A mësoni ashtu si Jezui?
«Turmat u habitën nga mënyra e tij e të mësuarit, sepse ai i mësonte si një që ka autoritet dhe jo si skribët.»—MATEU 7:28, 29, BR.
1. Kush e ndiqte Jezuin kur ai mësonte në Galile dhe si reagoi Jezui?
KUDO që shkonte Jezui, njerëzit i shkonin nga pas turma-turma. «Jezusi shkonte kudo nëpër Galile, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popull.» Pak nga pak që lajmi i aktiviteteve të tij përhapej «një mori e madhe njerëzish i shkonte pas, nga Galileja, nga Dekapoli, nga Jeruzalemi, nga Judeja dhe nga përtej Jordanit». (Mateu 4:23, 25) Duke i parë, ai «kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari». Kur i mësonte, ata mund të ndienin keqardhjen dhe dhembshurinë që ai kishte për ta; ishte si një balsam qetësues për plagët e tyre dhe i tërhiqte gjithnjë e më shumë drejt vetes.—Mateu 9:35, 36.
2. Përveç mrekullive të Jezuit, ç’gjë tjetër i tërhoqi turmat e mëdha?
2 Ç’shërime të mrekullueshme fizike bëri Jezui: pastroi të lebrosurit, u dha dëgjimin të shurdhërve dhe shikimin të verbërve, bëri që të ecnin të çalët dhe solli në jetë të vdekurit! Natyrisht, këto shfaqje spektakulare të fuqisë së Jehovait përmes Jezuit do të tërhiqnin një numër të madh njerëzish! Por nuk ishin mrekullitë e vetmja gjë që i tërhoqi ata; turmat e mëdha vinin edhe për shërimin frymor që bënte Jezui kur mësonte. Vëre, për shembull, përgjigjet e tyre pasi kishin dëgjuar Predikimin e tij të famshëm në Mal: «Kur Jezui mbaroi këto fjalë, turmat u habitën nga mënyra e tij e të mësuarit, sepse ai i mësonte si një që ka autoritet dhe jo si skribët.» (Mateu 7:28, 29, BR) Rabinët e tyre citonin si autoritet traditat oratorike të rabinëve të mëparshëm. Ndërsa Jezui i mësoi ata me autoritet nga Perëndia: «Gjërat, pra, që them unë, i them ashtu siç m’i ka thënë Ati.»—Gjoni 12:50.
Mësimi i tij prekte zemrën
3. Ku qëndronte ndryshimi midis mënyrës së mësimit të Jezuit dhe skribëve e farisenjve?
3 Ndryshimi midis mësimit të Jezuit dhe atij të skribëve dhe të farisenjve nuk qëndronte vetëm në përmbajtje—të vërtetat nga Perëndia në ndryshim me traditat e rënda gojore të njerëzve—por edhe nga mënyra në të cilën jepej. Skribët dhe farisenjtë ishin arrogantë, të ashpër, që kërkonin me mendjemadhësi tituj lartësues dhe që i shikonin turmat me përbuzje si «njerëz të mallkuar». Ndërsa Jezui ishte i butë, i shtruar, i dashur, dashamirës e shpesh tolerues dhe kishte dhembshuri për ta. Jezui jo vetëm që mësoi me fjalë korrekte, por edhe me fjalë tërheqëse që i dilnin nga zemra dhe që preknin direkt zemrën e dëgjuesve. Mesazhi i tij i gëzuar i tërhiqte njerëzit drejt tij, i shtynte të shkonin herët në mëngjes në tempull për ta dëgjuar dhe i bënte ta ndiqnin vazhdimisht e ta dëgjonin me kënaqësi. Ata vinin turma-turma për ta dëgjuar, duke thënë: «Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri.»—Gjoni 7:46-49; Marku 12:37; Luka 4:22; 19:48; 21:38.
