Çfarë do të thotë të duam të afërmin?
«Duaje të afërmin tënd si veten.»—MATEU 22:39.
1. Si e tregojmë se e duam Perëndinë?
ÇFARË kërkon Jehovai nga ata që e adhurojnë? Jezui e përmblodhi përgjigjen me pak fjalë të thjeshta, por domethënëse. Ai tha se urdhërimi më i madh është që të duam Jehovain me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë. (Mateu 22:37; Marku 12:30) Siç kemi parë në artikullin e mëparshëm, dashuria për Perëndinë përfshin t’i bindemi atij dhe të zbatojmë urdhërimet e tij si përgjigje për dashurinë që ai ka treguar për ne. Për ata që e duan Perëndinë, të bëjnë vullnetin e tij nuk është një barrë, por u sjell kënaqësi.—Psalmi 40:8; 1 Gjonit 5:2, 3.
2, 3. Pse duhet t’i kushtojmë vëmendje urdhërimit për të dashur të afërmin dhe cilat pyetje ngrihen?
2 Jezui tha se urdhërimi i dytë më i madh lidhet me të parin dhe është: «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Mateu 22:39) Tani, për arsye të vlefshme, do t’i kushtojmë vëmendje këtij urdhërimi. Kohët në të cilat jetojmë karakterizohen nga një dashuri egoiste dhe e shtrembëruar. Në përshkrimin që bëri për «ditët e fundit», apostulli Pavël shkroi se njerëzit nuk do të donin njëri-tjetrin, por veten, paratë dhe kënaqësitë. Shumica e njerëzve nuk do të kishte «përzemërsi të natyrshme», ose siç thuhet në një përkthim tjetër të Biblës, ata ‘nuk do të kishin përzemërsi normale për familjet e tyre’. (2 Timoteut 3:1-4) Jezu Krishti paratha: «Shumë veta . . . do të tradhtojnë dhe do të urrejnë njëri-tjetrin. . . . Dashuria e shumicës do të ftohet.»—Mateu 24:10, 12.
3 Vër re megjithatë se Jezui nuk tha se dashuria e të gjithë njerëzve do të ftohej. Ka pasur dhe do të ketë gjithmonë njerëz që tregojnë atë lloj dashurie që Jehovai kërkon dhe meriton. Ata që e duan vërtet Jehovain do të përpiqen t’i shohin të tjerët siç i sheh ai. Por, kush është i afërmi që duhet të duam? Si duhet ta tregojmë dashurinë ndaj të afërmit? Shkrimet mund të na ndihmojnë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve të rëndësishme.
Kush është i afërmi im?
4. Sipas kapitullit të 19-të të Levitikut, ndaj cilëve duhej të tregonin dashuri judenjtë?
4 Kur u tha farisenjve se urdhërimi i dytë më i madh ishte që ta donin të afërmin si veten, Jezui po përmendte një ligj specifik që i ishte dhënë Izraelit. Ai është dokumentuar te Levitiku 19:18. Në të njëjtin kapitull judenjve u ishte thënë se ata duhej t’i shihnin edhe të tjerët si të afërmit e tyre, e jo vetëm bashkëkombësit. Në vargun 34 thuhet: «Ai që banon si i ardhur mes jush, duhet të jetë njësoj si vendësit. Duajeni si veten, sepse edhe ju ishit të huaj në Egjipt.» Pra, edhe johebrenjtë, sidomos prozelitët, duheshin trajtuar me dashuri.
5. Si e kuptonin judenjtë dashurinë për të afërmin?
5 Megjithatë, udhëheqësit judenj të ditëve të Jezuit i shihnin gjërat ndryshe. Disa mësonin se fjalët «mik» dhe «i afërm» zbatoheshin vetëm për judenjtë. Johebrenjtë duheshin urryer. Këta mësues arsyetonin se njerëzit që adhuronin Perëndinë duhej t’i përbuznin ata që nuk e adhuronin atë. Siç thotë një vepër referimi, «në një atmosferë të tillë ishte e pamundur që të shuhej urrejtja. Kishte shumë gjëra që mund ta ndiznin atë».
6. Cilat janë dy pikat që theksoi Jezui kur foli për dashurinë për të afërmin?
6 Në Predikimin në Mal, Jezui trajtoi këtë temë duke treguar se cilët duheshin trajtuar me dashuri. Ai tha: «Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Duaje të afërmin dhe urreje armikun.’ Megjithatë, unë po ju them: vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin, që të jeni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët.» (Mateu 5:43-45) Këtu Jezui theksoi dy pika. Së pari, Jehovai është bujar dhe mirëdashës ndaj të mirëve dhe të këqinjve. Së dyti, ne duhet të ndjekim shembullin e tij.
