Drita i jep fund një epoke errësire
BOTA e Jezu Krishtit dhe e apostujve të tij ishte shumë e ndryshme nga ajo që ishte në kohën e Shkrimeve Hebreje. Lexuesit e Biblës, që nuk janë në dijeni të kësaj, mund të imagjinojnë një vazhdimësi shoqërore dhe fetare nga profeti Malakia e deri tek shkrimtari i ungjillit Mateu, duke kuptuar vetëm në mënyrë të vagët se ç’ndodhi gjatë 400 vjetëve midis tyre.
Malakia, libri i fundit i Shkrimeve Hebreje, në pjesën më të madhe të Biblave të sotme mbyllet me mbetjen e Izraelit që rivendoset në shtëpinë e saj, pasi u çlirua nga robëria në Babiloni. (Jeremia 23:3) Judenjtë e devotshëm ishin të inkurajuar të prisnin ditën e gjykimit të Perëndisë për të hequr qafe ligësinë nga bota dhe për të sjellë Epokën Mesianike. (Malakia 4:1, 2) Ndërkohë, qeveriste Persia. Trupat perse të mbledhura në Judë ruajtën paqen dhe përkrahën dekretet mbretërore me forcën e armëve.—Krahaso Ezdrën 4:23.
Sidoqoftë, vendet biblike nuk qëndruan të palëkundura përgjatë shekujve pasues. Errësira frymore dhe pështjellimi filluan të depërtonin. Lindja e Afërme ishte tronditur nga dhuna, terrorizmi, shtypja, radikalizmi fetar, filozofia spekuluese dhe përplasjet kulturore.
Mateu, libri i parë i Shkrimeve të Krishtere Greke, u shkrua në një periudhë të ndryshme. Legjionet romake përforcuan atë që quhet Pax Romana ose Paqe Romake. Njerëz të nderuar prisnin me dëshirë ardhjen e Mesisë për të zhdukur vuajtjet, tiraninë dhe varfërinë dhe për të hedhur dritë mbi jetën, lulëzimin dhe qetësinë. (Krahaso Lukën 1:67-79; 24:21; 2. Timoteut 1:10.) Le t’i hedhim një vështrim më nga afër forcave dinamike që riformuan shoqërinë judeje në shekujt që i paraprinë lindjes së Jezu Krishtit.
Jeta e judenjve në kohërat persiane
Duke ndjekur shpalljen e Kirit që i liroi judenjtë nga robëria babilonase në vitin 537 p.e.s, një grup judenjsh dhe të tjerë të shoqëruar me ta, u larguan nga Babilonia. Kjo mbetje e përgjegjshme frymore u rikthye në një territor me qytete të shkatërruara dhe tokë të shkretuar. Edomitët, fenikasit, samaritanët, fiset arabe dhe të tjerë e kishin reduktuar madhësinë e territorit izraelit, njëherë e një kohë të madh. Ajo që mbeti nga Juda dhe Beniamini u bë provincë e Judës nën satrapin pers të quajtur Abar Nahara (Përtej Lumit).—Ezdra 1:1-4; 2:64, 65.
Nën sundimin persian, Juda filloi të provonte «një periudhë ekspansioni dhe shtimi të popullsisë»,—thotë The Cambridge History of Judaism. Më tej, thotë në lidhje me Jerusalemin: «Fshatarët dhe pelegrinët sollën dhurata, tempulli dhe qyteti u pasuruan dhe bollëku i tyre tërhoqi tregtarët dhe zejtarët e huaj.» Megjithëse persianët ishin shumë tolerues ndaj qeverisë dhe fesë lokale, taksat ishin të rrepta dhe mund të paguhej vetëm në metale të çmuara.—Krahaso Neheminë 5:1-5, 15; 9:36, 37; 13:15, 16, 20.
Vitet e fundit të perandorisë persiane ishin kohëra shumë të turbullta, të karakterizuara nga kryengritje ndaj satrapëve. Shumë judenj u përfshinë në një revoltë përgjatë brigjeve të Mesdheut dhe u internuan larg në veri, në Hirkania në detin Kaspik. Sidoqoftë, shumica e judenjve nuk duket të jetë prekur nga ndëshkimi i Persisë.
