Jini me mendje të shëndoshë: Fundi është afruar
«Fundi i çdo gjëje është afruar. Jini me mendje të shëndoshë, pra, dhe vigjilentë me pamjen nga lutjet.»—1. PJETRIT 4:7, NW.
1. (a) Çfarë zhgënjimi pati një udhëheqës fetar dhe ithtarët e tij? (b) Cilat pyetje lindin, pasi disa pritje nuk janë realizuar?
«KËTË mbrëmje, gjatë lutjes së fundit, Perëndia më thirri. Më tha se 116.000 njerëz do të ngjiten në qiell dhe se varret e 3 milion e 700.000 besimtarëve të vdekur do të hapen drejt qiellit.» Kështu tha një nga udhëheqësit e Misionit për Ditët e së Ardhmes, në prag të 28 tetorit 1992, ditës së llogarisë të profetizuar prej tyre. Megjithatë, kur 29 tetori erdhi, askush nuk u ngjit në qiell dhe asnjë varr nuk u hap. Në vend se të rrëmbeheshin papritur në qiell, ata koreanë që besonin se kish ardhur fundi i botës, panë të lindte një ditë si gjithë të tjerat. Datat e caktuara për fundin e botës vijnë e ikin, por ata që besojnë në to nuk dorëzohen. Çfarë duhet të bëjnë të krishterët? Nuk duhet të besojnë më se fundi po afrohet me shpejtësi?
2. Kush u foli apostujve për një ditë të ardhme gjykimi dhe në çfarë rrethanash u vunë në dijeni?
2 Për t’u përgjigjur, le të kujtojmë një rast kur Jezui po bisedonte privatisht me dishepujt. Atje, në Çezarean e Filipisë, në veri-lindje të Detit të Galileas, me malin Hermon që ngrihej madhështor në sfond, ata e dëgjuan t’u thoshte troç se do ta vrisnin. (Mateu 16:21) Pasuan edhe fjalë të tjera që të bënin të mendoheshe. Pasi u shpjegoi se për të qenë dishepuj duhej të jetonin vazhdimisht një jetë vetëflijuese, Jezui paralajmëroi: «Biri i njeriut është caktuar që të vijë në lavdinë e Atit të tij me engjëjt e tij dhe atëherë do ta shpërblejë secilin sipas sjelljes së tij.» (Mateu 16:27, NW) Jezui bënte fjalë për një ardhje në të ardhmen, gjatë së cilës, ama, ai do të ishte një Gjykatës. Në atë kohë, e ardhmja e gjithësecilit do të varej plotësisht nga fakti nëse do të gjendej apo jo duke e ndjekur besnikërisht atë. Gjykimi i Jezuit do të mbështetej mbi sjelljen dhe aspak mbi faktin se sa shumë të mira materiale mund të kishte një individ. Dishepujt e tij duhej ta ngulitnin mirë në mendje këtë. (Mateu 16:25, 26) Prandaj, vetë Jezu Krishti u thotë ithtarëve të tij që të rrinë në pritje të ardhjes së tij të lavdishme dhe gjykimit të tij.
3. Si e tregoi Jezui sigurinë e ardhjes së tij në të ardhmen?
3 Ajo çka thotë Jezui më vonë, ilustron sigurinë e ardhjes së tij në të ardhmen. Me autoritet ai deklaron: «Me të vërtetë po ju them se disa prej atyre që janë këtu nuk do ta shijojnë aspak vdekjen, para se të kenë parë Birin e njeriut që të vijë në mbretërinë e tij.» (Mateu 16:28, NW) Këto fjalë plotësohen gjashtë ditë më vonë. Një vizion i lavdishëm i Jezuit të shpërfytyruar i mrekullon dishepujt më të afërt të tij. Shohin fytyrën e tij të shkëlqejë si dielli dhe veshjen e tij të shndrisë si drita. Shpërfytyrimi dha një ide të lavdisë së Jezuit dhe të Mbretërisë së tij. Çfarë vërtetimi forcues i profecive të Mbretërisë! Sa nxitje e fortë për dishepujt që të jenë me mendje të shëndoshë!—2. Pjetrit 1:16-19.
