A do të jesh besimplotë si Elija?
«Po ju dërgoj Elijan, profetin, përpara ardhjes së ditës së madhe dhe frikësuese të Jehovait.»—MALAKIA 4:5, BR.
1. Çfarë krize ndodh pasi Izraeli ishte pothuajse prej 500 vjetësh në Tokën e Premtuar?
«NJË vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.» (Dalja [Eksodi] 3:7, 8, BR) Kjo është ajo që Perëndia Jehova u dha izraelitëve pasi i çliroi nga skllavëria egjiptiane, në shekullin e 16-të p.e.s. Por shiko! Kanë kaluar pesë shekuj dhe tani, mbretëria prej dhjetë fisesh e Izraelit, është mbërthyer nga një zi e rëndë buke. Vështirë të gjesh një fije bari të gjelbër. Kafshët po vdesin dhe për tre vjet e gjysmë nuk ka rënë asnjë pikë shi. (1. Mbretërve 18:5; Luka 4:25) Mbi kë bie përgjegjësia për këtë katastrofë?
2. Cili është shkaku i krizës kombëtare të Izraelit?
2 Këtë krizë e ka shkaktuar apostazia. Duke dhunuar Ligjin e Perëndisë, mbreti Akab është martuar me princeshën kanaanite Jezabela dhe e ka lejuar të fusë në Izrael adhurimin e Baalit. Më keq akoma, ai i ka ndërtuar këtij perëndie të rremë një tempull në Samari, në kryeqytet. E pra, izraelitët janë joshur të besojnë se adhurimi i Baalit do t’u sjellë të korra të bollshme! Megjithatë, siç ka paralajmëruar Jehovai, tani ata rrezikojnë të ‘zhduken nga toka e tyre e mirë’.—Ligji i përtërirë 7:3, 4; 11:16, 17, BR; 1. Mbretërve 16:30-33.
Një provë dramatike se kush është Perëndia i vërtetë
3. Si e drejton profeti Elija vëmendjen tek problemi i vërtetë i Izraelit?
3 Kur fillon zia e bukës, profeti besimplotë i Perëndisë, Elija, i thotë mbretit Akab: «Ashtu si Jehovai, Perëndia i Izraelit, përpara të cilit qëndroj, po jeton, gjatë këtyre viteve nuk do të ketë as vesë, as shi, përveçse me urdhër të fjalës sime!» (1. Mbretërve 17:1, BR) Pasi e përjetoi të vërtetën e tmerrshme të kësaj deklarate, mbreti fajëson Elijan për rënien e turpit mbi Izraelin. Por Elija ia kthen se duhen fajësuar Akabi dhe shtëpia e tij, për shkak të apostazisë së tyre si adhurues të Baalit. Për ta zgjidhur çështjen, profeti i Jehovait e nxiti mbretin Akab ta mblidhte të gjithë Izraelin në Malin Karmel, bashkë me 450 profetë të Baalit dhe 400 profetë të shtyllës së shenjtë. Akabi dhe nënshtetasit e tij mblidhen atje, ndoshta duke shpresuar se ky rast do t’i japë fund thatësirës. Por Elija e drejton vëmendjen e tyre tek çështja më serioze. «Për sa kohë,—pyet ai,—do të çaloni mbi dy opinione të ndryshme? Nëse Jehovai është Perëndia i vërtetë, ndiqeni, por nëse është Baali, ndiqni atë.» Izraelitët nuk dinë ç’të thonë.—1. Mbretërve 18:18-21, BR.
4. Për të zgjidhur çështjen se kush është Perëndia i vërtetë, çfarë propozon Elija?
4 Për vite me radhë, izraelitët janë përpjekur ta përziejnë adhurimin e Jehovait me baalizmin. Për të zgjidhur çështjen se kush është Perëndia i vërtetë, Elija propozon tani një konkurrim. Ai do të përgatitë një dem të ri për flijim, ndërsa një tjetër do të përgatitet nga profetët e Baalit. Pastaj Elija thotë: «Ju duhet të thërrisni emrin e perëndisë suaj, ndërsa unë, nga ana ime, do të thërras emrin e Jehovait dhe duhet të ndodhë që Perëndia i vërtetë, i cili përgjigjet me anë të zjarrit, është Perëndia i vërtetë.» (1. Mbretërve 18:23, 24, BR) Imagjino zjarrin që del nga qielli, në përgjigje të një lutjeje!
