KAPITULLI DHJETË
«Është shkruar»
1-3. Cilën të vërtetë të rëndësishme dëshironte Jezui të kuptonin banorët e Nazaretit dhe si e bëri këtë?
ISHIN ditët e para të shërbimit të tij, dhe Jezui ishte kthyer në Nazaret, qyteti ku ishte rritur. Synimi i tij ishte t’i ndihmonte njerëzit të kuptonin një të vërtetë të rëndësishme: ai ishte Mesia i parathënë prej shumë kohësh! Si e bëri këtë?
2 Pa dyshim, shumë veta prisnin që Jezui të bënte ndonjë mrekulli, sepse kishin dëgjuar për veprat mahnitëse që kishte kryer. Por ai nuk bëri asgjë të tillë. Në vend të kësaj, atë ditë shkoi në sinagogë, siç e kishte zakon. Pasi u ngrit të lexonte, i kaluan rrotullën e Isaisë. Meqë rrotulla ishte e gjatë, e kishin mbështjellë në 2 shkopinj. Prandaj Jezui e çmbështolli me kujdes, derisa gjeti fragmentin që po kërkonte dhe filloi të lexonte me zë pjesën që sot është Isaia 61:1-3.—Luka 4:16-19.
3 Patjetër që auditori e njihte mirë këtë fragment. Ishte një profeci për Mesinë. Të gjithë ia ngulën sytë Jezuit, dhe në sinagogë ra heshtja. Atëherë ai nisi t’ua shpjegonte pjesën që lexoi, ndoshta duke përfshirë edhe detaje të mëtejshme. Ndër të tjera, Jezui tha: «Sot, ky shkrim që sapo dëgjuat, u përmbush.» Auditori u mrekullua nga fjalët e tij plot hir, por, me sa duket, shumë veta ende donin të shihnin ndonjë mrekulli. Në vend të kësaj, me guxim Jezui përdori një shembull nga Shkrimet për të nxjerrë në pah se u mungonte besimi. Sapo e dëgjuan këtë, banorët e Nazaretit u orvatën ta vrisnin!—Luka 4:20-30.
4. Cilin model vendosi Jezui gjatë gjithë shërbimit të tij dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë kapitull?
4 Në atë rast, Jezui vendosi modelin që ndoqi gjatë gjithë shërbimit. Ai u mbështet plotësisht te Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Edhe pse mrekullitë e tij kishin goxha rëndësi, ngaqë tregonin se kishte frymën e Perëndisë, për Jezuin, asgjë tjetër s’kishte më shumë vlerë se Shkrimet e Shenjta. Le të shqyrtojmë shembullin që la Zotëria ynë në lidhje me këtë, kur citoi nga Fjala e Perëndisë, e mbrojti dhe e shpjegoi atë.
Citoi nga Fjala e Perëndisë
5. Çfarë donte Jezui që të dinin dëgjuesit e tij dhe si e tregoi se mesazhi i tij vinte nga Perëndia?
5 Jezui donte që njerëzit ta dinin nga vinte mesazhi i tij. Ai theksoi: «Ajo që mësoj, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi.» (Gjoni 7:16) Në një rast tjetër, tha: «Nuk bëj asgjë me nismën time, por i them këto gjëra ashtu si më mësoi Ati.» (Gjoni 8:28) Gjithashtu, pohoi: «Gjërat që ju them, nuk i them nga vetja, por Ati, i cili qëndron në unitet me mua, po bën veprat e tij nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:10) Një mënyrë si e tregoi Jezui se mesazhi i tij vinte nga Jehovai, ishte duke cituar vazhdimisht nga Fjala e shkruar e Perëndisë.
6, 7. (a) Deri në ç’masë citoi Jezui nga Shkrimet Hebraike dhe pse kjo është mbresëlënëse? (b) Si ndryshonin mësimet e Jezuit nga ato të skribëve?