7. Ç’mësim nxjerrim nga ilustrimi për samaritanin e mirë?
7 Në një rast tjetër një jude që e njihte mirë Ligjin e pyeti Jezuin: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» Jezui iu përgjigj me një ilustrim që fliste për një samaritan i cili pa një njeri, një jude që e kishin sulmuar kusarët dhe i kishin vjedhur gjërat që kishte. Megjithëse judenjtë në përgjithësi i përbuznin samaritanët, ky samaritan ia mjekoi plagët dhe e çoi në një han që të merrte veten. Cili është mësimi? Dashuria jonë për të afërmin duhet të shtrihet edhe ndaj njerëzve që nuk janë të racës, kombësisë ose të fesë sonë.—Luka 10:25, 29, 30, 33-37.
Çfarë do të thotë të duam të afërmin?
8. Çfarë thuhet te kapitulli i 19-të i Levitikut se si duhej treguar dashuria?
8 Dashuria për të afërmin, ashtu si dashuria për Perëndinë, nuk është thjesht një ndjenjë; ajo përfshin veprime. Është e dobishme të shqyrtojmë më tej kontekstin e urdhrit që ndodhet te kapitulli i 19-të i Levitikut, i cili i bën thirrje popullit të Perëndisë që ta dojë të afërmin si veten. Aty lexojmë se izraelitët duhej t’i linin të varfrit dhe të ardhurit që të mblidhnin nga të vjelat e tyre. Nuk lejohej të vidhnin, të mashtronin ose të vepronin pabesisht ndaj të tjerëve. Në çështjet gjyqësore izraelitët nuk duhej të mbanin anën. Edhe pse duhej të jepnin qortim kur nevojitej, atyre u ishte thënë në mënyrë specifike: «Mos e urre vëllanë në zemrën tënde.» Këto dhe shumë urdhërime të tjera përmblidheshin me këto fjalë: «Duaje tjetrin si veten.»—Levitiku 19:9-11, 15, 17, 18.
9. Pse Jehovai i urdhëroi izraelitët që të qëndronin të ndarë nga kombet e tjera?
9 Ndërkohë që izraelitët duhej të tregonin dashuri ndaj të tjerëve, duhej edhe që të qëndronin të ndarë nga ata njerëz që adhuronin perëndi të rreme. Jehovai i paralajmëroi për rreziqet dhe pasojat e shoqërive të këqija. Për shembull, në lidhje me kombet që izraelitët duhej t’u merrnin pronat, Jehovai urdhëroi: «Mos lidh krushqi me ta. Bijat e tua mos ua jep bijve të tyre dhe bijat e tyre mos i merr për bijtë e tu, sepse do t’i largonin bijtë e tu nga unë dhe ata do t’u shërbenin perëndive të tjera. Atëherë Jehovait do t’i ndizej zemërimi kundër jush.»—Ligji i përtërirë 7:3, 4.
10. Ndaj cilës gjë duhet të ruhemi?
10 Po kështu, të krishterët ruhen që të mos lidhen ngushtë me ata që mund t’ua dobësojnë besimin. (1 Korintasve 15:33) Na jepet kjo këshillë: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët», pra, me ata që nuk bëjnë pjesë në kongregacionin e krishterë. (2 Korintasve 6:14) Gjithashtu të krishterët këshillohen të martohen «vetëm në Zotërinë». (1 Korintasve 7:39) Gjithsesi, kurrë nuk duhet t’i përbuzim ata që nuk kanë besim te Jehovai ashtu si ne. Krishti vdiq për mëkatarët, dhe shumë veta që dikur praktikonin gjëra të liga ndryshuan sjellje dhe u pajtuan me Perëndinë.—Romakëve 5:8; 1 Korintasve 6:9-11.
11. Cila është mënyra më e mirë për të treguar dashuri ndaj atyre që nuk i shërbejnë Jehovait dhe pse?
11 Për të treguar dashuri ndaj atyre që nuk i shërbejnë Perëndisë, nuk ka mënyrë më të mirë sesa të imitojmë vetë Jehovain. Edhe pse e urren ligësinë, ai tregon dashamirësi ndaj të gjithëve duke u dhënë mundësinë që të kthehen nga rrugët e tyre të këqija dhe të marrin jetën e përhershme. (Ezekieli 18:23) Jehovai «dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin». (2 Pjetrit 3:9) Vullneti i tij është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Timoteut 2:4) Ja pse Jezui u ngarkoi ithtarëve të tij detyrën që të predikonin, të mësonin dhe ‘të bënin dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’. (Mateu 28:19, 20) Duke marrë pjesë në këtë vepër, tregojmë dashuri për Perëndinë dhe për të afërmin, po, madje edhe për armiqtë tanë.