5. Si demaskohet kotësia e adhurimit të Baalit?
5 Elija fton profetët e Baalit që të fillojnë. Ata përgatitin një dem për flijim dhe e shtrijnë mbi altar. Pastaj çalojnë përreth altarit, duke u lutur: «O Baal, na u përgjigj!» Kjo gjë vazhdon «nga mëngjesi deri në mesditë». «Thërrisni me sa t’ju hajë zëri,—u thotë me shpoti Elija.—Baali duhet të jetë i zënë me ndonjë çështje urgjente ose ndoshta është në gjumë e i duhet të zgjohet!» Shpejt, profetët e Baalit shpërthejnë në një furi të papërmbajtur. Shiko! Ata po presin veten e vet me kama dhe nga plagët e tyre po rrjedh gjak. Çfarë zhurme bëhet, ndërsa të 450-t thërrasin me sa iu ha zëri! Por përgjigje, s’ka.—1. Mbretërve 18:26-29, BR.
6. Çfarë përgatitjeje bën Elija për provën se kush është Perëndia i vërtetë?
6 Tani e ka radhën Elija. Ai rindërton altarin e Jehovait, bën një hendek rreth tij dhe vendos në rregull flijimin. Pastaj bën të derdhet ujë mbi drutë dhe mbi flijimin. Mbi altar janë hedhur dymbëdhjetë qypa të mëdhenj me ujë, derisa është mbushur dhe vetë hendeku. Imagjino gjendjen e tensionuar, ndërsa Elija lutet: «O Jehova, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, sot le të bëhet e njohur se ti je Perëndia në Izrael dhe unë jam shërbëtori yt dhe se me anë të fjalë sate, unë kam bërë gjithë këto gjëra. Përgjigjmu, o Jehova, përgjigjmu, që ky popull ta dijë se ti, Jehova, je Perëndia i vërtetë dhe se ti vetë e ke kthyer prapa zemrën e tyre.»—1. Mbretërve 18:30-37, BR.
7, 8. (a) Si i përgjigjet Jehovai lutjes së Elijas? (b) Çfarë kryhet me anë të ngjarjeve në malin Karmel?
7 Në përgjigje të lutjes së Elijas, ‘zjarri i Jehovait bie nga qielli dhe përlan ofertën, drutë, gurët, pluhurin dhe e përpin ujin e hendekut’. Populli bie me fytyrën përtokë dhe thotë: «Jehovai është Perëndia i vërtetë! Jehovai është Perëndia i vërtetë!» (1. Mbretërve 18:38, 39, BR) Tani Elija ndërmerr një veprim vendimtar. Ai urdhëron: «Kapini profetët e Baalit! Mos lini as edhe një prej tyre t’ia mbathë!» Pasi janë therrur në luginën e Kishonit, re të errëta mbushin qiellin. Më në fund, një rrebesh i jep fund thatësirës!—1. Mbretërve 18:40-45, BR; krahaso Ligjin e përtërirë 13:1-5.
8 Ç’ditë e madhe! Jehovai del triumfues në këtë provë të jashtëzakonshme se kush është Perëndia i vërtetë. Për më tepër, këto ngjarje i kthejnë zemrat e shumë izraelitëve prapa, tek Perëndia. Në këtë mënyrë e në të tjera, Elija del besimplotë si profet dhe personalisht luan një rol profetik.
«Elija profeti» duhet të vijë ende?
9. Çfarë ishte profetizuar në Malakinë 4:5, 6?
9 Më vonë, me anë të Malakisë, Perëndia paratha: «Shikoni! Po ju dërgoj Elijan, profetin, përpara ardhjes së ditës së madhe dhe frikësuese të Jehovait. Ai duhet të kthejë prapa zemrën e etërve ndaj bijve dhe zemrën e bijve ndaj etërve, që unë të mos vij dhe të godas me të vërtetë tokën, duke ia kushtuar atë shkatërrimit.» (Malakia 4:5, 6, BR) Elija jetoi pothuajse 500 vjet përpara se të shqiptoheshin këto fjalë. Meqenëse ishte një profeci, judenjtë e shekullit të parë ishin në pritje të ardhjes së Elijas, për ta përmbushur atë.—Mateu 17:10.
