A je gati për ditën e Jehovait?
«Dita e madhe e Jehovait është afër. Ajo është afër dhe ka një nxitim shumë të madh.»—SOFONIA 1:14, BR.
1. Si e përshkruajnë Shkrimet ditën e Jehovait?
«DITA e madhe dhe e frikshme» e Jehovait do të vijë së shpejti mbi këtë sistem të lig gjërash. Shkrimet e përshkruajnë ditën e Jehovait si një ditë beteje, terri, tërbimi, brenge, ankthi, alarmi dhe shkretimi. Por megjithatë, do të ketë të mbijetuar, sepse «kushdo që do t’i drejtohet emrit të Zotit do të shpëtojë». (Joeli 2:30-32; Amosi 5:18-20) Po, atëherë Perëndia do të shkatërrojë armiqtë e tij dhe do të shpëtojë popullin e tij.
2. Përse duhet të kemi një ndjenjë urgjence në lidhje me ditën e Jehovait?
2 Profetët e Perëndisë i bashkangjisin një ndjenjë urgjence ditës së Jehovait. Për shembull, Sofonia shkroi: «Dita e madhe e Jehovait është afër. Ajo është afër dhe ka një nxitim shumë të madh.» (Sofonia 1:14, BR) Situata është shumë më urgjente sot, sepse Kryeekzekutuesi i Perëndisë, Mbreti Jezu Krisht, është gati ‘të ngjeshë shpatën në brez dhe të shkojë përpara për çështjen e së vërtetës, të shpirtmadhësisë [përulësisë, BR] dhe të drejtësisë’. (Psalmi 45:3, 4) A je gati për atë ditë?
Ata prisnin shumë
3. Çfarë prisnin disa të krishterë selanikas dhe cilat ishin dy arsyet për të cilat ata gabuan?
3 Për shumë persona nuk janë përmbushur ato që prisnin në lidhje me ditën e Jehovait. Disa të krishterë të hershëm në Selanik thanë: ‘Erdhi dita e Jehovait!’ (2. Selanikasve 2:2, BR) Por kishte dy arsye themelore se përse ajo nuk ishte afruar. Duke cituar njërën prej tyre, apostulli Pavël tha: «Kur thonë: ‘Paqe dhe siguri’, atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta.» (1. Selanikasve 5:1-6) Në këtë «kohë të mbarimit», ne vetë presim përmbushjen e atyre fjalëve. (Danieli 12:4) Selanikasve u mungonte, gjithashtu, një linjë tjetër dëshmie që dita e madhe e Jehovait të kishte ardhur, pasi Pavli u tha: «Ajo nuk do të vijë pa ardhur më parë apostazia.» (2. Selanikasve 2:3, BR) Kur Pavli shkroi këto fjalë (rreth vitit 51 të e.s.), «apostazia» nga krishterimi i vërtetë nuk ishte zhvilluar ende plotësisht. Sot, ne e shohim atë në lulëzim të plotë në të ashtuquajturin krishterim. Megjithatë, pavarësisht nga mospërmbushja e atyre që prisnin, ata të mirosur besimplotë në Selanik, që vazhduan t’i shërbenin Jehovait me besim të plotë deri në vdekje, së fundi morën një shpërblim qiellor. (Zbulesa 2:10) Edhe ne do të shpërblehemi nëse qëndrojmë besimplotë, ndërsa presim ditën e Jehovait.
4. (a) Me çfarë është e lidhur dita e Jehovait në 2. Selanikasve 2:1, 2? (b) Çfarë pikëpamjesh kishin të ashtuquajturit Etër të Kishës në lidhje me kthimin e Krishtit dhe çështjet që lidheshin me të?
4 Bibla e lidh «ditën e madhe të Jehovait» me «praninë e Zotërisë tonë Jezu Krisht». (2. Selanikasve 2:1, 2, BR) Të ashtuquajturit Etër të Kishës, patën ide të ndryshme rreth kthimit të Krishtit, pranisë dhe Mbretërimit të tij Mijëvjeçar. (Zbulesa 20:4) Në shekullin e dytë të e.s., Papiasi i Hierapolisit ushqeu pritjet për një pjellori përrallore të tokës gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. Justin Martiri foli herë pas here për praninë e Jezuit dhe priti që Jerusalemi i restauruar të ishte selia e Mbretërisë së Tij. Ireneusi i Lionit mësoi se pas shkatërrimit të perandorisë romake, Jezui do të shfaqej në mënyrë të dukshme, do të lidhte Satanain dhe do të mbretëronte në Jerusalemin tokësor.
