T’i ndihmojmë burrat të përparojnë frymësisht
‘Që tani e tutje do të zini njerëz të gjallë.’—LUKA 5:10.
1, 2. (a) Si reaguan disa burra ndaj predikimit të Jezuit? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?
GJATË një udhëtimi predikimi nëpër Galile, Jezui dhe dishepujt e tij hipën në një barkë për të shkuar në një vend të vetmuar. Mirëpo turmat i ndoqën në këmbë. Ata që erdhën atë ditë ishin «rreth pesë mijë burra, përveç grave dhe fëmijëve». (Mat. 14:21) Në një rast tjetër, Jezuit iu afrua një turmë njerëzish që donin të shëroheshin e ta dëgjonin tek fliste. Ishin «katër mijë burra, përveç grave dhe fëmijëve». (Mat. 15:38) Qartë, mes njerëzve që vajtën te Jezui dhe treguan interes për mësimet e tij, kishte edhe shumë burra. Në fakt, ai priste që edhe shumë të tjerë të reagonin mirë, sepse, pasi kishte ndihmuar në mënyrë të mrekullueshme në kapjen e një sasie të madhe peshku, Jezui i tha Simonit: «Që tani e tutje do të zësh njerëz të gjallë.» (Luka 5:10) Dishepujt e tij duhej t’i hidhnin rrjetat në detin e njerëzimit dhe mund të pritnin që mes tyre ‘të zinin’ shumë burra.
2 Në mënyrë të ngjashme, sot burrat tregojnë interes për mesazhin e Biblës që ne predikojmë dhe reagojnë mirë ndaj tij. (Mat. 5:3) Megjithatë, shumë prej tyre ngurrojnë dhe nuk përparojnë frymësisht. Si mund t’i ndihmojmë? Ndonëse Jezui nuk organizoi ndonjë shërbim të veçantë për të kërkuar burrat, me siguri trajtoi çështje që ishin problem për burrat e asaj kohe. Duke përdorur shembullin e tij, le të shqyrtojmë se si t’i ndihmojmë burrat të kapërcejnë tri probleme të zakonshme sot: (1) sigurimin e jetesës, (2) frikën nga opinioni dhe (3) ndjenjat e pazotësisë.
Sigurimi i jetesës
3, 4. (a) Cili është një problem i madh për shumë burra? (b) Përse disa burra e vënë sigurimin e jetesës para synimeve frymore?
3 Një skrib i tha Jezuit: «Mësues, unë do të vij pas teje kudo që të shkosh.» Por, kur Jezui i tha se ‘Biri i njeriut s’kishte ku të mbështeste kokën’, skribi u mendua edhe një herë. Pasiguria se ku do ta gjente ushqimin për vaktin tjetër apo se ku do të jetonte, duket se nuk i pëlqeu skribit, pasi nuk ka asnjë tregues se ai u bë dishepull i Krishtit.—Mat. 8:19, 20.
4 Shpesh, burrat e vënë sigurinë materiale para synimeve frymore. Shumë prej tyre kanë si përparësi arsimimin e lartë dhe një punë me rrogë të mirë. Sipas mentalitetit të tyre, të bësh pará është më urgjente dhe më praktike se çdo dobi që mund të vijë nga studimi i Shkrimeve dhe nga miqësia e ngushtë me Perëndinë. Mësimet e Biblës mund t’i tërheqin, por «ankthet e kësaj bote [dhe] fuqia mashtruese e pasurisë» mbytin çfarëdolloj interesi që mund të kenë. (Mar. 4:18, 19) Të shqyrtojmë si i ndihmoi Jezui dishepujt që të ndreqnin përparësitë e tyre.
5, 6. Çfarë i ndihmoi Andrean, Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin të ndreqnin përparësitë në lidhje me veprën e predikimit dhe sigurimin e jetesës?
5 Andrea dhe i vëllai, Simon Pjetri, ishin ortakë në një biznes peshkimi. Po kështu ishin edhe Gjoni, vëllai i tij, Jakovi, dhe babai i tyre, Zebedeu. Biznesi dukej se po ecte goxha mirë, sepse kishin nevojë për ndihmën e mëditësve. (Mar. 1:16-20) Kur Andrea dhe Gjoni mësuan për herë të parë për Jezuin nga Gjon Pagëzori, u bindën se kishin gjetur Mesinë. Andrea ia dha këtë lajm të vëllait, Simon Pjetrit, dhe ndoshta po njësoj bëri Gjoni me të vëllanë, Jakovin. (Gjoni 1:29, 35-41) Në muajt që pasuan, ata të katër kaluan kohë me Jezuin ndërsa ai predikonte në Galile, Jude dhe Samari. Pastaj, të katër dishepujt iu kthyen biznesit të peshkimit. Ata kishin interes për gjërat frymore, por shërbimi nuk ishte shqetësimi i tyre kryesor.