10. Cili ishte Elija i parathënë dhe si e dimë këtë?
10 Cili ishte, pra, ky Elija që do të vinte? Identiteti i tij u zbulua, kur Jezu Krishti tha: «Që nga ditët e Gjon Pagëzuesit e deri tani, mbretëria e qiejve është synimi ndaj të cilit nguten njerëzit dhe ata që nguten përpara, po e kapin. Sepse të gjithë, profetët dhe Ligji, profetizuan deri tek Gjoni dhe nëse ju dëshironi ta pranoni, ai vetë është ‘Elija që është i paracaktuar të vijë’.» Po, Gjon Pagëzuesi ishte ekuivalenti i parathënë i Elijas. (Mateu 11:12-14, BR; Marku 9:11-13) Një engjëll i kishte thënë babait të Gjonit, Zaharisë, se Gjoni do të kishte «frymën dhe fuqinë e Elijas» dhe se do të «bënte gati për Jehovain, një popull të përgatitur». (Luka 1:17, BR) Pagëzimi që kreu Gjoni, ishte simboli publik i pendimit të individit për mëkatet e tij kundër Ligjit, i cili duhej për t’i udhëhequr judenjtë drejt Krishtit. (Luka 3:3-6; Galatasve 3:24) Pra, vepra e Gjonit ‘bëri gati për Jehovain një popull të përgatitur’.—BR.
11. Në Rrëshajët, çfarë tha Pjetri rreth «ditës së Jehovait» dhe kur ndodhi ajo?
11 Vepra e Gjon Pagëzuesit si «Elija», tregoi se ishte afër një «ditë e Jehovait». Afërsia e asaj dite, në të cilën Perëndia do të vepronte kundër armiqve të tij dhe do të ruante popullin e vet, u tregua edhe nga apostulli Pjetër. Ai vuri në dukje se ngjarjet e mrekullueshme që ndodhën në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., ishin një përmbushje e profecisë së Joelit për derdhjen e frymës së Perëndisë. Pjetri tregoi se kjo duhej të ndodhte përpara «ditës së madhe dhe të shkëlqyer të Jehovait». (Veprat 2:16-21, BR; Joeli 2:28-32) Ndodhi në vitin 70 të e.s. që Jehovai përmbushi Fjalën e tij, duke bërë që ushtritë romake të ekzekutonin gjykimin hyjnor mbi kombin, i cili hodhi poshtë Birin e tij.—Danieli 9:24-27; Gjoni 19:15.
12. (a) Çfarë thanë Pavli dhe Pjetri në lidhje me «ditën e Jehovait» që po vjen? (b) Përse ishte diçka e sigurt që do të ndodhte, siç u përfaqësua nga vepra e Elijas?
12 Megjithatë, pas vitit 70 të e.s. duhej të ndodhte më shumë se kaq. Apostulli Pavël e lidhi «ditën e Jehovait» që po vjen, me praninë e Jezu Krishtit. Për më tepër, apostulli Pjetër foli për atë ditë, në lidhje me ‘qiej të rinj dhe tokë të re’ që i përkisnin ende së ardhmes. (2. Selanikasve [Thesalonikasve] 2:1, 2, BR; 2. Pjetrit 3:10-13) Sill ndër mend se Gjon Pagëzuesi bëri një vepër të ngjashme me atë të Elijas, përpara se të vinte «dita e Jehovait» në vitin 70 të e.s. Të gjitha këto të marra së bashku treguan qartë se do të ndodhte diçka e mëtejshme, siç u përfaqësua nga vepra që kishte kryer Elija. Cila është kjo?
Ata kanë frymën e Elijas
13, 14. (a) Çfarë paralele ka ndërmjet aktiviteteve të Elijas dhe atyre të të krishterëve të sotëm të mirosur? (b) Çfarë kanë bërë apostatët e të ashtuquajturit krishterim?