Periudha greke
Aleksandri i Madh u hodh tamam si një leopard mbi Lindjen e Mesme në vitin 332 p.e.s., por një shije për mallrat e importuara greke e kishte paraprirë atë. (Danieli 7:6) Duke kuptuar që kultura greke kishte vlera politike, ai në mënyrë të paramenduar vendosi ta helenizonte perandorinë e tij të zgjeruar. Greqishtja u bë një gjuhë ndërkombëtare. Mbretërimi i shkurtër i Aleksandrit ushqeu një dashuri për sofistikën, një entuziazëm për sportet dhe një vlerësim për estetikën. Gradualisht, edhe trashëgimia judeje u dorëzua para helenizmit.
Mbas vdekjes së Aleksandrit në vitin 323 p.e.s., pasuesit e tij në Siri dhe në Egjipt ishin të parët që përmbushën rolet që profeti Daniel i quajti «mbreti i veriut» dhe «mbreti i jugut». (Danieli 11:1-19) Gjatë mbretërimit të «mbretit të jugut» nga Egjipti, Ptolemeu II Filadelfus (285-246 p.e.s.), Shkrimet Hebreje filluan të përktheheshin në koine, greqishtja e zakonshme. Ky version u quajt Septuaginta. Shumë vargje të saj u cituan në Shkrimet e Krishtere Greke. Gjuha greke doli si e shkëlqyer në përçimin e ndriçimit të hijeve të kuptimit në një botë të ngatërruar dhe të errët.
Mbasi Antioku IV Epifan u bë mbret i Sirisë dhe sundimtar i Palestinës (175-164 p.e.s.), judaizmi pothuajse u eliminua nga persekutimi që përkrahej nga qeveria. Judenjtë ishin të detyruar nën kërcënimin e vdekjes të braktisnin Perëndinë Jehova dhe t’u bënin flijime vetëm perëndive greke. Në dhjetor të vitit 168 p.e.s., një altar pagan u ndërtua mbi altarin e madh të Jehovait në tempullin e Jerusalemit dhe flijimet në të ofroheshin për Zeusin e Olimpit. Burra të tronditur, por të guximshëm fshatarë, u mblodhën së bashku nën komandën e Juda Makabeut dhe zhvilluan luftëra të ashpra, derisa fituan zotërimin mbi Jerusalemin. Tempulli iu dedikua përsëri Perëndisë dhe pikërisht tre vjet pas përdhosjes së tij, në të u bënë përsëri flijmet e përditshme.
Në vazhdim të periudhës së mbetur greke, ata që bënin pjesë në komunitetin jude kërkuan me agresivitet të zgjeronin territorin e tyre deri në kufijtë e tij të lashtë. Trimëria e tyre e re ushtarake u përdor në një mënyrë të paperëndishme për t’i detyruar fqinjët e tyre paganë të ktheheshin nën kërcënimin e shpatës. Megjithatë teoritë politike greke vazhdonin të qeverisnin qytetet dhe fshatrat.
Gjatë kësaj kohe, pretendentët për priftërinë e lartë ishin shpesh të korruptuar. Intriga të planifikuara vrasëse dhe politike e njollosën shërbimin e tyre. Sa më e madhe ishte fryma e paperëndishme tek judenjtë, aq më popullore bëheshin sportet greke. Sa habi ngjallte të shihje priftërinj të rinj që linin pas dore detyrimet e tyre për të marrë pjesë në lojëra! Atletët judenj iu nënshtruan madje edhe kirurgjive të dhimbshme për t’u bërë «të parrethprerë», kështu që mund të evitonin sikletin kur konkurronin lakuriq me paganët.—Krahaso 1. Korintasve 7:18.
