Kapitulli 43
Mëson me ilustrime
ME SA duket Jezui gjendet në Kapernaum, kur qorton farisenjtë. Më vonë, po atë ditë, ai del nga shtëpia dhe shkon në Detin e Galilesë, aty afër, ku mblidhen turma të mëdha njerëzish. Atje, hipën në një barkë, largohet nga bregu dhe fillon t’i mësojë njerëzit që janë në breg mbi Mbretërinë e qiejve. Për këtë qëllim, ai përdor një sërë shëmbëlltyrash apo ilustrimesh, secila me rrethana të njohura për njerëzit.
Në fillim, Jezui flet për një mbjellës që mbjell farën. Një pjesë e farës bie në anë të rrugës dhe e hanë zogjtë. Një pjesë tjetër bie në një pjesë toke që ka nën vete një masë shkëmbore. Meqë rrënjët nuk janë të thella, filizat thahen nën diellin përvëlues. Një pjesë tjetër akoma, bie midis gjembave, të cilët i mbytin filizat sapo ata dalin. Së fundi, një pjesë e farës, bie në tokë të mirë dhe prodhon kush njëqindfish, kush gjashtëdhjetëfish dhe kush tridhjetëfish.
Në një ilustrim tjetër, Jezui e krahason Mbretërinë e Perëndisë me një njeri që mbjell farën. Ndërsa ditët kalojnë, fara rritet, qoftë kur ai është në gjumë, qoftë kur është zgjuar. Ai nuk e di se si ndodh. Ajo rritet vetë dhe jep grurë. Kur gruri piqet, njeriu e korr.
Jezui tregon një ilustrim të tretë, për një njeri që mbjell llojin e duhur të farës, por «ndërsa njerëzit po flinin», vjen një armik dhe mbjell egjër midis grurit. Shërbëtori i këtij njeriu pyet nëse duhet t’i shkulin egjrat apo jo. Por ai përgjigjet: ‘Jo, sepse mund të shkulni edhe grurin bashkë me të. Le të rriten së bashku, deri në kohën e korrjes. Atëherë, do t’u them korrësve, të heqin mënjanë egjrën dhe ta djegin, ndërsa grurin ta vendosin në hambar.’
Në vazhdim të fjalimit që po u mban turmave të mbledhura në breg, Jezui bën edhe dy ilustrime të tjera. Ai shpjegon se «mbretëria e qiejve» i ngjan një kokrre sinapi, që e mbjell një njeri. Edhe pse është më e vogla nga farat, thotë ai, ajo rritet dhe bëhet një nga bimët më të mëdha. Ajo bëhet një pemë ku vijnë zogjtë dhe gjejnë strehë në degët e saj.
Sot, disa njerëz kundërshtojnë duke thënë se ekzistojnë farëra më të vogla, sesa fara e sinapit. Por Jezui nuk është duke dhënë leksion mbi botanikën. Midis farërave që njihnin galileasit e asaj kohe, fara e sinapit ishte vërtet më e vogla. Prandaj, ata e kuptojnë çështjen e rritjes së jashtëzakonshme që po ilustronte Jezui.
Së fundi, Jezui e krahason ‘mbretërinë e qiejve’ me majanë, që një grua e merr dhe e përzien me tri masa të mëdha mielli. Me kalimin e kohës, thotë ai, ajo e fermenton të gjithë brumin.
Pasi ka bërë këto pesë ilustrime, Jezui i lë turmat të ikin dhe kthehet në shtëpinë ku po qëndron. Shpejt, atje vijnë 12 apostujt dhe bashkë me ta edhe të tjerë.
Të nxjerrim dobi nga ilustrimet e Jezuit
Kur dishepujt vijnë te Jezui, pas fjalimit që mbajti për turmat në breg të detit, ata janë kureshtarë për mënyrën e tij të re të të mësuarit. Vërtet, ata e kanë dëgjuar edhe më parë të përdorë ilustrime, por jo në një masë kaq të gjerë. Prandaj e pyesin: «Pse po u flet me shëmbëlltyrë?»
Një nga arsyet për të cilat Jezui vepron kështu, është për të përmbushur fjalët e profetit, që tha: «Unë do të hap gojën time me shëmbëlltyra dhe do të zbuloj gjëra të fshehura që nga themelimi i botës.» Por jo vetëm kaq. Përdorimi i ilustrimeve i shërben atij për të zbuluar qëndrimin e zemrës së njerëzve.
