Të pasqyrojmë qëndrimin mendor të Krishtit
«Perëndia që jep qëndrueshmëri dhe ngushëllim, ju dhëntë të keni mes jush të njëjtin qëndrim mendor që kishte Krishti Jezu.»—ROMAKËVE 15:5.
1. Si mund të ndikohet jeta e njerëzve nga qëndrimi që kanë?
QËNDRIMI ndikon shumë në jetë. Një qëndrim indiferent ose i zellshëm, një qëndrim pozitiv ose negativ, një qëndrim luftarak ose bashkëpunues, një qëndrim ankues ose mirënjohës, mund të ndikojë fuqimisht në mënyrën si vepron një person ndaj situatave dhe si reagojnë njerëzit e tjerë ndaj tij. Duke pasur një qëndrim të mirë, një person mund të jetë i lumtur edhe në situata mjaft të vështira. Një personi me qëndrim të keq, asgjë nuk i duket në rregull, edhe atëherë kur, nga një këndvështrim objektiv, jeta është e mirë.
2. Si i mëson një njeri qëndrimet?
2 Qëndrimet, të mira ose të këqija qofshin, mund të mësohen. Në fakt, ato duhen mësuar. Duke folur për një foshnjë të sapolindur, një enciklopedi, Collier’s Encyclopedia, thotë: «Qëndrimet që zotëron ai me kalimin e kohës, duhet t’i fitojë ose t’i mësojë, pak a shumë siç duhet të fitojë ose të mësojë gjuhën a ndonjë aftësi tjetër.» Si i mësojmë qëndrimet? Ndonëse janë shumë gjëra që kontribuojnë, ambienti dhe shoqëria janë shumë të fuqishme. Enciklopedia e përmendur më sipër vëren: «Mësojmë ose thithim, si në procesin e osmozës, qëndrimet e atyre me të cilët shoqërohemi shumë.» Mijëra vjet më parë, Bibla tha diçka të ngjashme: «Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.»—Proverbat 13:20; 1 Korintasve 15:33.
Një model i qëndrimit të duhur
3. Kush ishte shembullor në qëndrimin e tij dhe si mund ta imitojmë atë?
3 Si në çdo gjë tjetër, ashtu edhe për sa i përket qëndrimit, Jezu Krishti dha modelin më të mirë. Ai tha: «Unë ju dhashë modelin, që ashtu si bëra unë me ju, të bëni edhe ju.» (Gjoni 13:15) Për të qenë si Jezui, së pari duhet të mësojmë për të.a Jetën e Jezuit e studiojmë me synimin për të bërë atë që rekomandoi apostulli Pjetër: «Në këtë udhë u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (1 Pjetrit 2:21) Synimi ynë është të jemi sa më shumë ngjashëm Jezuit. Kjo përfshin të zhvillojmë qëndrimin e tij mendor.
4, 5. Cili aspekt i qëndrimit mendor të Jezuit theksohet te Romakëve 15:1-3, dhe si mund ta imitojnë atë të krishterët?
4 Çfarë përfshin të kemi qëndrimin mendor të Krishtit Jezu? Kapitulli 15 i letrës së Pavlit drejtuar romakëve na ndihmon për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Në vargjet e para të këtij kapitulli, Pavli i referohet një cilësie të spikatshme të Jezuit, kur thotë: «Ne, pra, që jemi të fortë duhet të mbajmë dobësitë e atyre që s’janë të fortë e jo të kënaqim veten. Secili prej nesh le të kënaqë të afërmin me atë që është e mirë për ndërtimin e tij. Sepse edhe Krishti nuk e kënaqi veten; por ashtu sikurse është shkruar: ‘Poshtërimet e atyre që të poshtëronin, kanë rënë mbi mua.’»—Romakëve 15:1-3.
5 Duke imituar qëndrimin e Jezuit, të krishterët inkurajohen që të jenë të përgatitur t’u shërbejnë nevojave të të tjerëve me përulësi, në vend që të duan të kënaqin vetëm veten. Në fakt, një gatishmëri e tillë e përulur për t’u shërbyer të tjerëve është karakteristikë e atyre ‘që janë të fortë’. Jezui, i cili frymësisht ishte më i fortë se çdo njeri tjetër që ka jetuar, tha për veten: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e tij si shpërblesë në këmbim të shumë vetave.» (Mateu 20:28) Si të krishterë, edhe ne duam të synojmë t’u shërbejmë të tjerëve, duke përfshirë edhe ata «që s’janë të fortë».
