Kapitulli 35
Predikimi më i famshëm që është mbajtur ndonjëherë
KJO, është një nga skenat më të paharrueshme në historinë biblike: Jezui, ulur në një rrëzë mali, është duke mbajtur Predikimin e tij të famshëm në Mal. Vendi është pranë Detit të Galilesë, ndoshta afër Kapernaumit. Pasi ka kaluar tërë natën duke u lutur, Jezui sapo ka zjedhur 12 dishepuj si apostuj të tij. Pas kësaj, ai zbret bashkë me ta, në këtë pjesë të rrafshët të malit.
Në këtë pikë, mund të mendoni ju, Jezui duhet të jetë shumë i lodhur dhe ndoshta dëshiron të flejë pak. Por, turma të mëdha kanë ardhur, disa që nga Judea dhe Jerusalemi, 95 deri 115 kilometra larg; disa të tjera nga bregdeti i Tiros dhe i Sidonit që gjenden në veri. Këta njerëz kanë ardhur për të dëgjuar Jezuin dhe për t’u shëruar nga sëmundjet. Midis tyre ka madje edhe persona që shqetësohen nga demonët, engjëjt e ligj të Satanait.
Ndërsa Jezui zbret poshtë, të sëmurët i afrohen për ta prekur dhe ai i shëron të gjithë. Më pas, nga sa duket, Jezui ngjitet në një vend më të ngritur të malit. Atje, ulet dhe fillon të mësojë turmat që janë të shpërndara në rrafshinën përpara tij. Imagjino! Tani, nga të gjithë të pranishmit, asnjë nuk vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë!
Njerëzit mezi presin të dëgjojnë mësuesin që është në gjendje të kryejë këto mrekulli të mahnitshme. Megjithatë, kryesisht, Jezui e mban predikimin për dobinë e dishepujve të tij, të cilët ndoshta janë mbledhur rreth tij, aty pranë. Por, në mënyrë që edhe ne të nxjerrim dobi, atë e kanë shkruar, si Mateu, ashtu edhe Luka.
Tregimi i Mateut për Predikimin në Mal është gati katër herë më i gjatë se ai i Lukës. Për më tepër, disa pjesë nga ato që ka shkruar Mateu, Luka i paraqet sikur të jenë thënë nga Jezui gjatë ndonjë periudhe tjetër të shërbimit të tij, siç mund të vërehet nga krahasimi i Mateut 6:9-13 me Lukën 11:1-4 dhe i Mateut 6:25-34 me Lukën 12:22-31. Megjithatë, kjo nuk duhet të na habitë. Është e qartë që Jezui mësoi të njëjtat gjëra më shumë se një herë dhe Luka ka preferuar t’i shkruajë disa nga këto mësime, kur janë dhënë në një situatë tjetër.
Ajo që i jep predikimit të Jezuit një vlerë të madhe, nuk është vetëm përmbajtja e thellë frymore, por edhe thjeshtësia dhe qartësia me të cilën ai i prezanton të vërtetat. Ai mbështetet në përvoja të zakonshme dhe përdor gjëra që njihen mirë nga njerëzit, duke bërë kështu që idetë e tij të jenë më të lehta për t’u kuptuar nga të gjithë ata që kërkojnë një jetë më të mirë sipas vullnetit të Perëndisë.
Cilët janë me të vërtetë të lumtur?
Të gjithë njerëzit dëshirojnë të jenë të lumtur. I vetëdijshëm për këtë, Jezui e fillon Predikimin e tij në Mal, duke përshkruar ata që janë me të vërtetë të lumtur. Siç mund ta imagjinojmë, kjo gjë tërheq menjëherë vëmendjen e auditorit të tij të gjerë. E megjithatë, për shumë njerëz, fjalët e tij të fillimit, mund të duken kontradiktore.
Duke iu drejtuar dishepujve të tij, Jezui fillon: «Lum ju të varfër, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë. Lum ju, që tani keni uri, sepse do të ngopeni. Lum ju, që tani qani, sepse do të qeshni. Lum ju, kur njerëzit do t’ju urrejnë . . . Gëzohuni atë ditë dhe hidhuni nga gëzimi, sepse ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell.»