6 Duke studiuar me kujdes fjalët e dokumentuara të Jezuit, zbulojmë se ai citoi drejtpërdrejt ose përmendi tërthorazi nga më shumë se gjysma e librave të Shkrimeve Hebraike. Në pamje të parë, kjo mund të mos duket dhe aq mbresëlënëse. Mbase të habit fakti që Jezui nuk citoi nga të gjithë librat e frymëzuar që ishin në atë kohë, edhe pse mësoi e predikoi për tre vjet e gjysmë. E vërteta është që ai edhe mund ta ketë bërë këtë sepse, siç e dimë, është dokumentuar vetëm një pjesë e vogël e fjalëve dhe e veprave të Jezuit. (Gjoni 21:25) Madje, po t’i lexosh me zë fjalët e dokumentuara të tij, mund t’i mbarosh të gjitha vetëm brenda pak orësh. Nga ana tjetër, imagjino sikur të të duhet të flasësh vetëm për pak orë rreth Perëndisë dhe Mbretërisë së tij. A do të arrije të citoje më shumë se gjysmën e librave të Shkrimeve Hebraike? Për më tepër, në shumicën e rasteve, Jezui as nuk kishte rrotulla në dispozicion. Gjatë Predikimit të famshëm në Mal, ai përmendi drejtpërdrejt ose tërthorazi me dhjetëra referime nga Shkrimet Hebraike—të gjitha përmendsh!
7 Nga citimet e Jezuit kuptojmë se kishte respekt të thellë për Fjalën e Perëndisë. Dëgjuesit e tij «mahniteshin me mënyrën si mësonte, sepse ai mësonte si njeri me autoritet e jo si skribët». (Marku 1:22) Kur mësonin popullin, skribët kishin qejf të përmendnin atë që e quanin ligj gojor, duke cituar rabinë të shquar të së kaluarës. Ndërsa Jezui nuk iu referua asnjëherë si autoritet ligjit gojor ose ndonjë rabini. Ai shihte si autoritet absolut vetëm Fjalën e Perëndisë. Kur mësonte dishepujt e tij dhe ndreqte ide të gabuara, vazhdimisht thoshte: «Është shkruar.»
8, 9. (a) Si e tregoi Jezui që përdori si autoritet Fjalën e Perëndisë kur pastroi tempullin? (b) Si treguan mësuesit fetarë se nuk kishin fare respekt për Fjalën e Perëndisë?
8 Kur pastroi tempullin në Jerusalem, Jezui tha: «Është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjesh’, kurse ju po e bëni shpellë kusarësh.» (Mateu 21:12, 13; Isaia 56:7; Jeremia 7:11) Një ditë më parë, ai kishte kryer shumë mrekulli. Disa djem të vegjël, të mahnitur prej tyre, kishin filluar t’i jepnin lavdi. Mirëpo, mësuesit fetarë e kishin pyetur gjithë zemërim Jezuin, nëse po e dëgjonte se çfarë po thoshin fëmijët. Ai u ishte përgjigjur: «Po. A nuk e keni lexuar kurrë këtë: ‘Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave ke marrë lavdi.’» (Mateu 21:16; Psalmi 8:2) Jezui donte që ata burra ta dinin se ajo që po ndodhte aty, ishte në përputhje me atë që thoshte Fjala e Perëndisë.
9 Dy ditë më vonë, ata mësues fetarë u mblodhën bashkë dhe i dolën para Jezuit, duke e pyetur: «Me ç’autoritet i bën këto gjëra?» (Mateu 21:23) Kushedi sa herë Jezui e kishte bërë të qartë se cili ishte Burimi i autoritetit të tij. Ai nuk kishte sjellë ide të reja, duke shpikur doktrina të tjera. Thjesht u kishte shpjeguar atë që thuhej në Fjalën e frymëzuar të Atit. Prandaj, në të vërtetë, ata priftërinj e skribë po tregonin se nuk kishin fare respekt për Jehovain dhe për Fjalën e tij. Ndaj e meritonin plotësisht qortimin e Jezuit, i cili i demaskoi motivet e tyre të liga.—Mateu 21:23-46.
10. Si mund ta imitojmë Jezuin në mënyrën si e përdorim Fjalën e Perëndisë? Çfarë mjetesh kemi në dispozicion që Jezui nuk i kishte?