5. Çfarë kanë thënë disa studiues për «ardhjen e dytë» të Krishtit dhe Mbretërimin e tij Mijëvjeçar?
5 Historiani Filip Shaf vërejti se «besimi më i dukshëm» në periudhën para Këshillit të Niceas në vitin 325 të e.s., ishte «ai i një mbretërimi të dukshëm mbi tokë të Krishtit në lavdi bashkë me të shenjtët e ringjallur, për 1.000 vjet, para ringjalljes së përgjithshme dhe gjykimit». Fjalori i Biblës botuar nga Xhejms Hestings, thotë: «Tertuliani, Ireneusi dhe Hipolitusi kërkojnë një ardhje të menjëhershme e të dukshme [të Jezu Krishtit]; por me Etërit Aleksandrianë ne hyjmë në një linjë të re mendimi. . . . Me identifikimin nga Agustini të Mijëvjeçarit si periudha e Kishës militante, ardhja e dytë është shtyrë në një të ardhme të largët.»
Dita e Jehovait dhe prania e Jezuit
6. Përse nuk duhet të nxjerrim përfundimin se dita e Jehovait është larg?
6 Keqkuptimet kanë çuar në zhgënjime, por le të mos mendojmë se dita e Jehovait është larg. Prania e padukshme e Jezuit, nga e cila shoqërohet ajo ditë, sipas shkrimeve, tashmë ka filluar. Kulla e Rojës dhe botime të tilla të Dëshmitarëve të Jehovait, kanë siguruar shpesh dëshmi shkrimore se prania e Krishtit filloi në vitin 1914.a Atëherë, çfarë tha, pra, Jezui në lidhje me praninë e tij?
7. (a) Cilat janë disa tipare të shenjës së pranisë së Jezuit dhe të përfundimit të sistemit të gjërave? (b) Si mund të shpëtohemi?
7 Prania e Jezuit u bë një argument për t’u trajtuar, pak përpara vdekjes së tij. Pasi e dëgjuan që paratha shkatërrimin e tempullit të Jerusalemit, apostujt e tij, Pjetri, Jakovi, Gjoni dhe Andrea e pyetën: «Kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?» (Mateu 24:1-3, BR; Marku 13:3, 4) Në përgjigje, Jezui paratha luftëra, uri, tërmete dhe tipare të tjera të «shenjës» së pranisë së tij dhe të përfundimit të sistemit të gjërave. Ai tha, gjithashtu: «Ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet.» (Mateu 24:13) Ne do të shpëtohemi nëse do të qëndrojmë me besim të plotë deri në fund të jetës sonë të tanishme apo deri në fund të këtij sistemi të lig.
8. Çfarë duhej të kryhej përpara fundit të sistemit judaik dhe ç’po bëhet sot në lidhje me këtë?
8 Përpara fundit, do të përmbushej një tipar veçanërisht domethënës i pranisë së Jezuit. Në lidhje me të, ai tha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar si një dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14, BR) Përpara shkatërrimit të Jerusalemit nga romakët dhe fundit të sistemit judaik të gjërave në vitin 70 të e.s., Pavli mundi të thoshte se lajmi i mirë «i është predikuar çdo krijese që është nën qiell». (Kolosianëve 1:23) Megjithatë, sot, nga Dëshmitarët e Jehovait po kryhet një vepër shumë më e shtrirë predikimi «në të gjithë tokën e banuar». Gjatë pak viteve të fundit, Perëndia ka hapur rrugën për dhënien e një dëshmie të madhe në Evropën Lindore. Me shtypshkronjat dhe ndërtesat e tjera në mbarë botën, organizata e Jehovait është në gjendje t’i përgjigjet rritjes së aktivitetit, madje edhe në «territoret e paprekura». (Romakëve 15:22, 23, BR) A nuk të shtyn zemra për të bërë të pamundurën në dhënien e një dëshmie, para se të vijë fundi? Nëse është kështu, Perëndia mund të të forcojë për të pasur një pjesëmarrje shpërblerëse në veprën që kemi përpara.—Filipianëve 4:13; 2. Timoteut 4:17.
9. Çfarë nxori në pah Jezui, siç thuhet në Mateun 24:36?