Ky është tregimi i Lukës për hyrjen e predikimit të Jezuit. Por sipas tregimit të Mateut, Jezui thotë, gjithashtu, se të lumtur janë edhe zemërbutët, të mëshirshmit, ata me zemër të pastër dhe ata që përpiqen për paqen. Këta, siç vëren Jezui, janë të lumtur, sepse do të trashëgojnë tokën, do t’u tregohet mëshirë, do të shohin Perëndinë dhe do të quhen bij të Perëndisë.
Megjithatë, për Jezuin, lumturia nuk nënkupton thjesht gazin apo harenë, si për shembull në rastet e zbavitjeve. Lumturia e vërtetë është më e thellë, përfshin qetësinë shpirtërore, kënaqësinë dhe ndjenjën e plotësimit në jetë.
Prandaj, Jezui tregon se, njerëz vërtet të lumtur, janë ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore, që janë të trishtuar për shkak të gjendjes së tyre mëkatare, dhe që arrijnë të njohin Perëndinë e t’i shërbejnë atij. Atëherë, edhe nëse urrehen ose persekutohen për shkak të kryerjes së vullnetit të Perëndisë, ata janë të lumtur sepse e dinë që po i pëlqejnë Perëndisë dhe do të marrin prej tij, shpërblimin e jetës së përhershme.
Megjithatë, shumë prej dëgjuesve të Jezuit, tamam si disa njerëz sot, mendojnë se njeriu është i lumtur kur ka pasuri dhe shkon pas kënaqësive. Jezui e di se nuk është kështu. Duke bërë një kontrast që pa dyshim habit shumë prej dëgjuesve të tij, ai thotë:
«Mjerë ju, o të pasur, sepse e keni ngushëllimin tuaj. Mjerë ju, që jeni të ngopur, sepse do të keni uri. Mjerë ju, që tani qeshni, sepse do të hidhëroheni dhe do të qani. Mjerë ju, kur njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë.»
Çfarë do të thotë Jezui me këtë? Përse pasja e pasurive, dhënia me hare pas kënaqësive dhe marrja e lëvdatave nga të tjerët, u sjellin mjerim njerëzve? Kjo ndodh për arsye se, kur dikush i gëzon këto gjëra dhe ka dashuri për to, atëherë ai përjashton nga jeta e tij, shërbimin ndaj Perëndisë, i cili është i vetmi mjet që sjell lumturi të vërtetë. Por nga ana tjetër, Jezui nuk donte të thoshte se thjesht varfëria, uria ose pikëllimi, e bëjnë njeriun të lumtur. Megjithatë, shpesh, persona të tillë, që gjenden në kushte të pafavorshme, mund t’i pranojnë mësimet e Jezuit dhe si pasojë bekohen me lumturi të vërtetë.
Më pas, duke iu drejtuar dishepujve të tij, Jezui thotë: «Ju jeni kripa e tokës.» Natyrisht, me këtë, ai nuk do të thotë se ata janë me të vërtetë kripë. Por, kripa ka aftësi ruajtëse. Një grumbull i madh kripe gjendej pranë altarit në tempullin e Jehovait dhe priftërinjtë që shërbenin atje e përdornin për të kripur ofertat.
Dishepujt e Jezuit janë «kripa e tokës» në kuptimin që ata kanë një ndikim ruajtës në popull. Në fakt, lajmi që ata shpallin, do të ruajë jetën e të gjithë njerëzve që i përgjigjen atij! Ai do të prodhojë në jetën e atyre personave cilësi si qëndrueshmëria, besnikëria dhe besueshmëria, duke parandaluar tek ata, çdo rënie frymore dhe morale.
«Ju jeni drita e botës»,—u thotë Jezui dishepujve. Llamba nuk vihet nën shinik, por mbi shandan, prandaj Jezui thotë: «Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve.» Dishepujt e Jezuit e bëjnë këtë me anë të dëshmisë që japin publikisht si dhe duke shërbyer si shembuj ndriçues për sa i përket sjelljes që përputhet me parimet biblike.