Ndryshime fetare
Në vitet e para pas mërgimit, judenj besnikë i rezistuan përzierjes së koncepteve dhe filozofive pagane me fenë e vërtetë që zbulonin Shkrimet Hebreje. Libri i Esterit, i shkruar mbas më se 60 vjet shoqërimi të ngushtë me Persinë, nuk përmban as edhe një gjurmë të zoroastrianizmit. Përveç kësaj, asnjë ndikim i kësaj feje persiane nuk gjendet në librat biblikë të Ezdrës, Nehemisë, apo të Malakisë, të gjithë të shkruar gjatë pjesës fillestare të periudhës persiane (537-443 p.e.s.).
Sidoqoftë, studiuesit besojnë se gjatë pjesës së fundit të periudhës persiane, shumë judenj filluan të adoptonin disa nga pikëpamjet e adhuruesve të Ahura Mazdës, kryeperëndia persiane. Kjo u shfaq në bestytnitë popullore dhe në besimet e esenëve. Fjalët e zakonshme hebreje për çakej, krijesa të tjera të shkretëtirës dhe zogjtë e natës u lidhën në mendjen e judenjve me frymërat e liga dhe përbindëshat e natës të folklorit babilonas dhe pers.
Judenjtë filluan t’i shihnin idetë pagane në një dritë të ndryshme. Konceptet e qiellit, të ferrit, të shpirtit, Fjala (Logos) dhe mençuria, të gjitha morën kuptime të reja. Dhe nëse, siç mësohej atëherë, Perëndia ishte kaq larg sa nuk komunikonte më me ta, ai kishte nevojë për ndërmjetës. Grekët i quajtën këto frymëra ndërmjetëse dhe mbrojtëse ‘daimones’. Duke adoptuar idenë që daimones (demonët) mund të jenë të mirë ose të ligj, judenjtë u bënë menjëherë pre e kontrollit demonik.
Një ndryshim konstruktiv përfshiu adhurimin lokal. Sinagogat u shfaqën menjëherë si vende ku kongregacionet fqinje hebreje mblidheshin për shërbime dhe kulturë fetare. Kur, ku dhe si filluan sinagogat judeje nuk dihet saktësisht. Meqë ato përmbushnin nevojat e judenjve në vende të largëta për adhurim kur ata nuk mund të shkonin në tempull, mendohet përgjithësisht se sinagogat u vendosën në kohën e mërgimit ose pas mërgimit. Në mënyrë domethënëse ato u bënë salla të shkëlqyera mbledhjesh për Jezuin dhe dishepujt e tij për të ‘shpallur mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme’.—1. Pjetrit 2:9.
Judaizmi përqafoi shkolla të ndryshme mendimi
Në shekullin e dytë p.e.s., shkolla të ndryshme mendimi filluan të dilnin në sipërfaqe. Ato nuk ishin organizata të veçuara fetare. Më saktë, ato ishin shoqëri të vogla të klerikëve, filozofëve dhe aktivistëve politikë judenj, të cilët kërkonin të ndikonin mbi popullin dhe të kontrollonin kombin, të gjithë nën çadrën e judaizmit.
Saducenjtë e politizuar ishin kryesisht aristokratë të pasur, të njohur për diplomacinë e tyre të shkathët që prej kryengritjes hasmonaene në gjysmën e shekullit të dytë p.e.s. Shumica e tyre ishin priftërinj, megjithëse disa ishin tregtarë dhe pronarë tokash. Që nga koha e lindjes së Jezuit, shumica e saducenjve favorizonin sundimin romak mbi Palestinën, sepse ata mendonin se ishte më i qëndrueshëm dhe ishte premtues për të ruajtur gjendjen ekzistuese. (Krahaso Gjonin 11:47, 48.) Një pakicë (herodianët), besonin se sundimi nga familja e Herodit do t’i përshtatej më mirë ndjenjës kombëtare. Sidoqoftë, saducenjtë nuk dëshironin që kombi të binte në duart e fanatikëve judenj ose që ndonjë tjetër, përveç priftërinjve, të kishte kontrollin mbi tempullin. Besimet saduceje ishin konservatore, kryesisht të bazuara në interpretimet e tyre të shkrimeve të Moisiut dhe pasqyronin kundërshtimin e tyre ndaj sektit të fuqishëm të farisenjve. (Veprat 23:6-8) Saducenjtë i hodhën poshtë profecitë e Shkrimeve Hebreje si të ishin spekulime. Ata mësonin që librat historikë, poetikë dhe proverbialë të Biblës nuk ishin të frymëzuar dhe thelbësorë.
