Dëshmitarë të krishterë me qytetari qiellore
«Qytetëria jonë është në qiejt.»—FILIPIANËVE 3:20.
1. Çfarë qëllimi të mrekullueshëm ka Jehovai lidhur me disa njerëz?
INDIVIDË të lindur si njerëz do të mbretërojnë si mbretër dhe priftërinj në qiell, madje edhe mbi engjëjt. (1. Korintasve 6:2, 3; Zbulesa 20:6) Ç’e vërtetë mahnitëse që është! Megjithatë Jehovai e ka premtuar dhe do ta plotësojë përmes Birit të tij të vetëmlindur, Jezu Krishtit. Përse e bën këtë Krijuesi ynë? Si duhet të ndikojë sot mbi një të krishterë njohja e kësaj? Le të shohim se si u përgjigjet Bibla këtyre pyetjeve.
2. Ç’gjë të re do të bënte Jezui sipas lajmërimit të Gjon Pagëzorit dhe me çfarë lidhej kjo gjë e re?
2 Kur Gjon Pagëzori po i përgatiste rrugën Jezuit, ai lajmëroi se Jezui do të bënte diçka të re. Tregimi thotë: «[Gjoni] predikonte duke thënë: ‘Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’i zgjidhur lidhësat e sandaleve të tij. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë.’» (Marku 1:7, 8) Para atij momenti, asnjë nuk ishte pagëzuar me frymën e shenjtë. Ajo ishte një përgatitje e re që përfshinte frymën e shenjtë dhe kishte të bënte me zbulimin e qëllimit të Jehovait për t’i përgatitur njerëzit për sundimin qiellor.
«Të rilindur»
3. Ç’gjëra të reja i shpjegoi Jezui Nikodemit lidhur me Mbretërinë e qiellit?
3 Në një takim të fshehtë me një farise të shquar, Jezui zbuloi më shumë për këtë qëllim hyjnor. Fariseu Nikodem, shkoi natën tek Jezui i cili i tha: «Nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.» (Gjoni 3:3) Nikodemi, i cili si farise duhej t’i kishte studiuar Shkrimet Hebreje, dinte diçka mbi të vërtetën e madhe të Mbretërisë së Perëndisë. Libri i Danielit profetizonte se Mbretëria do t’i jepej «dikujt që i ngjante një Biri njeriu» dhe «njerëzve që janë të shenjtët e Më të Lartit». (Danieli 7:13, 14, 27, BR) Kjo Mbretëri duhej ‘të copëtonte dhe të asgjësonte’ të gjitha mbretëritë e tjera dhe të qëndronte përgjithmonë. (Danieli 2:44) Ka të ngjarë që Nikodemi të mendonte se këto profeci do të plotësoheshin lidhur me kombin hebre, por Jezui i tha se një person mund ta shihte Mbretërinë, vetëm po të rilindte. Nikodemi nuk kuptoi, prandaj Jezui vazhdoi t’i thoshte: «Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.»—Gjoni 3:5.
4. Si do të ndryshojë marrëdhënia me Jehovain e atyre që janë lindur nga fryma e shenjtë?
4 Gjon Pagëzori kishte folur për pagëzimin me frymën e shenjtë. Tani, Jezui shton se kush do të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë, duhet të rilindë nga fryma e shenjtë. Përmes kësaj lindjeje të pashoqe, gratë dhe burrat e papërsosur mund të hyjnë në një marrëdhënie shumë të veçantë me Perëndinë Jehova. Ata bëhen fëmijët e tij të adoptuar. Për këtë lexojmë: «Të gjithë atyre që e pranuan [Jezuin], ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij, të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.»—Gjoni 1:12, 13; Romakëve 8:15.
Fëmijë të Perëndisë
5. Kur u pagëzuan me frymën e shenjtë dishepujt besnikë dhe çfarë veprimesh të lidhura me frymën e shenjtë ndodhën në të njëjtën kohë?
