KAPITULLI 42
Jezui qorton farisenjtë
MATEU 12:33-50 MARKU 3:31-35 LUKA 8:19-21
JEZUI FLET PËR ‘SHENJËN E PROFETIT JONÁ’
NDIHET MË I LIDHUR ME DISHEPUJT, SESA ME FAMILJARËT
Skribët dhe farisenjtë rrezikojnë të blasfemojnë kundër frymës së shenjtë kur mohojnë se Jezui i dëbon demonët falë fuqisë së Perëndisë. Prandaj cilën anë do të marrin: përkrah Perëndisë apo Satanait? Jezui thotë: «Nëse kultivoni një pemë të mirë, ajo do të japë fryt të mirë, por nëse kultivoni një pemë të keqe, ajo do të japë fryt të kalbur, sepse pema njihet nga fryti që jep.»—Mateu 12:33.
Të akuzosh Jezuin se dëbimi i demonëve, pra fryti i mirë, ndodh ngaqë i shërben Satanait, është marrëzi. Siç e tregoi shkoqur Jezui në Predikimin në Mal, nëse fryti është i mirë edhe pema është e mirë, jo e kalbur. Prandaj, çfarë provon fryti i farisenjve, pra akuza absurde kundër Jezuit? Provon se janë të kalbur. Jezui u thotë: «Pjellë nepërkash, si mund të thoni gjëra të mira kur jeni të ligj? Faktikisht, goja flet nga bollëku i zemrës.»—Mateu 7:16, 17; 12:34.
Po, fjalët tona pasqyrojnë çfarë kemi në zemër dhe japin një bazë për gjykimin. Për këtë, Jezui thotë: «Unë po ju them se Ditën e Gjykimit njerëzit do të japin llogari për të gjitha fjalët e kota që thonë, sepse nga fjalët e tua, ose do të shpallesh i drejtë, ose do të dënohesh.»—Mateu 12:36, 37.
Me gjithë mrekullitë që Jezui po bën, skribët dhe farisenjtë kërkojnë akoma më shumë: «Mësues, duam të shohim një shenjë nga ti.» Kanë parë apo jo mrekullitë që bën, ka plot dëshmitarë okularë për veprat e tij. Prandaj Jezui me plot gojën mund t’u thotë krerëve judenj: «Ky brez i lig dhe kurorëshkelës vazhdon të kërkojë një shenjë, por nuk do t’i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Joná.»—Mateu 12:38, 39.
Jezui menjëherë sqaron ku e ka fjalën: «Ashtu si Jonai qëndroi në barkun e peshkut të madh tri ditë e tri net, kështu edhe Biri i njeriut do të qëndrojë në zemër të tokës tri ditë e tri net.» Jonai u gëlltit nga një lloj peshku gjigant, por pastaj doli nga goja e tij sikur të ishte ringjallur. Me këtë, Jezui parathotë se ai vetë do të vdesë dhe ditën e tretë do të ngrihet nga të vdekurit. Më vonë, kur kjo ndodh, krerët judenj e hedhin poshtë ‘shenjën e profetit Joná’, duke refuzuar kështu të pendohen dhe të kthejnë rrugë. (Mateu 27:63-66; 28:12-15) Krejt ndryshe, «njerëzit e Ninevisë» u penduan, pasi dëgjuan predikimin e Jonait. Prandaj ata do ta mbulojnë me faj këtë brez. Po ashtu, Jezui thotë se, me shembullin e saj, edhe mbretëresha e Shebës do t’i dënojë ata. Ajo donte të dëgjonte mençurinë e Solomonit dhe ngeli gojëhapur prej saj. Tani Jezui pohon: «Këtu është dikush më i madh se Solomoni.»—Mateu 12:40-42.
Jezui e krahason gjendjen e këtij brezi të ligë me një njeri që pastrohet nga një frymë e ndyrë. (Mateu 12:45) Ngaqë nuk e mbush boshllëkun me gjëra të mira, fryma e ligë kthehet me 7 të tjera më të liga se vetja, dhe e pushtojnë. Në mënyrë të ngjashme, kombi i Izraelit u pastrua dhe u ndreq, ashtu si fryma e ligë doli nga ky njeri. Por kombi hodhi poshtë profetët e Perëndisë, dhe arriti deri në atë pikë sa tani kundërshton Jezuin, këtë njeri që pa dyshim ka frymën e Perëndisë. Kjo tregon se gjendja e kombit është më e keqe sesa ishte në fillimet e tij.
Jezui është duke folur dhe, në fund të turmës, vijnë nëna dhe vëllezërit e tij. Disa që i janë ulur afër i thonë: «Nëna jote me vëllezërit e tu janë jashtë dhe duan të të takojnë.» Tani Jezui tregon sa për zemër i ka dishepujt, të cilët sillen vërtet si vëllezër, motra dhe nëna me të. Duke treguar nga dishepujt, ai thotë: «Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë këta që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë.» (Luka 8:20, 21) Me këto fjalë tregon se, pavarësisht sa të çmuara janë lidhjet familjare, marrëdhënia që ka me dishepujt është edhe më e çmuar. Kjo lidhje e ngushtë me vëllezërit e motrat në besim na e ngre zemrën peshë, sidomos kur të tjerët na shikojnë shtrembër e na hedhin poshtë neve dhe veprat tona të mira.