Përse është urgjente që të jemi me mendje të shëndoshë
4. Përse të krishterët duhet të qëndrojnë në gatishmëri frymore për ardhjen e Jezuit?
4 Më pak se një vit më vonë, Jezuin e gjejmë të ulur në Malin e Ullinjve, duke biseduar përsëri privatisht me dishepujt e tij. Ndërsa vështrojnë qytetin e Jeruzalemit, ai shpjegon se cila do të jetë shenja e pranisë së tij të ardhshme dhe pastaj paralajmëron: «Jini vigjilentë, pra, sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj.» Ithtarët e tij duhet të qëndrojnë vazhdimisht në gatishmëri, sepse koha e ardhjes së tij nuk njihet. Duhet të rrinë gjithmonë gati.—Mateu 24:42, NW.
5. Si mund të ilustrohet nevoja për të qenë vigjilentë?
5 Sa për mënyrën e ardhjes së tij, Zotëria i ngjan një vjedhësi. Ai vazhdon: «Por dini një gjë, se po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë do të vinte vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të linte që t’i thyhej shtëpia.» (Mateu 24:43, NW) Një thyerës nuk e paralajmëron të zotin e shtëpisë se kur do të vijë; ai përdor faktorin befasi. Prandaj, i zoti i shtëpisë duhet të jetë gjithmonë vigjilent. Vigjilenca e palodhur e të krishterit besnik, nuk i detyrohet një pasigurie të frikshme. Ajo është e motivuar nga një pritje me padurim e ardhjes së Krishtit në lavdi, për t’i hapur rrugë një paqeje Mijëvjeçare.
6. Përse duhet të jemi me mendje të shëndoshë?
6 Megjithë vigjilencën e treguar, askush nuk mund të njohë kurrë që më parë ditën e saktë kur do të vijë Jezui. Ai tha: «Prandaj edhe ju qëndroni gati, sepse në një orë që nuk e mendoni, vjen Biri i njeriut.» (Mateu 24:44, NW) Prej kësaj vjen edhe nevoja për të qenë me mendje të shëndoshë. Nëse i krishteri do të mendonte se në një datë të caktuar Krishti nuk do të vijë, ka mundësi që pikërisht ajo të jetë dita e ardhjes së tij! Është e vërtetë se në të kaluarën të krishterët besnikë, me qëllim të mirë kanë kërkuar sinqerisht të parashikojnë se kur do të vijë fundi. Megjithatë, paralajmërimi i Jezuit është vërtetuar shumë e shumë herë: «Sa për atë ditë dhe për atë orë, askush nuk e di, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.»—Mateu 24:36, NW.
7. Si duhet të jetojmë për të qenë ithtarë të Krishtit?
7 Çfarë duhet të nxjerrim si përfundim, pra? Që për të qenë ithtarë të Krishtit, duhet të jetojmë vazhdimisht me bindjen se fundi i këtij sistemi të lig është i pashmangshëm.
8. Ç’gjë i ka karakterizuar të krishterët qysh prej kohëve të para të krishterimit?
8 Ky qëndrim i ka karakterizuar gjithmonë të krishterët, siç e pranojnë historianë botërorë dhe studiues biblikë. Për shembull, në fjalorthin e një teksti biblik (The Translator’s New Testament), në zërin «Ditë», botuesit thonë: «Të krishterët e kohëve të B[esëlidhjes] së R[e], jetonin në pritje të Ditës (pra, të kohës) kur bota e tanishme, me gjithë ligësinë dhe të këqijat e saj, do të merrte fund dhe Jezui do të kthehej mbi tokë për të gjykuar të gjithë njerëzimin, për të inauguruar një epokë të re paqeje dhe për të filluar sundimin e tij si Zotëri mbi mbarë botën.» Encyclopœdia Britannica vëren: «Shtrirja botërore e krishterimit, e vetme në llojin e saj, lidhet drejtpërdrejtë me pritjen e krishterë të kohës së fundit, në formën e një pritjeje të pashmangshme të kthimit të Krishtit. Pritja e krishterë e kohës së fundit, nuk konsistoi kurrë në një dëshirë të thjeshtë pasive për ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë.»