Dashuri për vëllezërit tanë të krishterë
12. Çfarë shkroi apostulli Gjon për dashurinë tonë ndaj vëllezërve?
12 Apostulli Pavël shkroi: «Le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.» (Galatasve 6:10) Si të krishterë, kemi detyrimin që t’u tregojmë dashuri atyre që janë të lidhur me ne në besim, pra, vëllezërve dhe motrave tona frymore. Sa e rëndësishme është kjo dashuri? Duke theksuar këtë pikë të fuqishme, apostulli Gjon shkroi: «Kush urren vëllanë e tij është vrasës. . . . Nëse ndokush thotë: ‘Unë e dua Perëndinë’, mirëpo urren vëllanë e tij, ai është gënjeshtar. Sepse ai që nuk do vëllanë e tij, të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e sheh.» (1 Gjonit 3:15; 4:20) Këto janë fjalë të forta. Jezu Krishti i përdori termat «vrasës» dhe «gënjeshtar» për Satana Djallin. (Gjoni 8:44) Kurrë nuk do të donim që këto terma të përdoreshin edhe për ne!
13. Në cilat mënyra mund të tregojmë dashuri për bashkëbesimtarët?
13 Të krishterët e vërtetë janë ‘mësuar nga Perëndia që ta duan njëri-tjetrin’. (1 Selanikasve 4:9) Ne nuk duhet të duam «veç me fjalë e me gjuhë, por me vepra e të vërtetë». (1 Gjonit 3:18) Dashuria jonë duhet të jetë «pa hipokrizi». (Romakëve 12:9) Dashuria na nxit që të jemi mirëdashës, të dhembshur, falës, shpirtgjerë dhe të mos jemi xhelozë, mburravecë, arrogantë ose egoistë. (1 Korintasve 13:4, 5; Efesianëve 4:32) Ajo na nxit që ‘t’i shërbejmë si skllevër njëri-tjetrit’. (Galatasve 5:13) Jezui u tha dishepujve që ta donin njëri-tjetrin ashtu siç i donte ai. (Gjoni 13:34) Prandaj një i krishterë duhet të jetë i gatshëm që të japë edhe jetën për bashkëbesimtarët, kur është e nevojshme.
14. Si mund të tregojmë dashuri brenda familjes?
14 Sidomos dashuria duhet të shfaqet brenda familjes së krishterë, dhe veçanërisht midis burrit e gruas. Kaq e ngushtë është lidhja martesore, sa Pavli tha: «Burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre.» Ai tha më tej: «Ai që do gruan e tij, do veten.» (Efesianëve 5:28) Vërejmë se Pavli e përsërit këtë këshillë pesë vargje më pas. Burri që e do gruan e vet nuk do të imitojë izraelitët e ditëve të Malakisë që vepronin pabesisht me bashkëshorten e tyre. (Malakia 2:14) Ai do ta ketë për zemër atë. Do ta dojë ashtu si Krishti deshi kongregacionin. Po ashtu, dashuria do ta nxitë një grua që ta respektojë burrin.—Efesianëve 5:25, 29-33.
15. Për çfarë u nxitën disa që të thoshin e të bënin kur vërejtën dashurinë vëllazërore në veprim?
15 Është e qartë se kjo lloj dashurie është shenja dalluese e të krishterëve të vërtetë. Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Dashuria që kemi për njëri-tjetrin i tërheq njerëzit drejt Perëndisë që e duam dhe përfaqësojmë. Për shembull, nga Mozambiku vjen ky raport për një familje Dëshmitarësh. «S’kishim parë ndonjëherë një gjë të tillë. Një pasdite filloi të frynte një erë e furishme dhe më pas nisi një shi i fortë e breshër. Erërat e forta na e shkatërruan shtëpinë me kallama dhe çatia me fleta llamarinash fluturoi tutje. Kur vëllezër nga kongregacionet fqinjë erdhën dhe na ndihmuan që të rindërtonim shtëpinë, fqinjët tanë thanë të habitur: ‘Feja juaj është shumë e mirë. Ne s’na ka ndihmuar kurrë kisha jonë siç bëtë ju.’ Ne hapëm Biblën dhe u treguam Gjonin 13:34, 35. Shumë prej fqinjëve tanë tani po studiojnë Biblën.»
Dashuri për individët
16. Cili është ndryshimi mes dashurisë për të afërmit si grup dhe dashurisë për të afërmit si individë?
16 Nuk është e vështirë t’i duam të afërmit tanë si grup. Por dashuria për të afërmit si individë mund të jetë një gjë tjetër. Për shembull, dashuria e disa njerëzve për të afërmin nuk është veçse një kontribut që i jepet ndonjë organizate bamirëse. Në të vërtetë është shumë më e lehtë të themi se e duam të afërmin, sesa të duam konkretisht një koleg pune që duket se nuk do t’ia dijë për ne, një individ të pakëndshëm që banon pranë nesh ose një mik që na zhgënjen.
