PYETJE NGA LEXUESIT
Jezui u tha saducenjve se të ringjallurit «nuk do të martohen». (Luka 20:34-36) A e kishte fjalën për ringjalljen në tokë?
Kjo është pyetje e rëndësishme, sidomos për ata që u ka vdekur bashkëshorti i dashur. Mbase digjen nga dëshira për të qenë sërish të martuar me njëri-tjetrin në botën e re. Një i ve tha: «Unë dhe ime shoqe nuk vendosëm t’i jepnim fund martesës. Donim me gjithë zemër të vazhdonim ta adhuronim Jehovain së bashku përgjithmonë si burrë e grua. Dhe akoma ndihem kështu.» A ka ndonjë bazë për të shpresuar se në botën e re të ringjallurit do të kenë mundësi të martohen? Thjesht, nuk mund të japim një përgjigje të prerë.
Gjatë viteve, në botimet tona është shpjeguar se ka shumë të ngjarë që fjalët e Jezuit për ringjalljen dhe martesën të kishin lidhje me ata që do të ringjallen në tokë. Kështu dukej se të ringjallurit në botën e re nuk do të martoheshin.a (Mat. 22:29, 30; Mar. 12:24, 25; Luka 20:34-36) Edhe pse nuk mund të jemi dogmatikë, a mund ta kishte fjalën Jezui për ringjalljen në qiell? Le të shohim më nga afër çfarë tha ai.
Të mendojmë për rrethanat. (Lexo Lukën 20:27-33.) Saducenjtë, që nuk besonin te ringjallja, u orvatën ta zinin ngushtë Jezuin me një pyetje për ringjalljen dhe për martesën me kunatin.b Jezui iu përgjigj: «Fëmijët e këtij sistemi martohen, kurse ata që do të quhen të denjë për të fituar jetën në sistemin që do të vijë dhe për ringjalljen nga të vdekurit, nuk do të martohen. Ata as do të mund të vdesin më, sepse do të jenë si engjëjt. Ata do të jenë fëmijë të Perëndisë, sepse do të jenë fëmijë të ringjalljes.»—Luka 20:34-36.
Pse në botimet tona thuhej se ka të ngjarë që Jezui ta kishte fjalën për ringjalljen në tokë? Ky përfundim bazohet kryesisht në dy linja arsyetimi. Së pari, saducenjtë ka gjasa të kenë pasur ndër mend ringjalljen në tokë dhe Jezui mund t’u jetë përgjigjur në përputhje me arsyetimin e tyre. Së dyti, në fund të përgjigjes Jezui përmendi Abrahamin, Isakun dhe Jakobin, patriarkët besnikë që presin të ringjallen në tokë.—Luka 20:37, 38.
Megjithatë, ka mundësi që Jezui të kishte ndër mend ringjalljen në qiell. Ku e bazojmë këtë përfundim? Le të shohim dy shprehje kyçe.
«Ata që do të quhen të denjë për të fituar . . . ringjalljen nga të vdekurit.» Të mirosurit besnikë ‘quhen të denjë për mbretërinë e Perëndisë’. (2 Sel. 1:5, 11) Në bazë të shpërblesës, ata janë shpallur të drejtë për jetën, prandaj nuk vdesin të dënuar si mëkatarë. (Rom. 5:1, 18; 8:1) Quhen ‘të lum dhe të shenjtë’ dhe konsiderohen të denjë për ringjalljen në qiell. (Zbul. 20:5, 6) Ndryshe nga këta, mes atyre që ringjallen në tokë do të përfshihen edhe «të padrejtët». (Vep. 24:15) A mund të thuhet se këta të fundit «quhen të denjë» për t’u ringjallur?
«Ata as do të mund të vdesin më.» Jezui nuk tha: «Ata nuk do të vdesin më.» Përkundrazi, tha: «Ata as do të mund të vdesin më.» Versione të tjera e përkthejnë këtë shprehje «vdekja nuk mund t’i prekë më» dhe «vdekja nuk ushtron më fuqi mbi ta». Të mirosurit që e mbarojnë me besnikëri jetën e tyre në tokë, merren në qiell dhe u jepet pavdekësia—jeta e pafund dhe e pashkatërrueshme. (1 Kor. 15:53, 54) Vdekja nuk ushtron më fuqi mbi ata që ringjallen në qiell.c
Duke pasur parasysh gjithë këtë, ç’përfundim mund të nxjerrim? Ka mundësi që fjalët e Jezuit për martesën dhe ringjalljen të kenë lidhje me ringjalljen në qiell. Nëse po, fjalët e tij na japin disa hollësi për ata që do të përfundojnë në qiell: nuk martohen, nuk mund të vdesin e në disa aspekte janë si engjëjt—krijesa frymore që jetojnë në një botë të padukshme frymërash. Sidoqoftë, nga ky përfundim lindin disa pyetje.