4. Cili aspekt i predikimit të Jezuit i tërhoqi në mënyrë të veçantë shumë njerëz?
4 Sigurisht, një nga arsyet që njerëzit ndiheshin të tërhequr drejt mësimit të tij ishte përdorimi i shëmbëlltyrave. Jezui shihte atë që shihnin edhe të tjerët, por mendonte gjëra që të tjerëve nuk u kishin shkuar kurrë në mend. Zambakët që rriten në fushë, zogjtë që ndërtojnë foletë e tyre, mbjellësit, barinjtë që çojnë në vathë qengjat e humbur, gratë që arnojnë rrobat, fëmijët që lozin në shesh, peshkatarët që tërheqin rrjetat—gjëra që sytë e të gjithëve i shihnin—në sytë e Jezuit nuk ishin të rëndomta. Kudo që hidhte sytë, vërente gjëra që mund t’i përdorte për të ilustruar Perëndinë dhe Mbretërinë e Tij ose për të vënë në dukje ndonjë aspekt të shoqërisë njerëzore rreth tij.
5. Ku i bazonte Jezui ilustrimet e tij dhe ç’gjë i bëri të efektshme shëmbëlltyrat e tij?
5 Shëmbëlltyrat e Jezuit bazohen në gjërat e përditshme që njerëzit i shohin shpesh. Kur me këto gjëra të njohura shoqërohet edhe e vërteta, menjëherë ato nguliten thellë në mendjen e dëgjuesve. Këto të vërteta jo vetëm dëgjohen, por shihen me sytë e mendjes dhe më vonë kujtohen me lehtësi. Shëmbëlltyrat e Jezuit ishin të thjeshta, jo të mbingarkuara me material të panevojshëm që mund t’i vështirësonin apo t’i mjegullonin të vërtetat që duhej të ilustronin. Vëre, për shembull, shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë. Tregon qartë se çfarë do të thotë t’i bësh mirë të afërmit. (Luka 10:29-37) Kemi pastaj edhe shëmbëlltyrën e dy bijve—njëri që tha se do të punonte në vreshtë, por nuk punoi dhe tjetri që tha se nuk do të punonte, por që punoi. Menjëherë vihet re kuptimi i bindjes së vërtetë—të bëjmë punën e caktuar. (Mateu 21:28-31) Jezui mësonte me gjallëri, prandaj dëgjuesit nuk dremitnin dhe mendja e tyre nuk shpërqendrohej. Ata dëgjonin dhe përfytyronin shumë.
Jezui ishte i butë aty ku e sugjeronte dashuria
6. Kur është veçanërisht e dobishme të qenët i arsyeshëm dhe i butë?
6 Shumë herë kur Bibla thotë se duhet të jemi të arsyeshëm, një shënim shpjegon se do të thotë të jesh i butë. Mençuria nga Perëndia është e butë kur ekzistojnë rrethana lehtësuese. Herë-herë duhet të jemi të arsyeshëm dhe të butë. Pleqtë duhet të jenë të gatshëm për të qenë të butë aty ku dashuria e lejon dhe pendimi e justifikon. (1. Timoteut 3:3; Jakovit 3:17) Jezui la një shembull të mrekullueshëm të butësisë, duke bërë përjashtime të rregullave të zakonshme kur mëshira dhe dhembshuria e lejonin.
7. Cilët janë disa shembuj që shfaqin butësinë e Jezuit?
7 Një herë Jezui tha: «Kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim që është në qiej.» Megjithatë, ai nuk e hodhi poshtë Pjetrin edhe kur ai e mohoi atë tri herë. Kishte rrethana lehtësuese, të cilat me sa duket Jezui i mbajti parasysh. (Mateu 10:33; Luka 22:54-62) Kishte rrethana lehtësuese edhe kur gruaja e papastër me gjakderdhje theu Ligjin e Moisiut duke ardhur me turmën. As atë Jezui nuk e dënoi, por kuptoi dëshpërimin e saj. (Marku 1:40-42; 5:25-34; shiko edhe Lukën 5:12, 13.) Jezui i kishte thënë apostujve të mos zbulonin se ai ishte Mesia, megjithatë nuk iu përmbajt rreptësisht këtij rregulli kur ai vetë e identifikoi veten si të tillë para një gruaje samaritane tek pusi. (Mateu 16:20; Gjoni 4:25, 26) Në të gjitha këto raste, dashuria, mëshira dhe dhembshuria e bënë të përshtatshme këtë butësi.—Jakovit 2:13.
