshmërinë e formave të jetës në të. Për të kryer këto detyra, Biri i vetëmlindur kishte në dispozicion forcën më të fuqishme në univers: frymën e shenjtë të Perëndisë. Ky Bir kënaqej shumë me rolin i tij si Kryemjeshtri, të cilin Jehovai e përdori për të krijuar të gjitha gjërat e tjera.—Proverbat 8:22-31.
6. Çfarë fuqie dhe autoriteti iu dha Jezuit pasi vdiq në tokë dhe u ringjall?
6 A mund të merrte Biri i vetëmlindur edhe më shumë fuqi e autoritet? Pasi vdiq në tokë dhe u ringjall, Jezui tha: «Çdo autoritet më është dhënë në qiell dhe në tokë.» (Mateu 28:18) Po, Jezuit i është dhënë aftësia dhe e drejta për të ushtruar fuqi në gjithë universin. Si «Mbret i mbretërve dhe Zotëri i zotërinjve» ai është autorizuar për të «asgjësuar çdo qeveri, autoritet dhe fuqi», të dukshme e të padukshme, që i kundërvihet Atit të tij. (Zbulesa 19:16; 1 Korintasve 15:24-26) Perëndia «nuk la asgjë pa i nënshtruar» Jezuit, domethënë asgjë tjetër përveç vetë Jehovait.—Hebrenjve 2:8; 1 Korintasve 15:27.
7. Pse mund të jemi të sigurt që Jezui nuk do ta keqpërdorë kurrë fuqinë që i ka lënë në dorë Jehovai?
7 A duhet të shqetësohemi se mos Jezui e keqpërdor fuqinë e tij? Absolutisht jo! Jezui e do vërtet Atin e tij dhe nuk do të bënte kurrë ndonjë gjë që do t’i sillte pakënaqësi. (Gjoni 8:29; 14:31) Ai e di mirë se Jehovai nuk e keqpërdor kurrë fuqinë e tij të pakufishme. E ka parë vetë se Jehovai kërkon mundësi për «të treguar forcën e tij në dobi të atyre që e kanë zemrën të plotë ndaj tij». (2 Kronikave 16:9) Në të vërtetë, Jezui ka të njëjtën dashuri që ka Ati i tij për njerëzimin, prandaj mund të kemi besim se do ta përdorë gjithnjë për mirë fuqinë e tij. (Gjoni 13:1) Në këtë drejtim Jezui ka një të kaluar të patëmetë. Le të shqyrtojmë fuqinë që kishte kur ishte në tokë dhe si u motivua ta përdorte atë.
«I fuqishëm në . . . fjalë»
8. Çfarë fuqie iu dha Jezuit pasi u miros dhe si e përdori ai këtë fuqi?
8 Me sa duket, Jezui nuk kreu mrekulli gjatë kohës që rritej në Nazaret. Por kjo ndryshoi pasi u pagëzua në vitin 29 të e.s., në moshën 30-vjeçare. (Luka 3:21-23) Bibla na thotë: «Perëndia e mirosi me frymë të shenjtë e fuqi dhe ai kaloi nëpër vend, duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë të shtypurit nga Djalli.» (Veprat 10:38) A nuk tregon shprehja «duke bërë mirë» se Jezui e përdori në mënyrën e duhur fuqinë e tij? Pasi u miros, ai «u bë profet i fuqishëm në vepra e fjalë».—Luka 24:19.
9-11. (a) Ku e zhvillonte Jezui një pjesë të madhe të mësimeve të tij dhe cilën sfidë haste? (b) Pse turmat ishin të mahnitura nga mënyra se si mësonte Jezui?
9 Në ç’mënyrë Jezui ishte i fuqishëm në fjalë? Shpesh ai i mësonte të tjerët në natyrë: në breg të liqenit e në faqet e kodrave, si edhe nëpër rrugë e sheshe pazari. (Marku 6:53-56; Luka 5:1-3; 13:26) Dëgjuesit fare mirë mund të iknin, po të mos u ngjallnin interes fjalët e tij. Në epokën kur ende nuk shtypeshin libra, dëgjuesit që i vlerësonin fjalët e tij duhej t’i ruanin ato në mendje e në zemër. Prandaj mësimi i Jezuit patjetër duhej t’i bënte për vete njerëzit, të kuptohej qartë dhe të mbahej mend me lehtësi. Por kjo sfidë nuk përbënte asnjë problem për Jezuin. Shqyrto për shembull Predikimin e tij në Mal.
