KAPITULLI 1
Pse Jezui ishte një mësues i madh?
MË SHUMË se dy mijë vjet më parë lindi një fëmijë shumë i veçantë, i cili kur u rrit u bë njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Në atë kohë të largët s’kishte aeroplanë dhe as makina. S’kishte as televizor, as kompjuter e as telefon.
Fëmijës ia vunë emrin Jezu. Ai u bë njeriu më i mençur që ka jetuar ndonjëherë në tokë. Jezui u bë edhe mësuesi më i mirë. Ua shpjegonte njerëzve gjërat e vështira, që t’i kuptonin me lehtësi.
Jezui i mësonte njerëzit kudo që i takonte: në breg të detit, nëpër varka, nëpër shtëpi dhe kur udhëtonte. Jezui s’kishte makinë dhe nuk udhëtonte as me autobus ose me tren. Ai shkonte në këmbë nga njëri vend në tjetrin, duke i mësuar njerëzit.
Ne mësojmë shumë gjëra nga njerëzit e tjerë. Por gjërat më të rëndësishme mund t’i mësojmë nga Mësuesi i Madh, Jezui. Fjalët e tij i gjejmë në Bibël. Kur i lexojmë ose i dëgjojmë ato fjalë nga Bibla, është njësoj sikur të na fliste Jezui.
Pse Jezui ishte një Mësues i Madh? Një arsye është se edhe vetë Jezuin e kishte mësuar dikush tjetër, prandaj e dinte sa e rëndësishme është të dëgjosh. Por, kë kishte dëgjuar Jezui? Kush e mësoi? . . . Ati i tij. Ati i Jezuit është Perëndia.
Para se të vinte në tokë si njeri, Jezui jetonte në qiell me Perëndinë. Prandaj Jezui ishte ndryshe nga njerëzit e tjerë, sepse asnjë njeri tjetër s’ka jetuar në qiell para se të lindë në tokë. Në qiell ai kishte qenë Bir i mirë, e dëgjonte Atin e tij. Prandaj kishte mundësi t’u mësonte njerëzve atë që kishte mësuar nga Perëndia. Edhe ti mund ta imitosh Jezuin, duke dëgjuar babanë tënd dhe mamanë tënde.
Një arsye tjetër pse Jezui ishte Mësues i Madh është se ai i donte njerëzit. Donte t’i ndihmonte që të mësonin për Perëndinë. Jezui i donte të rriturit, por i donte edhe fëmijët. Edhe fëmijëve u pëlqente të rrinin me Jezuin, se ai fliste me ta dhe i dëgjonte.
Një ditë, disa prindër sollën te Jezui fëmijët e tyre të vegjël. Por shokët e Jezuit menduan se Mësuesi i Madh kishte shumë punë e s’mund të fliste me fëmijët e vegjël, prandaj u thanë atyre që të iknin. Po çfarë tha Jezui? . . . Ai tha: «Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë; mos u mundoni t’i ndalni.» Po, Jezui donte që fëmijët e vegjël të shkonin tek ai. Pra, edhe pse ishte një njeri shumë i mençur dhe i rëndësishëm, Jezui gjente kohë për t’i mësuar fëmijët e vegjël.—Marku 10:13, 14.
A e di përse Jezui i mësonte dhe i dëgjonte fëmijët? Një arsye është se donte t’i bënte të lumtur, duke u treguar gjëra për Perëndinë, Atin e tij qiellor. Po ti, si mund t’i bësh të lumtur të tjerët? . . . Duke u treguar gjërat që ke mësuar për Perëndinë.
Një herë Jezui mori si shembull një fëmijë të vogël për t’u mësuar shokëve të vet diçka të rëndësishme. E mori fëmijën dhe e vuri mes dishepujve të tij. Pastaj Jezui tha se ata burra duhej të ndryshonin mënyrën se si silleshin dhe të bëheshin si ky fëmijë i vogël.
Çfarë donte të thoshte Jezui me këtë? Ç‘mendon ti, si mund të bëhet një i rritur ose dhe një fëmijë pak më i madh si një fëmijë i vogël? . . . Po ja, një fëmijë i vogël nuk di aq shumë gjëra sa një njeri më i madh, prandaj është i gatshëm të mësojë. Kështu, Jezui po thoshte se dishepujt e tij duhet të jenë të përulur, ashtu si janë fëmijët e vegjël. Po, që të gjithë ne mund të mësojmë shumë nga të tjerët. Po ashtu, të gjithë duhet të kuptojmë që mësimet e Jezuit janë më të rëndësishme se mendimet tona.—Mateu 18:1-5.