10 Ashtu si Jezui, të krishterët e vërtetë sot e bazojnë mësimdhënien e tyre në Fjalën e Perëndisë. Dëshmitarët e Jehovait njihen në të gjithë botën për zellin me të cilin shpallin mesazhin e Biblës. Botimet tona përmbajnë shumë referime dhe citime nga Bibla. Po kështu, edhe në shërbim përpiqemi të lexojmë nga Shkrimet sa herë që flasim me njerëzit. (2 Timoteut 3:16) Sa kënaqemi kur dikush na lejon t’i lexojmë nga Bibla dhe të diskutojmë me të për vlerën dhe domethënien e saj! Edhe pse s’kemi kujtesën e përsosur të Jezuit, kemi shumë mjete që ai s’i kishte. Përveç Biblës së plotë, që po botohet në gjithnjë e më tepër gjuhë, kemi mjete të tjera ndihmëse për studimin e saj, të cilat na ndihmojnë të gjejmë vargjet që na duhen. Le të jemi të vendosur që, sa herë të na jepet mundësia, të citojmë nga Bibla dhe t’i drejtojmë njerëzit tek ajo!
Mbrojti Fjalën e Perëndisë
11. Pse shpesh Jezuit i duhej ta mbronte Fjalën e Perëndisë?
11 Jezui e dinte se Satanai dhe mbështetësit e tij shpesh e keqpërdornin qëllimisht Fjalën e Perëndisë, ndaj kjo nuk e befasonte. «Fjala jote është e vërteta»,—i tha në lutje Atit të vet. (Gjoni 17:17) Por, ndërkohë e dinte mirë se Satanai, «sundimtari i kësaj bote», ishte «gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës». (Gjoni 8:44; 14:30) Për të hedhur poshtë tundimet e Satanait, Jezui citoi 3 herë nga Shkrimet. Edhe Satanai citoi një varg nga Psalmet, por e keqpërdori qëllimisht. Prandaj Jezui e mbrojti Fjalën e Perëndisë, duke e demaskuar këtë keqpërdorim të Shkrimeve.—Mateu 4:6, 7.
12-14. (a) Si tregonin mungesë respekti udhëheqësit fetarë për Ligjin e Moisiut? (b) Si e mbrojti Jezui Fjalën e Perëndisë?
12 Jezui i mbrojti shpesh Shkrimet e Shenjta nga keqpërdorimi, interpretimet e gabuara dhe nga shtrembërimet. Mësuesit fetarë të kohës së tij e keqparaqitnin Fjalën e Perëndisë. Ata e vinin tej mase theksin te zbatimi deri në detajet më të vogla të Ligjit të Moisiut, ama shpërfillnin zbatimin e parimeve ku mbështeteshin ligjet. Kështu nxitnin te njerëzit një formë sipërfaqësore adhurimi, të përqendruar te gjërat që binin në sy dhe jo te gjërat më me peshë, si drejtësia, mëshira e besnikëria. (Mateu 23:23) Si e mbrojti Jezui Ligjin e Perëndisë?
13 Në Predikimin në Mal, Jezui e përdori shpesh frazën «ju keni dëgjuar se është thënë», para se të përmendte një urdhërim të Ligjit të Moisiut. Pastaj vazhdonte me frazën «por unë po ju them», dhe shtjellonte një parim të rëndësishëm që qëndronte pas atij ligji. A po dilte kundër Ligjit? Jo, përkundrazi, po e mbronte. Për shembull, njerëzit e njihnin mirë ligjin «mos vrit». Por Jezui u tha se, në rast se urrenin dikë, po shkelnin parimin ku bazohej ai ligj. Po kështu, nëse ushqenin dëshira imorale për dikë që s’ishte bashkëshorti, po shkelnin parimin mbi të cilin bazohej ligji i Perëndisë kundër kurorëshkeljes.—Mateu 5:17, 18, 21, 22, 27-39.
14 Së fundi, Jezui tha: «Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun.’ Megjithatë unë po ju them: vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.» (Mateu 5:43, 44) A gjendej në Fjalën e Perëndisë urdhërimi «urreje armikun»? Jo, këtë urdhërim e kishin shpikur dhe e mësonin udhëheqësit fetarë. Ata e zhvlerësonin Ligjin e përsosur të Jehovait, duke futur mendime njerëzore. Por, Jezui e mbrojti me guxim Fjalën e Perëndisë nga ndikimet e dëmshme të traditave njerëzore.—Marku 7:9-13.
