Thuajini të vërtetën të afërmit tuaj
«Tani që keni flakur tej gënjeshtrën, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të tij»—EFES. 4:25.
1, 2. Si e konsiderojnë shumë njerëz të vërtetën?
E VËRTETA ka qenë objekt debatesh prej kohësh. Në shekullin e gjashtë p.e.s., poeti grek, Alkeu, tha: «E vërteta gjendet te vera.» Kjo nënkuptonte se e vërteta zbulohet vetëm pasi dikush e ka tepruar me verën dhe ndoshta është më i gatshëm të flasë. Edhe guvernatori romak i shekullit të parë, Ponc Pilati, pasqyroi një pikëpamje të shtrembër për të vërtetën kur e pyeti Jezuin me cinizëm: «Ç’është e vërteta?»—Gjoni 18:38.
2 Sot, ka mjaft mendime kontradiktore për të vërtetën. Shumë njerëz thonë se fjala «e vërteta» ka nuanca të ndryshme kuptimore ose se e vërteta ndryshon nga një njeri te tjetri. Të tjerë thonë të vërtetën vetëm kur u leverdis ose kur është e volitshme për ta. Një libër thotë: «Ndershmëria mund të jetë një ideal fisnik, por ka pak vlerë në betejën për jetë a vdekje për mbijetesë dhe siguri. Njeriu nuk ka shumë mundësi zgjedhjeje në këtë drejtim: duhet të gënjejë që të jetojë.»—Rëndësia e gënjeshtrës (anglisht).
3. Pse Jezui ishte një shembull i jashtëzakonshëm kur thoshte të vërtetën?
3 Sa ndryshe është për dishepujt e Krishtit! Pikëpamja e Jezuit për të vërtetën nuk ishte filozofike. Ai thoshte gjithnjë të vërtetën. Edhe armiqtë e tij pranuan: «Mësues, ne e dimë që ti thua të vërtetën, që mëson udhën e Perëndisë sipas së vërtetës.» (Mat. 22:16) Po kështu sot, të krishterët e vërtetë imitojnë shembullin e Jezuit. Ata nuk ngurrojnë të thonë të vërtetën. Janë dakord me gjithë zemër me apostullin Pavël, i cili i këshilloi bashkëbesimtarët: «Tani që keni flakur tej gënjeshtrën, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të tij.» (Efes. 4:25) Le të shqyrtojmë tri aspekte të fjalëve të Pavlit. Së pari, kush është i afërmi ynë? Së dyti, ç’do të thotë të themi të vërtetën? Dhe, së treti, si mund ta zbatojmë këtë në jetën e përditshme?
Kush është i afërmi ynë?
4. Ndryshe nga udhëheqësit judenj të shekullit të parë, si pasqyroi Jezui pikëpamjen e Jehovait se kush është i afërmi ynë?
4 Në shekullin e parë të e.s., disa udhëheqës judenj mësonin se vetëm judenjtë ose miqtë e tyre meritonin të quheshin ‘i afërm’. Por, Jezui pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin dhe mënyrën e të menduarit të Atit të tij. (Gjoni 14:9) Vlen të përmendet që ai u tregoi dishepujve se Perëndia nuk e do një racë ose kombësi, më shumë se një tjetër. (Gjoni 4:5-26) Për më tepër, fryma e shenjtë i zbuloi apostullit Pjetër se «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai». (Vep. 10:28, 34, 35) Prandaj, edhe ne duhet t’i shohim të gjithë njerëzit si të afërmit tanë, duke u treguar dashuri madje edhe atyre që sillen si armiq.—Mat. 5:43-45.
5. Çfarë do të thotë t’i themi të vërtetën të afërmit?
5 Megjithatë, për çfarë e kishte fjalën Pavli kur tha se duhet t’i themi të vërtetën të afërmit? Të thuash të vërtetën, do të thotë të japësh informacione të vërteta, pa mashtrime. Të krishterët e vërtetë nuk i shtrembërojnë ose nuk i keqparaqitin faktet për të mashtruar të tjerët. Ata ‘urrejnë thellësisht atë që është e ligë’ dhe ‘kapen fort pas asaj që është e mirë’. (Rom. 12:9) Në imitim të ‘Perëndisë të së vërtetës’, duhet të përpiqemi të jemi të ndershëm dhe të çiltër në gjithçka që themi e bëjmë. (Psal. 15:1, 2; 31:5) Nëse zgjedhim me kujdes fjalët, edhe situatat e sikletshme mund të zgjidhen me takt, pa bërë dredhi.—Lexo Kolosianëve 3:9, 10.