Një standard i lartë për ithtarët e tij
Krerët fetarë e konsiderojnë Jezuin si një shkelës të Ligjit të Perëndisë dhe madje kohët e fundit kanë komplotuar për ta vrarë. Prandaj, ndërsa vazhdon Predikimin e tij në Mal, Jezui shpjegon: «Mos mendoni se unë erdha për të shkatërruar Ligjin dhe Profetët. Unë nuk erdha për të shkatërruar, po për të plotësuar.»—BR.
Jezui ka konsideratën më të lartë për Ligjin e Perëndisë dhe i inkurajon edhe të tjerët ndaj një qëndrimi të tillë. Në fakt, ai u thotë se, kush «do të shkelë një nga këto urdhërime më të vogla dhe do t’u ketë mësuar kështu njerëzve, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve», duke nënkuptuar me këtë, se të tillë njerëz nuk do të hyjnë fare në Mbretëri.
Jezui jo vetëm që nuk e shkel Ligjin e Perëndisë, por dënon madje edhe qëndrimet që mund ta çojnë një person drejt thyerjes së tij. Pasi vëren se ligji thotë, «Nuk duhet të vritni», Jezui shton: «Por, unë po ju them se kushdo që vazhdon të jetë i zemëruar me vëllanë e tij do të japë llogari në gjyq.»—BR.
Meqenëse të vazhdosh të jesh i zemëruar me një shok është një gjë kaq serioze saqë mund të çojë deri në vrasje, Jezui tregon me anë të një ilustrimi se deri në çfarë mase duhet të përpiqemi për të arritur paqen. Ai udhëzon: «Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde tek altari dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde.»
Duke e drejtuar vëmendjen tek i shtati nga të Dhjetë Urdhërimet, Jezui vazhdon: «Ju keni dëgjuar se të lashtëve u ishte thënë: ‘Mos shkel kurorën’.» Megjithatë, Jezui dënon edhe një qëndrim të vazhdueshëm që mund të çojë në tradhti bashkëshortore. «Unë po ju them se kushdo që vazhdon të shikojë një grua me qëllim që të provojë pasion për të, tashmë ka kryer tradhti bashkëshortore me të në zemrën e vet.»—BR.
Këtu, Jezui nuk po flet thjesht për ndonjë mendim kalimtar imoral, por për rastin kur një person ‘vazhdon të shikojë’. Një shikim i tillë i vazhdueshëm ngjall dëshirat epshore, të cilat, nëse jepet mundësia, mund të çojnë drejt tradhtisë bashkëshortore. Si mund ta parandalojë, një person, një gjë të tillë? Jezui ilustron se mund të jetë e nevojshme marrja e masave të rrepta, duke thënë: «Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje. . . . Dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje.»
Shpesh, njerëzit janë gati ta sakrifikojnë një gjymtyrë të sëmurë, me qëllim që të shpëtojnë jetën. Por sipas Jezuit, është akoma më jetësore që të ‘hedhin tej’ çfarëdolloj gjëje, madje edhe diçka të çmuar si syri ose dora, me qëllim që të shmangin mendimet dhe veprimet imorale. Përndryshe, shpjegon Jezui, njerëz të tillë do të hidhen në Gehenë (një grumbull mbeturinash që digjeshin, pranë Jerusalemit), e cila simbolizon shkatërrimin e përhershëm.
Jezui shpjegon, gjithashtu, se si të veprojmë me njerëzit që na lëndojnë ose na ofendojnë. «Mos i rezisto të ligut,—është këshilla e tij.—Në qoftë se dikush të qëllon në faqen e djathtë, ktheja edhe tjetrën.» Jezui nuk do të thotë se një person nuk duhet ta mbrojë veten ose familjen e tij, në rast sulmi. Një pëllëmbë nuk jepet dhe aq për të shkaktuar dhimbje fizike sesa për të ofenduar. Prandaj, Jezui po thotë se, nëse dikush përpiqet të provokojë një sherr apo një grindje me fjalë, qoftë duke goditur vërtet me një pëllëmbë ose qoftë duke ngacmuar me fjalë fyese, do të ishte e gabuar të kundërpërgjigjeshim.