8. Kur u bindeshin urdhrave skribët dhe farisenjtë dhe kur jo?
8 Kurse skribët dhe farisenjtë nuk toleronin. Për vete ata do t’i thyenin traditat e Sabatit për ta çuar demin e tyre të shuante etjen. Ose në rast se demi apo djali i tyre do të binte në një pus, ata do ta thyenin Sabatin për ta nxjerrë jashtë. Kurse për njerëzit e thjeshtë nuk do të toleronin as edhe një qindarkë! Ata ‘nuk donin të luanin vetë as me gisht’. (Mateu 23:4; Luka 14:5) Për Jezuin njerëzit ishin më të rëndësishëm sesa shumica e rregullave; për farisenjtë rregullat kishin më tepër rëndësi se njerëzit.
«Bir i urdhërimit»
9, 10. Pasi u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën Jezuin prindërit e tij dhe në ç’kuptim Jezui i pyeste mësuesit?
9 Disa nuk janë të kënaqur që Bibla përmend një episod të vetëm nga fëmijëria e Jezuit. Megjithatë, shumë nuk kuptojnë domethënien e asaj ngjarjeje, e cila është regjistruar tek Luka 2:46, 47: «Pas tri ditësh, e gjetën në tempull, të ulur në mes të dijetarëve, duke i dëgjuar dhe duke u bërë atyre pyetje. Dhe të gjithë ata që e dëgjonin, habiteshin nga zgjuarësia e tij dhe nga përgjigjet e tij.» Një fjalor i Kittelit (Theological Dictionary of the New Testament) hedh idenë se në këtë rast fjala greke e përkthyer «bëj pyetje» nuk i referohet thjesht kureshtjes së një fëmije. Fjala mund t’i referohet një marrjeje në pyetje si në një shqyrtim gjyqësor, hetim, madje edhe «pyetjeve gjithë ligësi dhe dinakëri të farisenjve dhe saducenjve», të tilla si ato që përmenden tek Marku 10:2 dhe 12:18-23.
10 I njëjti fjalor shton: «Përdorimi i kësaj fjale të lë të mendosh se në Lukën 2:46 nuk bëhet fjalë kaq shumë për pyetjet kureshtare të djalit, por përkundrazi për debatin e tij të suksesshëm. [Vargu 47] përshtatet më së miri me mendimin e sapopërmendur.»a Përkthimi i Rotherhamit e paraqet vargun 47 si një krahasim dramatik: «Atëherë të gjithë ata që e dëgjuan gati mbetën pa mend nga zgjuarsia dhe përgjigjet e tij.» Arçibald Robertson thotë se habia e tyre e vazhdueshme donte të thoshte se «ata sa s’mbetën pa mend në kuptimin që po zgurdullonin sytë».—Word Pictures in the New Testament.
11. Si reagoi Marija dhe Jozefi ndaj asaj që panë e dëgjuan dhe çfarë thotë lidhur me këtë një fjalor teologjik?
11 Kur më në fund erdhën prindërit e Jezuit, «mbetën të habitur». (Luka 2:48) Robertsoni thotë se fjala greke në këtë shprehje do të thotë «të godasësh, të trullosësh me një goditje». Ai shton se Jozefi dhe Marija «ishin të goditur» nga ajo që panë dhe dëgjuan. Në një farë kuptimi, mënyra e të mësuarit të Jezuit ishte e habitshme. Nën dritën e këtij episodi në tempull, në veprën e tij Kittelsi pohon se «që kur ishte fëmijë, Jezui kishte filluar betejën, në të cilën kundërshtarët e Tij do të dorëzoheshin pa kushte».
12. Ç’gjë i karakterizoi bisedat e mëvonshme të Jezuit me udhëheqësit fetarë?