Farisenjtë dolën gjatë periudhës greke si një reagim i fuqishëm ndaj helenizmit antijudaist. Në ditët e Jezuit, sidoqoftë, ata ishin të vrazhdë, të kufizuar me tradita, legalistë, krenarë, bënin prozelitë të drejtësisë personale dhe ishin mësues që kërkonin të kontrollonin kombin me anë të mësimeve nëpër sinagoga. Ata erdhën kryesisht nga klasa e mesme dhe përbuznin njerëzit e thjeshtë. Jezui e shikonte shumicën e farisenjve si egoistë, dashurues të pamëshirshëm parash, të cilët kullonin hipokrizi. (Mateu, kapitulli 23) Ata pranonin të gjitha Shkrimet Hebreje nën dritën e shpjegimeve të tyre vetiake, por u jepnin një peshë të njëjtë ose më të madhe traditave të tyre gojore. Ata thoshin se traditat e tyre ishin «një gardh përreth Ligjit». Megjithatë, në vend se të ishin një gardh, traditat e tyre e gjymtonin Fjalën e Perëndisë dhe ngatërronin publikun.—Mateu 23:2-4; Marku 7:1, 9-13.
Esenët ishin mistikë, të cilët me sa duket jetonin në komunitete të vogla dhe të izoluara. Ata e konsideronin veten si mbetja e vërtetë e Izraelit, duke pritur në pastërti për të mirëpritur Mesinë e premtuar. Esenët bënin një jetë soditëse prej besimtarësh të thjeshtë dhe shumë prej besimeve të tyre pasqyronin konceptet persiane dhe greke.
Disa grupe me nxitje fetare të patriotëve fanatikë zelotë shihnin në mënyrë vdekjeprurëse si armiq, këdo që fuste hundët në punët e shtetit të pavarur jude. Ata ngjasonin me hasmonaenët dhe kryesisht u bënin thirrje të rinjve idealistë dhe aventurierë. Të shquar si banditë vrasës ose luftëtarë rezistues, ata përdornin taktikat e guerriljeve që i bënin rrugët dhe sheshet publike të vendit të rrezikshme dhe shtonin tensionet e ditës.
Në Egjipt, filozofia greke lulëzoi midis judenjve të Aleksandrisë. Prej aty, ajo u përhap në Palestinë dhe në judenjtë e shpërndarë gjerësisht nëpër diasporë. Teoricienët judenj, të cilët shkruan apokrifa dhe pseudoepigrafe, i interpretonin shkrimet e Moisiut si alegori të vagëta dhe pa jetë.
Kur erdhi epoka romake, helenizimi e kishte transformuar Palestinën nga pikëpamja shoqërore, politike dhe filozofike. Feja biblike e judenjve ishte zëvendësuar nga judaizmi, një përzierje e koncepteve babilonase, perse dhe greke të binjakëzuara me njëfarë sasie të vërtetash nga Shkrimet. Sidoqoftë, të gjithë së bashku, saducenjtë, farisenjtë dhe esenët përbënin më pak se 7 për qind të kombit. Në vorbullën e këtyre forcave në konflikt ishin masat e popullit jude, «të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari».—Mateu 9:36.
Në atë botë të errët erdhi Jezu Krishti. Ngushëlluese ishte ftesa e tij siguruese: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje.» (Mateu 11:28) Sa emocionuese ishte të dëgjoje atë tek thoshte: «Unë jam drita e botës!» (Gjoni 8:12) Vërtet, sa i këndshëm ishte premtimi i tij që të gëzon zemrën: «Kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.»—Gjoni 8:12.
[Figura në faqen 26]
Jezui tregoi se udhëheqësit fetarë judenj ishin në errësirë frymore
[Figura në faqen 28]
Monedhë që mban figurën e Antiokut IV (Epifani)
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.