13 Vepra e Elijas pati një paralele jo vetëm në aktivitetet e Gjon Pagëzuesit, por edhe në ato të të krishterëve të mirosur në këtë periudhë kritike, që çon drejt «ditës së Jehovait» që po vjen. (2. Timoteut 3:1-5) Me frymën dhe fuqinë e Elijas, ata janë përkrahës të patundur të adhurimit të vërtetë. Sa e domosdoshme ka qenë kjo! Pas vdekjes së apostujve të Jezuit, nga krishterimi i vërtetë pati një apostazi, ashtu siç lulëzoi adhurimi i Baalit në Izraelin e ditëve të Elijas. (2. Pjetrit 2:1) Të krishterët e vetëshpallur filluan ta përzienin krishterimin me doktrinat dhe praktikat e rreme fetare. Për shembull, ata morën mësimin pagan dhe jobiblik se njeriu zotëron një shpirt të pavdekshëm. (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:5, 10; Ezekieli 18:4) Apostatët e të ashtuquajturit krishterim e kanë ndalur përdorimin e emrit të të vetmit Perëndi të vërtetë, Jehova. Në vend të kësaj, ata janë duke adhuruar një Trinitet. Ata kanë adoptuar, gjithashtu, praktikën e ngjashme me atë të Baalit, të përkuljes para shëmbëlltyrave të Jezuit dhe nënës së tij, Marisë. (Romakëve 1:23; 1. Gjonit 5:21) Por nuk mbaron me kaq.
14 Që prej shekullit të 19-të e më tej, udhëheqësit e kishave të të ashtuquajturit krishterim, filluan të hidhnin dyshime mbi shumë pjesë të Biblës. Për shembull, ata hodhën poshtë tregimin e Zanafillës mbi krijimin dhe ngritën në qiell teorinë e evolucionit, duke e etiketuar si «shkencore». Kjo binte drejtpërdrejt në kundërshtim me mësimet e Jezu Krishtit dhe të apostujve të tij. (Mateu 19:4, 5; 1. Korintasve 15:47) Megjithatë, ashtu si Jezui dhe ithtarët e tij të hershëm, sot të krishterët e mirosur nga fryma mbështetin tregimin biblik të krijimit.—Zanafilla 1:27.
15, 16. Në kontrast me të ashtuquajturin krishterim, kush ka gëzuar furnizime të rregullta me ushqim frymor dhe me anë të cilit mjet?
15 Kur bota hyri në «kohën e fundit», të ashtuquajturin krishterim e mbërtheu një zi frymore buke. (Danieli 12:4; Amosi 8:11, 12) Por grupi i vogël i të krishterëve të mirosur gëzoi furnizimet e rregullta të ushqimit frymor të dhënë nga Perëndia «në kohën e duhur», ashtu si Jehovai u kujdes, që Elija të ushqehej gjatë zisë së bukës në kohën e tij. (Mateu 24:45; 1. Mbretërve 17:6, 13-16) Të njohur dikur si Studentët Ndërkombëtarë të Biblës, këta shërbëtorë besimplotë të Perëndisë, më vonë adoptuan emrin biblik Dëshmitarë të Jehovait.—Isaia 43:10.
16 Elija jetoi në përputhje me emrin e tij, i cili do të thotë «Perëndia im është Jehovai». Si revista zyrtare e shërbëtorëve tokësorë të Jehovait, Kulla e Rojës ka përdorur në mënyrë të vazhdueshme emrin e Jehovait. Në fakt, numri i dytë i saj, (gusht 1879) shprehte sigurinë se revista kishte si përkrahës të saj Jehovain. Kjo revistë dhe botime të tjera të Shoqatës Watch Tower, demaskojnë mësimet jobiblike të të ashtuquajturit krishterim dhe të pjesës tjetër të Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme, ndërkohë që mbështetin vërtetësinë e Fjalës së Perëndisë, Biblës.—2. Timoteut 3:16, 17; Zbulesa 18:1-5.
Besimplotë nën sprovë
17, 18. Si reagoi Jezabela ndaj therrjes së profetëve të Baalit, por si u ndihmua Elija?