9 Vepra e parathënë e predikimit të Mbretërisë dhe tiparet e tjera të shenjës së pranisë së Jezuit po përmbushen pikërisht tani. Prandaj, fundi për këtë sistem të lig gjërash është afër. Është e vërtetë që Jezui tha: «Sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qiejve, [as Biri, BR], por vetëm Ati.» (Mateu 24:4-14, 36) Por profecia e Jezuit mund të na ndihmojë për të qenë gati për «atë ditë dhe atë orë».
Ata ishin gati
10. Si e dimë se është e mundur që të rrimë zgjuar frymësisht?
10 Për ta mbijetuar ditën e madhe të Jehovait, ne duhet të rrimë zgjuar frymësisht dhe të qëndrojmë të vendosur për adhurimin e vërtetë. (1. Korintasve 16:13) Ne e dimë se një qëndrueshmëri e tillë është e mundur, sepse një familje e perëndishme bëri kështu dhe mbijetoi Përmbytjen që shkatërroi njerëzit e ligj, në vitin 2370 p.e.s. Duke e krahasuar atë epokë me praninë e tij, Jezui tha: «Ashtu si qe në ditët e Noes, kështu do të jetë edhe në ardhjen [praninë, BR] e Birit të njeriut. Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeja hyri në arkë; dhe nuk kuptuan asgjë, derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen [praninë, BR] e birit të njeriut.»—Mateu 24:37-39.
11. Çfarë rruge ndoqi Noeja, pavarësisht nga dhuna që ekzistonte në ditët e tij?
11 Ashtu si ne, Noeja dhe familja e tij jetuan në një botë të dhunshme. «Djemtë e Perëndisë», engjëj të pabindur, ishin materializuar dhe kishin marrë gra nëpërmjet të cilave ata lindën nefilimët famëkeq, tiranë që pa dyshim i bënë kushtet më të dhunshme. (Zanafilla 6:1, 2, 4; 1. Pjetrit 3:19, 20) Megjithatë, «Noeja eci me Perëndinë» në besim. Ai «ishte njeri i patëmetë mes bashkëkohësve të tij», brezit të lig të ditëve të tij. (Zanafilla 6:9-11) Me një mbështetje plot lutje tek Perëndia, ne mund të bëjmë të njëjtën gjë në këtë botë të dhunshme e të ligë, ndërsa presim ditën e Jehovait.
12. (a) Përveç ndërtimit të një arke, çfarë vepre kreu Noeja? (b) Si reaguan njerëzit ndaj predikimit të Noes dhe cilat ishin pasojat për ta?
12 Noeja është i mirënjohur si ndërtuesi i një arke për ruajtjen e jetës gjatë Përmbytjes. Ai ishte, gjithashtu, «predikues i drejtësisë», por bashkëkohësit e tij «nuk ia vunë veshin» mesazhit të tij të dhënë nga Perëndia. Ata hëngrën dhe pinë, u martuan, ngritën familje dhe vazhduan të merren me çështjet normale të jetës, derisa Përmbytja i fshiu të gjithë. (2. Pjetrit 2:5; Zanafilla 6:14) Ata nuk deshën të dëgjonin për mënyrën e drejtë të të folurit dhe të sjelljes, ashtu si sot brezi i lig mbyll veshët ndaj asaj që i thonë Dëshmitarët e Jehovait në lidhje me «pendimin tek Perëndia», besimin tek Krishti, drejtësinë dhe «gjyqin e ardhshëm». (Veprat 20:20, 21; 24:24, 25) Nuk ka në dispozicion asnjë regjistrim se sa njerëz jetonin në tokë kur Noeja shpallte mesazhin e Perëndisë. Por një gjë është e sigurt: në vitin 2370 p.e.s., popullsia e tokës ishte pakësuar në mënyrë drastike! Përmbytja zhduku të ligjtë, duke kursyer vetëm ata që ishin gati për atë vepër të Perëndisë, Noen dhe shtatë të tjerët e familjes së tij.—Zanafilla 7:19-23; 2. Pjetrit 3:5, 6.