6, 7. (a) Të themi të vërtetën, mos nënkupton se duhet t’i tregojmë çdo hollësi personale kujtdo që na pyet? Shpjegoni. (b) Cilët meritojnë besimin tonë për t’u thënë të vërtetën?
6 T’u thuash të vërtetën të tjerëve, mos nënkupton se duhet t’i thuash çdo hollësi kujtdo që bën një pyetje? Jo medoemos. Kur ishte në tokë, Jezui tregoi se disa nuk meritojnë një përgjigje të drejtpërdrejtë ose një informacion të caktuar. Në një rast, kur udhëheqësit fetarë hipokritë e pyetën Jezuin se me ç’fuqi ose me ç’autoritet i kryente shenjat dhe mrekullitë, ai u tha: «Do t’ju bëj vetëm një pyetje. Po m’u përgjigjët, edhe unë do t’ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra.» Kur skribët dhe pleqtë nuk pranuan të përgjigjeshin, Jezui tha: «As unë nuk ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra.» (Mar. 11:27-33) Ai nuk u ndie i detyruar të përgjigjej, sepse i njihte praktikat e tyre të korruptuara dhe shembullin e tyre jobesnik. (Mat. 12:10-13; 23:27, 28) Po kështu sot, populli i Jehovait duhet të jetë vigjilent ndaj apostatëve dhe njerëzve të tjerë të ligj që përdorin dredhinë ose dinakërinë për qëllime egoiste.—Mat. 10:16; Efes. 4:14.
7 Edhe Pavli tregoi se disa mund të mos e meritojnë të marrin një përgjigje të plotë. Ai tha se ata që ‘merren me thashetheme dhe i futin hundët në punët e të tjerëve, flasin për gjëra që nuk duhet’. (1 Tim. 5:13) Po, ata që i futin hundët në punët e të tjerëve ose ata që nuk i ruajnë gjërat e thëna në mirëbesim, mund të vërejnë se të tjerët ngurrojnë t’u tregojnë informacione personale. Është shumë më mirë t’i vëmë veshin këshillës së frymëzuar të Pavlit: «Të keni si synim të jetoni në qetësi, të shikoni punët tuaja.» (1 Sel. 4:11) Megjithatë, ndonjëherë pleqtë e kongregacionit mund të kenë nevojë të pyesin për çështje personale me qëllim që të kryejnë detyrat që u janë caktuar. Në një rast të tillë, bashkëpunimi ynë për të thënë të vërtetën vlerësohet dhe ndihmon shumë.—1 Pjet. 5:2.
Të themi të vërtetën në familje
8. Pse pjesëtarët e familjes lidhen më shumë me njëri-tjetrin kur thonë të vërtetën?
8 Normalisht, lidhjen më të ngushtë e kemi me familjen. Për ta forcuar këtë lidhje, është jetësore t’i themi të vërtetën njëri-tjetrit. Shumë probleme dhe keqkuptime mund të pakësohen ose të zhduken duke qenë të hapur, të ndershëm dhe mirëdashës kur komunikojmë. Për shembull, kur bëjmë një gabim, a ngurrojmë ta pranojmë para bashkëshortit, fëmijëve ose pjesëtarëve të tjerë të familjes? Nëse kërkojmë sinqerisht falje, kjo nxit paqen dhe unitetin brenda familjes.—Lexo 1 Pjetrit 3:8-10.
9. Pse të thuash të vërtetën nuk është justifikim për të folur troç dhe pa takt?
9 Të themi të vërtetën, nuk do të thotë të flasim troç dhe pa takt. Nëse flasim kështu, nuk ia rritim vlerën vërtetësisë së fjalëve ose ndikimit të tyre. Pavli tha: «Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje, bashkë me çdo të keqe. Dhe bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht, ashtu si edhe Perëndia ju ka falur bujarisht nëpërmjet Krishtit.» (Efes. 4:31, 32) Kur flasim me dashamirësi dhe dinjitet, kjo ua rrit vlerën fjalëve tona dhe i nderon ata me të cilët po flasim.—Mat. 23:12.
Të themi të vërtetën në kongregacion
10. Ç’mund të mësojnë pleqtë e krishterë nga shembulli i shkëlqyer i Jezuit kur thoshte të vërtetën?