5 Kur foli me Nikodemin, fryma e shenjtë ishte tashmë mbi Jezuin, duke e mirosur atë për mbretërimin e ardhshëm në Mbretërinë e Perëndisë dhe Perëndia e kishte pranuar publikisht Jezuin si Birin e Tij. (Mateu 3:16, 17) Në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., Jehovai lindi edhe fëmijë të tjerë frymorë. Dishepujt besnikë u mblodhën në dhomën e sipërme në Jeruzalem, ku u pagëzuan me frymën e shenjtë. Në të njëjtën kohë, ata u rilindën nga fryma e shenjtë për të qenë bij frymorë të Perëndisë. (Veprat 2:2-4, 38; Romakëve 8:15) Për më tepër, ata u mirosën me frymën e shenjtë me një pamje për një trashëgim të ardhshëm qiellor dhe u vulosën fillimisht me frymën e shenjtë si një shenjë e sigurisë së asaj shprese qiellore.—2. Korintasve 1:21, 22.
6. Cili është qëllimi i Jehovait lidhur me Mbretërinë qiellore dhe përse është e përshtatshme që njerëzit të kenë pjesë në të?
6 Këta ishin njerëzit e parë të papërsosur që u zgjodhën nga Perëndia për të hyrë në Mbretëri. Pra, pas vdekjes dhe ringjalljes së tyre, ata duhej të bëheshin pjesë e organizimit të Mbretërisë qiellore që do të sundonte mbi njerëzit dhe engjëjt. Jehovai ka për qëllim, që përmes kësaj Mbretërie, emri i tij i madh të shenjtërohet dhe sovraniteti i tij të shfajësohet përpara gjithë krijimit. (Mateu 6:9, 10; Gjoni 12:28) Sa e përshtatshme është që njerëzit kanë pjesë në atë Mbretëri! Satanai përdori njerëzit kur ngriti sfidën e tij të parë kundër sovranitetit të Jehovait kohë më parë në kopshtin e Edenit dhe tani Jehovai ka për qëllim që njerëzit të përfshihen në përgjigjen ndaj kësaj sfide. (Zanafilla 3:1-6; Gjoni 8:44) Apostulli Pjetër u shkroi individëve të zgjedhur për të sunduar në atë Mbretëri: «Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish, për një trashëgim të paprishshëm, të panjollë dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për ju.»—1. Pjetrit 1:3, 4.
7. Çfarë marrëdhënieje të pashoqe me Jezuin gëzojnë ata që janë pagëzuar me frymën e shenjtë?
7 Si bij të adoptuar të Perëndisë, këta të krishterë të zgjedhur bëhen vëllezër të Jezu Krishtit. (Romakëve 8:16, 17; 9:4, 26; Hebrenjve 2:11) Pasi Jezui rezultoi Fara e premtuar e Abrahamit, këta të krishterë të mirosur me frymë janë shokët apo pjesa plotësuese e Farës, që do t’i japë bekime atyre që besojnë. (Zanafilla 22:17, 18; Galatasve 3:16, 26, 29) Çfarë bekimi? Mundësinë për t’u shpenguar nga mëkati, për t’u pajtuar me Perëndinë e për t’i shërbyer atij tani e përgjithmonë. (Mateu 4:23; 20:28; Gjoni 3:16, 36; 1. Gjonit 2:1, 2) Të krishterët e mirosur në tokë i drejtohen këtij bekimi, duke dhënë dëshmi për vëllanë e tyre frymor, Jezu Krishtin dhe për Atin e tyre të adoptuar, Perëndinë Jehova.—Veprat 1:8; Hebrenjve 13:15.
8. Çfarë është «shfaqja» e bijve të Perëndisë të lindur nga fryma?
8 Bibla flet për «shfaqjen» e këtyre bijve të Perëndisë të lindur nga fryma. (Romakëve 8:19) Duke hyrë në Mbretëri si mbretër që shoqërohen me Jezuin, ata marrin pjesë në shkatërrimin e sistemit të gjërave në botën e Satanait. Më pas, për një mijë vjet ata do të ndihmojnë që t’i japin njerëzimit dobitë e sakrificës shpërblerëse dhe kështu ta çojnë racën njerëzore drejt përsosmërisë që humbi Adami. (2. Selanikasve 1:8-10; Zbulesa 2:26, 27; 20:6; 22:1, 2) Shfaqja e tyre përfshin të gjithë faktorët e përmendur më lart. Është diçka që krijesa njerëzore që beson e pret me padurim.