17 Reagimi i klerit ndaj demaskimit, ishte i ngjashëm me atë të Jezabelës, kur mori vesh se Elija kishte vrarë profetët e Baalit. Ajo i dërgoi një mesazh profetit besimplotë të Jehovait, duke iu betuar se do të bënte që të vritej. Ky nuk ishte një kërcënim i kotë, sepse Jezabela kishte vrarë tashmë shumë prej profetëve të Perëndisë. I frikësuar, Elija ua mbathi këmbëve drejt jugperëndimit, në Beer-Sheba. Pasi la atje shërbëtorin e tij, shkoi edhe më tutje, në shkretëtirë, duke u lutur që të vdiste. Por Jehovai nuk e kishte braktisur profetin e tij. Një engjëll iu shfaq Elijas, që ta përgatiste për udhëtimin e gjatë drejt malit Horeb. Kështu, ai mori një mbështetje ushqimore për udhëtimin 40-ditësh, prej më shumë se 300 kilometrash. Në Horeb, Perëndia i foli pas një shfaqjeje të frikshme të fuqisë në një erë të madhe, në një tërmet dhe në një zjarr. Jehovai nuk ishte në këto shfaqje. Ato ishin shprehje të frymës së tij të shenjtë apo të forcës së tij aktive. Pastaj Jehovai i foli profetit të tij. Imagjino se si e ka forcuar Elijan kjo përvojë. (1. Mbretërve 19:1-12) Ç’të themi nëse, ashtu si Elija, frikësohemi paksa, kur kërcënohemi nga armiqtë e adhurimit të vërtetë? Përvoja e tij duhet të na ndihmojë të kuptojmë se Jehovai nuk e braktis popullin e tij.—1. Samuelit 12:22.
18 Perëndia e bëri të qartë se si profet, Elija kishte ende punë për të bërë. Për më tepër, megjithëse Elija mendonte se ishte i vetmi adhurues i Perëndisë së vërtetë në Izrael, Jehovai i tregoi se ishin 7.000 ata që nuk i ishin përkulur Baalit. Pastaj Perëndia e ktheu Elijan në caktimin e tij. (1. Mbretërve 19:13-18) Ashtu si Elija, ne mund të ndiqemi nga armiqtë e adhurimit të vërtetë. Mund të bëhemi objekt i një persekutimi intensiv, siç paratha edhe Jezui. (Gjoni 15:17-20) Ndonjëherë mund të alarmohemi. Megjithatë, mund të jemi si Elija, i cili mori sigurinë hyjnore dhe pastaj besimplotë këmbënguli në shërbimin e Jehovait.
19. Çfarë u përjetua nga të krishterët e mirosur gjatë epokës së Luftës së Parë Botërore?
19 Për shkak të persekutimit intensiv gjatë Luftës së Dytë Botërore, disa të krishterë të mirosur iu dorëzuan frikës dhe e ndalën predikimin. Ata u gabuan duke menduar se puna e tyre në tokë kishte mbaruar. Por Perëndia nuk i hodhi poshtë. Përkundrazi, ai i përkrahu ata me mëshirë, ashtu siç siguroi ushqim për Elijan. Ashtu si Elija, të mirosurit besimplotë e pranuan korrigjimin hyjnor dhe e morën veten prej gjendjes së tyre joaktive. Sytë e tyre u hapën ndaj privilegjit të madh të predikimit të mesazhit të Mbretërisë.
20. Çfarë privilegji u është dhënë sot atyre që janë besimplotë si Elija?
20 Në profecinë rreth pranisë së tij, Jezui përmblodhi veprën mbarëbotërore që do të plotësohej përpara fundit të këtij sistemi të lig gjërash. (Mateu 24:14) Sot, kjo vepër po kryhet nga të krishterët e mirosur dhe nga miliona shokë të tyre, që mezi presin jetën në një tokë parajsore. Kryerja e veprës së predikimit të Mbretërisë, derisa ajo të përfundojë, është një privilegj që u jepet vetëm atyre që janë besimplotë si Elija.
Ji besimplotë si Elija
21, 22. (a) Cilën vepër po drejtojnë sot të krishterët e mirosur? (b) Me çfarë ndihme po kryhet vepra e predikimit dhe përse është e nevojshme kjo ndihmë?