6. Në ç’mënyrë mund ta imitojmë reagimin e Jezuit ndaj kundërshtimit dhe poshtërimit?
6 Një karakteristikë tjetër e shkëlqyer që shfaqi Jezui ishte një model gjithnjë pozitiv mendimi dhe veprimi. Ai nuk lejoi kurrë që qëndrimi negativ i të tjerëve të ndikonte në qëndrimin e tij të shkëlqyer ndaj shërbimit të Perëndisë dhe as ne nuk duhet ta lejojmë këtë gjë. Kur e poshtëronin dhe e persekutonin ngaqë e adhuronte Perëndinë me besnikëri, Jezui qëndronte me durim dhe pa u ankuar. Ai e dinte se ata që përpiqen të kënaqin të afërmin «me atë që është e mirë për ndërtimin e tij», mund të presin kundërshtim nga një botë pa besim e pa kuptueshmëri.
7. Si shfaqi durim Jezui dhe përse duhet të bëjmë edhe ne të njëjtën gjë?
7 Jezui tregoi qëndrim të duhur edhe në mënyra të tjera. Ai nuk shprehu kurrë padurim ndaj Jehovait, por me durim priti përmbushjen e qëllimeve të Tij. (Psalmi 110:1; Mateu 24:36; Veprat 2:32-36; Hebrenjve 10:12, 13) Për më tepër, Jezui nuk u bë i paduruar me ithtarët e tij. Ai u tha që të ‘mësonin prej tij’ dhe, duke qenë se ishte «me natyrë të butë», mësimi i tij ishte ndërtues dhe freskues. Gjithashtu, duke qenë «i përulur në zemër», nuk vepronte kurrë me bujë ose me mendjemadhësi. (Mateu 11:29) Pavli na inkurajon t’i imitojmë këto aspekte të qëndrimit të Jezuit, kur thotë: «Mbani në ju atë qëndrim mendor që ishte edhe në Krishtin Jezu, i cili, edhe pse gjendej në formë Perëndie, as që e çoi nëpër mend të bënte ndonjë rrëmbim, domethënë, të ishte i barabartë me Perëndinë. Jo, por e zbrazi veten dhe mori formën e një skllavi, duke u bërë në ngjashmëri me njerëzit.»—Filipianëve 2:5-7.
8, 9. (a) Përse duhet të punojmë për të zhvilluar një qëndrim altruist? (b) Përse nuk duhet të shkurajohemi nëse nuk arrijmë të ndjekim plotësisht modelin që la Jezui dhe si ishte Pavli një shembull i mirë në këtë aspekt?
8 Është e lehtë të themi se duam t’u shërbejmë të tjerëve dhe duam t’i vëmë nevojat e tyre para tonave. Por, një shqyrtim i ndershëm i qëndrimit mendor që kemi, mund të zbulojë se zemra jonë nuk është plotësisht e prirur në atë drejtim. Përse jo? Së pari, sepse kemi trashëguar tipare egoiste nga Adami dhe Eva. Së dyti, sepse jetojmë në një botë që nxit egoizmin. (Efesianëve 4:17, 18) Të zhvillojmë një qëndrim altruist shpesh do të thotë të zhvillojmë një model mendimi të kundërt me natyrën tonë të papërsosur të trashëguar. Kjo kërkon vendosmëri dhe përpjekje.
9 Papërsosmëria jonë e dukshme, e cila qëndron në kontrast të plotë me modelin e përsosur që na la Jezui, disa herë mund të na bëjë të shkurajohemi. Mund të dyshojmë se do të jetë ndonjëherë e mundur të kemi të njëjtin qëndrim mendor të Jezuit. Por, vini re fjalët inkurajuese të Pavlit: «E di që tek unë, domethënë, në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë; sepse aftësia për të dashur është e pranishme tek unë, kurse aftësia për të kryer atë që është e shkëlqyer nuk është e pranishme. Sepse të mirën që dua nuk e bëj, por të keqen që nuk dua, atë praktikoj. Në të vërtetë kënaqem me ligjin e Perëndisë sipas njeriut që jam brenda, porse në gjymtyrët e mia shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit, që është në gjymtyrët e mia.» (Romakëve 7:18, 19, 22, 23) Vërtet, papërsosmëria e pengoi në mënyrë të përsëritur Pavlin që të bënte vullnetin e Perëndisë siç dëshironte, por qëndrimi i tij—mënyra si mendonte dhe si ndihej për Jehovain dhe për ligjin e Tij—ishte shembullor. Edhe yni mund të jetë ashtu.
