«Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu»
«Të gjithë ata filluan të jepnin dëshmi në favor të tij dhe mrekulloheshin me fjalët plot hir që i dilnin nga goja.»—LUKA 4:22.
1, 2. (a) Përse u kthyen duarbosh rojat që ishin dërguar për të kapur Jezuin? (b) Nga duket se rojat nuk ishin të vetmit që u kishte bërë përshtypje mënyra se si mësonte Jezui?
ROJAT nuk e kryen detyrën që u ishte ngarkuar. I kishin dërguar që të kapnin Jezu Krishtin, por u kthyen duarbosh. Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u kërkuan shpjegim: «Përse nuk e sollët?» Vërtet, pse nuk e arrestuan rojat atë njeri, i cili nuk bënte qëndresë fizike? Rojat shpjeguan: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.» U kishte bërë kaq shumë përshtypje mënyra se si mësonte Jezui, saqë nuk kishin arritur dot ta arrestonin këtë njeri paqësor.a—Gjoni 7:32, 45, 46.
2 Ato roja nuk ishin të vetmit të cilëve u kishte bërë përshtypje mënyra se si mësonte Jezui. Bibla na thotë se shumë e shumë njerëz shkonin tek ai vetëm për ta dëgjuar si fliste. Njerëzit në qytetin e tij të lindjes mrekulloheshin «me fjalët plot hir që i dilnin nga goja». (Luka 4:22) Më shumë se një herë ai u foli nga një barkë turmave të mëdha të njerëzve që ishin mbledhur në bregun e detit të Galilesë. (Marku 3:9; 4:1; Luka 5:1-3) Në një rast, ‘një turmë e madhe’ qëndroi me të për ditë të tëra, duke ndenjur madje edhe pa ngrënë.—Marku 8:1, 2.
3. Cila ishte arsyeja kryesore përse Jezui ishte një mësues kaq i jashtëzakonshëm?
3 Çfarë e bënte Jezuin një mësues të jashtëzakonshëm? Arsyeja kryesore ishte dashuria.b Jezui i donte të vërtetat që u përcillte të tjerëve dhe i donte njerëzit që mësonte. Por kishte edhe një kuptueshmëri të jashtëzakonshme për metodat e mësimdhënies. Në artikujt e studimit që gjenden në këtë numër të revistës, do të trajtojmë disa nga metodat e efektshme që përdori ai dhe si mund t’i imitojmë.
Thjeshtësi dhe qartësi
4, 5. (a) Përse Jezui përdori një gjuhë të thjeshtë në mësimdhënien e tij dhe çfarë ka të veçantë fakti që veproi ashtu? (b) Në ç’mënyrë Predikimi në Mal është shembull i thjeshtësisë me të cilën mësonte Jezui?
4 S’është e pazakontë që njerëzit e arsimuar të përdorin një gjuhë që është shumë e vështirë për t’u kuptuar nga dëgjuesit e tyre. Por nëse nuk flasim në një mënyrë që të tjerët të na kuptojnë, si mund të nxjerrin dobi ata nga njohuria që kemi? Si mësues, Jezui nuk foli kurrë me një gjuhë tepër të vështirë për t’u kuptuar. Përfytyroni se sa fjalor të madh mund të kishte përdorur ai. E megjithatë, pavarësisht nga njohuria e madhe që kishte, mendonte për dëgjuesit e tij, jo për veten. E dinte se shumë prej tyre ishin «të pashkolluar e të thjeshtë». (Veprat 4:13) Për të komunikuar me këta njerëz përdori një gjuhë që ata mund ta kuptonin. Fjalët mund të kenë qenë të thjeshta, por të vërtetat që u përcollën me anë të tyre ishin të thella.
5 Le të shqyrtojmë për shembull Predikimin në Mal, që e gjejmë te Mateu 5:3–7:27. Jezuit mund t’i jenë dashur vetëm 20 minuta për ta mbajtur këtë predikim. Megjithatë mësimet e shprehura aty janë të thella, duke shkuar drejt e në rrënjë të çështjeve të tilla, si kurorëshkelja, divorci dhe materializmi. (Mateu 5:27-32; 6:19-34) Sidoqoftë nuk ka shprehje të ndërlikuara ose të zbukuruara jashtë mase. Madje, vështirë se ka ndonjë fjalë që s’do ta kuptonte menjëherë qoftë edhe një fëmijë i vogël! Kur mbaroi këtë predikim, nuk habitemi pse turmat, që ndoshta përfshinin shumë bujq, barinj dhe peshkatarë, «ishin të mahnitura nga mënyra se si mësonte ai»!—Mateu 7:28.
