«Duaje Jehovain, Perëndinë tënd»
«Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.»—MAT. 22:37.
1. Pse Perëndisë dhe Birit të tij iu thellua dashuria për njëri-tjetrin?
BIRI i Jehovait, Jezu Krishti, deklaroi: «Unë e dua Atin.» (Gjoni 14:31) Ai tha edhe: «Ati e ka për zemër Birin.» (Gjoni 5:20) Kjo s’ka pse të na habitë. Në fund të fundit, Jezui ishte ‘kryemjeshtri’ i Perëndisë për epoka të tëra, para se të vinte në tokë si njeri. (Prov. 8:30) Teksa Jehovai dhe Jezui punonin bashkë, Biri mësoi shumë për cilësitë e të Atit dhe kishte arsye të pafundme që ta donte. Ç’është e vërteta, shoqëria e ngushtë ua thelloi dashurinë për njëri-tjetrin.
2. (a) Si ndihemi për dikë që e duam? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
2 Natyrisht, kur duam dikë, e kemi shumë për zemër. Psalmisti David këndoi: «Ty të kam në zemër, o Jehova, forca ime!» (Psal. 18:1) Kështu duhet të ndihemi për Perëndinë, sepse vetë ai na ka për zemër. Nëse i bindemi Jehovait, ai do të tregojë se na do. (Lexo Ligjin e përtërirë 7:12, 13.) Por, a mund ta duam vërtet Perëndinë, edhe pse nuk e shohim dot? Ç’do të thotë ta duam Jehovain? Pse duhet ta duam? Si mund ta tregojmë dashurinë për Perëndinë?
PSE NUK ËSHTË E PAMUNDUR TA DUAM PERËNDINË
3, 4. Pse mund ta duam Jehovain?
3 «Perëndia është Frymë», prandaj nuk ka si ta shohim. (Gjoni 4:24) Prapëseprapë, mund ta duam Jehovain, e madje Shkrimet na urdhërojnë ta shprehim dashurinë për të. Për shembull, Moisiu i tha popullit të Izraelit: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde.»—Ligj. 6:5.
4 Pse mund të ndiejmë dashuri të thellë për Perëndinë? Sepse ai na krijoi me nevojën që ta njohim dhe na dhuroi aftësinë të shprehim dashuri. Kur e plotësojmë siç duhet këtë nevojë, na shtohet dashuria për Jehovain dhe kemi një bazë të fortë për të qenë të lumtur. Jezui tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve!» (Mat. 5:3) Ja ç’është thënë për atë që konsiderohet dëshirë e lindur e njeriut për të adhuruar Zotin: «Duhet të mbetemi gojëhapur, të mahnitur e plot nderim kur shohim ç’përmasa universale ka kërkimi i njeriut për një qenie hyjnore si dhe besimi tek ajo.»—Man Does Not Stand Alone, nga A. K. Morisoni.
5. Nga e dimë se nuk është gjë e kotë të kërkojmë Perëndinë?
5 A është gjë e kotë të kërkojmë Perëndinë? Jo, sepse ai do që ta gjejmë. Këtë e bëri të qartë apostulli Pavël kur i dha dëshmi një grupi të mbledhur në Areopag. Nga ai vend shihej Partenoni—një tempull kushtuar Athinasë, perëndeshës mbrojtëse të Athinës së lashtë. Përfytyro sikur je atje ndërsa Pavli flet për Perëndinë «që bëri botën dhe gjithçka në të», e pastaj shpjegon se Ai «nuk banon në tempuj të bërë me dorë». Apostulli shton se «nga një njeri i vetëm ai [Perëndia] bëri të gjitha kombet, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut, dhe dekretoi kohët e caktuara dhe caqet për banimin e njerëzve, që të kërkojnë Perëndinë, madje me ngulm dhe ta gjejnë vërtet, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh». (Vep. 17:24-27) E pra, s’është e pamundur që njerëzit ta gjejnë Perëndinë. Mbi shtatë milionë e gjysmë Dëshmitarë të Jehovait ‘e kanë gjetur vërtet’, e madje e duan me gjithë shpirt.
Ç’DO TË THOTË TË DUAM PERËNDINË
6. Sipas Jezuit, cili ishte urdhërimi «i parë dhe më i madhi»?
6 Dashuria për Jehovain duhet të na burojë nga zemra. Jezui e tregoi qartë këtë kur një farise e pyeti: «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i Ligjit?» Jezui ia ktheu: «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi.»—Mat. 22:34-38.