15. Si e mbrojti Jezui Ligjin e Perëndisë nga përpjekjet për ta nxjerrë tepër strikt, madje shtypës?
15 Udhëheqësit fetarë bënin që Ligji i Perëndisë të dukej tepër strikt, madje shtypës. Kur dishepujt e Jezuit këputën ca kallinj gruri tek po kalonin përmes një are, farisenjtë thanë se ata po shkelnin Sabatin. Jezui përdori një shembull që përmendet në Shkrime për të mbrojtur Fjalën e Perëndisë nga ky mendim i paarsyeshëm. Ai citoi të vetmin rast që thuhet se bukët e paraqitjes janë ngrënë jashtë shenjtërores: kur iu dhanë Davidit dhe trimave të tij të uritur. Jezui u tregoi farisenjve se nuk e kishin kuptuar fare sa i mëshirshëm dhe i dhembshur është Jehovai.—Marku 2:23-27.
16. Si e kishin shtrembëruar udhëheqësit fetarë Ligjin e Moisiut për divorcin dhe si u përgjigj Jezui?
16 Veç kësaj, udhëheqësit fetarë kishin shpikur kleçka ligjore për ta zhvleftësuar Ligjin e Perëndisë. Për shembull, sipas Ligjit, një burrë lejohej ta divorconte gruan nëse gjente tek ajo «ndonjë gjë të pahijshme». Me sa duket bëhej fjalë për ndonjë problem të rëndë që i sillte turp familjes. (Ligji i përtërirë 24:1) Por, në kohën e Jezuit, udhëheqësit fetarë e përdornin këtë ligj si justifikim që një burrë ta divorconte gruan për çfarëdolloj arsyeje, madje edhe pse kishte djegur gjellën.a Jezui tregoi se ata i kishin shtrembëruar fjalët e frymëzuara të Moisiut. Pastaj rivendosi standardin që kishte vënë në fillim Jehovai për martesën, domethënë monogaminë, duke lënë si të vetmen bazë të ligjshme për divorc, imoralitetin seksual.—Mateu 19:3-12.
17. Si mund ta imitojnë të krishterët sot Jezuin kur mbrojnë Fjalën e Perëndisë?
17 Sot, dishepujt e Jezuit e shohin të nevojshme që, njësoj si ai, t’i mbrojnë Shkrimet e Shenjta. Kur udhëheqësit fetarë lënë të nënkuptohet se standardet morale të Fjalës së Perëndisë janë vjetruar, në të vërtetë po sulmojnë Biblën. E bëjnë këtë edhe kur u mësojnë njerëzve gënjeshtra dhe i paraqitin ato si doktrina të Biblës. Për ne është privilegj të mbrojmë Fjalën e pastër e të vërtetë të Perëndisë, për shembull, duke treguar se Perëndia nuk është pjesë e një Triniteti. (Ligji i përtërirë 4:39) Në të njëjtën kohë, këtë mbrojtje e bëjmë me takt, butësi dhe respekt të thellë.—1 Pjetrit 3:15.
Shpjegoi Fjalën e Perëndisë
18, 19. Cilët shembuj tregojnë se Jezui kishte aftësi të jashtëzakonshme për të shpjeguar Fjalën e Perëndisë?
18 Jezui ishte në qiell kur u shkruan Shkrimet Hebraike. Sa duhet të jetë kënaqur që pati mundësinë të vinte në tokë e të shpjegonte Fjalën e Perëndisë! Për shembull, mendo për atë ditë të paharrueshme, pas ringjalljes së tij, kur u takua me dy dishepuj rrugës për në Emaus. Para se ta kuptonin kush ishte, ata i treguan sa shumë ishin hidhëruar e pështjelluar nga vdekja e Zotërisë së tyre të dashur. Çfarë bëri Jezui? «Duke nisur që nga Moisiu deri te gjithë profetët, u shpjegoi gjithçka që thuhej në Shkrime për të.» E si u ndien ata? Më vonë, i thanë njëri-tjetrit: «A nuk na digjej zemra kur po na fliste rrugës dhe po na i zbërthente plotësisht Shkrimet?!»—Luka 24:15-32.