Së pari, pse Jezui do t’u fliste saducenjve për ringjalljen në qiell, ndërkohë që ata duhet të kenë pasur ndër mend ringjalljen në tokë? Jezui nuk iu përgjigj gjithmonë kundërshtarëve sipas asaj që ata mendonin. Për shembull, kur judenjtë i kërkuan t’u tregonte një shenjë, ai u tha: «Shembeni këtë tempull dhe për tri ditë unë do ta ngre.» Ka gjasa që Jezui ta dinte se ata po mendonin për godinën e tempullit, «mirëpo me tempullin ai kishte ndër mend trupin e vet». (Gjoni 2:18-21) Pra, mbase Jezui mendonte se nuk kishte pse t’u përgjigjej saducenjve hipokritë, që nuk besonin as te ringjallja, as tek ekzistenca e engjëjve. (Prov. 23:9; Mat. 7:6; Vep. 23:8) Në vend të kësaj, ndoshta donte të përfitonte nga rasti t’u jepte disa të dhëna për ringjalljen në qiell dishepujve të tij të sinqertë, të cilët një ditë do të ringjalleshin në këtë mënyrë.
Së dyti, pse Jezui e mbylli bisedën duke përmendur Abrahamin, Isakun dhe Jakobin të cilët do të ringjallen në tokë? (Lexo Mateun 22:31, 32.) Vëre se Jezui përdori këto fjalë hyrëse për patriarkët: «Sa për ringjalljen e të vdekurve.» Kjo frazë kalimtare mund të lërë shteg për ta drejtuar vëmendjen te një temë tjetër. Atëherë, duke cituar nga shkrimet e Moisiut që saducenjtë gjoja i pranonin, Jezui përdori fjalët e Jehovait drejtuar Moisiut te kaçuba që digjej. Këtë e bëri për t’u dhënë prova shtesë se ringjallja këtu në tokë patjetër që është pjesë e qëllimit të Perëndisë.—Dal. 3:1-6.
Së treti, nëse fjalët e Jezuit për ringjalljen dhe martesën lidhen me ringjalljen në qiell, a do të thotë kjo se të ringjallurit këtu në tokë mund të martohen? Fjala e Perëndisë nuk flet drejtpërdrejt për këtë. Nëse Jezui po fliste vërtet për ringjalljen në qiell, fjalët e tij nuk sqarojnë gjë nëse të ringjallurit në tokë mund të martohen në botën e re.
Sidoqoftë, e dimë se Fjala e Perëndisë e thotë qartë se vdekja i jep fund martesës. Prandaj, një vejushë a një i ve nuk ka pse të ndihet në faj nëse vendos të martohet përsëri. Është një vendim krejt personal, dhe nuk duhet kritikuar ngaqë kërkon shoqërinë e ngrohtë të një bashkëshorti tjetër.—Rom. 7:2, 3; 1 Kor. 7:39.
Kuptohet, mund të kemi pyetje pa fund për jetën në botën e re. Në vend që të hamendemi kot së koti për përgjigjet, thjesht duhet të presim e të shohim. Por mund jemi të sigurt për këtë: të bindurit do të jenë të lumtur, sepse Jehovai do t’ua plotësojë të gjitha nevojat e dëshirat si s’ka më mirë.—Psal. 145:16.
a Shih Kullën e Rojës 1 qershor 1987, faqet 30-31, anglisht.
b Në kohët biblike, martesa me kunatin ishte një zakon sipas të cilit një burrë martohej me të venë e vëllait të vdekur e pa fëmijë, në mënyrë që t’i siguronte pasardhje.—Zan. 38:8; Ligj. 25:5, 6.
c Ata që do të ringjallen në tokë kanë mundësi të jetojnë përgjithmonë, por jo të jenë të pavdekshëm. Për të mësuar më shumë për ndryshimin mes pavdekësisë dhe jetës së përhershme, shih Kullën e Rojës 1 prill 1984, faqet 30-31, anglisht.