7. Ç’do të thotë ta duam Perëndinë (a) ‘me gjithë zemër’? (b) ‘me gjithë shpirt’? (c) ‘me gjithë mendje’?
7 Ku donte të dilte Jezui kur tha se duhet ta duam Perëndinë ‘me gjithë zemër’? Donte të thoshte se duhet ta duam Jehovain me gjithë zemrën e figurshme, që përfshin dëshirat, ndjenjat dhe emocionet. Gjithashtu, duhet ta duam ‘me gjithë shpirt’, pra me tërë qenien dhe jetën tonë. Duhet ta duam Perëndinë edhe «me gjithë mendjen» ose krejt intelektin tonë. Në thelb, duhet ta duam Jehovain plotësisht, pa asnjë rezervë.
8. Për çfarë na nxit dashuria pa rezerva për Perëndinë?
8 Nëse e duam Perëndinë me gjithë zemër, shpirt e mendje, do ta studiojmë seriozisht Fjalën e tij, do t’u shërbejmë pa u kursyer qëllimeve të tij dhe do ta shpallim me zell lajmin e mirë për Mbretërinë. (Mat. 24:14; Rom. 12:1, 2) Dashuria e vërtetë për Jehovain do të na afrojë gjithnjë e më shumë me të. (Jak. 4:8) Natyrisht, nuk ka si t’i renditim në këtë artikull të gjitha arsyet pse duhet ta duam Perëndinë. Megjithatë, le të ndalemi te disa prej tyre.
PSE DUHET TA DUAM JEHOVAIN
9. Pse e duam Jehovain, Krijuesin dhe Siguruesin tonë?
9 Jehovai është Krijuesi dhe Siguruesi ynë. Pavli tha: «Falë tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë.» (Vep. 17:28) Jehovai na ka dhënë një shtëpi të paparë, tokën. (Psal. 115:16) Na siguron edhe ushqim e gjëra të tjera të domosdoshme për jetën. Ja pse Pavli u tha banorëve idhujtarë të Listrës: «Perëndia i gjallë . . . nuk e la veten pa dëshmi, sepse bëri mirë: ju solli shira nga qielli dhe stinë të frytshme, ju dha ushqim me bollëk dhe jua mbushi zemrat plot hare.» (Vep. 14:15-17) A nuk është kjo një arsye që ta duam Krijuesin tonë të Madh dhe Siguruesin e dashur?—Ekl. 12:1.
10. Si duhet të reagojmë ndaj masës së Perëndisë për të zhdukur mëkatin e vdekjen?
10 Perëndia ka marrë masa të zhduken mëkati dhe vdekja e trashëguar nga Adami. (Rom. 5:12) «Perëndia na e shfaq dashurinë e vet në atë që, kur ishim akoma mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» (Rom. 5:8) Sigurisht që na gufon zemra nga dashuria për Jehovain, sepse ai ka hapur rrugën të na falen mëkatet, po të pendohemi e të tregojmë besim te flijimi shpërblyes i Jezuit.—Gjoni 3:16.
11, 12. Në cilat mënyra na ka dhënë shpresë Jehovai?
11 Jehovai ‘jep shpresë që na mbush me gëzim e paqe’. (Rom. 15:13) Falë shpresës nga Perëndia, arrijmë t’u bëjmë ballë sprovave të besimit. Të mirosurve që tregohen ‘të besueshëm deri në vdekje, do t’u jepet kurora e jetës qiellore’. (Zbul. 2:10) Ata që mbajnë integritetin e që kanë shpresë tokësore do të gëzojnë bekime të përhershme në Parajsën e premtuar mbarëbotërore. (Luka 23:43) Si reagojmë natyrshëm kur mendojmë për këtë të ardhme? A nuk jemi plot gëzim, paqe, si edhe dashuri për Dhënësin e ‘çdo dhurate të mirë dhe të çdo gjëje të përsosur’?—Jak. 1:17.
12 Perëndia na ka dhënë shpresën e ringjalljes që na ngroh zemrën. (Vep. 24:15) S’diskutohet që hidhërohemi thellë kur na vdes një njeri i dashur, por falë perspektivës së ringjalljes ‘nuk pikëllohemi si të tjerët që nuk kanë asnjë shpresë’. (1 Sel. 4:13) Nga dashuria që ndien, Perëndia Jehova ka mall ose mezi pret t’i ringjallë të vdekurit, sidomos besnikët si Jobi i drejtë. (Jobi 14:15) Përfytyro bashkimet e hareshme kur të mirëpresim këtu në tokë ata që do të kthehen në jetë. Kemi një det me dashuri për Atin tonë qiellor, që na ka dhënë shpresën e mrekullueshme të ringjalljes.