Ç’do të thotë të jesh me mendje të shëndoshë
9. Edhe pse disa pritje mesianike të Pjetrit nuk kishin dalë të sakta, si mundi ai të vazhdonte të kishte besim?
9 Apostulli Pjetër, gati 30 vjet më vonë pas atyre bisedave private që pati Jezui me dishepujt e tij më të afërt, nuk ishte lodhur së prituri ardhjen e fundit. Edhe pse pritjet e para të tij dhe të dishepujve të tjerë mbi Mesinë nuk kishin dalë të sakta, ai vazhdonte të besonte se dashuria dhe forca e Jehovait do të ishin garanci për realizimin e shpresës së tyre. (Luka 19:11; 24:21; Veprat 1:6; 2. Pjetrit 3:9, 10) Ai përsërit një koncept që gjendet shpesh në Shkrimet Greke, kur thotë: «Fundi i çdo gjëje është afruar.» Pastaj, i nxit të bashkëkrishterët: «Jini me mendje të shëndoshë, pra, dhe vigjilentë me pamjen nga lutjet.»—1. Pjetrit 4:7, NW.
10. (a) Ç’do të thotë të jesh me mendje të shëndoshë? (b) Çfarë përfshin shikimi i gjërave në lidhjen e tyre të drejtë me vullnetin e Perëndisë?
10 Të jesh «me mendje të shëndoshë», nuk do të thotë të jesh i shkëlqyer nga një pikëpamje botërore. Jehovai thotë: «Do ta humbas dijen e të diturve dhe do ta hedh tej mençurinë e të mençurve.» (1. Korintasve 1:19, NW) Fjala që përdor Pjetri mund të thotë edhe «jini me mendje të kthjellët». Kjo kthjelltësi frymore ka lidhje me adhurimin tonë. Duke qenë të kthjellët mendërisht, i shohim gjërat në lidhjen e tyre të drejtë me vullnetin e Jehovait; e kuptojmë se cilat gjëra janë të rëndësishme dhe cilat jo. (Mateu 6:33, 34) Edhe pse fundi është i pashmangshëm, ne nuk tërhiqemi nga një mënyrë e shfrenuar jetese; dhe as nuk tregohemi indiferent ndaj periudhës kohore në të cilën jetojmë. (Krahaso Mateu 24:37-39.) Përkundrazi, udhëhiqemi nga përmbajtja dhe ekuilibri në mendime, qëndrime dhe sjellje, të shprehura së pari përpara Perëndisë («jini vigjilentë me pamjen nga lutjet») dhe pastaj për të afërmit («kini dashuri të dendur njëri për tjetrin»).—1. Pjetrit 4:7, 8.
11. (a) Ç’do të thotë të jesh «i rinuar në forcën lëvizëse të mendjes»? (b) Në ç’mënyrë mund të na ndihmojë një forcë e re mendore për të marrë vendime të zgjuara?
11 Të jesh me mendje të shëndoshë, përfshin edhe që «të rinohemi në forcën lëvizëse të mendjes [sonë].» (Efesianëve 4:23, NW) Përse të rinohemi? Pasi kemi trashëguar papërsosmërinë dhe jetojmë në një botë mëkatare, mendja jonë është e sunduar nga një prirje që kundërshton karakterin tonë frymor. Kjo forcë i shtyn vazhdimisht mendimet dhe prirjet në një drejtim materialist dhe egoist. Prandaj, kur bëhemi të krishterë, kemi nevojë për një forcë të re apo rregull mendor sundues, që t’i shtyjë mendimet në drejtimin e duhur, atë frymor, drejt gatishmërisë për t’u sakrifikuar. Kështu, kur duhet të bëjmë një zgjedhje, për shembull në edukim, karrierë, punë, zbavitje, pushime, veshje apo në çfarëdo gjë tjetër, mendimi i parë duhet të jetë vlerësimi i çështjes nga një pikëpamje frymore dhe jo trupore, egoiste. Ky rregull i ri mendor e lehtëson marrjen e një vendimi me mendje të shëndoshë dhe me vetëdijen se fundi është afër.
12. Si mund të qëndrojmë «të shëndoshë në besim»?
12 Të jesh me mendje të shëndoshë përfshin edhe që të gëzojmë një shëndet të mirë frymor. Si mund të qëndrojmë «të shëndoshë në besim»? (Titit 2:2, NW) Duhet ta ushqejmë mendjen tonë me llojin e duhur të ushqimit. (Jeremia 3:15) Ushqimi i rregullt me Fjalën e vërtetë të Perëndisë, i mbështetur nga veprimi i frymës së shenjtë, do të na ndihmojë të mbajmë ekuilibrin frymor. Rregullsia në studimin personal, shërbimi në fushë, lutja dhe shoqëria e krishterë, pra, janë të domosdoshme.