6 Ca kohë më vonë, Jezui i ftoi Pjetrin dhe Andrean ta ndiqnin e të bëheshin «peshkatarë njerëzish». Si reaguan? «Ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.» Njësoj bënë Jakovi e Gjoni. «Ata e lanë menjëherë barkën e babanë, dhe e ndoqën.» (Mat. 4:18-22) Çfarë i ndihmoi ata burra të nisnin shërbimin e plotkohor? A ishte një vendim emocional ose një nxitje e çastit? Aspak! Në muajt e mëparshëm, ata burra e kishin dëgjuar Jezuin, kishin parë mrekullitë e tij, kishin vërejtur zellin e tij për drejtësinë dhe kishin qenë dëshmitarë të reagimit të mrekullueshëm të njerëzve ndaj predikimit të tij. Rrjedhimisht, besimi dhe siguria e tyre te Jehovai u forcuan edhe më shumë.
7. Si mund t’i ndihmojmë studentët e Biblës të zhvillojnë besimin tek aftësia e Jehovait për t’ua plotësuar nevojat shërbëtorëve të tij?
7 Si mund të imitojmë Jezuin e t’i ndihmojmë studentët e Biblës të zhvillojnë besimin te Jehovai? (Prov. 3:5, 6) Mënyra si i mësojmë ka ndikim të madh. Kur i mësojmë, mund të theksojmë se Perëndia premton që do të na bekojë nëse vëmë në radhë të parë interesat e Mbretërisë. (Lexo Malakinë 3:10; Mateun 6:33.) Ndonëse mund të përdorim vargje të ndryshme për të treguar se si Jehovai ua plotëson nevojat shërbëtorëve të tij, nuk duhet të nënvlerësojmë ndikimin që ka shembulli ynë. Përvojat që u tregojmë nga jeta jonë, mund t’i ndihmojnë shumë studentët që të mësojnë të mbështeten te Jehovai. Mund t’u tregojmë edhe përvoja inkurajuese që lexojmë në literaturën tonë.a
8. (a) Përse është e rëndësishme që një student i Biblës ‘të provojë dhe të shijojë se sa i mirë është Jehovai’? (b) Si mund ta ndihmojmë studentin tonë të përjetojë personalisht mirësinë e Jehovait?
8 Për të zhvilluar besim të fortë, duhet më shumë se thjesht të lexosh e të dëgjosh se si e kanë përjetuar të tjerët bekimin e Jehovait. Një student i Biblës ka nevojë edhe ta përjetojë personalisht mirësinë e Jehovait. Psalmisti këndoi: «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai! Lum kush gjen strehë tek ai!» (Psal. 34:8) Si mund ta ndihmojmë studentin të shijojë se Jehovai është i mirë? Ta zëmë se një student që ka probleme financiare, po përpiqet të lërë edhe ndonjë zakon të keq, si duhanin, bixhozin ose pirjen me tepri. (Prov. 23:20, 21; 2 Kor. 7:1; 1 Tim. 6:10) A nuk do ta ndihmonte studentin të përjetonte mirësinë e Jehovait, po ta mësonim t’i lutej Perëndisë që të linte një zakon të keq? Të shqyrtojmë, gjithashtu, se ç’mund të ndodhë kur e inkurajojmë studentin t’u japë përparësi gjërave frymore, duke lënë kohë për studimin javor të Biblës dhe për përgatitjen e ndjekjen e mbledhjeve të krishtere. Po, teksa përjeton personalisht se Jehovai po i bekon përpjekjet e tij, do t’i forcohet besimi.
Frika nga opinioni
9, 10. (a) Përse Nikodemi dhe Jozefi nga Arimatea e mbajtën të fshehtë interesin për mësimet e Jezuit? (b) Pse sot disa burra ngurrojnë të ndjekin Krishtin?
9 Disa burra mund të ngurrojnë ta ndjekin plotësisht Krishtin për shkak të presionit të të tjerëve. Nikodemi dhe Jozefi nga Arimatea e mbajtën të fshehtë interesin për mësimet e Jezuit, ngaqë kishin frikë se ç’mund të thoshin apo të bënin judenjtë e tjerë po ta merrnin vesh. (Gjoni 3:1, 2; 19:38) Kjo nuk ishte një frikë e kotë. Urrejtja e krerëve fetarë për Jezuin u bë aq e madhe, saqë kushdo që thoshte se besonte tek ai, përjashtohej nga sinagoga.—Gjoni 9:22.
