KAPITULLI 38
Gjoni pret përgjigje nga Jezui
GJON PAGËZORI PYET NËSE JEZUI ËSHTË AI QË PO PRESIN
JEZUI LAVDËRON GJONIN
Gjon Pagëzori ka rreth një vit që është në burg, megjithatë është në dijeni të mrekullive të Jezuit. Imagjinoni si ndihet kur dishepujt e tij i tregojnë se Jezui ka ringjallur djalin e vejushës së Nainit. Sidoqoftë, Gjoni ka dëshirë që vetë Jezui t’i shpjegojë ç’kuptim kanë të gjitha këto. Prandaj thërret dy nga dishepujt e vet që ta pyesin Jezuin: «A je ti ‘ai që duhet të vijë’, apo duhet të presim një tjetër?»—Luka 7:19.
Mos është pyetje e çuditshme kjo? Në fund të fundit Gjoni është po ai burrë i devotshëm që, kur pagëzoi Jezuin afro dy vjet më parë, pa frymën e Perëndisë të zbriste mbi Jezuin dhe dëgjoi zërin e Perëndisë kur e miratoi. E s’ka pse të mendojmë që besimi i Gjonit është dobësuar. Përndryshe, Jezui nuk do ta kishte lavdëruar aq shumë, siç bën në këtë rast. Nëse Gjoni nuk ka dyshime, atëherë pse e pyet Jezuin?
Mbase Gjoni thjesht dëshiron një konfirmim drejtpërdrejt nga Jezui nëse ai është Mesia. Kjo do t’i japë forcë Gjonit teksa dergjet në burg. Dhe me sa duket ka edhe diçka tjetër. Ai i di mirë profecitë e Biblës që tregojnë se i Mirosuri i Perëndisë do të jetë mbret dhe shpëtimtar. Por, ka shumë muaj që Jezui është pagëzuar dhe Gjoni gjendet në burg. Prandaj pyet nëse duhet të vijë dikush tjetër, si të thuash një pasues i Jezuit, që t’i çojë deri në fund ato profeci që Mesia duhet t’i përmbushë.
Në vend që thjesht t’u thotë dishepujve të Gjonit: «Sigurisht që unë jam Ai që duhet të vijë», Jezui jep dëshmi të mbështetjes së Perëndisë duke shëruar shumë njerëz me sëmundje e lëngata nga më të ndryshmet. Pastaj u thotë atyre: «Shkoni dhe tregojini Gjonit çfarë po dëgjoni dhe shikoni: të verbrit tani po shohin, të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen, të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen dhe të varfërve po u shpallet lajmi i mirë.»—Mateu 11:4, 5.
Pyetja e Gjonit mund të nënkuptojë se pret që Jezui të bëjë edhe më shumë e mbase ta lirojë nga burgu. Por Jezui i lë të kuptojë që të mos presë më shumë sesa mrekullitë që tashmë po bën.
Me t’u larguar dishepujt e Gjonit, Jezui siguron turmën se Gjoni është më shumë sesa një profet. Ai është ‘lajmëtari’ i profetizuar i Jehovait, për të cilin flitet te Malakia 3:1. Është edhe profeti Elija, siç parathoshte Malakia 4:5, 6. Jezui shpjegon: «Me të vërtetë po ju them: ndër ata që kanë lindur nga gratë, s’ka dalë asnjë më i madh se Gjon Pagëzori, e megjithatë, ai që është i vogël në Mbretërinë e qiejve, është më i madh se ai.»—Mateu 11:11.
Kur thotë se i vogli në Mbretërinë e qiejve është më i madh se Gjoni, Jezui po tregon se ai nuk do të jetë në Mbretërinë qiellore. Gjoni hapi udhën për Jezuin, mirëpo vdes para se Krishti të hapë udhën për në qiell. (Hebrenjve 10:19, 20) Pra Gjoni është një profet besnik i Perëndisë dhe do të jetë nënshtetas i Mbretërisë së Perëndisë këtu në tokë.