Të korrigjojmë qëndrimet e gabuara
10. Cilin qëndrim mendor i inkurajoi Pavli filipianët që të zhvillonin?
10 A ka mundësi që disa të kenë nevojë të korrigjojnë një qëndrim të gabuar? Po. Kjo ishte, me sa duket, e vërtetë për disa të krishterë në shekullin e parë. Në letrën drejtuar filipianëve, Pavli foli për qëndrimin e duhur që duhet pasur. Ai shkroi: «Jo se tashmë e kam marrë [jetën qiellore me anë të ringjalljes më të hershme] ose jam bërë tashmë i përsosur, por po e ndjek për të parë nëse mund ta kap atë për të cilën edhe unë u kapa prej Krishtit Jezu. Vëllezër, unë nuk e konsideroj veten sikur ta kem kapur atë; por ka një gjë në lidhje me këtë: duke harruar gjërat që shkuan dhe duke u zgjatur drejt atyre që shtrihen përpara, unë po sulem drejt synimit për çmimin e thirrjes nga lart të Perëndisë me anë të Krishtit Jezu. Prandaj, të gjithë ne që jemi të pjekur, le të kemi këtë qëndrim mendor.»—Filipianëve 3:12-15.
11, 12. Në cilat mënyra Jehovai na e zbulon qëndrimin e duhur mendor?
11 Fjalët e Pavlit tregojnë se kushdo që, pasi është bërë i krishterë, nuk ndien nevojën për të bërë përparim, ka një qëndrim të gabuar. Ky person nuk ka arritur të përvetësojë qëndrimin mendor të Krishtit. (Hebrenjve 4:11; 2 Pjetrit 1:10; 3:14) A është e pashpresë situata e një personi të tillë? Aspak. Perëndia mund të na ndihmojë të ndryshojmë qëndrimin, nëse e dëshirojmë vërtet këtë. Pavli vazhdon të thotë: «Nëse ju keni prirjen për të menduar ndryshe në ndonjë aspekt, Perëndia do t’jua zbulojë qëndrimin e mësipërm.»—Filipianëve 3:15.
12 Megjithatë, nëse dëshirojmë që Jehovai të na zbulojë qëndrimin e duhur, duhet të bëjmë pjesën tonë. Studimi me lutje i Fjalës së Perëndisë, me ndihmën e botimeve të krishtere të siguruara nga «skllavi i besueshëm dhe i matur», do t’u japë mundësi atyre që kanë «prirjen për të menduar ndryshe» që të zhvillojnë qëndrimin e duhur. (Mateu 24:45) Pleqtë e krishterë, të emëruar nga fryma e shenjtë «për të kullotur kongregacionin e Perëndisë», do të jenë të lumtur të na ofrojnë mbështetje. (Veprat 20:28) Sa mirënjohës jemi që Jehovai i merr parasysh papërsosmëritë tona dhe me dashuri na ofron ndihmë! Le ta pranojmë këtë ndihmë!
Të mësojmë nga të tjerët
13. Çfarë mësojmë për qëndrimin e duhur nga tregimi biblik për Jobin?
13 Në kapitullin 15 të letrës drejtuar romakëve, Pavli tregon se meditimi rreth shembujve të historisë mund të na ndihmojë të ndreqim qëndrimin. Ai shkruan: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet të kemi shpresë.» (Romakëve 15:4) Disa shërbëtorë besnikë të Jehovait në kohët e kaluara duhej të korrigjonin aspekte të ndryshme të qëndrimit të tyre. Për shembull, në përgjithësi, Jobi kishte një qëndrim të shkëlqyer. Nuk ia ngarkonte kurrë të keqen Jehovait dhe nuk lejoi asnjëherë që vuajtjet t’ia lëkundnin sigurinë te Perëndia. (Jobi 1:8, 21, 22) Gjithsesi, ai kishte prirjen të justifikohej. Jehovai e drejtoi Eliun që ta ndihmonte Jobin për të rregulluar këtë prirje. Në vend që të ndihej i fyer, Jobi me përulësi e pranoi nevojën për të bërë një ndryshim në qëndrim dhe me gatishmëri iu vu punës për të bërë këtë ndryshim.—Jobi 42:1-6.