Faktikisht, shumica e njerëzve interesohet për Jezuin, thjesht sepse e shohin si një tregimtar të shkëlqyer dhe si bërës mrekullish dhe jo si Zotëri, të cilit duhet t’i shërbejnë dhe duhet ta ndjekin me vetëmohim. Ata nuk duan t’u preket pikëpamja që kanë mbi gjërat dhe mënyra e tyre e të jetuarit. Nuk duan që mesazhi të depërtojë në ta deri në atë masë.
Për këtë arsye, Jezui thotë: «Prandaj unë u flas atyre me shëmbëlltyrë, sepse duke parë nuk shohin dhe duke dëgjuar nuk dëgjojnë as nuk kuptojnë. Kështu ndër ta përmbushet profecia e Isaias, që thotë: ‘. . . Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme.’»
«Por,—vazhdon të thotë Jezui,—lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë. Sepse në të vërtetë po ju them se shumë profetë dhe të drejtë, deshën t’i shihnin gjërat që ju po shihni dhe nuk i panë dhe t’i dëgjonin gjërat që ju dëgjoni dhe nuk i dëgjuan.»
Po, 12 apostujt dhe ata që janë me ta, e kanë zemrën të ndjeshme. Prandaj, Jezui thotë: «Juve ju është dhënë mundësia të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre nuk u është dhënë.» Për arsye se kanë dëshirë të kuptojnë, Jezui u jep dishepujve të tij shpjegimin e shëmbëlltyrës së mbjellësit.
«Fara është fjala e Perëndisë»,—thotë Jezui, ndërsa toka është zemra. Lidhur me farën e mbjellë në tokën e fortë në anë të rrugës, ai shpjegon: «Vjen Djalli dhe ua merr fjalën nga zemra, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë.»
Nga ana tjetër, fara e mbjellë në tokën që ka nën vete një masë shkëmbore, i referohet zemrës së njerëzve që e pranojnë fjalën me gëzim. Por, meqenëse në zemra të tilla fjala nuk mund të formojë rrënjë të thella, këta njerëz dorëzohen, kur vijnë kohë sprovash dhe persekutimesh.
Për sa i përket farës që ra midis gjembave, vazhdon Jezui, kjo u referohet njerëzve që e kanë dëgjuar fjalën. Megjithatë, këta njerëz përpihen nga ankthet dhe kënaqësitë e kësaj jete dhe në këtë mënyrë ata mbyten plotësisht dhe nuk çojnë asgjë në përsosmëri.
Së fundi, për sa i përket farës së mbjellë në tokën e shkëlqyer, Jezui thotë se kjo përfaqëson ata, që pasi e dëgjojnë fjalën me një zemër të mirë e të shkëlqyer, e ruajnë atë dhe japin fryt me qëndrueshmëri.
Sa të bekuar janë këta dishepuj që i kanë kërkuar Jezuit t’u shpjegojë mësimet e tij! Jezui ka si qëllim që ilustrimet e tij të kuptohen, në mënyrë që t’ua bëjnë të njohur të vërtetën të tjerëve. «Një llambë nuk sillet për t’u vënë nën shinik ose nën shtrat, apo jo?»—pyet ai. (BR) Jo, merret ‘për t’u vënë në dritëmbajtëse’. Nisur nga kjo, Jezui shton: «Prandaj kini kujdes se si dëgjoni.»
Të bekuar me udhëzime të mëtejshme
Pasi marrin nga Jezui shpjegimin e ilustrimit të mbjellësit, dishepujt duan të mësojnë më shumë. «Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë»,—i kërkojnë ata.
Sa i ndryshëm është qëndrimi i dishepujve nga ai i pjesës tjetër të turmës në breg të detit! Ata njerëz nuk kanë një dëshirë të vërtetë për të mësuar kuptimin që qëndron pas ilustrimeve, por janë të kënaqur thjesht me rrëfimin e përmbajtjes së tyre. Duke krahasuar auditorin në breg të detit me dishepujt kureshtarë që kanë ardhur tek ai në shtëpi, Jezui thotë:
«Me atë masë që matni, me atë do t’ju matet. Madje edhe do t’ju shtohet.» Dishepujt po tregojnë ndaj Jezuit vëmendje dhe interes të vërtetë në një masë të madhe, prandaj ata bekohen duke marrë më shumë mësime. Kështu, duke iu përgjigjur pyetjes së dishepujve, Jezui shpjegon:
«Mbjellësi i farës së shkëlqyer është Biri i njeriut; fusha është bota; sa për farën e shkëlqyer, këta janë bijtë e mbretërisë, por egjrat janë bijtë e të ligut dhe armiku që i mbolli është Djalli. E korra është fundi i një sistemi gjërash dhe korrësit janë engjëjt.»