13. Në cilin dekret gjykimi vendosi besim të plotë Noeja dhe si veproi ai në përputhje me të?
13 Perëndia nuk ia njoftoi Noes vite më parë ditën dhe orën e saktë të Përmbytjes. Megjithatë, kur Noeja ishte 480 vjeç, Jehovai dekretoi: «Fryma ime nuk do të hahet gjithnjë me njeriun, sepse në shthurjen e tij ai nuk është veçse mish; ditët e tij do të jenë, pra, njëqind e njëzet vjet.» (Zanafilla 6:3) Noeja vendosi një besim të plotë në këtë dekret hyjnor gjykimi. Pasi arriti moshën 500 vjeçare, atij «i lindi Semi, Kami dhe Jafeti» dhe sipas zakonit të atyre ditëve, përpara se bijtë të martoheshin, duhej të kalonin 50-60 vjet. Kur Noes iu tha të ndërtonte arkën për ruajtjen gjatë Përmbytjes, ata bij dhe gratë e tyre duket se e ndihmuan në atë përpjekje. Ka të ngjarë që ndërtimi i arkës të ketë ndodhur njëkohësisht me shërbimin e Noes si «predikues i drejtësisë», duke e mbajtur atë të zënë për 40 deri 50 vjetët e fundit para Përmbytjes. (Zanafilla 5:32; 6:13-22) Gjatë gjithë atyre viteve, ai dhe familja e tij vepruan në besim. Le të shfaqim edhe ne besim, ndërsa predikojmë lajmin e mirë dhe presim ditën e Jehovait.—Hebrenjve 11:7.
14. Çfarë i tregoi më në fund Jehovai Noes dhe përse?
14 Ndërsa arka i afrohej përfundimit, Noeja mund të ketë menduar se Përmbytja ishte shumë e afërt, megjithëse nuk e dinte saktësisht se kur do të ndodhte ajo. Siç duket, Jehovai i tha atij: «Pas shtatë ditëve do të bëjë që të bjerë shi mbi tokë për dyzet ditë e dyzet netë me radhë.» (Zanafilla 7:4) Kjo i dha Noes dhe familjes së tij, vetëm kohën e mjaftueshme për të futur të gjitha llojet e kafshëve në arkë dhe për të hyrë edhe ata vetë para se të fillonte Përmbytja. Ne nuk kemi nevojë të dimë ditën dhe orën për fillimin e shkatërrimit të këtij sistemi; mbijetesa e kafshëve nuk na është besuar neve dhe të mbijetuarit njerëzorë të ardhshëm tashmë janë duke hyrë në arkën simbolike, në parajsën frymore të popullit të Perëndisë.
«Rrini zgjuar»
15. (a) Me fjalët e tua, si do ta shpjegoje atë që tha Jezui në Mateun 24:40-44? (b) Çfarë efekti ka mosnjohja e datës së saktë të ardhjes së Jezuit për të ekzekutuar hakmarrjen e Perëndisë?
15 Në lidhje me praninë e tij, Jezui shpjegoi: «Atëherë dy do të jenë në arë, një do të merret dhe tjetri do të lihet, dy gra do të bluajnë në mulli, një do të merret dhe tjetra do të lihet. Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj. Por dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë ore të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i shpërthehej shtëpia. Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk e mendoni.» (Mateu 24:40-44; Luka 17:34, 35) Mosnjohja e kohës së saktë të ardhjes së Jezuit për të ekzekutuar hakmarrjen e Perëndisë, na bën të qëndrojmë vigjilentë dhe na jep çdo ditë mundësinë për të treguar se i shërbejmë Jehovait jo me motive egoiste.
16. Çfarë do t’u ndodhë individëve që janë «lënë» dhe atyre që janë «marrë»?
16 Individët «e lënë» në shkatërrim bashkë me të ligjtë, do të përfshijnë ata që janë ndriçuar njëherë, por që janë përpirë nga një mënyrë jetese egoiste. Qofshim mes atyre që «merren», atyre plotësisht të përkushtuar Jehovait dhe me të vërtetë mirënjohës për sigurimet e tij frymore nëpërmjet «skllavit të besueshëm dhe të matur». (Mateu 24:45-47) Derisa të vijë fundi, le t’i shërbejmë Perëndisë me «dashuri prej një zemre të pastër, prej një ndërgjegjeje të pastër dhe prej një besimi jo të shtirur».—1. Timoteut 1:5.
Veprat e shenjta janë themelore
17. (a) Çfarë ishte parathënë në 2. Pjetrit 3:10? (b) Cilat janë disa nga veprat dhe veprimet që inkurajohemi të bëjmë sipas 2. Pjetrit 3:11?