21 Me një zell si ai i Elijas, mbetja e vogël e të krishterëve të vërtetë të mirosur ka përmbushur përgjegjësinë e vet për t’u kujdesur për interesat tokësore të Mbretit të hipur në fron, Jezu Krishtit. (Mateu 24:47) Për më shumë se 60 vjet, Jehovai i ka përdorur këta të mirosur për të drejtuar veprën e bërjes së dishepujve, të cilëve u ka dhënë shpresën e mrekullueshme të jetës së përhershme në një tokë parajsore. (Mateu 28:19, 20) Sa mirënjohës duhet të jenë këta miliona persona, që të mirosurit relativisht të paktë që kanë mbetur, janë duke u kujdesur me zell dhe me besim të plotë për përgjegjësitë e tyre!
22 Kjo vepër e predikimit të Mbretërisë, është kryer nga njerëz të papërsosur dhe vetëm me forcën që u jep Jehovai atyre që mbështeten tek ai në lutje. «Elija ishte një njeri me ndjenja si tonat»,—tha dishepulli Jakov, kur po citonte shembullin e profetëve për sa i përket lutjes, me qëllim që të tregonte forcën e lutjes së një njeriu të drejtë. (Jakovit 5:16-18, BR) Elija nuk ishte gjithmonë duke profetizuar apo duke kryer mrekulli. Ai pati të njëjtat ndjenja dhe dobësi njerëzore që kemi edhe ne, por i shërbeu me besim të plotë Perëndisë. Përderisa edhe ne kemi ndihmën e Perëndisë dhe ai na forcon, mund të jemi besimplotë si Elija.
23. Përse kemi arsye të shëndosha për të qenë besimplotë dhe optimistë?
23 Ne kemi arsye të shëndosha për të qenë besimplotë dhe optimistë. Kujto që Gjon Pagëzuesi bëri një vepër të ngjashme me atë të Elijas, përpara se «dita e Jehovait» të godiste në vitin 70 të e.s. Me frymën dhe fuqinë e Elijas, të krishterët e mirosur kanë bërë një vepër të ngjashme të dhënë nga Perëndia, në mbarë tokën. Kjo provon qartë se e madhja «ditë e Jehovait» është afër.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si u provua në malin Karmel se Jehovai është Perëndia i vërtetë?
◻ Cili ishte ‘Elija që do të vinte’ dhe çfarë bëri ai?
◻ Si e kanë treguar të krishterët e sotëm të mirosur se kanë frymën e Elijas?
◻ Përse për ne është e mundur që të jemi besimplotë si Elija?
[Kutia në faqen 15]
Në cilët qiej u ngjit Elija?
«NDODHI që ndërsa [Elija dhe Eliseu] po ecnin, duke folur ndërkohë që ecnin, kur ja: një karrocë lufte e përflakur dhe kuaj të përflakur e ata vazhduan të bënin një ndarje ndërmjet atyre të dyve dhe Elija shkoi duke u ngjitur në qiej në një vorbull.»—2. Mbretërve 2:11, BR.
Çfarë kuptohet në këtë rast me fjalën «qiej»? Disa herë ky term i aplikohet vendbanimit frymor të Perëndisë dhe bijve të tij engjëllorë. (Mateu 6:9; 18:10) «Qiejtë» mund të tregojnë edhe universin fizik. (Ligji i përtërirë 4:19) Edhe Bibla e përdor këtë term për t’iu referuar atmosferës pranë tokës, ku fluturojnë zogjtë dhe fryn era.—Psalmi 78:26; Mateu 6:26.
Në cilët prej këtyre qiejve u ngjit profeti Elija? Me sa duket, ai u transferua me anë të atmosferës së tokës dhe u vendos në një pjesë të ndryshme të globit. Vite më vonë Elija ishte ende në tokë, sepse ai i shkroi një letër mbretit të Judës, Jehoramit. (2. Kronikave 21:1,12-15) Fakti që Elija nuk u ngjit në banesën frymore të Perëndisë Jehova, u vërtetua më vonë nga Jezu Krishti, i cili deklaroi: «Asnjë njeri nuk është ngjitur në qiell, përveç atij që zbriti nga qielli, Birit të njeriut», domethënë Jezuit vetë. (Gjoni 3:13, BR) Për njerëzit e papërsosur, rruga për në jetën qiellore u hap për herë të parë, pas vdekjes, ringjalljes dhe ngritjes së Jezu Krishtit.—Gjoni 14:2, 3; Hebrenjve 9:24; 10:19, 20.