Kapitulli 13
Të mësojmë nga tundimet e Jezuit
MENJËHERË pas pagëzimit, fryma e Perëndisë e çon Jezuin në shkretëtirën e Judesë. I duhet të mendohet për shumë gjëra, sepse gjatë pagëzimit «qiejt iu hapën», dhe kjo i dha mundësi për të dalluar gjërat qiellore. Vërtet, gjërat mbi të cilat i duhet të meditojë janë të shumta!
Jezui kalon 40 ditë e 40 netë në shkretëtirë dhe gjatë gjithë kësaj kohe nuk vë gjë në gojë. Atëherë, ndërsa Jezui është shumë i uritur, Satanai i afrohet për ta tunduar, duke i thënë: «Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë.» Por Jezui e di mirë se do të ishte e gabuar t’i përdorte fuqitë e tij të mrekullueshme për të kënaqur dëshirat e tij personale. Prandaj nuk lejon që të tundohet.
Por Djalli nuk dorëzohet dhe bën një përpjekje tjetër. Ai e sfidon Jezuin të hidhet nga muri i tempullit në mënyrë që engjëjt e Perëndisë ta shpëtojnë. Por Jezui nuk tundohet për të bërë një shfaqje të tillë spektakolare. Duke cituar nga Shkrimet, Jezui tregon se është e gabuar ta vësh Perëndinë në provë në këtë mënyrë.
Në një tundim të tretë, në ndonjë mënyrë të mrekullueshme Djalli i tregon Jezuit të gjitha mbretëritë e botës dhe i thotë: «Të gjitha këto gjëra do të t’i jap ty, nëse bie përmbys dhe më bën një akt adhurimi.» (BR). Por edhe këtë herë Jezui refuzon të dorëzohet para tundimit për të bërë të keqen, duke zgjedhur t’i qëndrojë besimplotë Perëndisë.
Ne mund të mësojmë nga tundimet e Jezuit. Për shembull, ato tregojnë se Djalli nuk është thjesht cilësia e së keqes, siç pohojnë disa, por një person real e i padukshëm. Tundimi i Jezuit tregon, gjithashtu, se të gjitha qeveritë botërore janë pronë e Djallit. Në fakt, nëse nuk do të ishin të tijat, a do të ishte vërtet një tundim për Jezuin ofrimi i tyre nga ana e Djallit?
Mendo edhe në lidhje me këtë: Djalli tha se ishte gati ta shpërblente Jezuin për një akt adhurimi, duke i dhënë madje të gjitha mbretëritë e botës. Fare mirë, Djalli mund të përpiqet të na tundojë edhe ne në mënyrë të ngjashme, ndoshta duke vënë përpara nesh mundësi tërheqëse për të siguruar pasuri botërore, pushtet apo pozitë. Por sa gjë e mençur është nëse ndjekim shembullin e Jezuit, duke i qëndruar besnikë Perëndisë në çfarëdo tundimi që të hasim! Mateu 3:16; 4:1-11; Marku 1:12, 13; Luka 4:1-13.
▪ Siç duket, për çfarë gjërash mediton Jezui gjatë 40 ditëve në shkretëtirë?
▪ Si përpiqet Djalli ta tundojë Jezuin?
▪ Çfarë mund të mësojmë nga tundimet e Jezuit?