Një arsye tjetër pse Jezui ishte Mësues i Madh është se ai dinte si t’i bënte interesante gjërat për njerëzit. I shpjegonte ato thjesht dhe qartë. Fliste për zogj e për lule, si edhe për gjëra të tjera të zakonshme, që t’i ndihmonte njerëzit të kuptonin disa gjëra për Perëndinë.
Një ditë, kur Jezui po rrinte në një shpat mali, përreth tij u mblodhën shumë njerëz. Ai u ul dhe mbajti një fjalim ose u predikoi, siç mund ta shohësh në këtë figurë. Ky fjalim quhet Predikimi në Mal. Ai tha: ‘Shikoni zogjtë që janë në qiell. Ata nuk mbjellin farë. Nuk mbledhin ushqim në depo. Por, Perëndia që është në qiell i ushqen. A nuk vleni ju më shumë se ata?’
Jezui tha edhe: ‘Mësoni nga zambakët e fushës. Ata rriten pa punuar. Shihni sa të bukur që janë! Edhe mbreti i pasur Solomon nuk vishej më bukur se zambakët që janë në fushë. Prandaj, në qoftë se Perëndia kujdeset për lulet që rriten në fushë, a nuk do të kujdeset edhe për ju?’—Mateu 6:25-33.
Sipas teje, çfarë mësimi po jepte Jezui? . . . Ai nuk donte që ne të shqetësohemi se ku do të gjejmë ushqim për të ngrënë ose rroba për të veshur. Perëndia e di që kemi nevojë për të gjitha këto gjëra. Jezui s’tha që mund të kemi ushqim dhe rroba pa punuar. Por tha që për ne Perëndia duhet të zërë gjithnjë vendin e parë. Po ta bëjmë këtë, Perëndia do të kujdeset që të kemi ushqim për të ngrënë e rroba për të veshur. A e beson këtë? . . .
Çfarë menduan njerëzit kur Jezui mbaroi së foluri? . . . Bibla thotë se ata ishin të mahnitur nga mënyra si mësonte Jezui. Ishte shumë e këndshme ta dëgjoje atë. Fjalët që thoshte i ndihmonin njerëzit të bënin atë që ishte e drejtë.—Mateu 7:28.
Pra, është shumë e rëndësishme që të mësojmë nga Jezui. Si mendon ti, si mund ta bëjmë këtë? . . . Fjalët që tha ai i kemi të shkruara në një libër. Cili është ky libër? . . . Është Bibla e Shenjtë. Kjo do të thotë se mund ta dëgjojmë Jezuin duke u kushtuar vëmendje gjërave që lexojmë në Bibël. Në Bibël ka një tregim mahnitës se si vetë Perëndia na tha që ta dëgjojmë Jezuin. Le të shohim se ç’ndodhi.
Një ditë Jezui mori me vete tre shokë dhe u ngjit në një mal të lartë. Këta shokë ishin Jakovi, Gjoni dhe Pjetri. Më vonë do të mësojmë shumë gjëra të tjera për këta burra, sepse të tre ata ishin shokë të ngushtë të Jezuit. Por në këtë rast të veçantë, fytyra e Jezuit filloi të shkëlqente shumë. Rrobat e tij u bënë të shndritshme si drita, siç mund ta shohësh këtu.
Pas kësaj, Jezui dhe shokët e tij dëgjuan një zë nga qielli. Zëri tha: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin unë e kam miratuar; dëgjojeni.» (Mateu 17:1-5) Si thua ti, i kujt ishte ky zë? . . . Ishte zëri i Perëndisë. Po, vetë Perëndia tha që ata duhej ta dëgjonin Birin e tij.
Po ne sot? A do t’i bindemi Perëndisë dhe ta dëgjojmë Birin e tij, Mësuesin e Madh? . . . Të gjithë ne duhet të veprojmë kështu. Si mund ta bëjmë këtë, të kujtohet? . . .
Po, mund ta dëgjojmë Birin e Perëndisë duke lexuar tregimet e Biblës që flasin për jetën e tij. Mësuesi i Madh ka shumë gjëra të mrekullueshme për të na thënë. Do të kënaqesh shumë duke i mësuar këto gjëra që janë shkruar në Bibël. Do të jesh edhe më i lumtur po t’ua tregosh shokëve të tu gjërat e mira që po mëson.
Që të gjesh mendime të tjera të bukura për gjërat e mira që vijnë duke dëgjuar Jezuin, hape Biblën tënde dhe lexo Gjonin 3:16; 8:28-30 dhe Veprat 4:12.