9. Në ç’mënyrë i referohet Bibla trupit mbarëbotëror të të krishterëve të mirosur?
9 Trupi mbarëbotëror i të krishterëve të mirosur është «kongregacioni i të parëlindurve që janë regjistruar në qiell». (Hebrenjve 12:23, BR) Ata janë të parët që nxjerrin dobi nga sakrifica shpërblerëse e Jezuit. Ata janë gjithashtu, «trupi i Krishtit», gjë që tregon marrëdhënien e tyre intime me njëri-tjetrin dhe me Jezuin. (1. Korintasve 12:27) Pavli shkroi: «Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëjtit trup, megjithëse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu është edhe Krishti. Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frymë të vetme në të njëjtin trup, qofshin Hebrenjtë apo Grekët, qofshin skllevërit a të liruarit, dhe të gjithë jemi ujitur në të njëjtën Frymë.»—1. Korintasve 12:12, 13; Romakëve 12:5; Efesianëve 1:22, 23; 3:6.
«Izraeli i Perëndisë»
10, 11. Përse nevojitej një Izrael i ri në shekullin e parë dhe nga kush përbëhej ky komb i ri?
10 Për më shumë se 1.500 vjet para ardhjes së Jezuit si Mesia i premtuar, kombi trupor i Izraelit ishte populli i veçantë i Jehovait. Pavarësisht nga kujtesat e vazhdueshme, kombi në përgjithësi u tregua jobesnik. Kur u shfaq Jezui, kombi e hodhi poshtë. (Gjoni 1:11) Prandaj, Jezui u tha udhëheqësve fetarë hebrenj: «Juve do t’ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t’i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt.» (Mateu 21:43) Pranimi i ‘kombit që do ta bëjë të japë frytet [e Mbretërisë]’ është i domosdoshëm për shpëtimin.
11 Kombi i ri është kongregacioni i mirosur i krishterë, i lindur në Rrëshajët e vitit 33 të e.s. Anëtarët e tij të parë ishin dishepujt hebrenj të Jezuit, të cilët e pranuan atë si Mbretin e tyre qiellor. (Veprat 2:5, 32-36) Megjithatë, ata ishin anëtarë të kombit të ri të Perëndisë, jo në bazë të pasardhjes së tyre hebreje, por në bazë të besimit në Jezuin. Prandaj, ky Izrael i ri i Perëndisë ishte diçka e veçantë, një komb frymor. Kur pjesa më e madhe e hebrenjve refuzuan të pranonin Jezuin, ftesa për të qenë pjesë e kombit të ri u shtri tek samaritanët dhe më pas tek paganët. Kombi i ri u quajt ‘Izraeli i Perëndisë’.—Galatasve 6:16.
12, 13. Si u bë e qartë se Izraeli i ri nuk ishte vetëm një sekt i judaizmit?
12 Në Izraelin e Lashtë, kur johebrenjtë u bënë prozelitë, ata duhej t’i nënshtroheshin Ligjit të Moisiut dhe meshkujt duhej ta simbolizonin këtë duke u rrethprerë. (Të Dalët 12:48, 49) Disa të krishterë hebrenj mendonin se e njëjta gjë duhej zbatuar me johebrenjtë në Izraelin e Perëndisë. Por Jehovai kishte diçka tjetër në mendje. Fryma e shenjtë e drejtoi apostullin Pjetër në shtëpinë e paganit Kornel. Kur Korneli dhe familja e tij iu përgjigjën predikimit të Pjetrit, ata morën frymën e shenjtë, madje para se të pagëzoheshin në ujë. Kjo tregoi qartë se Jehovai i kishte pranuar këta paganë si anëtarë të Izraelit të Perëndisë, pa kërkuar që t’i nënshtroheshin Ligjit të Moisiut.—Veprat 10:21-48.
13 Disa besimtarë e patën të vështirë ta pranonin dhe shpejt çështja duhej diskutuar nga apostujt dhe pleqtë në Jeruzalem. Ai trup autoritar dëgjoi dëshmitë e hollësishme se si fryma e shenjtë kishte vepruar mbi besimtarët johebrenj. Kërkimet biblike treguan se kjo gjë ishte plotësim i profecisë së frymëzuar. (Isaia 55:5; Amosi 9:11, 12) U arrit në një vendim të qartë: Të krishterët johebrenj nuk kishin pse t’i nënshtroheshin Ligjit të Moisiut. (Veprat 15:1, 6-29) Kështu, Izraeli frymor ishte vërtet një komb i ri dhe jo vetëm një sekt i judaizmit.