14. Si mund të jemi ngjashëm Jobit, nëse na jepet ndonjë këshillë për qëndrimin tonë?
14 A do të reagonim si Jobi, nëse një i bashkëkrishterë, me dashamirësi, do të na thoshte se po jepnim dëshmi të një qëndrimi të gabuar? Ashtu si Jobi, kurrë të mos ‘paditim Perëndinë për ndonjë padrejtësi’. (Jobi 1:22) Nëse vuajmë padrejtësisht, të mos ankohemi kurrë ose të mos e konsiderojmë asnjëherë Jehovain përgjegjës për vështirësitë tona. Të shmangim përpjekjet për t’u justifikuar, duke mbajtur në mend se, cilatdo qofshin privilegjet që kemi në shërbim të Jehovait, jemi ende vetëm «skllevër që s’vlejnë për asgjë».—Luka 17:10.
15. (a) Cilin qëndrim të gabuar treguan disa ithtarë të Jezuit? (b) Si tregoi Pjetri një qëndrim të shkëlqyer?
15 Gjatë shekullit të parë, disa që dëgjonin Jezuin shfaqën një qëndrim të gabuar. Në një rast, Jezui tha diçka që ishte e vështirë për t’u kuptuar. Për pasojë, «si e dëgjuan këtë, shumë nga dishepujt e tij thanë: ‘Ky i folur është tronditës; kush mund ta dëgjojë?’». Ishte e qartë se ata që folën kështu kishin një qëndrim të gabuar. Ky qëndrim i gabuar i bëri të mos e dëgjonin më Jezuin. Dokumentimi thotë: «Prej kësaj, shumë nga dishepujt e tij iu kthyen gjërave të lëna prapa dhe nuk ecnin më me të.» Të gjithë e kishin këtë qëndrim të gabuar? Jo. Dokumentimi vazhdon: «Prandaj, Jezui u tha të dymbëdhjetëve: ‘Mos doni të shkoni edhe ju?’ Simon Pjetri iu përgjigj: ‘Zotëri te kush të ikim?’» Pastaj, Pjetri iu përgjigj pyetjes që bëri vetë: «Ti ke fjalë jete të përhershme.» (Gjoni 6:60, 66-68) Sa qëndrim i shkëlqyer! Kur ballafaqohemi me shpjegime ose qartësime në kuptueshmërinë e Shkrimeve, të cilat fillimisht mund të na duken të vështira për t’i pranuar, a nuk do të ishte mirë të shfaqnim qëndrimin që tregoi Pjetri? Sa e pamend do të ishte që të mos i shërbenim më Jehovait ose të flitnim në një mënyrë të kundërt me «modelin e fjalëve të shëndosha», vetëm e vetëm sepse disa gjëra fillimisht e kemi të vështirë t’i kuptojmë!—2 Timoteut 1:13.
16. Cilin qëndrim tronditës shfaqën udhëheqësit fetarë judenj në ditët e Jezuit?
16 Udhëheqësit fetarë judenj të shekullit të parë nuk arritën të shfaqnin qëndrimin mendor që kishte Jezui. Vendosmëria e tyre e patundur për të mos e dëgjuar Jezuin u tregua kur ai e ngriti Lazarin nga të vdekurit. Për këdo që do të kishte qëndrimin e duhur, kjo mrekulli do të kishte qenë provë e pakundërshtueshme se Jezuin e kishte dërguar Perëndia. Megjithatë lexojmë: «Prandaj, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën Sinedrin dhe nisën të thoshin: ‘Ç’duhet të bëjmë, se ky njeri kryen shumë shenja? Nëse e lëmë rehat kështu, ata të gjithë do të tregojnë besim tek ai dhe romakët do të vijnë e do të na heqin vendin tonë të adhurimit, si edhe kombin tonë.’» Zgjidhja e tyre? «Që nga ajo ditë ata u këshilluan për ta vrarë.» Përveç që komplotuan për të vrarë Jezuin, vunë si synim të shkatërronin edhe dëshminë e gjallë që tregonte se ai kryente mrekulli. «Tani, krerët e priftërinjve u këshilluan për të vrarë edhe Lazarin.» (Gjoni 11:47, 48, 53; 12:9-11) Sa e neveritshme do të ishte nëse do të ushqenim një qëndrim të ngjashëm dhe do të inatoseshim ose do të zemëroheshim për gjëra për të cilat në realitet duhet të gëzohemi! Veç kësaj, sa e rrezikshme do të ishte kjo!