6. Jepni një shembull se si tha Jezui pohime që ishin të thjeshta, por shumë kuptimplote.
6 Shpesh duke përdorur fjali të qarta e të shkurtra, Jezui tha pohime që ishin të thjeshta, por shumë kuptimplote. Ua nguliti në mënyrë të pashlyeshme në mendje e në zemër dëgjuesve të tij mesazhin që po përcillte. Vini re disa shembuj: «Askush s’mund t’u shërbejë si skllav dy zotërinjve; . . . s’mund t’i shërbeni si skllevër Perëndisë dhe Pasurisë.» «Mos gjykoni më, që të mos gjykoheni.» «Do t’i njihni ata njerëz prej fryteve të tyre.» «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, ndërsa të sëmurët, po.» «Të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të marrin fund.» «Paguajini Cezarit, gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë.» «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»c (Mateu 6:24; 7:1, 20; 9:12; 26:52; Marku 12:17; Veprat 20:35) Edhe sot e kësaj dite, rreth 2.000 vjet pasi Jezui tha këto pohime të fuqishme, ato mbahen mend me lehtësi.
Përdorimi i pyetjeve
7. Përse bënte pyetje Jezui?
7 Jezui i përdori në mënyrë domethënëse pyetjet. Shpesh e bëri këtë edhe kur do t’i kishte ngrënë më pak kohë t’ia thoshte drejtpërdrejt dëgjuesve pikën që donte të nxirrte në pah. Atëherë, përse përdori pyetje? Në disa raste, përdori pyetje zhbiruese për të nxjerrë në shesh motivet e kundërshtarëve të tij, duke ua mbyllur kështu gojën. (Mateu 12:24-30; 21:23-27; 22:41-46) Por në shumë raste Jezui harxhoi kohë duke bërë pyetje me qëllim që të përcillte të vërteta, t’i bënte dëgjuesit e tij që të shprehnin çfarë kishin në zemër dhe të nxiste e të stërviste aftësinë e të menduarit te dishepujt. Le të shqyrtojmë dy shembuj që kanë të bëjnë me apostullin Pjetër.
8, 9. Si i përdori Jezui pyetjet për ta ndihmuar Pjetrin që të nxirrte përfundimin e duhur për sa i përket pagimit të taksës së tempullit?
8 Së pari, shqyrtoni rastin kur taksambledhësit e pyetën Pjetrin nëse Jezui e paguante taksën e tempullit.d Pjetri, i cili disa herë ishte i rrëmbyer, u përgjigj «po». Mirëpo, pak më vonë, Jezui arsyetoi me të: «‘Ç’mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin mbretërit e tokës tatimet ose haraçet për kokë? Prej bijve të tyre apo prej të huajve?’ Kur ai tha: ‘Prej të huajve’, Jezui i tha: ‘Vërtet, pra, bijtë janë të përjashtuar nga taksat.’» (Mateu 17:24-27) Për Pjetrin duhet të ketë qenë e qartë se ku donte të dilte Jezui me këto pyetje. Përse?
9 Në kohën e Jezuit, dihej se pjesëtarët e familjeve të monarkëve ishin të përjashtuar nga taksat. Prandaj, duke qenë Biri i vetëmlindur i Mbretit qiellor që adhurohej në tempull, Jezui nuk duhej të ishte i detyruar të paguante taksën. Vini re se, në vend që të mjaftohej duke i thënë përgjigjen e duhur, Jezui me efektshmëri, por me butësi, i përdori pyetjet për ta ndihmuar Pjetrin që të nxirrte përfundimin e duhur, e ndoshta të kuptonte se duhej të mendohej më me kujdes para se të fliste.
10, 11. Si u përgjigj Jezui kur Pjetri i preu veshin një njeriu natën e Pashkës së vitit 33 të e.s. dhe si tregon kjo se Jezui e kuptonte vlerën e pyetjeve?
10 Shembulli i dytë ka të bëjë me një ngjarje që ndodhi natën e Pashkës së vitit 33 të e.s., kur një turmë erdhi për të arrestuar Jezuin. Dishepujt e pyetën Jezuin nëse duhej të luftonin për ta mbrojtur. (Luka 22:49) Duke mos pritur për ndonjë përgjigje, Pjetri mori shpatën dhe i preu veshin një njeriu (ndonëse ka mundësi që të kishte ndër mend t’i shkaktonte më shumë dëm). Pjetri veproi në kundërshtim me vullnetin e zotërisë së tij, pasi Jezui ishte plotësisht i përgatitur që ta arrestonin. Si reagoi Jezui? Gjithnjë me durim, ai i bëri Pjetrit tri pyetje: «A nuk duhet ta pi medoemos kupën që më ka dhënë Ati?» ‘A mendon se nuk i lutem dot Atit tim, për të më dhënë në këtë çast më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Në atë rast, si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhej të ndodhte në këtë mënyrë?’—Gjoni 18:11; Mateu 26:52-54.