10 Në disa vende sot, nëse një burrë tregon shumë interes për Perëndinë, Biblën ose fenë, atëherë shokët e punës, miqtë ose të afërmit mund të mos e lënë rehat. Madje, në vende të tjera mund të jetë e rrezikshme edhe të flasësh për të ndërruar fenë. Presioni i të tjerëve mund të jetë veçanërisht i fortë kur një burrë shërben në mënyrë aktive në ushtri, politikë ose në komunitetin vendës. Për shembull, një burrë në Gjermani pranoi: «Ajo që mësoni ju Dëshmitarët për Biblën është e vërtetë. Por, nëse unë bëhem Dëshmitar sot, nesër do ta kenë marrë vesh të gjithë. Ç’do të mendojnë në punë, në lagje dhe në rrethin ku bëjmë pjesë familja ime dhe unë? Nuk do ta përballoja dot.»
11. Si i ndihmoi Jezui dishepujt që të përballonin frikën nga njeriu?
11 Ndonëse asnjë nga apostujt e Jezuit nuk ishte frikacak, të gjithë luftuan me frikën nga njeriu. (Mar. 14:50, 66-72) Si i ndihmoi Jezui të përparonin, pavarësisht nga presioni i madh që kishin? Ndërmori hapa që t’i përgatiste dishepujt për kundërshtimin që i priste më vonë. Ai tha: «Lum ju kur njerëzit t’ju urrejnë, kur t’ju mënjanojnë e t’ju poshtërojnë dhe, për shkak të Birit të njeriut, ta hedhin poshtë emrin tuaj si të ishit të ligj.» (Luka 6:22) Jezui i paralajmëroi se do t’i poshtëronin. Çdo poshtërim do të vinte «për shkak të Birit të njeriut». Gjithashtu, Jezui i siguroi se Perëndia do t’i mbështeste për sa kohë që ata do të mbështeteshin tek Ai për ndihmë dhe fuqi. (Luka 12:4-12) Për më tepër, Jezui i ftoi të rinjtë që të shoqëroheshin lirisht me dishepujt e tij e të miqësoheshin me ta.—Mar. 10:29, 30.
12. Si mund t’i ndihmojmë të rinjtë të kapërcejnë frikën nga njeriu?
12 Edhe ne duhet t’i ndihmojmë studentët e Biblës që të kapërcejnë frikën nga njeriu. Sfidat i përballojmë më kollaj kur u paraprijmë. (Gjoni 15:19) Për shembull, përse të mos e ndihmojmë studentin të përgatitë përgjigje të thjeshta, të arsyeshme e të bazuara në Bibël, për pyetjet dhe kundërshtimet që mund të nxjerrin kolegët e punës ose të tjerë? Përveçse të jemi personalisht mik me të, mund ta prezantojmë me pjesëtarë të tjerë të kongregacionit, sidomos me ata që mund të ketë diçka të përbashkët. Mbi të gjitha, duhet ta mësojmë të lutet rregullisht e nga zemra. Kjo mund ta ndihmojë t’i afrohet Perëndisë e ta bëjë Jehovain Strehën dhe Shkëmbin e tij.—Lexo Psalmin 94:21-23; Jakovin 4:8.
Ndjenjat e pazotësisë
13. Pse disa ngurrojnë të përfshihen në çështje frymore?
13 Disa burra ngurrojnë të përfshihen në çështje frymore, sepse nuk dinë të lexojnë mirë, nuk mund të shprehen rrjedhshëm ose thjesht ngaqë janë të ndrojtur. Disa të tjerë nuk ndihen rehat t’i shprehin pikëpamjet ose ndjenjat e tyre në publik. Ideja se duhet të studiojnë, të komentojnë në mbledhjet e krishtere ose të flasin me të tjerët për besimin e tyre, duket sikur i mbyt. Një vëlla i krishterë pranon: «Kur isha i ri, shkoja shpejt te një derë, bëja sikur i bija ziles dhe largohesha pa u ndier, duke shpresuar që të mos më kishte dëgjuar a parë njeri. . . . Mendimi se do të shkoja nga shtëpia në shtëpi, më sëmurte.»