10 Jezui u foli dishepujve thjesht dhe hapur. Këshillat e tij ishin gjithmonë të dashura, e megjithatë, ai nuk e zbuste të vërtetën për të qetësuar ata që e dëgjonin. (Gjoni 15:9-12) Për shembull, kur apostujt debatonin shpesh se kush prej tyre ishte më i madhi, Jezui me vendosmëri, por me durim, i ndihmonte të kuptonin nevojën për të qenë të përulur. (Mar. 9:33-37; Luka 9:46-48; 22:24-27; Gjoni 13:14) Në mënyrë të ngjashme, pleqtë e krishterë sot, megjithëse qëndrojnë të vendosur në anën e drejtësisë, nuk sillen si zotër me kopenë e Perëndisë. (Mar. 10:42-44) Ata imitojnë Krishtin duke qenë «mirëdashës me njëri-tjetrin» dhe «zemërdhembshur» në marrëdhëniet me të tjerët.
11. Për çfarë duhet të na nxitë dashuria për vëllezërit në lidhje me mënyrën si e përdorim gjuhën?
11 Duke qenë të çiltër me vëllezërit, por pa qenë tepër të prerë, mund të shprehim atë që kemi në mendje, pa i fyer. Në fakt, nuk duam kurrë që gjuha jonë të jetë «e mprehtë si brisk», duke shkaktuar plagë të dhembshme me të folurit sharës ose poshtërues. (Psal. 52:2; Prov. 12:18) Dashuria për vëllezërit do të na nxitë ‘të ruajmë gjuhën nga e keqja, dhe buzët nga mashtrimi’. (Psal. 34:13) Në këtë mënyrë, nderojmë Perëndinë dhe nxitim unitetin në kongregacion.
12. Kur kërkohet një veprim gjyqësor ndaj dikujt që gënjen? Shpjegoni.
12 Pleqtë punojnë pa u lodhur për të mbrojtur kongregacionin nga ata që thonë gënjeshtra dashakeqe. (Lexo Jakovin 3:14-16.) Një gënjeshtër dashakeqe thuhet me synimin për t’i bërë keq dikujt, për ta bërë të vuajë në ndonjë mënyrë ose për ta shqetësuar. Përfshin më shumë se thënien e pohimeve me pak rëndësi që krijojnë përshtypje të gabuara ose zmadhimin e fakteve. Natyrisht, çdo gënjeshtër është e gabuar, por jo çdo rast kur nuk është thënë e vërteta kërkon një veprim gjyqësor. Prandaj, pleqtë duhet të përdorin drejtpeshim, arsyetueshmëri dhe gjykim të mirë për të vendosur nëse ndaj dikujt që ka thënë pohime të pavërteta, kërkohet një veprim gjyqësor—ngaqë e ka bërë zakon të gënjejë me keqdashje dhe në mënyrë të qëllimshme—apo nëse do të mjaftonte një këshillë nga Shkrimet e dhënë me vendosmëri dhe dashuri.
Të themi të vërtetën në marrëdhëniet e biznesit
13, 14. (a) Në ç’mënyrë disa nuk i thonë të vërtetën punëdhënësit të tyre? (b) Ç’rezultat mund të vijë nëse jemi të ndershëm dhe themi të vërtetën në punë?
13 Jetojmë në një kohë kur pandershmëria është shumë e përhapur, prandaj mund të jetë e vështirë t’i rezistojmë tundimit për të qenë jo shumë të ndershëm me një punëdhënës. Kur paraqitin kërkesën për një punë, shumë thonë gënjeshtra kokë e këmbë. Për shembull, mund të zmadhojnë të dhënat për përvojën ose arsimimin e tyre, me qëllim që të fitojnë një punë më të mirë a me pagë më të lartë. Nga ana tjetër, shumë të punësuar thonë se po punojnë kur në të vërtetë po merren me gjëra personale, ndonëse kjo është kundër rregullave të firmës. Ndoshta lexojnë materiale që nuk lidhen me punën e tyre, bëjnë telefonata personale, dërgojnë mesazhe elektronike personale ose bëjnë kërkime në Internet.
14 Të krishterët e vërtetë nuk mendojnë se ndershmëria dhe thënia e së vërtetës është çështje zgjedhjeje. (Lexo Proverbat 6:16-19.) Pavli tha: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.» (Hebr. 13:18) Prandaj, të krishterët punojnë vërtet gjatë gjithë ditës së punës për të cilën paguhen. (Efes. 6:5-8) Gjithashtu, nëse jemi punëtorë të ndërgjegjshëm, mund t’i sjellim lavdi Atit tonë qiellor. (1 Pjet. 2:12) Për shembull, punëdhënësi i Robertos në Spanjë e lavdëroi sepse ishte punëtor i ndershëm dhe i përgjegjshëm. Si rezultat i sjelljes së shkëlqyer të Robertos, firma punësoi Dëshmitarë të tjerë. Edhe këta punuan në mënyrë të shkëlqyer. Gjatë viteve, Robertoja u gjeti punë 23 vëllezërve dhe 8 vetave që studionin Biblën.