11 Ndaluni pak dhe mendoni për këtë tregim. I rrethuar nga një turmë e zemëruar, Jezui e kuptoi se ishte shumë afër vdekjes dhe se shenjtërimi i emrit të Atit të tij dhe shpëtimi i familjes njerëzore varej prej tij. E megjithatë, gjeti kohë pikërisht në atë moment që t’i nguliste në mendje Pjetrit të vërteta të rëndësishme me anë të pyetjeve. A nuk është e qartë se Jezui e kuptonte vlerën e pyetjeve?!
Hiperbola të gjalla
12, 13. (a) Çfarë është hiperbola? (b) Si e përdori Jezui hiperbolën për të theksuar sa e pamend është të kritikojmë të metat e vogla të vëllezërve tanë?
12 Në shërbimin e tij Jezui përdori shpesh edhe një metodë tjetër të efektshme mësimdhënieje: hiperbolën. Kjo figurë letrare është një zmadhim tej mase që i bëhet diçkaje në mënyrë të qëllimshme për ta theksuar më shumë. Jezui krijoi me anë të hiperbolës përfytyrime që s’ishte e lehtë t’i harroje. Le të shqyrtojmë disa shembuj.
13 Në Predikimin në Mal, kur po theksonte nevojën që ‘të mos gjykojmë më’ të tjerët, Jezui tha: «Përse, pra, shikon lëmishten në syrin e vëllait tënd, por nuk mban parasysh traun në syrin tënd?» (Mateu 7:1-3) A mund ta përfytyroni skenën? Dikush që ka prirjen të kritikojë të tjerët i sugjeron vëllait të tij që t’i heqë një lëmishte të vogël nga ‘syri’. Ky kritikues do të ishte duke thënë se vëllai i tij nuk i shihte dot gjërat aq qartë, sa për të dhënë gjykime të pranueshme. Por vetë aftësia për të gjykuar e këtij kritikuesi është dëmtuar nga një «tra», domethënë një trung ose dru që mund të përdorej për të mbajtur çatinë. Ç’mënyrë e paharrueshme për të theksuar se sa e pamend është të kritikojmë të metat e vogla të vëllezërve tanë, kur mund të kemi të meta të mëdha për vete!
14. Përse fjalët e Jezuit për nxjerrjen me kullesë të harrjes dhe gëlltitjen e devesë përbënin një hiperbolë veçanërisht të fuqishme?
14 Në një rast tjetër, Jezui i demaskoi farisenjtë si ‘udhërrëfyes të verbër, që me kullesë nxjerrin harrjen, por gëlltitin devenë’. (Mateu 23:24) Ky ishte një përdorim veçanërisht i fuqishëm i hiperbolës. Përse? Kontrasti ndërmjet një harrjeje të vogël dhe një deveje, e cila ishte një nga kafshët më të mëdha që njihnin dëgjuesit e Jezuit, ishte shumë i madh. Sipas disa përllogaritjeve, për të barazuar peshën e një deveje mesatare do të duheshin deri në 70 milionë harrje. Gjithashtu, Jezui e dinte se farisenjtë e kullonin verën që pinin, duke përdorur një sitë prej pëlhure. Ata fanatikë pas rregullave e bënin këtë që të mos gëlltitnin pa dashje ndonjë harrje, duke u bërë të papastër nga ana ceremoniale. Gjithsesi, në mënyrë figurative gëlltitnin devenë, e cila ishte po ashtu e papastër. (Levitiku 11:4, 21-24) Ajo që donte të theksonte Jezui ishte e qartë. Farisenjtë zbatonin me imtësi edhe më të voglën nga kërkesat e Ligjit, por shpërfillnin çështjet më me peshë, domethënë «drejtësinë, mëshirën dhe besueshmërinë». (Mateu 23:23) Sa qartë i demaskoi Jezui se si ishin në të vërtetë!