Pasi e tërheq vëmendjen drejt ligjit të Perëndisë për të dashur të afërmin, Jezui pohon: «Por unë po ju them: ‘Duani armiqtë tuaj . . . dhe lutuni për ata që ju përndjekin.’» Ai jep një arsye të fuqishme për të vepruar në këtë mënyrë, duke shtuar: «Për të qenë [në këtë mënyrë] bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë dielli i tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë.»
Jezui e mbyll këtë pjesë të predikimit të tij, duke këshilluar: «Jini, pra, të përsosur, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej.» Me këtë Jezui nuk do të thotë se njerëzit mund të jenë të përsosur në kuptimin absolut. Por, duke imituar Perëndinë, ata mund ta shtrijnë dashurinë e tyre derisa të përfshijë madje edhe armiqtë e tyre. Tregimi paralel i Lukës i regjistron kështu fjalët e Jezuit: «Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.»
Lutja dhe besimi te Perëndia
Ndërsa vazhdon më tej me predikimin e tij, Jezui dënon hipokrizinë e njerëzve, të cilët duan të nxjerrin në pah devocionin që pretendojnë se kanë. «Kur bën një dhuratë,—thotë Jezui,—mos i bjer borisë para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët.»—BR.
Jezui vazhdon: «Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t’i shohin.» Në vend të kësaj, ai udhëzon: «Kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi.» Jezui nuk po dënon lutjet publike, sepse ai vetë ka bërë lutje të tilla. Ajo ç’ka kritikon ai, janë lutjet që bëhen për t’i bërë përshtypje dëgjuesve dhe për të marrë lëvdatat e tyre.
Më tej, Jezui këshillon: «Kur luteni, mos thoni në mënyrë të përsëritur të njëjtat gjëra, ashtu siç bëjnë njerëzit e kombeve.» (BR) Jezui nuk po thotë se përsëritja në vetvete është e gabuar. Në një rast, edhe ai përsëriti «të njëjtën fjalë» (BR) ndërsa lutej. Por ajo çfarë Jezui nuk aprovon, është thënia «në mënyrë të përsëritur» e shprehjeve të mësuara përmendësh, ashtu siç bëjnë ata që kalojnë një më një rruazat e rruzareve, ndërsa përsëritin mekanikisht lutjet e tyre.
Për t’i ndihmuar dëgjuesit në lidhje me lutjen, Jezui siguron një lutje model që përfshin shtatë kërkesa. Tre të parat, me të drejtë, e drejtojnë vëmendjen për nga sovraniteti dhe qëllimet e Perëndisë. Ato janë kërkesa për shenjtërimin e emrit të Perëndisë, për ardhjen e Mbretërisë së tij dhe për kryerjen e vullnetit të tij. Katër të tjerat janë kërkesa personale dhe pikërisht, për ushqimin e përditshëm, për faljen e mëkateve, për të mos u tunduar përtej asaj që mund të përballojmë dhe për t’u çliruar nga i ligu.
Duke vazhduar, Jezui e drejton vëmendjen nga gracka në të cilën kapemi, kur u japim tepër rëndësi zotërimeve materiale. Ai nxit: «Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin.» Këto thesare, jo vetëm që mund të prishen, por as na japin ndonjë meritë para Perëndisë.
Për këtë arsye, Jezui thotë: «Përkundrazi, mblidhni për vete thesare në qiell.» Kjo bëhet duke e vendosur shërbimin e Perëndisë në radhë të parë në jetën tuaj. Askush nuk mund të heqë meritat që grumbullohen, në këtë mënyrë, para Perëndisë ose shpërblimin e madh që vjen si rezultat. Pastaj Jezui shton: «Ku është thesari juaj, do të jetë edhe zemra juaj.»