14. Çfarë nënkuptohet nga fakti që Jakovi e quan kongregacionin e krishterë ‘dymbëdhjetë fiset e shpërndara’?
14 Në harmoni me këtë, kur u shkroi të krishterëve të mirosur të shekullit të parë, dishepulli Jakov ia drejtoi letrën e tij «dymbëdhjetë fiseve të shpërndarë». (Jakovit 1:1; Zbulesa 7:3-8) Pa dyshim, qytetarët e Izraelit të ri nuk ishin caktuar nga fise të veçanta. Në Izraelin frymor nuk kishte ndarje në 12 fise të veçanta, siç kishte pasur në Izraelin natyror. Megjithatë, shprehja e frymëzuar e Jakovit tregon se në sytë e Jehovait Izraeli i Perëndisë kishte zëvendësuar plotësisht 12 fiset e Izraelit natyror. Nëse një izraelit trupor bëhej pjesë e kombit të ri, prejardhja e tij trupore, qoftë nga fisi i Judës apo i Levit, nuk kishte ndonjë rëndësi.—Galatasve 3:28; Filipianëve 3:5, 6.
Një besëlidhje e re
15, 16. (a) Si i shikon Jehovai anëtarët johebrenj të Izraelit të Perëndisë? (b) Mbi çfarë baze ligjore u vendos Izraeli i ri?
15 Në sytë e Jehovait, anëtarët joizraelitë të këtij kombi të ri, janë hebrenj frymorë plotësisht të lirë. Apostulli Pavël shpjegoi: «Në fakt Jude nuk është ai që duket i tillë nga jashtë, dhe rrethprerja nuk është ajo që duket në mish; por Jude është ai që është i tillë përbrenda, dhe rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë; dhe për një Jude të tillë lavdërimi nuk buron nga njerëzit, por nga Perëndia.» (Romakëve 2:28, 29) Shumë paganë iu përgjigjën ftesës për të qenë pjesë e Izraelit të Perëndisë dhe ky zhvillim plotësoi profecinë biblike. Për shembull, profeti Hozea shkroi: «Do t’i tregoj mëshirë asaj, të cilës nuk iu tregua mëshirë dhe do t’u them atyre që nuk janë populli im: ‘Ti je populli im’ dhe ata nga ana e tyre do të thonë: ‘Ti je Perëndia im.’»—Hozea 2:23, BR; Romakëve 11:25, 26.
16 Nëse izraelitët frymorë nuk ishin nën besëlidhjen e Ligjit të Moisiut, atëherë mbi ç’bazë ishin ata pjesë e kombit të ri? Përmes Jezuit, Jehovai bëri një besëlidhje të re me kombin e tij frymor. (Hebrenjve 9:15) Kur Jezui filloi Përkujtimin e vdekjes së tij, më 14 nisan të vitit 33 të e.s., ai u kaloi bukë dhe verë 11 apostujve besnikë dhe u tha se vera simbolizonte ‘gjakun e besëlidhjes’. (Mateu 26:28; Jeremia 31:31-34) Siç tregohet në tregimin e Lukës, Jezui tha se kupa e verës simbolizonte ‘besëlidhjen e re’. (Luka 22:20) Në plotësim të fjalëve të Jezuit, kur në Rrëshajë u derdh fryma e shenjtë dhe lindi Izraeli i Perëndisë, Mbretëria u mor nga Izraeli trupor dhe iu dha kombit të ri frymor. Ky komb i ri ishte tani shërbëtor i Perëndisë, i përbërë nga dëshmitarët e tij, në vend të Izraelit natyror.—Isaia 43:10, 11.
«Jeruzalemi i ri»
17, 18. Çfarë përshkrimesh jepen në librin e Zbulesës për lavdinë që i pret të krishterët e mirosur?
17 Ç’lavdi i pret këta të privilegjuar që të marrin pjesë në thirrjen qiellore! Ç’kënaqësi është të mësosh për çuditë që i presin ata! Libri i Zbulesës na jep një shikim të shpejtë emocionues të trashëgimisë së tyre qiellore. Për shembull, në Zbulesën 4:4, lexojmë: «Rreth e qark fronit ishin njëzet e katër frone, dhe mbi frone pashë ndenjur njëzet e katër pleq të veshur me petka të bardha; dhe mbi kryet e tyre kishin kurora.» Këta 24 pleq janë të krishterët e mirosur të ringjallur që tani kanë zënë pozitat qiellore që Jehovai u premtoi. Kurorat dhe fronet e tyre na sjellin ndër mend anëtarësinë e tyre në familjen mbretërore. Mendo, gjithashtu, për privilegjin e tyre çuditërisht të madh që kanë duke shërbyer përreth fronit të Jehovait!