15. Cilat janë disa mësime që dha Jezui duke përdorur hiperbolën?
15 Gjatë gjithë shërbimit të tij, Jezui e përdori shpesh hiperbolën. Shqyrtoni disa shembuj. ‘Besimi sa madhësia e një kokrre [të vogël] sinapi’ që mund të zhvendosë një mal—vështirë se Jezui mund të kishte gjetur një mënyrë tjetër më të efektshme për të theksuar se edhe pak besim mund të kryejë shumë gjëra. (Mateu 17:20) Një deve e madhe që përpiqet të hyjë në vrimën e një gjilpëre—sa bukur e ilustron kjo vështirësinë që ka një i pasur i cili përpiqet t’i shërbejë Perëndisë, por në të njëjtën kohë vazhdon një mënyrë jetese materialiste! (Mateu 19:24) A nuk mrekulloheni nga figurat e gjalla letrare që përdori Jezui dhe nga aftësia e tij për të arritur efektin më të madh që ishte e mundur me sa më pak fjalë?!
Logjikë e pakundërshtueshme
16. Në cilën mënyrë i përdori gjithnjë Jezui aftësitë e tij të mprehta mendore?
16 Duke pasur një mendje të përsosur, Jezui ishte mjeshtër për të arsyetuar në mënyrë logjike me njerëzit. E megjithatë, asnjëherë nuk e keqpërdori aftësinë e tij. Kur mësonte, i përdorte gjithnjë aftësitë e tij të mprehta mendore për të çuar përpara të vërtetën. Nganjëherë përdori logjikë të fuqishme për të hedhur poshtë akuzat e rreme të kundërshtarëve të tij fetarë. Në shumë raste, përdori arsyetime logjike për t’u dhënë dishepujve të tij mësime të rëndësishme. Le të shqyrtojmë aftësinë mjeshtërore të Jezuit për të përdorur logjikën.
17, 18. Cilën logjikë të fuqishme përdori Jezui për të rrëzuar një akuzë të rreme të farisenjve?
17 Shqyrtoni rastin kur Jezui shëroi një njeri që e kishin pushtuar demonët, i cili ishte i verbër e i pagojë. Kur dëgjuan për këtë, farisenjtë thanë: «Ky i dëbon demonët vetëm me anë të Belzebubit [Satanait], sundimtarit të demonëve.» Vini re se farisenjtë e pranonin që nevojitej një fuqi mbinjerëzore për të dëbuar demonët e Satanait. Por, për t’i larguar njerëzit që të mos besonin te Jezui, thanë që kjo fuqi vinte nga Satanai. Duke u treguar se nuk e kishin menduar mirë argumentimin e tyre deri në një përfundim logjik, Jezui u përgjigj: «Çdo mbretëri e përçarë kundër vetvetes përfundon në shkretim dhe çdo qytet apo shtëpi e përçarë kundër vetvetes nuk do të qëndrojë. Po ashtu, nëse Satanai dëbon Satanain, është përçarë kundër vetvetes; si do të qëndrojë, pra, mbretëria e tij?» (Mateu 12:22-26) Në të vërtetë, Jezui po thoshte: ‘Sikur unë të isha ashtu siç thoni ju, një vegël e Satanait, duke zhbërë atë që kishte bërë ai, atëherë Satanai do të ishte duke punuar kundër interesave të tij dhe shumë shpejt do të binte.’ Një logjikë e fuqishme, apo jo?
18 Më pas, Jezui vazhdoi arsyetimin për këtë çështje. Ishte në dijeni se disa nga vetë radhët e farisenjve kishin dëbuar demonë. Prandaj bëri një pyetje të thjeshtë, por shpartalluese: «Nëse unë i dëboj demonët me anë të Belzebubit, me anë të kujt i dëbojnë bijtë [ose dishepujt] tuaj?» (Mateu 12:27) Në njëfarë kuptimi, Jezui po arsyetonte kështu: ‘Nëse unë me të vërtetë i dëboj demonët me fuqinë e Satanait, atëherë edhe dishepujt tuaj duhet të jenë duke vepruar me të njëjtën fuqi.’ E ç’mund të thoshin farisenjtë? S’do ta pranonin kurrë se dishepujt e tyre vepronin me fuqi nga Satanai. Me një logjikë të pakundërshtueshme, Jezui e bëri të dukej absurde akuzën që i kishin bërë.
19, 20. (a) Në cilën mënyrë pozitive e përdori Jezui logjikën? (b) Si përdori Jezui një mënyrë arsyetimi që përmbante shprehjen «sa më shumë», duke iu përgjigjur kërkesës së dishepujve të tij që t’u mësonte si të luteshin?
19 Përveçse e përdori logjikën për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve të tij, Jezui i përdori argumentet logjike e bindëse edhe për t’u mësuar të tjerëve të vërteta nxitëse dhe ngushëlluese rreth Jehovait. Shumë herë ai përdori një mënyrë arsyetimi me krahasime, që kishte shprehjen «sa më shumë», duke i ndihmuar dëgjuesit e tij të përparonin nga një e vërtetë që e njihnin në një bindje tjetër. Le të shqyrtojmë vetëm dy shembuj.