19 Më vonë, po atë ditë, Jezui takoi apostujt e tij dhe dishepuj të tjerë. Shiko se ç’bëri për ta: «Ua hapi plotësisht mendjen, që të kapnin domethënien e Shkrimeve.» (Luka 24:45) Pa dyshim, ato momente të gëzueshme u sollën ndër mend dishepujve rastet e shumta kur Jezui kishte bërë të njëjtën gjë për ta dhe për shumë të tjerë që donin të dëgjonin. Shpeshherë, ai u shpjegonte kaq mirë shkrime të njohura, sa linte gjurmë të pashlyeshme në mendjet e dëgjuesve, duke i ndihmuar të mësonin të vërteta të reja dhe të kuptonin më qartë Fjalën e Perëndisë.
20, 21. Si i shpjegoi Jezui fjalët që i kishte thënë Jehovai Moisiut te shkurrja që nuk digjej?
20 Në një rast, Jezui po fliste me një grup saducenjsh. Këta ishin një sekt i judaizmit që kishin lidhje të ngushtë me priftërinjtë judenj dhe që nuk besonin te ringjallja. Jezui u tha: «Sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk keni lexuar çfarë ju kishte thënë Perëndia: ‘Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.’ Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve.» (Mateu 22:31, 32) Ky ishte një shkrim që ata e njihnin mirë, i shkruar nga dikush që saducenjtë e respektonin shumë, Moisiu. Por, a e dallon arsyetimin e fuqishëm të Jezuit?
21 Ai po i referohej bisedës që kishte bërë Moisiu me Jehovain te shkurrja që nuk digjej, rreth vitit 1514 p.e.s. (Eksodi 3:2, 6) Në atë kohë, Abrahami kishte 329 vjet që kishte vdekur, Isaku 224 vjet dhe Jakobi 197 vjet. Por, Jehovai prapëseprapë tha «unë jam» Perëndia i tyre. Ata saducenj e dinin se Jehovai nuk është një perëndi pagan i të vdekurve, që sundon në një botë të nëndheshme imagjinare. Jo, ai është Perëndia «i të gjallëve», siç tha Jezui. Ç’do të thotë kjo? Jezui e mbylli arsyetimin me këto fjalë të fuqishme: «Për të, të gjithë ata janë gjallë.» (Luka 20:38) Shërbëtorët e shtrenjtë të Jehovait që kanë rënë në gjumin e vdekjes, janë të sigurt në kujtesën e Tij të përsosur e të pakufishme. Premtimi i Jehovait për t’i ringjallur është kaq i sigurt, sa për ta thuhet se janë ende gjallë. (Romakëve 4:16, 17) A nuk është ky një shpjegim i jashtëzakonshëm i Fjalës së Perëndisë?! Ja pse ‘turma mahnitej’!—Mateu 22:33.
22, 23. (a) Si ta imitojmë Jezuin kur shpjegojmë Fjalën e Perëndisë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në kapitullin tjetër?
22 Sot, të krishterët kanë privilegjin të imitojnë mënyrën si e shpjegonte Jezui Fjalën e Perëndisë. Kuptohet, ne nuk kemi mendje të përsosur. Gjithsesi, shpesh kemi mundësi t’u lexojmë njerëzve një shkrim që e njohin dhe t’u shpjegojmë disa aspekte të tij që ndoshta s’i kanë menduar kurrë. Për shembull, mund t’i kenë përsëritur gjithë jetën shprehjet «u shenjtëroftë emri yt» dhe «ardhtë Mbretëria jote», pa e ditur emrin e Perëndisë ose çfarë është Mbretëria e tij. (Mateu 6:9, 10) Kur dikush na dëgjon, është një rast i shkëlqyer për t’i shpjeguar qartë dhe thjesht këto të vërteta nga Bibla.
23 Që të imitojmë mënyrën si ua mësonte Jezui të vërtetën të tjerëve, është thelbësore të citojmë nga Fjala e Perëndisë, ta mbrojmë dhe ta shpjegojmë atë. Më tej do të shohim disa metoda të efektshme që përdori Jezui për t’i ndihmuar dëgjuesit të kuptonin dhe të donin të vërtetat e Biblës.
a Jozefi, historian i shekullit të parë, që edhe vetë ishte një farise i divorcuar, më vonë tha se divorci lejohej «për çfarëdolloj arsyeje» dhe se «shumicën e arsyeve i kanë burrat».