18 Në Zbulesën 14:1, kapim edhe një tjetër shikim të shpejtë të tyre: «Pashë Qengjin që rrinte në këmbë në mal të Sionit, dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, që e kishin të shkruar mbi ballin e tyre emrin e tij dhe emrin e Atit të tij.» Këtu shohim numrin e kufizuar të këtyre të mirosurve: 144.000. Statusi i tyre mbretëror dallohet në faktin që ata qëndrojnë me Mbretin e vënë në fron nga Jehovai, «Qengjin», Jezuin. Gjithashtu edhe sepse janë në malin qiellor të Sionit. Mali tokësor i Sionit ishte vendndodhja e Jeruzalemit, qytetit mbretëror të Izraelit. Mali qiellor i Sionit paraqet pozitën e lartë të Jezuit dhe trashëgimtarëve që janë bashkë me të, të cilët përbëjnë Jeruzalemin qiellor.—2. Kronikave 5:2; Psalmi 2:6.
19, 20. (a) Në cilin organizim qiellor do të marrin pjesë të krishterët e mirosur? (b) Gjatë cilës periudhë kohe i zgjodhi Jehovai ata, qytetaria e të cilëve do të jetë në qiell?
19 Në harmoni me këtë, të mirosurit në lavdinë e tyre qiellore quhen edhe ‘Jeruzalemi i ri’. (Zbulesa 21:2) Jeruzalemi tokësor ishte «qyteti i Mbretit të madh» dhe vendndodhja e tempullit. (Mateu 5:35) Jeruzalemi i Ri qiellor është pjesa mbretërore e organizimit të Mbretërisë, me anë të së cilës Sovrani i madh, Jehovai, dhe Mbreti i caktuar prej tij, Jezui, që tani sundon dhe në të cilin kryhet shërbimi priftëror, ndërsa bekimet e pasura derdhen nga froni i Jehovait për shërimin e njerëzimit. (Zbulesa 21:10, 11; 22:1-5) Në një vizion tjetër, Gjoni dëgjon që të krishterët e mirosur besnikë e të ringjallur përmenden si ‘nusja e Qengjit’. Është vërtetë një përshkrim i ngrohtë i intimitetit që ata do të gëzojnë me Jezuin dhe i nënshtrimit me vullnet ndaj tij! Përfytyro gëzimin në qiell kur i fundit prej tyre të marrë përfundimisht shpërblimin e tij qiellor. Tani më në fund mund të bëhet «dasma e Qengjit»! Atëherë organizimi mbretëror qiellor do të jetë i plotë.—Zbulesa 19:6-8.
20 Po, bekime të mrekullueshme i presin ata, të cilëve apostulli Pavël u tha: «Qytetëria jonë është në qiejt.» (Filipianëve 3:20) Për gati dy mijë vjet, Jehovai ka zgjedhur fëmijët e tij frymorë dhe i ka përgatitur për trashëgimin qiellor. Sipas të gjitha dëshmive, kjo vepër zgjedhjeje dhe përgatitjeje gati është përfunduar. Sipas vizionit të Gjonit në kapitullin 7 të Zbulesës, kishte gjëra të tjera akoma. Tani një grup tjetër të krishterësh kërkon vëmendjen tonë, prandaj do ta shqyrtojmë atë grup në artikullin vijues.
A të kujtohet?
◻ Cilat janë veprimet e ndryshme të frymës mbi ata që kanë trashëgim qiellor?
◻ Ç’marrëdhënie intime gëzojnë të mirosurit me Jehovain? Me Jezuin?
◻ Si përshkruhet në Bibël kongregacioni i të krishterëve të mirosur?
◻ Mbi çfarë baze ligjore u vendos Izraeli i Perëndisë?
◻ Cilat privilegje qiellore i presin të krishterët e mirosur?
[Figurat në faqen 10]
Gjatë një periudhe prej gati dy mijë vjetësh, Jehovai zgjodhi ata, të cilët do të sundonin në Mbretërinë qiellore