12 Dhe ndodhi pikërisht kështu! Vite më vonë, përmes këtyre pyetjeve Jezui i shpartalloi farisenjtë, aq sa «që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më». (Mateu 22:41-46) Në të njëjtën mënyrë, edhe saducenjve iu mbyll goja, kur bëhej fjalë për ringjalljen dhe «nuk guxuan më t’i bëjnë asnjë pyetje». (Luka 20:27-40) Edhe skribët nuk dolën pa lagur. Pasi njëri prej tyre këmbeu disa fjalë me Jezuin, «kurrkush nuk guxoi më ta pyesë».—Marku 12:28-34.
13. Ç’gjë e bëri kaq domethënëse në jetën e Jezuit episodin në tempull dhe për cilën vetëdije të lë të mendosh?
13 Përse nga gjithë fëmijëria e Jezuit u zgjodh vetëm ky episod i tij që pyet mësuesit në tempull, për ta përfshirë në tregimin biblik? Sepse shënoi një kthesë në jetën e Jezuit. Kur ishte 12 vjeç, u bë ai që hebrenjtë e përcaktuan «bir i urdhërimit», përgjegjës për ruajtjen e të gjithë urdhëresave. Kur Marija i foli Jezuit për shqetësimin që i kishte shkaktuar asaj dhe Jozefit, përgjigjja e të birit tregoi se kishte mundësi që ai e kuptonte natyrën e mrekullueshme të lindjes së tij dhe të ardhmen e tij mesianike. Kjo del nga fjalët që ai tha se Perëndia ishte Ati i tij në kuptimin direkt: «Përse më kërkonit? A nuk e dini se duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?» Në kllapa mund të themi se këto janë fjalët e para të Jezuit të regjistruara në Bibël dhe tregojnë se ishte i vetëdijshëm lidhur me qëllimin për të cilin Jehovai e kishte dërguar në tokë. Kështu, gjithë ky episod ka një domethënie të madhe.—Luka 2:48, 49, BR.
Jezui i do dhe i kupton fëmijët
14. Cilat pika interesante mund të nxjerrin të rinjtë nga tregimi i të riut Jezu në tempull?
14 Ky episod duhet të jetë veçanërisht tërheqës për të rinjtë. Tregon se me sa zell duhet të ketë studiuar Jezui gjatë rritjes, derisa u bë burrë. Rabinët në tempull u mahnitën nga mençuria e 12-vjeçarit të quajtur «bir i urdhërimit». Megjithëse punonte me Jozefin në një dyqan zdrukthëtarësh, ai «i bindej» atij dhe Marijes e rritej «në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve».—Luka 2:51, 52.
15. Si i mbështeti Jezui të rinjtë gjatë shërbimit të tij tokësor dhe çfarë do të thotë kjo për të rinjtë e sotëm?
15 Jezui i mbështeti shumë të rinjtë gjatë shërbimit të tij tokësor: «Krerët e priftërinjve dhe skribët, kur panë mrekullitë që ai kishte bërë dhe fëmijët brohoritnin në tempull duke thënë: ‘Hosana Birit të Davidit!’, u zemëruan, dhe i thanë: ‘A po dëgjon ti çfarë thonë këta?’ Jezusi u tha atyre: ‘Po! A nuk keni lexuar kurrë: “Nga goja e të vegjëlve dhe të foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi”?’» (Mateu 21:15, 16; Psalmi 8:2) Në të njëjtën mënyrë ai mbështet qindra mijëra të rinj që sot mbajnë integritetin dhe i japin lavdi, ndërmjet të cilëve ka edhe nga ata që u ka kushtuar jetën!
16. (a) Çfarë mësimi u dha Jezui apostujve duke vënë para tyre një fëmijë? (b) Në cilin moment kritik të jetës së tij, Jezui gjeti kohë për të qëndruar me fëmijët?
16 Kur dymbëdhjetë apostujt diskutonin mes tyre se cili ishte më i madhi ndër ta, Jezui u tha: «‘Nëse dikush don të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.’ Dhe mori një fëmijë të vogël dhe e vuri në mes të tyre; pastaj e mori në krahë dhe u tha atyre: ‘Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua; dhe kushdo që më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar’.» (Marku 9:35-37) Gjithashtu, kur po shkonte për herë të fundit në Jeruzalem, ku një provë e tmerrshme dhe vdekja e priste, ai gjeti pak kohë për të qëndruar me fëmijët: «I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.» Pastaj, «si i mori në krahë, i bekoi duke vënë duart mbi ta».—Marku 10:13-16.