20 Kur po i përgjigjej kërkesës së dishepujve që t’u mësonte si të luteshin, Jezui tregoi ilustrimin e një njeriu që ‘këmbënguli me të madhe’ e më në fund e bindi një mikun e tij t’ia plotësonte kërkesën, edhe pse ky s’ishte shumë i gatshëm. Jezui foli edhe për gatishmërinë e prindërve ‘për t’u dhënë dhurata të mira’ fëmijëve të tyre. Pastaj përfundoi: «Nëse ju, edhe pse jeni të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, sa më shumë akoma Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!» (Luka 11:1-13) Arsyetimi që bëri Jezui nuk bazohet në ngjashmëri, por në dallime. Nëse një mik jo i gatshëm më në fund mund të bindej që t’ia plotësonte kërkesën fqinjit të tij dhe nëse prindërit e papërsosur njerëzorë kujdeseshin për nevojat e fëmijëve të tyre, sa më shumë Ati ynë i dashur qiellor do t’u japë frymën e shenjtë shërbëtorëve të tij besnikë që i afrohen me përulësi në lutje!
21, 22. (a) Cilin arsyetim përdori Jezui kur po këshillonte në lidhje me ankthin për gjërat materiale? (b) Çfarë përfundimi arrijmë pasi kemi rishikuar disa metoda mësimdhënieje të Jezuit?
21 Jezui përdori një arsyetim të ngjashëm kur po këshillonte në lidhje me ankthin për gjërat materiale. Ai tha: «Vëreni mirë që korbat as mbjellin farë, as korrin dhe nuk kanë as hambar e as depo, e megjithatë Perëndia i ushqen. Sa më shumë vleni ju se zogjtë? Vëreni mirë se si rriten zambakët; ata as nuk robtohen, as nuk tjerrin . . . Tani, nëse Perëndia vesh kështu bimësinë në fushë, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, sa më tepër do t’ju veshë ju, o besëpakë!» (Luka 12:24, 27, 28) Po, në qoftë se Jehovai kujdeset për zogjtë e për lulet, sa më shumë do të kujdeset për shërbëtorët e tij! Një arsyetim i tillë i butë, por i fuqishëm, pa dyshim ua preku zemrën dëgjuesve të Jezuit.
22 Pasi kemi rishikuar disa metoda që përdorte Jezui për të mësuar të tjerët, mund të nxjerrim fare lehtë përfundimin se ato roja që s’e arrestuan nuk po e tepronin aspak kur thanë: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.» Por, metoda e mësimdhënies për të cilën ndoshta Jezui njihet më shumë është përdorimi i ilustrimeve ose i shëmbëlltyrave. Përse e përdori këtë metodë? E çfarë i bënte kaq të efektshme ilustrimet e tij? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.
[Shënimet]
a Ka të ngjarë që rojat të ishin dërguar nga Sinedri dhe nën autoritetin e krerëve të priftërinjve.
b Shih artikujt «Unë ju dhashë modelin» dhe ‘Më ndiqni vazhdimisht’, në Kullën e Rojës të 15 gushtit 2002.
c Këtë fjali të fundit, që e gjejmë te Veprat 20:35, e citon vetëm apostulli Pavël, ndonëse thelbin e fjalëve e gjejmë në Ungjij. Pavli mund ta ketë marrë gojarisht këtë pohim (ose nga ndonjë dishepull që e kishte dëgjuar Jezuin ta thoshte, ose nga Jezui i ringjallur) a mund t’i jetë zbuluar në mënyrë hyjnore.—Veprat 22:6-15; 1 Korintasve 15:6, 8.
d Judenjve u kërkohej të paguanin taksën vjetore të tempullit prej dy dhrahmish (paga e pothuajse dy ditëve). Paratë e taksave përdoreshin për mirëmbajtjen e tempullit, për shërbimin që kryhej atje dhe për flijimet e përditshme që bëheshin për kombin.
A ju kujtohet?
• Cilët shembuj tregojnë se Jezui mësonte me thjeshtësi e qartësi?
• Përse Jezui përdori pyetje kur mësonte të tjerët?
• Çfarë është hiperbola dhe si e përdori Jezui këtë metodë mësimdhënieje?
• Si e përdori Jezui arsyetimin logjik për t’u mësuar dishepujve të vërteta ngushëlluese rreth Jehovait?
[Figura në faqen 9]
Jezui përdorte një gjuhë të thjeshtë që njerëzit e zakonshëm mund ta kuptonin
[Figura në faqen 10]
Farisenjtë ‘nxirrnin me kullesë harrjen, por gëlltitnin devenë’