10 Një mëngjes herët në vitin 31 të e.s., një turmë u mblodh në faqen e një kodre afër detit të Galilesë. Disa kishin ardhur nga Judea e nga Jerusalemi, 100 deri 110 kilometra larg. Të tjerë kishin ardhur nga zona bregdetare e Tirit dhe e Sidonit, në veri. Shumë njerëz të sëmurë iu afruan Jezuit për ta prekur dhe ai i shëroi të gjithë. Kur nuk pati më asnjë të sëmurë rëndë ndër ta, ai filloi t’i mësonte. (Luka 6:17-19) Kur mbaroi së foluri ca më vonë, njerëzit mbetën të mahnitur nga ajo që kishin dëgjuar. Pse?
11 Vite më vonë, një njeri që e kishte dëgjuar predikimin shkroi: «Turmat ishin të mahnitura nga mënyra se si mësonte ai; sepse i mësonte si një që ka autoritet.» (Mateu 7:28, 29) Jezui fliste me një fuqi që ata mund ta ndienin. Fliste në emër të Perëndisë dhe e mbështeste mësimin e tij me autoritetin e Fjalës së Perëndisë. (Gjoni 7:16) Pohimet e Jezuit ishin të qarta. Ai ta mbushte mendjen në mënyrë bindëse dhe sillte argumente të pakundërshtueshme. Fjalët që thoshte preknin thelbin e çështjeve dhe u shkonin drejt e në zemër dëgjuesve. Ai u mësoi si të gjenin lumturinë, si të luteshin, si të kërkonin Mbretërinë e Perëndisë dhe si të ndërtonin një të ardhme të sigurt. (Mateu 5:3–7:27) Fjalët e tij zgjuan zemrën e atyre që ishin të etur për të vërtetën dhe për drejtësinë. Këta ishin të gatshëm të ‘mohonin’ veten dhe të braktisnin çdo gjë për të ndjekur Jezuin. (Mateu 16:24; Luka 5:10, 11) Sa shumë dëshmon kjo për fuqinë e fjalëve të Jezuit!
«I fuqishëm në vepra»
12, 13. Në cilin kuptim ishte Jezui «i fuqishëm në vepra» dhe çfarë shumëllojshmërie kishte në mrekullitë e tij?
12 Jezui ishte edhe «i fuqishëm në vepra». (Luka 24:19) Ungjijtë raportojnë më shumë se 30 mrekulli specifike të kryera nga ai, që të gjitha me ‘fuqinë e Jehovait’.b (Luka 5:17) Mrekullitë e Jezuit prekën jetën e mijëra vetave. Të marrim për shembull vetëm dy nga mrekullitë e tij, kur ushqeu 5.000 burra dhe më vonë 4.000 burra «përveç grave dhe fëmijëve të vegjël». Turmat e njerëzve në këto dy raste mund të arrinin gjithsej deri në 20.000 veta.—Mateu 14:13-21; 15:32-38.
«Panë Jezuin duke ecur mbi det»
13 Mrekullitë që kreu Jezui ishin nga më të ndryshmet. Ai kishte autoritet mbi demonët, duke i dëbuar ata pa u munduar fare. (Luka 9:37-43) Kishte fuqi mbi elementet fizike, duke e kthyer ujin në verë. (Gjoni 2:1-11) Për habinë e dishepujve të tij, eci mbi sipërfaqen e detit të Galilesë, të rrahur nga erërat. (Gjoni 6:18, 19) Kishte kontroll të plotë mbi sëmundjet, duke shëruar defekte të organeve, sëmundje kronike dhe sëmundje të tjera kërcënuese për jetën. (Marku 3:1-5; Gjoni 4:46-54) Këto shërime i bëri në mënyra të ndryshme. Disa u shëruan nga larg, kurse të tjerë ndien t’i prekte vetë Jezui. (Mateu 8:2, 3, 5-13) Disa u shëruan përnjëherë, kurse të tjerë dalëngadalë.—Marku 8:22-25; Luka 8:43, 44.
14. Në cilat rrethana e tregoi Jezui se kishte fuqi për të zhbërë vdekjen?
14 Një gjë e jashtëzakonshme është se Jezui kishte fuqinë për të zhbërë vdekjen. Janë tri raste të dokumentuara që ai ringjalli të vdekur, duke u kthyer një vajzë 12-vjeçare prindërve të saj, një fëmijë të vetëm nënës së tij të ve dhe një vëlla të dashur motrave të tij. (Luka 7:11-15; 8:49-56; Gjoni 11:38-44) Asnjë rrethanë nuk ishte tepër e vështirë për të. Vajzën 12-vjeçare e ngriti nga shtrati i vdekjes pak pasi ajo kishte vdekur. Të birin e vejushës e ringjalli nga arkivoli ku po e mbartnin gjatë funeralit, pa dyshim ditën që kishte vdekur. Kurse Lazarin e ngriti nga varri katër ditë pasi kishte vdekur.
E përdori fuqinë me altruizëm përgjegjësi dhe kujdes
15, 16. Çfarë provash ka se Jezui e përdorte me altruizëm fuqinë?