13. Ç’prova ka se Perëndia interesohet vërtet për ne?
13 Jehovai interesohet vërtet për ne. (Lexo Psalmin 34:6, 18, 19; 1 Pjetrit 5:6, 7.) E dimë se Perëndia ynë i dashur është gjithnjë gati t’i ndihmojë besnikët e vet, prandaj ndihemi të sigurt si pjesë ‘e kopesë së kullotës së tij’. (Psal. 79:13) Dashuria e Perëndisë për ne do të duket edhe më qartë kur Mbretëria mesianike të na sjellë gjithë ato të mira. Pasi Mbreti që ai ka zgjedhur, Jezu Krishti, të zhdukë nga toka dhunën, shtypjen dhe ligësinë, njerëzit e bindur do të bekohen me begati e paqe të përhershme. (Psal. 72:7, 12-14, 16) A nuk na jep arsye kjo perspektivë për ta dashur me gjithë zemër, shpirt, forcë e mendje Perëndinë tonë të dhembshur?—Luka 10:27.
14. Me cilin privilegj të rrallë na ka nderuar Perëndia?
14 Jehovai na ka nderuar me privilegjin e rrallë që të shërbejmë si Dëshmitarë të tij. (Isa. 43:10-12) Ai na ka dhënë mundësinë të përkrahim sovranitetin e tij dhe t’u japim shpresë të vërtetë njerëzve në këtë botë të mbytur në halle, prandaj e duam shumë. Madje, flasim me besim e bindje, sepse shpallim një lajm të mirë që bazohet në Fjalën e Perëndisë së vërtetë. Premtimet e tij shpresëdhënëse nuk dalin kurrë bosh. (Lexo Josiun 21:45; 23:14.) Pa dyshim, s’ka të mbaruar numri i bekimeve dhe i arsyeve për ta dashur Jehovain. Por, si ta tregojmë dashurinë për të?
SI TA TREGOJMË DASHURINË PËR PERËNDINË
15. Si na ndihmon studimi dhe zbatimi i Fjalës së Perëndisë?
15 Ta studiojmë seriozisht Fjalën e Perëndisë dhe ta zbatojmë. Kështu tregojmë se e duam Jehovain dhe dëshirojmë me gjithë zemër që fjala e tij të jetë ‘dritë për shtegun tonë’. (Psal. 119:105) Nëse jemi në ankth, mund të na ngushëllojnë shprehje të dashura e siguruese si këto: «Zemrën e vrarë dhe të dërrmuar ti nuk do ta përbuzësh, o Perëndi.» «Dashamirësia jote, o Jehova, më mbajti. Kur pata përbrenda shumë mendime turbulluese, ngushëllimet e tua nisën të ma ledhatonin shpirtin.» (Psal. 51:17; 94:18, 19) Ashtu si Jehovai u tregon mëshirë atyre që vuajnë, edhe Jezuit i vjen keq për njerëzit. (Isa. 49:13; Mat. 15:32) Kur e studiojmë seriozisht Biblën, e ndiejmë aq fort merakun e dashur të Jehovait, sa na vjen natyrshëm ta duam me gjithë shpirt.
16. Si na e shtojnë dashurinë për Perëndinë lutjet e rregullta?
16 T’i lutemi rregullisht Perëndisë. Lutjet na afrojnë gjithnjë e më shumë me ‘Dëgjuesin e lutjes’. (Psal. 65:2) Kur dallojmë se Perëndia u përgjigjet lutjeve tona, na thellohet dashuria për të. Për shembull, mbase kemi provuar se ai nuk lejon të tundohemi përtej asaj që mund të mbajmë. (1 Kor. 10:13) Nëse kemi ankth dhe i përgjërohemi me zjarr Jehovait, mund të përjetojmë ‘paqen e Perëndisë’ që s’ka të krahasuar. (Filip. 4:6, 7) Nganjëherë mund të lutemi në heshtje, si Nehemia, dhe të ndiejmë se lutja jonë po merr përgjigje. (Neh. 2:1-6) Ndërsa ‘ngulmojmë në lutje’ dhe dallojmë se Jehovai u përgjigjet kërkesave tona, na shtohet dashuria për të, si dhe siguria se do të na ndihmojë të kapërcejmë sprova të tjera besimi.—Rom. 12:12.