17, 18. Si tregoi Jezui dashuri për individët dhe me cilin motiv veproi kështu?
17 Në lidhje me dashurinë për individët mësojmë nga Jezui i cili pasqyroi në mënyrë të përsosur cilësitë e Perëndisë. Ndonëse erdhi në tokë për të hequr mëkatin e botës, ai tregoi dashuri për individët: një grua e sëmurë, një i lebrosur, një fëmijë. (Mateu 9:20-22; Marku 1:40-42; 7:26, 29, 30; Gjoni 1:29) Po kështu edhe ne e tregojmë dashurinë për të afërmin me mënyrën si sillemi me individët që takojmë çdo ditë.
18 Megjithatë, nuk duhet të harrojmë kurrë se dashuria për të afërmin lidhet me dashurinë për Perëndinë. Edhe pse Jezui i ndihmoi të varfrit, shëroi të sëmurët dhe ushqeu të uriturit, motivi pse i bëri tërë këto gjëra dhe i mësoi turmat me njerëz ishte që t’i ndihmonte njerëzit që të pajtoheshin me Jehovain. (2 Korintasve 5:19) Jezui bëri gjithçka për lavdi të Perëndisë, duke mos harruar asnjëherë se përfaqësonte dhe pasqyronte Perëndinë që donte. (1 Korintasve 10:31) Duke imituar shembullin e Jezuit, edhe ne mund të tregojmë dashuri të vërtetë për të afërmin e në të njëjtën kohë të mos jemi pjesë e kësaj bote të ligë.
Si e duam të afërmin si veten?
19, 20. Çfarë do të thotë të duam të afërmin si veten?
19 Jezui tha: «Duaje të afërmin tënd si veten.» Është normale të kujdesemi dhe të kemi në një masë të arsyeshme respekt për veten. Po të mos ishte kështu, ky urdhërim nuk do të kishte shumë kuptim. Kjo dashuri e përshtatshme për veten nuk duhet ngatërruar me dashurinë egoiste që përmend apostulli Pavël te 2 Timoteut 3:2. Përkundrazi është një vlerësim i arsyeshëm për veten. Një studiues biblik e përshkroi atë si «një dashuri të ekuilibruar për veten e cila nuk të shtyn të thuash ‘unë jam më i miri’ dhe as ‘unë jam kot fare’».
20 Të duam të tjerët si veten do të thotë që t’i shohim të tjerët ashtu si duam që ata të na shohin dhe t’i trajtojmë ashtu si do të donim të na trajtonin. Jezui tha: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12) Vër re se Jezui nuk tha që të vazhdojmë të bluajmë në mendje atë që na kanë bërë të tjerët në të kaluarën, e pastaj t’ua kthejmë me të njëjtën monedhë. Përkundrazi, duhet të mendojmë se si do të donim që të na trajtonin, dhe më pas të veprojmë në këtë mënyrë. Vër re gjithashtu se Jezui nuk i kufizoi fjalët e tij vetëm për miqtë dhe vëllezërit. Ai përdori fjalën «të tjerët», ndoshta për të treguar që ne duhet të sillemi në këtë mënyrë ndaj të gjithë njerëzve, ndaj kujtdo që takojmë.
21. Çfarë tregojmë duke shfaqur dashuri ndaj të tjerëve?
21 Dashuria për të afërmin do të na mbrojë që të mos bëjmë atë që është e keqe. Apostulli Pavël shkroi: «Kodi ligjor: ‘Mos kryej kurorëshkelje, mos vrit, mos vidh, mos lakmo’ dhe çdo urdhërim tjetër, përmblidhet në këto fjalë: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’ Dashuria nuk i bën keq të afërmit.» (Romakëve 13:9, 10) Dashuria do të na shtyjë të kërkojmë mënyra për t’u bërë mirë të tjerëve. Duke dashur të tjerët, tregojmë se duam edhe atë që e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së Tij, pra, Perëndinë Jehova.—Zanafilla 1:26.
Si do të përgjigjeshe?
• Ndaj kujt duhet të tregojmë dashuri dhe pse?
• Si mund të tregojmë dashuri ndaj atyre që nuk i shërbejnë Jehovait?
• Si e përshkruan Bibla dashurinë që duhet të kemi për vëllezërit?
• Çfarë do të thotë të duam të afërmin si veten?
[Figura në faqen 26]
«Kush është në të vërtetë i afërmi im?»
[Figura në faqen 29]
Dashuria e Jezuit shtrihet ndaj individëve