15. Si duhet të tregojë një biznesmen i krishterë se thotë të vërtetën?
15 Nëse jemi të vetëpunësuar, a themi të vërtetën në të gjitha marrëdhëniet tona të biznesit apo ndonjëherë nuk i themi të vërtetën të afërmit tonë? Një biznesmen i krishterë nuk duhet ta paraqitë tjetër për tjetër një produkt ose shërbim, me qëllim që të nxjerrë shpejt fitime, dhe as duhet të japë a të pranojë ryshfet. Duam t’i trajtojmë të tjerët ashtu si do të na pëlqente të na trajtonin ata.—Prov. 11:1; Luka 6:31.
T’u themi të vërtetën autoriteteve qeveritare
16. Çfarë u japin të krishterët (a) autoriteteve qeveritare? (b) Jehovait?
16 Jezui tha: «Paguajini pra, Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.» (Mat. 22:21) Për ç’lloj ‘gjërash’ i detyrohemi Cezarit, domethënë autoriteteve qeveritare? Kur Jezui tha këto fjalë, ishin duke diskutuar për taksat. Pra, për të mbajtur një ndërgjegje të pastër para Perëndisë dhe njerëzve, të krishterët u binden ligjeve të vendit ku jetojnë, përfshirë edhe ligjeve që kanë lidhje me pagimin e taksave. (Rom. 13:5, 6) Megjithatë, ne e pranojmë se Jehovai është Sovrani Suprem, i vetmi Perëndi i vërtetë, të cilin e duam me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë. (Mar. 12:30; Zbul. 4:11) Prandaj i nënshtrohemi pa rezerva Perëndisë Jehova.—Lexo Psalmin 86:11, 12.
17. Si e konsideron populli i Jehovait marrjen e ndihmës financiare nga qeveritë?
17 Shumë vende ofrojnë programe ose shërbime sociale për të ndihmuar ata që kanë nevojë për përkrahje materiale. Nuk ka asgjë të gabuar që një i krishterë të marrë një ndihmë të tillë—me kusht që të kualifikohet. T’i themi të vërtetën të afërmit, do të thotë të mos u japim autoriteteve qeveritare informacione të rreme ose që krijojnë përshtypje të gabuara, me qëllim që të marrim ndihmë financiare.
Bekimet kur themi të vërtetën
18-20. Ç’bekime vijnë kur i themi të vërtetën të afërmit?
18 Bekimet që vijnë kur themi të vërtetën janë të shumta. Mbajmë një ndërgjegje të pastër, e cila na jep paqe mendore dhe një zemër të qetë. (Prov. 14:30; Filip. 4:6, 7) Një ndërgjegje e pastër ka shumë vlerë në sytë e Perëndisë. Gjithashtu, kur themi të vërtetën në gjithçka, nuk kemi pse të shqetësohemi se mos na zbulojnë të tjerët.—1 Tim. 5:24.
19 Të shqyrtojmë një bekim tjetër. Pavli tha: «Në çdo mënyrë e rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë, . . . përmes fjalëve të vërteta.» (2 Kor. 6:4, 7) Kështu ndodhi në rastin e një Dëshmitari që jetonte në Britani. Ai donte t’i shiste makinën një personi dhe i përshkroi të gjitha anët e mira e të këqija të makinës, përfshirë edhe ato që nuk mund të shiheshin. Pasi bëri një provë me makinën, ai e pyeti vëllanë nëse ishte Dëshmitar i Jehovait. Pse arriti në këtë përfundim? Kishte vërejtur ndershmërinë e këtij vëllai, si edhe paraqitjen e tij të rregullt. Biseda që vijoi më pas, çoi në dhënien e një dëshmie të shkëlqyer.
20 A po i japim edhe ne lavdi Krijuesit duke qenë të ndershëm e duke thënë të vërtetën gjithnjë? Pavli tha: «Kemi hequr dorë nga gjërat që bëhen në fshehtësi, të cilat janë për të ardhur turp, dhe nuk ecim me dinakëri.» (2 Kor. 4:2) Prandaj, le të bëjmë çmos që t’i themi të vërtetën të afërmit! Kështu do t’i japim lavdi Atit tonë qiellor dhe popullit të tij.
Si do të përgjigjeshit?
• Kush është i afërmi ynë?
• Çfarë përfshin t’i themi të vërtetën të afërmit?
• Në ç’mënyrë i japim lavdi Perëndisë kur themi të vërtetën?
• Ç’bekime vijnë kur themi të vërtetën?
[Figura në faqen 17]
A i pranoni menjëherë gabimet e vogla?
[Figura në faqen 18]
A thoni të vërtetën kur paraqitni një kërkesë për punë?