17. Nëse e duam Perëndinë, si do ta shohim pjesëmarrjen në mbledhje?
17 Ta bëjmë zakon të ndjekim mbledhjet, asambletë e kongreset. (Hebr. 10:24, 25) Izraelitët mblidheshin që të dëgjonin e të mësonin për Jehovain, me qëllim që të ndienin nderim të thellë për të e të zbatonin Ligjin e tij. (Ligj. 31:12) Nëse e duam vërtet Perëndinë, nuk është ndonjë barrë të bëjmë vullnetin e tij. (Lexo 1 Gjonit 5:3.) Prandaj, të mos lejojmë asgjë të na shtyjë ta shohim si gjë të vogël pjesëmarrjen në mbledhje. Kurrsesi nuk duam të na zbehet dashuria që kishim në fillim për Jehovain.—Zbul. 2:4.
18. Për çfarë na nxit dashuria për Perëndinë?
18 T’u shpallim me zell të tjerëve ‘të vërtetën e lajmit të mirë’. (Gal. 2:5) Dashuria për Perëndinë na nxit të flasim për Mbretërinë mesianike të Birit të tij të shtrenjtë, i cili ‘do të kalërojë në mbrojtje të së vërtetës’ në Harmagedon. (Psal. 45:4; Zbul. 16:14, 16) Ç’gëzim ndiejmë kur i bindemi urdhrit për të bërë dishepuj e i ndihmojmë njerëzit të mësojnë për dashurinë e Perëndisë dhe për botën e re që ka premtuar!—Mat. 28:19, 20.
19. Pse duhet të jemi mirënjohës për masën që ka marrë Jehovai për të kullotur kopenë e tij?
19 Të tregojmë mirënjohje për masën që ka marrë Perëndia për të kullotur kopenë e tij. (Vep. 20:28) Pleqtë në kongregacion janë një dhuratë nga Jehovai, i cili vepron gjithnjë për të mirën tonë. Ata janë «si një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur nga shtrëngata, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkrepi të madh në një tokë të shkretë». (Isa. 32:1, 2) Sa mirë është kur kemi një strehë që na mbron nga thëllimi ose nga rrebeshi i ftohtë! Kur na godet dielli zhuritës, jemi mirënjohës për hijen e ndonjë shkrepi. Nga këto figura letrare kuptojmë se pleqtë na sigurojnë ndihmën dhe freskimin e nevojshëm frymor. Bindja ndaj atyre që marrin drejtimin tregon sa mirënjohës jemi për këto «dhurata në njerëz». Është edhe provë e dashurisë për Perëndinë e Krishtin, Kreun e kongregacionit.—Efes. 4:8; 5:23; Hebr. 13:17.
TË RRITIM DITA-DITËS DASHURINË PËR PERËNDINË
20. Nëse e duam Perëndinë, si do të ndikojë te ne Jakovi 1:22-25?
20 Nëse ke një marrëdhënie të ngrohtë me Jehovain, do të jesh ‘zbatues i fjalës dhe jo vetëm dëgjues’. (Lexo Jakovin 1:22-25.) Kush është «zbatues» e shpreh besimin me vepra të tilla, si predikimi i zellshëm dhe pjesëmarrja në mbledhjet e krishtere. Ngaqë e duam vërtet Jehovain, i bindemi ‘ligjit të tij të përsosur’, i cili përfshin gjithçka që kërkon nga ne.—Psal. 19:7-11.
21. Me çfarë mund të krahasohen lutjet nga zemra?
21 Kur e do Perëndinë Jehova, të vjen t’ia zbrazësh zemrën shpesh në lutje. Duke iu referuar shkarazi djegies së përditshme të temjanit sipas besëlidhjes së Ligjit, psalmisti David këndoi: «Lutja ime qoftë e përgatitur si temjan para teje [o Jehova], duart e ngritura për t’u lutur, si blatimi në drithë i mbrëmjes!» (Psal. 141:2; Dal. 30:7, 8) Kërkesat e tua të përulura, përgjërimet e zjarrta, lëvdimet e falënderimet nga zemra për Perëndinë, qofshin si temjan erëmirë, që simbolizon lutjet e pranueshme!—Zbul. 5:8.
22. Për ç’lloj dashurie do të flasim në artikullin tjetër?
22 Jezui tha se duhet të duam Perëndinë dhe të afërmin. (Mat. 22:37-39) Në artikullin tjetër do ta shqyrtojmë më tej këtë cilësi. Siç do ta shohim, dashuria për Jehovain e parimet e tij do të na ndihmojë të komunikojmë si duhet me të tjerët dhe të tregojmë dashuri për të afërmin.