15 A e përfytyron dot sa shpërdorime do të kishte pasur sikur fuqia e Jezuit t’i lihej në dorë ndonjë sundimtari të papërsosur? Por Jezui ishte pa mëkat. (1 Pjetrit 2:22) Ai nuk pranoi të njollosej nga egoizmi, ambicia dhe lakmia, që i shtyjnë njerëzit e papërsosur ta përdorin fuqinë për të dëmtuar të tjerët.
16 Jezui ishte altruist në mënyrën si e përdorte fuqinë, duke mos e përdorur kurrë për përfitim personal. Kur ishte i uritur, nuk pranoi t’i kthente gurët në bukë për vete. (Mateu 4:1-4) Zotërimet e tij të pakta materiale ishin provë se nuk nxirrte përfitim material nga përdorimi i fuqisë që kishte. (Mateu 8:20) Ka edhe prova të tjera se veprat e tij të fuqishme buronin nga motive altruiste. Kur kryente mrekulli, atij vetë i duhej të bënte sakrifica. Kur shëronte të sëmurët, prej tij dilte fuqi. E ndiente këtë fuqi që dilte prej tij edhe në rastin e një shërimi të vetëm. (Marku 5:25-34) E megjithatë lejoi që turma të tëra njerëzish ta preknin e të shëroheshin. (Luka 6:19) Çfarë fryme vetëmohuese!
17. Si e tregoi Jezui se ishte i përgjegjshëm kur përdorte fuqinë?
17 Jezui ishte i përgjegjshëm kur përdorte fuqinë. Nuk bëri kurrë vepra të fuqishme thjesht për t’u dukur ose pa ndonjë qëllim. (Mateu 4:5-7) Nuk pranoi të kryente shenja vetëm për të kënaqur kureshtjen e Herodit që kishte motive të gabuara. (Luka 23:8, 9) Në vend që t’i bënte reklamë fuqisë që kishte, shpesh Jezui u thoshte atyre që shëronte të mos i tregonin askujt. (Marku 5:43; 7:36) Nuk donte që njerëzit të nxirrnin përfundime për të duke u bazuar vetëm në lajmet e bujshme që kishin dëgjuar.—Mateu 12:15-19.
18-20. (a) Çfarë ndikoi në mënyrën se si e përdorte Jezui fuqinë e tij? (b) Çfarë mendon për mënyrën si e shëroi Jezui një njeri të shurdhër?
18 Ky njeri i fuqishëm, Jezui, s’ishte aspak si ata sundimtarë që e kanë përdorur fuqinë duke shpërfillur mizorisht nevojat dhe vuajtjet e të tjerëve. Jezuit i dhimbseshin njerëzit. Sapo shihte njerëz të pikëlluar prekej aq thellë, saqë motivohej për t’ua lehtësuar vuajtjet. (Mateu 14:14) Mbante parasysh ndjenjat dhe nevojat e tyre, e ky interesim i butë ndikonte në mënyrën si e përdorte fuqinë. Një shembull prekës e gjejmë te Marku 7:31-37.
19 Në këtë rast, turma të mëdha e gjetën Jezuin dhe i sollën shumë të sëmurë, të cilët i shëroi. (Mateu 15:29, 30) Por Jezui veçoi një njeri për t’i treguar kujdes të veçantë. Ky njeri ishte i shurdhër dhe mezi fliste. Jezui mund ta ketë kuptuar që ai ndihej në tension ose në siklet më shumë se të tjerët. Duke u treguar i vëmendshëm, Jezui e mori mënjanë, larg turmës, në një vend të veçuar. Më pas bëri disa shenja për t’i dhënë të kuptonte atij njeriu se çfarë do të bënte. Ai «futi gishtat në veshët e atij njeriu dhe pasi pështyu, i preku gjuhën».c (Marku 7:33) Më tej, Jezui ngriti sytë nga qielli dhe, duke u lutur, psherëtiu thellë. Këto veprime do t’i jepnin të kuptonte atij njeriu: ‘Kjo që do të bëj është falë fuqisë që vjen nga Perëndia.’ Në fund Jezui tha: «Hapu.» (Marku 7:34) Me këtë, njeriut i erdhi dëgjimi dhe mundi të fliste normalisht.
20 Sa prekëse është të mendojmë se edhe kur përdorte fuqinë që i kishte dhënë Perëndia për të shëruar të munduarit, Jezui tregonte vëmendje për ndjenjat e tyre! A nuk qetësohemi kur dimë se Jehovai e ka lënë Mbretërinë mesianike në duart e një Sundimtari kaq të dhembshur e të kujdesshëm?