Duke iu referuar akoma grackës së materializmit, Jezui bën këtë ilustrim: «Llamba e trupit është syri. Nëse syri yt, pra, është i thjeshtë, i gjithë trupi yt do të jetë i ndritshëm, por nëse syri yt është i lig, i gjithë trupi yt do të jetë i errët.» (BR) Kur funksionon si duhet, syri është për trupin, si një llambë e ndezur në një vend të errët. Por për të parë qartë, syri duhet të jetë i thjeshtë, domethënë, i përqendruar mbi një gjë të vetme. Një sy që nuk është i përqendruar çon drejt një vlerësimi të gabuar të gjërave, drejt vendosjes së synimeve materiale përpara shërbimit të Perëndisë dhe si rezultat, «i gjithë trupi» do të jetë i errët.
Jezui arrin pikën kulmore të argumentit të tij me këtë ilustrim të fuqishëm: «Askush nuk mund t’u skllavërohet dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin, ose do t’i ngjitet njërit dhe do të përbuz tjetrin. Nuk mund t’i skllavëroheni edhe Perëndisë, edhe Pasurive.»—BR.
Pasi jep këtë këshillë, Jezui i siguron dëgjuesit e tij se nuk ka nevojë që të jenë në ankth për nevojat materiale, nëse e vendosin shërbimin e Perëndisë në radhë të parë. «Vini re zogjtë e qiellit,—thotë ai,—ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen ata.» Pastaj ai pyet: «A nuk vleni ju shumë më tepër se ata?»
Më pas, ai tregon zambakët e fushës dhe vë në dukje se as «Solomoni vetë, me gjithë lavdinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë nga ata». «Tani,—vazhdon ai,—nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, . . . vallë nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë?» Prandaj, Jezui përfundon duke thënë: «Mos u shqetësoni, pra, duke thënë, ‘Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?’ . . . Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.»
Rruga drejt jetës
Rruga drejt jetës është përputhja me mësimet e Jezuit. Por kjo nuk është e lehtë. Farisenjtë, për shembull, kanë prirjen t’i gjykojnë të tjerët në mënyrë të ashpër dhe shumë njerëz ndoshta i imitojnë ata. Kështu, ndërsa Jezui vazhdon Predikimin e tij në Mal, jep këtë këshillë: «Mos gjykoni, që të mos gjykoheni. Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni.»
Ndjekja e shembullit të farisenjve tepër kritikë, është e rrezikshme. Sipas tregimit të Lukës, Jezui e ilustron këtë rrezik duke thënë: «Një i verbër a mund t’i prijë një të verbri tjetër? Vallë nuk do të bien të dy në gropë?»
Të qenët tepër kritikë ndaj të tjerëve, duke i zmadhuar të metat e tyre dhe duke i qortuar vazhdimisht, është një gabim serioz. Prandaj Jezui pyet: «Si mund t’i thuash vëllait tënd, ‘Dale të të heq lëmishten nga syri’, kur ke një tra në syrin tënd? O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd.»
Kjo nuk do të thotë se dishepujt e Jezuit nuk duhet të përdorin aftësi shquese në lidhje me të tjerët, sepse ai thotë: «Mos u jepni qenve ç’është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave.» Të vërtetat e Fjalës së Perëndisë janë të shenjta. Janë si margaritarë figurativë. Por nëse disa individë, që janë ngjashëm qenve ose derrave, nuk tregojnë vlerësim për këto të vërteta të çmuara, dishepujt e Jezuit duhet të largohen prej tyre dhe të kërkojnë ata që janë më të etur për të mësuar.
Edhe pse më parë, gjatë Predikimit të tij në Mal, Jezui ka folur për lutjen, tani, ai thekson nevojën për të qenë këmbëngulës në të. «Vazhdoni të kërkoni,—nxit ai,—dhe do t’ju jepet.» (BR) Për të ilustruar gatishmërinë e Perëndisë për t’iu përgjigjur lutjeve, Jezui pyet: «A ka midis jush ndonjë njeri që, po t’i kërkojë i biri bukë, t’i japë gurë? . . . Në qoftë se ju, që jeni të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.»