17 Apostulli Pjetër shkroi: «Dita e Jehovait do të vijë si një vjedhës, në të cilën qiejt do të kalojnë me një zhurmë fishkëllyese, por elementët, duke qenë jashtëzakonisht të nxehtë, do të shpërbëhen dhe toka dhe veprat që janë në të, do të zbulohen.» (2. Pjetrit 3:10, BR) Qiejt dhe toka simbolike nuk do ta mbijetojnë nxehtësinë e zemërimit përvëlues të Perëndisë. Kështu, Pjetri shton: «Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shpërbëhen, ç’lloj personash duhet të jeni në vepra të shenjta sjelljeje dhe veprime të devotshmërisë hyjnore!» (2. Pjetrit 3:11, BR) Mes këtyre veprave dhe veprimeve, janë prania e rregullt në mbledhjet e krishtere, bërja e së mirës ndaj të tjerëve dhe pasja e një pjesëmarrjeje domethënëse në predikimin e lajmit të mirë.—Mateu 24:14; Hebrenjve 10:24, 25; 13:16.
18. Nëse jemi duke zhvilluar një ngjitje pas botës, çfarë duhet të bëjmë?
18 «Veprat e shenjta të sjelljes dhe veprimet e devotshmërisë hyjnore» kërkojnë që ne ta ‘mbajmë veten të pastër nga bota’. (Jakovit 1:27) Por ç’të themi nëse jemi duke zhvilluar një ngjitje pas kësaj bote? Ndoshta jemi duke u joshur nga një pozitë e rrezikshme përpara Perëndisë, duke kërkuar zbavitje të ndyrë apo duke dëgjuar muzikë dhe këngë që nxitin frymën e paperëndishme të kësaj bote. (2. Korintasve 6:14-18) Nëse është kështu, le të kërkojmë ndihmën e Perëndisë në lutje dhe në këtë mënyrë nuk do të kalojmë bashkë me botën, por do të qëndrojmë të miratuar përpara Birit të njeriut. (Luka 21:34-36; 1. Gjonit 2:15-17) Nëse kemi bërë një dedikim ndaj Perëndisë, sigurisht që do të duam të bëjmë të pamundurën për të ndërtuar dhe për të mbajtur një marrëdhënie të ngrohtë me të dhe kështu të jemi gati për ditën e madhe dhe të frikshme të Jehovait.
19. Përse shumë lajmëtarë të Mbretërisë mund të presin që të jetojnë gjatë përfundimit të këtij sistemi të lig gjërash?
19 Noeja i perëndishëm dhe familja e tij, jetuan gjatë Përmbytjes që shkatërroi botën e lashtë. Individët e drejtë mbijetuan fundin e sistemit judaik të gjërave në vitin 70 të e.s. Për shembull, apostulli Gjon ishte ende aktiv në shërbimin e Perëndisë rreth viti 96-98 të e.s., kur shkroi librin e Zbulesës, tregimin e tij të ungjillit dhe tri letrat e frymëzuara. Nga mijërat që përqafuan besimin e vërtetë në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., ka të ngjarë që shumë të kenë jetuar gjatë fundit të sistemit judaik. (Veprat 1:15; 2:41, 47; 4:4) Sot, një numër i madh lajmëtarësh të Mbretërisë mund të shpresojnë që të jetojnë gjatë përfundimit të sistemit të tanishëm të lig të gjërave.
20. Përse duhet të jemi ‘predikues të drejtësisë’ të zellshëm?
20 Duke u ruajtur për në botën e re që na pret përpara, le të jemi ‘predikues të drejtësisë’ të zellshëm. Çfarë privilegji është t’i shërbesh Perëndisë në këto ditë të fundit! Dhe çfarë gëzimi është t’i drejtosh njerëzit drejt «arkës» së ditëve të tanishme, parajsës frymore të gëzuar nga populli i Perëndisë! Milionat që tani ndodhen në të, mbetshin besimplotë, frymësisht zgjuar dhe gati për ditën e madhe të Jehovait. Por, çfarë do të na ndihmojë të gjithëve ne për të qëndruar zgjuar?
[Shënimi]
a Shiko kapitujt 10 dhe 11 të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Çfarë pritej nga shumë persona në lidhje me ditën e Jehovait dhe praninë e Krishtit?
◻ Përse mund të themi se Noeja dhe familja e tij ishin gati për Përmbytjen?
◻ Çfarë do t’u ndodhë atyre që «rrinë zgjuar» dhe atyre që nuk e bëjnë këtë?
◻ Përse veprat e shenjta janë themelore, veçanërisht ndërsa i afrohemi ditës së madhe të Jehovait?