Kapitulli 49
Një udhëtim tjetër predikimi në Galile
TANI pas afro dy vjetësh predikimi intensiv, a do të fillojë ta ulë ritmin Jezui, duke e marrë shtruar? Përkundrazi, ai e zgjeron aktivitetin e tij të predikimit, duke ndërmarrë edhe një udhëtim tjetër, që është i treti në Galile. Ai shkon në të gjitha qytetet dhe fshatrat e territorit, duke mësuar njerëzit nëpër sinagoga dhe duke predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë. Ajo ç’ka shikon gjatë këtij udhëtimi, e bind atë më shumë se kurrë, mbi nevojën për ta intensifikuar veprën e predikimit.
Kudo që shkon, Jezui shikon turmat që kanë nevojë për shërim frymor dhe për ngushëllim. Ato janë si delet pa bari, të zhvoshkura e të hallakatura dhe ai ndjen dhembshuri për to. Ai u thotë dishepujve të tij: «E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak. Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.»
Jezui ka një plan veprimi. Ai thërret 12 apostujt, që ka zgjedhur afërsisht një vit më parë. I ndan ata dy e nga dy, duke formuar kështu gjashtë grupe me predikues dhe u jep udhëzime. Ai shpjegon: «Mos shkoni ndër paganë dhe mos hyni në asnjë qytet të samaritanëve, por shkoni më mirë te delet e humbura të Izraelit. Shkoni dhe predikoni duke thënë: ‘Mbretëria e qiejve u afrua.’»
Kjo Mbretëri mbi të cilën ata do të predikojnë, është ajo, për të cilën Jezui i mësoi të luteshin në lutjen model. Mbretëria është afruar në kuptimin që Mbreti i caktuar nga Perëndia, Jezu Krishti, është i pranishëm. Si dëshmi zyrtare e faktit që dishepujt e tij janë përfaqësues të asaj qeverie mbinjerëzore, Jezui u jep atyre, fuqi për të shëruar të sëmurët dhe madje për të ngritur njerëzit nga vdekja. Ai i udhëzon ata që t’i kryejnë falas këto shërbime.
Më pas Jezui u thotë dishepujve që të mos bëjnë përgatitje nga ana materiale, për udhëtimin e tyre të predikimit. «Mos grumbulloni as ar, as argjend, as bakër në qesen tuaj, as trasta për udhë, as dy palë tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori është i denjë për ushqimin e vet.» Ata që e çmojnë mesazhin, do të përgjigjen dhe do të kontribuojnë për ushqimin dhe strehimin. Ashtu si thotë Jezui: «Në çfarëdo qyteti ose fshati që të hyni, kërkoni atë që është i denjë dhe qëndroni atje derisa të largoheni.»—BR.
Pastaj, Jezui u jep udhëzime mbi mënyrën se si t’i afrohen të zotit të shtëpisë me mesazhin e Mbretërisë. «Kur hyni në shtëpi,—udhëzon ai,—e përshëndetni. Dhe nëse ajo shtëpi është e denjë, le të vijë paqja juaj mbi të; por nëse nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet tek ju. Dhe nëse dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja.»
Jezui zbulon, se për atë qytet që e refuzon mesazhin e tyre, gjykimi do të jetë me të vërtetë i ashpër. Ai shpjegon: «Në të vërtetë po ju them: do të jetë më e përballueshme për qytetet e Sodomës dhe Gomorrës në Ditën e Gjyqit, sesa për atë qytet.»—BR. Mateu 9:35–10:15; Marku 6:6-12; Luka 9:1-5.
▪ Kur e fillon Jezui udhëtimin e tretë të predikimit në Galile dhe për çfarë bindet ai gjatë tij?
▪ Çfarë udhëzimesh u jep Jezui 12 apostujve kur i dërgon për të predikuar?
▪ Përse është korrekt që dishepujt t’u mësojnë të tjerëve se Mbretëria është afruar?