17. Përse ishte e lehtë për Jezuin të lidhej me fëmijët dhe çfarë duhet të mbajnë në mend fëmijët lidhur me të?
17 Jezui e di se çdo të thotë të jesh fëmijë në një botë të rriturish. Ai jetoi me adultët, punoi me ta, përjetoi ndjenjën e nënshtrimit ndaj tyre dhe ndjeu ngrohtësinë, sigurinë dhe dashurinë e tyre ndaj tij. Fëmijë, po ky Jezu është miku juaj; ai vdiq për ju dhe nëse u bindeni urdhërave të tij do të jetoni përgjithmonë.—Gjoni 15:13, 14.
18. Cilin mendim emocionues duhet të mbajmë në mend, veçanërisht në momente tensioni apo rreziku?
18 T’u bindesh urdhërave të Jezuit nuk është kaq e vështirë sa mund të duket. Të rinj, ai është i gatshëm t’ju mbështetë ju dhe këdo tjetër, siç lexojmë tek Mateu 11:28-30: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time [«Vihuni me mua në zgjedhën time», shënimi BR] dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!» Mendoni pak: ndërkohë që ju ecni përgjatë rrugës së jetës duke i shërbyer Jehovait, Jezui ecën përbri jush, duke jua bërë zjedhën më të këndshme dhe barrën të lehtë. Ky është një mendim emocionues për të gjithë ne!
19. Cilat pyetje lidhur me mënyrën e mësimit të Jezuit mund t’i bëjmë vetes herë pas here?
19 Pasi kemi shqyrtuar vetëm disa mënyra në të cilat mësonte Jezui, a kuptojmë tek vetja se edhe ne mësojmë si ai? Kur shikojmë persona të sëmurë fizikisht apo të etur frymësisht, a na nxit dhembshuria të bëjmë atë që mundemi për t’i ndihmuar? Kur mësojmë të tjerët, a mësojmë Fjalën e Perëndisë apo ngjashëm farisenjve mësojmë opinionet tona personale? A jemi të zgjuar të vërejmë gjëra dhe aspekte të jetës së përditshme për të sqaruar, përfytyruar, përcaktuar dhe rritur kuptueshmërinë e të vërtetave biblike? A u përmbahemi rreptësisht disa rregullave kur për shkak të rrethanave është më e dashur dhe e mëshirshme të jemi elastikë në zbatimin e tyre? Po për fëmijët çmund të themi? A tregojmë ndaj tyre ashtu si Jezui të njëjtin kujdes të dhembshur dhe mirësi të dashur? A i inkurajon fëmijët të studiojnë mënyrën e jetesës së Jezuit kur ishte fëmijë? Megjithëse duhet të tregohesh i vendosur ashtu siç veproi Jezui, a do të ishe i gatshëm të mirëprisje të penduarit me ngrohtësi, ashtu siç bën klloçka me zogjtë e saj kur i mbledh poshtë krahëve?—Mateu 23:37.
20. Cili mendim i mrekullueshëm mund të na ngushëllojë ndërsa i shërbejmë Perëndisë tonë?
20 Nëse bëjmë aq sa është e mundur për të mësuar si Jezui, me siguri ai do të lejojë ‘të vihemi me të në zgjedhën e tij’.—Mateu 11:28-30, BR.
[Shënimi]
a Pa dyshim i kemi të gjitha arsyet të besojmë se Jezui do të kishte treguar respektin e duhur për ata që ishin më të moshuar në moshë, veçanërisht për ata me flokë të thinjura dhe për priftërinjtë.—Krahaso Levitikun 19:32; Veprat 23:2-5.
A të kujtohet?
◻ Përse turmat shkonin pas Jezuit?
◻ Përse shpeshherë Jezui ishte elastik në zbatimin e disa rregullave?
◻ Çfarë mund të mësojmë nga episodi i Jezuit që pyeste mësuesit në tempull?
◻ Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga marrëdhënia e Jezuit me fëmijët?