Jezui: Nga erdhi?
«[Pilati] hyri sërish në pallatin e guvernatorit dhe e pyeti Jezuin: ‘Nga je?’ Por Jezui nuk iu përgjigj.»—GJONI 19:9.
GUVERNATORI romak, Ponc Pilati, i bëri këtë pyetje Jezuit kur po gjykohej për jetë a vdekje.a Pilati e dinte nga ç’pjesë e Izraelit vinte Jezui. (Luka 23:6, 7) Gjithashtu, e dinte se Jezui ishte shumë më tepër se një njeri i zakonshëm. Mos pyeste veten nëse Jezui kishte jetuar më parë? A ishte vërtet i gatshëm ky sundimtar pagan të pranonte e të vepronte në përputhje me të vërtetën? Sido të ketë qenë, Jezui nuk u përgjigj, dhe shpejt u bë e qartë se Pilatit i interesonte më tepër karriera e vet, sesa e vërteta dhe drejtësia.—Mateu 27:11-26.
Jemi të lumtur se ata që duan sinqerisht të dinë nga erdhi Jezui, mund ta zbulojnë me lehtësi. Bibla e tregon qartë origjinën e Jezu Krishtit. Shqyrtoni sa vijon.
Ku lindi?
Llogaritje të sotme tregojnë se në fillim të vjeshtës së vitit që sot quhet viti 2 p.e.s., Jezui lindi në kushte jo të mira në qytezën e Betlehemit, në Jude. Regjistrimi që urdhëroi Cezar Augusti, e detyroi nënën e Jezuit, Marinë, që ishte «rënduar nga barra», bashkë me të shoqin, Jozefin, të udhëtonin për në Betlehem, vendi i paraardhësve të Jozefit. Meqë nuk arritën të gjenin një vend ku të rrinin në qytezën e mbipopulluar, çifti u detyrua të përdorte një stallë, vendi ku Jezui lindi dhe u vendos në një grazhd.—Luka 2:1-7.
Shekuj më herët, një profeci biblike paratha vendin e lindjes së Jezuit: «Nga ti, o Betlehem-Efratah, që je më i vogli ndër qytetet e Judës, do të dalë për mua ai që ka për t’u bërë sundimtar në Izrael.»b (Mikea 5:2) Nga sa duket, Betlehemi ishte shumë i vogël për t’u renditur bashkë me qytetet e territorit të Judës. Prapëseprapë, kjo qytezë e vogël do të kishte një nder unik. Mesia i premtuar ose Krishti, do të vinte nga Betlehemi.—Mateu 2:3-6; Gjoni 7:40-42.
Ku u rrit?
Pasi qëndroi për pak kohë në Egjipt, familja e Jezuit shkoi në Nazaret, qytet në provincën e Galilesë, rreth 100 kilometra në veri të Jerusalemit. Në atë kohë, Jezui ishte më i vogël se tre vjeç. Në këtë rajon piktoresk ku bujqit, barinjtë dhe peshkatarët merreshin me punët e tyre, Jezui u rrit në një familje të madhe, ka të ngjarë në kushte modeste.—Mateu 13:55, 56.
Shekuj më parë, Bibla kishte parathënë se Mesia do të ishte «nazareas». Shkrimtari i ungjillit, Mateu, thotë se familja e Jezuit erdhi të banonte në «qytetin e Nazaretit, që të përmbushej ç’ishte thënë nëpërmjet profetëve: ‘Do të quhet nazareas.’» (Mateu 2:19-23) Ka të ngjarë që emri nazareas të lidhet me fjalën hebraike për «filiz». Me sa duket, Mateu po i referohej profecisë së Isaisë që e quajti Mesinë «filiz» nga Jeseu, domethënë, Mesia do të ishte pasardhës i Jeseut, babait të mbretit David. (Isaia 11:1) Në fakt, me anë të Davidit, Jezui ishte pasardhës i Jeseut.—Mateu 1:6, 16; Luka 3:23, 31, 32.
Cila ishte origjina e tij?
Bibla mëson se jeta e Jezuit filloi mjaft kohë para se të lindte në stallën në Betlehem. Profecia e Mikesë, e cituar më sipër, thotë më tej se «prejardhja [e Tij] është që nga kohët e hershme, që nga ditët e kohëve të pacaktuara». (Mikea 5:2) Si Biri i parëlindur i Perëndisë, Jezui ishte krijesë e padukshme në qiell para se të lindte si njeri në tokë. Vetë Jezui tha: «Zbrita nga qielli.» (Gjoni 6:38; 8:23) Si ishte e mundur kjo?
Nëpërmjet frymës së shenjtë, Perëndia Jehova kreu mrekulli duke e transferuar jetën e Birit të tij qiellor në barkun e virgjëreshës judeje, Marisë, që të lindte si njeri i përsosur.c Një mrekulli e tillë është e lehtë për Perëndinë e Plotfuqishëm. Tamam siç e tha edhe engjëlli që ia shpjegoi gjërat Marisë: «Perëndia nuk do të lërë pa përmbushur asnjë fjalë që ka thënë.»—Luka 1:30-35, 37.
Bibla nuk na thotë vetëm diçka rreth vendit nga erdhi Jezui. Katër ungjijtë—Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni—na thonë shumë edhe për mënyrën si jetoi.
a Për më tepër informacion rreth arrestimit dhe gjykimit të Jezuit, shih artikullin «Gjyqi më famëkeq që është mbajtur ndonjëherë», në faqet 18-22 të kësaj reviste.
b Siç duket, Efratah është një emër i mëparshëm për Betlehemin.—Zanafilla 35:19.
c Jehova është emri i Perëndisë, siç tregohet në Bibël.