Shenjë e gjërave që do të vijnë
21, 22. (a) Shenjë e cilave gjëra ishin mrekullitë e Jezuit? (b) Çfarë mund të presim nën sundimin e Mbretërisë së Jezuit, duke qenë se ai i ka nën kontroll forcat e natyrës?
21 Veprat e fuqishme që kreu Jezui në tokë ishin vetëm një shenjë paraprake e bekimeve edhe më të mëdha që do të vijnë nën sundimin e tij mbretëror. Në botën e re të Perëndisë, Jezui edhe një herë do të bëjë mrekulli, por kësaj radhe në shkallë botërore. Shqyrto disa nga mundësitë emocionuese që shtrihen para nesh.
22 Jezui do ta rikthejë ekologjinë e tokës në ekuilibër të përsosur. Kujto që ai tregoi se i kishte nën kontroll forcat e natyrës duke qetësuar një tufan! Sigurisht, pra, nën sundimin e Mbretërisë së Krishtit, njerëzimi s’ka pse të ketë më frikë se mos i ndodh gjë nga tajfunet, nga tërmetet, nga shpërthimet vullkanike ose nga katastrofa të tjera natyrore. Duke qenë se Jezui është Kryemjeshtri, të cilin Jehovai e përdori për të krijuar tokën dhe gjithë jetën në të, ai e kupton plotësisht përbërjen e tokës. Di si t’i përdorë në mënyrën e duhur burimet e saj. Nën sundimin e tij, e gjithë toka do të kthehet në Parajsë.—Luka 23:43.
23. Si do t’i plotësojë Jezui si Mbret nevojat e njerëzimit?
23 Po për sa u përket nevojave të njerëzimit? Aftësia e Jezuit për të ushqyer me bollëk mijëra veta duke përdorur vetëm ca rezerva të vogla ushqimi, na siguron se sundimi i tij do të sjellë lirinë nga uria. Pikërisht një bollëk ushqimi, i ndarë me drejtësi, do t’i japë fund urisë përgjithmonë. (Psalmi 72:16) Fakti që kishte kontroll mbi sëmundjet na tregon se të sëmurët, të verbrit, të shurdhrit, të gjymtuarit dhe njerëzit e çalë do të shërohen plotësisht dhe një herë e mirë. (Isaia 33:24; 35:5, 6) Aftësia e tij për të ringjallur të vdekurit na siguron se pushteti i tij si Mbret qiellor përfshin edhe fuqinë për të ringjallur miliona e miliona njerëz, të cilët Ati i tij i kujton me kënaqësi.—Gjoni 5:28, 29.
24. Ndërkohë që meditojmë për fuqinë e Jezuit, çfarë duhet të mbajmë në mendje dhe përse?
24 Ndërkohë që meditojmë për fuqinë e Jezuit, le të mbajmë në mendje se ky Bir imiton në mënyrë të përsosur Atin e tij. (Gjoni 14:9) Kështu, mënyra si e përdori Jezui fuqinë na jep një portret të qartë se si e përdor Jehovai fuqinë e tij. Për shembull, mendo se sa me butësi e shëroi Jezui një njeri me lebër. I shtyrë nga keqardhja, Jezui e preku njeriun dhe tha: «Dua.» (Marku 1:40-42) Nëpërmjet tregimeve të tilla, Jehovai në të vërtetë po thotë: ‘Kështu e përdor unë fuqinë time!’ A nuk ndihesh i shtyrë ta lavdërosh Perëndinë e plotfuqishëm dhe ta falënderosh që e përdor fuqinë e tij në një mënyrë kaq të dashur?
a Stuhitë e papritura janë një gjë e zakonshme për detin e Galilesë, i cili edhe pse ka këtë emër, në të vërtetë është një liqen. Për shkak të nivelit të ulët të sipërfaqes së tij (rreth 200 metra nën nivelin e detit), ajri aty është shumë më i ngrohtë se në zonën që e rrethon dhe kjo krijon turbullira atmosferike. Erëra të forta zbresin me furi në luginën e Jordanit që nga mali Hermon, i cili ndodhet në veri. Qetësia e një çasti mund të kthehet në një stuhi të tërbuar çastin tjetër.
b Përveç kësaj, nganjëherë Ungjijtë i grupojnë shumë mrekulli me një përshkrim të vetëm të përgjithshëm. Për shembull, një herë «tërë qyteti» shkoi te Jezui dhe ai shëroi «shumë» të sëmurë.—Marku 1:32-34.
c Pështyma ishte një mjet ose një shenjë shërimi e pranuar edhe nga judenjtë, edhe nga johebrenjtë. Po ashtu përdorimi i pështymës nëpër kura raportohet në shkrimet rabinike. Jezui mund të ketë pështyrë thjesht për t’i bërë të ditur atij njeriu se do ta shëronte. Sidoqoftë, Jezui nuk po e përdorte pështymën si një ilaç natyror.