Si na ruan të qenët me mendje të shëndoshë
13. Në ç’mënyrë të qenët me mendje të shëndoshë na ndihmon për të mos kryer gabime trashanike?
13 Të qenët me mendje të shëndoshë mund të na ruajë nga kryerja e gabimeve trashanike që mund të na kushtojnë jetën e përhershme. Si është e mundur kjo? Apostulli Pavël flet për «ligjin e mendjes». Për një njeri të shëndoshë në besim, ky ligj i mendjes qeveriset nga diçka që i pëlqen, d.m.th. nga «ligji i Perëndisë». Është e vërtetë që «ligji i mëkatit» lufton kundër ligjit të mendjes. Megjithatë, me ndihmën e Jehovait, i krishteri mund të dalë prej saj fitimtar.—Romakëve 7:21-25.
14, 15. (a) Cilat janë dy forcat që luftojnë për të kontrolluar mendjen? (b) Si mund ta fitojmë betejën e mendjes?
14 Pavli vazhdon, duke bërë një dallim të dukshëm midis mendjes së sunduar nga trupi mëkatar, e përqëndruar në shpagimin e vetvetes dhe mendjes së sunduar prej frymës së Perëndisë, e përqëndruar në një jetë vetëflijuese në shërbim të Jehovait. Në Romakëve 8:5-7 Pavli shkruan: «Ata që janë sipas mishit e kthejnë mendjen e tyre nga gjërat e mishit, por ata që janë sipas frymës nga gjërat e frymës. Sepse të kthesh mendjen nga mishi, do të thotë vdekje, por ta kthesh mendjen nga fryma, do të thotë jetë dhe paqe; sepse ta kthesh mendjen nga mishi, do të thotë armiqësi me Perëndinë, pasi nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë, në fakt, as nuk mund të jetë e tillë.»—NW.
15 Në vargun 11, pra, Pavli shpjegon se si e fiton betejën mendja që bashkëpunon me frymën e shenjtë: «Tani, nëse fryma e atij që ngriti Jezuin nga të vdekurit banon ndër ju, ai që ngriti Krishtin Jezu nga të vdekurit, do t’i bëjë të gjallë edhe trupërat tuaj të vdekshëm, nëpërmjet frymës së tij që gjendet tek ju.»—NW.
16. Nga cilat joshje na mbron të qenët me një mendje të shëndoshë?
16 Prandaj, duke qenë me mendje të shëndoshë, nuk do të lejojmë që të nxitemi prej joshjeve të kudondodhura të kësaj bote, që karakterizohet prej lëshimit më të shfrenuar në çdo lloj kënaqësie, gjëra materiale dhe sjellje të gabuara seksuale. Mendja jonë e shëndoshë do të na thotë që «të ikim nga kurvëria», për të shpëtuar prej pasojave të saj shkatërrimtare. (1. Korintasve 6:18) Rregulli ynë i shëndoshë mendor do të na shtyjë që të vëmë në vend të parë interesat e Mbretërisë dhe do të kujdeset për mendimet tona, atëherë kur mund të tundohemi me propozime për të ndërmarrë një karrierë botërore, e cila mund të dobësonte lidhjen tonë me Jehovain.