14. Pse dishepujt e Jezuit nuk mundën të shëronin një djalë të pushtuar nga demonët?
14 Mendoni se ç’mungesë besimi te vetja mund të kenë ndier dishepujt e Jezuit kur nuk mundën të shëronin një djalë të pushtuar nga demonët. Babai i atij djali vajti te Jezui dhe i tha: «[Im bir] është epileptik e në gjendje të rëndë, dhe shpesh bie në zjarr e në ujë. E çova te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shëronin.» Jezui e dëboi demonin dhe e shëroi djalin. Më vonë, dishepujt iu afruan Jezuit dhe e pyetën: «Përse ne nuk mundëm ta dëbonim?» Ai iu përgjigj: «Për shkak të besimit tuaj të paktë. Vërtet po ju them se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: ‘Lëviz nga këtu atje’, dhe ai do të lëvizë, e asgjë nuk do të jetë e pamundur për ju.» (Mat. 17:14-20) Për të kapërcyer pengesa ngjashëm maleve, duhet të kemi besim te Jehovai. Çfarë ndodh nëse dikush e harron këtë dhe nis të përqendrohet tek aftësitë e veta? Dështimet do të sjellin mungesën e besimit te vetja.
15, 16. Si mund ta ndihmojmë një student të Biblës që të kapërcejë ndjenjat e pazotësisë?
15 Një mënyrë e mirë për të ndihmuar dikë që po lufton me ndjenjat e pazotësisë, është ta inkurajojmë të përqendrohet te Jehovai e jo te vetja. Pjetri shkroi: «Përuluni nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur, ndërsa hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të.» (1 Pjet. 5:6, 7) Kjo kërkon që ta ndihmojmë studentin e Biblës të zhvillojë karakterin frymor. Një person me prirje frymore i vlerëson me gjithë zemër gjërat frymore. Ai e do Fjalën e Perëndisë dhe shfaq ‘frytin e frymës’ në jetën e tij. (Gal. 5:22, 23) Është njeri që lutet. (Filip. 4:6, 7) Për më tepër, ai i mban sytë nga Perëndia që t’i japë guximin dhe fuqinë e nevojshme për të përballuar çdo situatë ose për të përmbushur me sukses çdo caktim.—Lexo 2 Timoteut 1:7, 8.
16 Nga ana tjetër, disa studentë mund të kenë nevojë për ndihmë praktike që të përmirësojnë aftësinë për të lexuar, për të biseduar ose për të folur. Disa të tjerë mund të ndihen të padenjë për t’i shërbyer Perëndisë, për shkak të veprimeve të këqija që kanë kryer para se të njihnin Jehovain. Cilado qoftë arsyeja, ndihma jonë e dashur dhe me durim mund të jetë gjithçka që u nevojitet. Jezui tha: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët po.»—Mat. 9:12.
‘Të zëmë’ më shumë burra
17, 18. (a) Si mund të kontaktojmë me sa më shumë burra në shërbim? (b) Çfarë do të studiojmë në artikullin vijues?
17 Dëshira jonë është që edhe më shumë burra t’i përgjigjen mesazhit që të jep kënaqësi të thellë, i cili gjendet vetëm në Bibël. (2 Tim. 3:16, 17) Prandaj, si mund të kontaktojmë me sa më shumë burra në shërbim? Duke dëshmuar më shumë mbrëmjeve, pasditeve të fundjavëve ose gjatë pushimeve, kur mjaft burra janë në shtëpi. Kur është e mundur, vëllezërit mund të kërkojnë të flasin me të zotin e shtëpisë. Kur është e përshtatshme, t’u predikojmë në mënyrë joformale kolegëve të punës dhe të përpiqemi të flasim me bashkëshortët jobesimtarë të motrave në kongregacion.
18 Kur i predikojmë kujtdo që takojmë, mund të kemi besim se ata që kanë zemër me çmueshmëri, do të reagojnë pozitivisht. Le t’i ndihmojmë me durim të gjithë ata që tregojnë interes të sinqertë për të vërtetën. Por, si mund t’i ndihmojmë burrat e pagëzuar në kongregacion që të synojnë e të kualifikohen për të marrë përgjegjësi në organizatën e Perëndisë? Artikulli vijues do të trajtojë këtë pyetje.
[Shënimi]
a Shih Librat vjetorë të Dëshmitarëve të Jehovait dhe jetëshkrime të botuara në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!
Si do të përgjigjeshit?
• Si mund t’i ndihmojmë burrat që t’u japin përparësi synimeve frymore?
• Si mund t’i ndihmojmë të rinjtë në të vërtetën të përballojnë presionin e të tjerëve?
• Çfarë mund t’i ndihmojë disa të kapërcejnë ndjenjat e pazotësisë?
[Figura në faqen 25]
A krijojmë mundësi për t’u dhënë burrave lajmin e mirë?
[Figura në faqen 26]
Si mund ta përgatitim një student të Biblës që të përballojë sprovat?