Të imitojmë qëndrimin pozitiv të Krishtit
17. (a) Nën cilat rrethana tregoi qëndrim të patrembur Danieli? (b) Si u tregua i guximshëm Jezui?
17 Shërbëtorët e Jehovait mbajnë një qëndrim pozitiv. Kur armiqtë e Danielit komplotuan për të nxjerrë një ligj që i ndalonte njerëzit t’i bënin kërkesë një perëndie a njeriu, përveç mbretit, për 30 ditë, Danieli e dinte se kjo binte ndesh me marrëdhënien e tij me Perëndinë Jehova. A do të përmbahej ai për të mos iu lutur Perëndisë për 30 ditë? Jo, ai pa frikë vazhdoi t’i lutej Jehovait tri herë në ditë, siç e kishte zakon. (Danieli 6:6-17) Në mënyrë të ngjashme, Jezui refuzoi të frikësohej nga armiqtë e tij. Një ditë sabati ai takoi një njeri me dorë të tharë. Jezui e dinte se shumë judenj që ishin të pranishëm aty do të mbeteshin të pakënaqur sikur të shëronte dikë në sabat. Qëllimisht, i pyeti që të shpreheshin për këtë çështje. Kur refuzuan, Jezui vazhdoi punën e vet dhe e shëroi njeriun. (Marku 3:1-6) Jezui nuk u spraps kurrë nga përmbushja e detyrës së tij, kur mendonte se kjo ishte gjëja e drejtë që duhej bërë.
18. Përse na kundërshtojnë disa, por si duhet të reagojmë ndaj qëndrimit të tyre negativ?
18 Dëshmitarët e Jehovait sot e kuptojnë se edhe ata nuk duhet të frikësohen kurrë nga reagimi i mundshëm negativ i kundërshtarëve. Përndryshe, nuk do të jenë duke shfaqur qëndrimin mendor të Jezuit. Shumë veta u kundërvihen Dëshmitarëve të Jehovait: disa sepse nuk i dinë faktet, të tjerët sepse i urrejnë Dëshmitarët ose mesazhin e tyre. Por, të mos e lejojmë kurrë qëndrimin e tyre jomiqësor të ndikojë në qëndrimin tonë pozitiv. Nuk duhet të lëmë kurrë që të tjerët të diktojnë mënyrën në të cilën adhurojmë.
19. Si mund të shfaqim një qëndrim mendor si ai i Jezu Krishtit?
19 Jezui shfaqi gjithnjë qëndrim pozitiv mendor ndaj ithtarëve të tij dhe ndaj rregullimeve të Perëndisë, sado e vështirë të ishte kjo. (Mateu 23:2, 3) Duhet ta imitojmë shembullin e tij. Kuptohet, vëllezërit tanë janë të papërsosur, por edhe ne, ama, jemi të tillë. Ku tjetër mund të gjejmë shokë më të mirë dhe miq vërtet besnikë, përveçse në vëllazërinë tonë mbarëbotërore? Jehovai nuk na ka dhënë ende kuptueshmëri të plotë të Fjalës së tij të shkruar, por cili grup fetar kupton më shumë? Le të mbajmë gjithnjë qëndrimin e duhur mendor, qëndrimin mendor që kishte Jezu Krishti. Mes të tjerash, kjo përfshin edhe të dimë të presim Jehovain, siç do ta trajtojmë në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Botimi Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., trajton jetën dhe shërbimin e Jezuit.
A mund ta shpjegoni?
• Si ndikohet jeta jonë nga qëndrimi që kemi?
• Përshkruani qëndrimin mendor të Jezu Krishtit.
• Çfarë mund të mësojmë nga qëndrimi i Jobit?
• Cili është qëndrimi i duhur që duhet pasur përballë kundërshtimit?
[Figurat në faqen 7]
Një i krishterë me qëndrimin e duhur synon të ndihmojë të tjerët
[Figura në faqen 9]
Studimi me lutje i Fjalës së Perëndisë na ndihmon të përvetësojmë qëndrimin mendor të Krishtit