Pasi identifikon çdo aspekt të ilustrimit të tij, Jezui përshkruan atë që do të ndodhë. Ai thotë se në përfundim të sistemit të gjërave, korrësit, domethënë engjëjt, do t’i ndajnë të krishterët e rremë ngjashëm egjrës, nga ata që janë vërtet ‘bijtë e mbretërisë’. Atëherë, «bijtë e të ligut» do të shënohen për shkatërrim, por bijtë e mbretërisë së Perëndisë, «të drejtët», do të shkëlqejnë ndritshëm në Mbretërinë e Atit të tyre.
Pastaj Jezui i bekon dishepujt e tij kureshtarë, duke u dhënë tri ilustrime të tjera. Në fillim ai thotë: «Mbretëria e qiejve është e ngjashme me visarin e fshehur në arë; njeriu që e gjen, e fsheh prapë dhe plot me gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë.»
«Mandej,—vazhdon ai,—mbretëria e qiejve i përngjan tregëtarit që kërkon perla të çmueshme. Kur e gjen një perlë me vlerë të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.»
Vetë Jezui i ngjan njeriut që zbulon një thesar të fshehur dhe tregtarit që gjen një margaritar me vlerë të madhe. Ai, në njëfarë kuptimi, shiti gjithçka, duke hequr dorë nga një pozitë e lartë në qiell, për t’u bërë një qenie e përulur njerëzore. Më pas, gjatë jetës së tij si njeri në tokë, ai duron sharje dhe persekutim mizor, duke treguar se është i denjë për t’u bërë Sundimtari i Mbretërisë së Perëndisë.
Edhe dishepujve të Jezuit u paraqitet sfida për të shitur gjithçka me qëllim që të arrijnë shpërblimin e madh, për të qenë, ose bashkësundimtarë me Krishtin, ose nënshtetas tokësorë të Mbretërisë. A do ta konsiderojmë mundësinë për të pasur një pjesë në Mbretërinë e Perëndisë, si më të vlefshme se çdo gjë tjetër në jetë, si një thesar të paçmueshëm apo si një perlë të çmuar?
Së fundi, Jezui e krahason ‘mbretërinë e qiejve’ me një rrjetë të hedhur në det, që mbledh peshq të çdo lloji. Kur bëhet ndarja, peshqit e papërshtatshëm hidhen tutje, ndërsa të mirët mbahen. Jezui thotë se kështu do të jetë në përfundim të sistemit të gjërave; engjëjt do të ndajnë të ligjtë nga të drejtët dhe të ligjtë do t’i ruajnë për asgjësim.
Këtë projekt peshkimi e fillon vetë Jezui, kur i fton dishepujt e tij të parë që të bëhen «peshkatarë njerëzish». Nën mbikëqyrjen e engjëjve, vepra e peshkimit vazhdon përgjatë shekujve. Më në fund, vjen koha për të tërhequr ‘rrjetën e hedhur në det’, që përfaqëson të gjitha organizatat në tokë që pohojnë se janë të krishtere, duke përfshirë edhe kongregacionin e të krishterëve të mirosur.
Edhe pse peshqit e papërshtatshëm do të shkatërrohen, ne jemi mirënjohës që ‘peshqit e mirë’ do të ruhen. Nëse shfaqim të njëjtën dëshirë të zjarrtë, si dishepujt e Jezuit, për më shumë njohuri dhe kuptueshmëri, do të bekohemi jo vetëm me mësime të mëtejshme, por edhe me bekimin e jetës së përhershme që vjen nga Perëndia. Mateu 13:1-52; Marku 4:1-34; Luka 8:4-18; Psalmet 78:2; Isaia 6:9, 10.
▪ Kur dhe ku u flet Jezui turmave duke përdorur ilustrime?
▪ Cilat janë pesë ilustrimet që u tregon Jezui turmave?
▪ Pse Jezui thotë se fara e sinapit është më e vogla nga të gjitha farat?
▪ Përse flet me ilustrime Jezui?
▪ Në ç’mënyrë tregojnë dishepujt e Jezuit se janë ndryshe nga turmat?
▪ Çfarë shpjegimi i bën Jezui ilustrimit të mbjellësit?
▪ Në cilin aspekt ndryshojnë dishepujt nga turmat e mbledhura në breg të detit?
▪ Cilin apo çfarë përfaqësojnë: mbjellësi, fusha, fara e mirë, armiku, korrja dhe korrësit?
▪ Cilat janë tre ilustrimet e tjera që tregon Jezui dhe çfarë mund të mësojmë prej tyre?