17. Në ç’mënyrë tregoi një motër pioniere se kishte mendje të shëndoshë, kur u ballafaqua me disa detyrime financiare?
17 Për shembull, në një vend tropikal në jug-lindje të Azisë, gjendet një motër e re që e kishte të qartë në mendje rëndësinë e vënies në radhë të parë të interesave të Mbretërisë. Kishte kultivuar dëshirën për të filluar shërbimin e plotë kohor. Në atë vend, shumë punë kërkojnë shtatë apo tetë ditë të plota pune. Babai i saj, që nuk ishte Dëshmitar i Jehovait, priste që ajo, pasi të diplomohej në universitet, të fitonte shumë dhe t’i jepte të holla familjes. Por duke pasur dëshirën e madhe për të qenë pioniere, vajza gjeti një punë gjysmë ditore dhe filloi shërbimin si pioniere. I ati u nxeh keq dhe e kërcënoi se do ta hidhte jashtë nga shtëpia, bashkë me plaçkat saj. Duke qenë një bixhozxhi, ishte zhytur në borxhe dhe pretendonte që t’ia paguante e bija. Vëllai i vogël i saj ndiqte universitetin dhe nga shkaku i borxheve nuk kishte para për të paguar taksat në universitet. I premtoi së motrës se po ta ndihmonte, sapo të gjente punë do të kujdesej ai për të mbajtur familjen. Zemra e vajzës ishte e ndarë midis dashurisë për të vëllanë dhe dashurisë për shërbimin si pioniere. Pasi e shqyrtoi me kujdes çështjen, ajo vendosi që të vazhdonte si pioniere dhe të kërkonte një punë tjetër. Në përgjigje të lutjeve të saj, gjeti një punë të mirë me të cilën mund të ndihmonte nga ana financiare familjen dhe të vëllanë, si dhe të vazhdonte atë që donte më shumë, shërbimin si pioniere.
Kërkoni ndihmën e Jehovait për të mbajtur një mendje të shëndoshë
18. (a) Përse disa ndihen të shkurajuar? (b) Cilat vargje biblike mund të ngushëllojnë një të shkurajuar?
18 Disa ithtarë të Krishtit mund ta kenë të vështirë që të mbajnë një mendje të shëndoshë. Mund të humbin durimin, pasi sistemi i lig po zgjat më tepër nga sa kanë menduar ata. Për këtë mund të ndihen të shkurajuar. Megjithatë, fundi do të vijë. Dhe këtë e ka premtuar Jehovai. (Titit 1:2) Po kështu mund të themi edhe për tokën parajsore që ai ka premtuar. Jehovai na siguron realizimin e kësaj. (Zbulesa 21:1-5) Kur bota e re të vijë me të vërtetë, për të gjithë ata që kanë mbajtur një mendje të shëndoshë do të ketë «një pemë jete».—Proverbat 13:12.
19. Si mund të mbahet një mendje e shëndoshë?
19 Si mund të mbajmë një mendje të shëndoshë? Duke i kërkuar ndihmë Jehovait. (Psalmi 54:4) Duke i qëndruar afër atij. Sa gëzim është për ne që të dimë se Jehovai e dëshiron miqësinë tonë! «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve»,—shkruan dishepulli Jakov. (Jakovit 4:8, NW) Pavli tha: «Gëzohuni gjithmonë në Zotërinë. Akoma edhe një herë do të them: Gëzohuni! Arsyeja juaj le t’u bëhet e njohur të gjithë njerëzve. Zotëria është afër. Mos jini në ankth për asgjë, por në çdo gjë kërkesat tuaja t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe të lutura, bashkë me falënderime; dhe paqja e Perëndisë që tejkalon çdo mendim, do të kujdeset për zemrat tuaja dhe për aftësitë tuaja mendore, nëpërmjet Krishtit Jezu.» (Filipianëve 4:4-7, NW) Dhe kur pesha e këtij sistemi gjërash që po vdes do të duket tepër e madhe për t’u mbajtur, hidhe mbi Jehovain dhe ai vetë do të të mbështesë.—Psalmi 55:22.
20. Çfarë duhet të vazhdojmë të bëjmë në përputhje me 1. Timoteut 4:10?
20 Po, fundi është afër, prandaj jini me mendje të shëndoshë! Kjo ishte një këshillë e mirë 1.900 vjet më parë; sot është me një rëndësi jetësore. Le të vazhdojmë t’i përdorim aftësitë tona të shëndosha mendore për të lavdëruar Jehovain, ndërsa ai na udhëheq drejt botës së tij të re.—1. Timoteut 4:10.
Pyetjet për përsëritje
◻ Ç’do të thotë të jesh me mendje të shëndoshë?
◻ Përse është kaq urgjente të jemi me mendje të shëndoshë?
◻ Si mund të rinohemi në forcën lëvizëse të mendjes sonë?
◻ Cilën betejë duhet të zhvillojmë vazhdimisht në nivel mendor?
◻ Si mund të mbajmë një mendje të shëndoshë?
[Figura në faqen 15]
Afrimi ndaj Perëndisë me lutje, na ndihmon që të mbajmë një mendje të shëndoshë
[Figura në faqen 17]
Duke qenë me mendje të shëndoshë, nuk do të nxitemi nga joshjet e kësaj bote