Pas kësaj, Jezui formulon një rregull sjelljeje që është bërë e famshme, e cila zakonisht quhet Rregulla e Artë. Ai thotë: «Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre.» Të jetosh sipas kësaj rregulle do të thotë të veprosh në mënyrë pozitive, duke u bërë mirë të tjerëve, duke i trajtuar ata ashtu siç dëshiron të të trajtojnë.
Fakti që rruga drejt jetës nuk është e lehtë, zbulohet edhe nga ky udhëzim i Jezuit: «Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjerë dhe e hapët është rruga që çon në shkatërrim dhe shumë janë ata që hyjnë në të; ndërsa e ngushtë është dera dhe e vështirë është rruga që çon në jetë dhe pak janë ata që e gjejnë.»—BR.
Rreziku për të qenë të devijuar është shumë i madh, prandaj Jezui paralajmëron: «Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju të veshur si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.» (BR) Ashtu si pemët e mira dhe pemët e këqija mund të njihen nga frytet e tyre, vëren Jezui, edhe profetët e rremë mund të njihen nga sjellja dhe nga mësimet e tyre.
Në vazhdim, Jezui shpjegon se një njeri nuk bëhet dishepull i Tij thjesht nga ajo që thotë, por nga ajo që bën. Disa njerëz pohojnë se Jezui është Zotëria i tyre, por nëse ata nuk bëjnë vullnetin e Atit të tij, ai thotë: «Unë do t’u sqaroj atyre: Unë s’ju kam njohur kurrë, largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi.»
Së fundi, Jezui bën mbylljen e paharrueshme të predikimit. Ai thotë: «Atë që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, unë e krahasoj me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi një shkëmb. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi, por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb.»
Nga ana tjetër, Jezui deklaron: «Ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë. Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh.»
Kur Jezui mbaron predikimin, turmat janë të mahnitura nga mënyra e tij e të mësuarit, sepse ai i mëson si një njeri që ka autoritet dhe jo si krerët e tyre fetarë. Luka 6:12-23; Mateu 5:1-12; Luka 6:24-26; Mateu 5:13-48; 6:1-34; 26:36-45; 7:1-29; Luka 6:27-49.
▪ Ku është Jezui kur mban predikimin e tij më të famshëm, kush janë të pranishmit dhe çfarë ka ndodhur pak para se të fillonte predikimi?
▪ Përse nuk është për t’u çuditur fakti që Luka i tregon disa mësime të predikimit, si të dhëna në një situatë tjetër?
▪ Çfarë i jep predikimit të Jezuit një vlerë të madhe?
▪ Cilët janë me të vërtetë të lumtur dhe pse?
▪ Mbi cilët bie mjerim dhe pse?
▪ Në ç’kuptim, dishepujt e Jezuit, janë «kripa e tokës» dhe «drita e botës»?
▪ Në ç’mënyrë, Jezui, tregon konsideratë të lartë për Ligjin e Perëndisë?
▪ Çfarë udhëzimesh jep Jezui për të ç’rrënjosur shkaqet e vrasjes dhe të tradhtisë bashkëshortore?
▪ Çfarë ka ndër mend Jezui kur thotë që të kthejmë faqen tjetër?
▪ Si mund të jemi të përsosur, ashtu si Perëndia është i përsosur?
▪ Çfarë udhëzimesh jep Jezui mbi lutjen?
▪ Përse thesaret qiellore janë më të mira dhe si mund të fitohen ato?
▪ Çfarë ilustrimesh janë bërë për të ndihmuar në shmangien e materializmit?
▪ Pse Jezui thotë se nuk ka nevojë të jemi në ankth?
▪ Çfarë thotë Jezui mbi të gjykuarit e të tjerëve, e megjithatë, në ç’mënyrë tregon ai se dishepujt e tij duhet të përdorin aftësi shquese ndaj të tjerëve?
▪ Çfarë thotë më tej Jezui për lutjen dhe çfarë rregulle jep ai në lidhje me sjelljen?
▪ Si e tregon Jezui se rruga drejt jetës nuk është e lehtë dhe se ka rrezik që të jemi të devijuar prej saj?
▪ Si e mbyll Jezui predikimin e tij dhe çfarë ndikimi ka ai?