Ji vigjilent dhe i zellshëm!
«Qëndroni vigjilentë, pra, sepse nuk e dini as ditën, as orën!»—MATEU 25:13, BR.
1. Çfarë priste me padurim apostulli Gjon?
NË DIALOGUN e fundit në Bibël, Jezui premtoi: «Unë po vij me të shpejtë.» Apostulli i tij, Gjoni iu përgjigj: «Amin! Eja, Zotëri Jezu.» Apostulli nuk kishte asnjë dyshim se Jezui do të vinte. Gjoni ishte mes apostujve që e kishin pyetur Jezuin: «Kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë [greqisht parousia] sate dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?» Po, Gjoni e priste i sigurt praninë e ardhme të Jezuit.—Zbulesa 22:20, BR; Mateu 24:3, BR.
2. Lidhur me praninë e Jezuit, cila është situata nëpër kisha?
2 Në ditët tona një siguri e tillë takohet rrallë. Shumë kisha e kanë nga një doktrinë zyrtare lidhur me «ardhjen» e Jezuit, por pak prej anëtarëve të tyre e presin vërtet këtë ardhje. Ata jetojnë pa e marrë fare parasysh atë. Në librin Parousia në Besëlidhjen e Re (The Parousia in the New Testament), vërehet: «Ekziston shumë pak integrim domethënës i shpresës së Parousias në jetën, mendimet dhe punën e kishës. . . . Urgjenca e madhe me të cilën kisha duhet të ndërmarrë detyrat e saj të pendimit dhe të shpalljes si mision të ungjillit, është dobësuar, për të mos thënë që ka humbur fare.» Por kjo nuk ndodh me të gjithë!
3. (a) Çfarë mendojnë të krishterët e vërtetë lidhur me parousian? (b) Çfarë do të shqyrtojmë tani në veçanti?
3 Dishepujt e vërtetë të Jezuit po e presin me padurim fundin e sistemit të tanishëm të lig të gjërave. Ndërkohë që po presim me besnikëri, duhet të mbajmë pikëpamjen e duhur ndaj gjithçkaje që përfshihet në praninë e Jezuit dhe të veprojmë në përputhje me të. Kjo gjë do të na mundësojë të ‘ngulmojmë deri në fund dhe të shpëtohemi’. (Mateu 24:13) Kur po jepte profecinë që gjejmë në kapitujt 24 dhe 25 të Mateut, Jezui dha këshilla të mençura, të cilat mund t’i zbatojmë për dobinë tonë të qëndrueshme. Kapitulli 25 përmban disa shëmbëlltyra që ti ndoshta i di, duke përfshirë edhe një shëmbëlltyrë për dhjetë virgjëresha (virgjëreshat e mençura dhe ato të pamenda), si edhe shëmbëlltyrën e talentave. (Mateu 25:1-30) Si mund të nxjerrim dobi nga këto ilustrime?
Ji vigjilent, siç ishin pesë virgjëreshat!
4. Cili është thelbi i shëmbëlltyrës së virgjëreshave?
4 Ndoshta dëshiron ta lexosh edhe një herë shëmbëlltyrën e virgjëreshave, të cilën e gjejmë në Mateun 25:1-13. Mjedisi është një dasmë e madhe judaike, ku dhëndri shkon në shtëpinë e babait të nuses, për ta marrë nusen e për ta çuar në shtëpinë e vet (ose në shtëpinë e babait të vet). Një vargan i tillë krushqish mund të përfshijë muzikantë e këngëtarë dhe koha e saktë e mbërritjes së tij nuk dihet me saktësi. Në shëmbëlltyrë, dhjetë virgjëreshat kishin pritur deri natën vonë për mbërritjen e dhëndrit. Pesë prej tyre në mënyrë të pamend nuk kishin sjellë mjaft vaj për llambat dhe iu desh të shkonin të blinin akoma. Pesë të tjerat me mençuri kishin sjellë enë me vaj më tepër, kështu që mund t’i mbushnin përsëri llambat po të ishte e nevojshme gjatë pritjes. Vetëm këto të pesta ishin aty dhe ishin gati kur mbërriti dhëndri. Prandaj, vetëm atyre iu lejua të hynin në gosti. Kur u kthyen pesë virgjëreshat e pamenda, ishte tepër vonë për të hyrë.
5. Cilat shkrime hedhin dritë mbi domethënien figurative të shëmbëlltyrës së virgjëreshave?
5 Shumë aspekte të kësaj shëmbëlltyre mund të kuptohen në mënyrë simbolike. Për shembull, Shkrimet flasin për Jezuin si një dhëndër. (Gjoni 3:28-30) Jezui e krahasoi veten me birin e një mbreti, për të cilin po përgatitej një gosti dasme. (Mateu 22:1-14) Gjithashtu, Bibla e krahason Krishtin me një bashkëshort. (Efesianëve 5:23) Interesant është fakti se, ndërkohë që në vende të tjera të krishterët e mirosur përshkruhen si «nusja» e Krishtit, shëmbëlltyra nuk përmend ndonjë nuse. (Gjoni 3:29; Zbulesa 19:7; 21:2, 9) Gjithsesi, aty flitet për dhjetë virgjëresha dhe në një vend tjetër të mirosurit krahasohen me një virgjëreshë që i është premtuar në martesë Krishtit.—2. Korintasve 11:2.a
6. Cilën këshillë dha Jezui, kur përfundoi shëmbëlltyrën e virgjëreshave?
6 Përveç këtyre hollësive dhe ndonjë zbatimi profetik, prej kësaj shëmbëlltyre mund të mësojmë sigurisht disa parime të shkëlqyera. Për shembull, vër re se Jezui e përfundoi shëmbëlltyrën me fjalët: «Qëndroni vigjilentë, pra, sepse nuk e dini as ditën, as orën!» Kështu, shëmbëlltyra përcjell nevojën që secili prej nesh të jetë vigjilent dhe syçelë ndaj afrimit të fundit të këtij sistemi të lig. S’ka asnjë dyshim që ky fund po vjen, edhe pse nuk mund të përcaktojmë një datë për të. Lidhur me këtë, vër re qëndrimet që shfaqën dy grupet e virgjëreshave.
7. Në cilin kuptim dolën të pamenda pesë nga virgjëreshat në shëmbëlltyrë?
7 Jezui tha: «Pesë prej tyre ishin të pamenda.» Mos vallë kjo ndodhte sepse ato nuk besonin që dhëndri po vinte? Mos ishin larguar, duke rendur pas kënaqësive? Apo mos ishin mashtruar? Përgjigjja është jo. Jezui tha se këto të pesta «dolën të takonin dhëndrin». Ato e dinin se ai po vinte dhe donin të ishin të përfshira e madje të merrnin pjesë në «gostinë e dasmës». Por, a ishin mjaft të përgatitura? Ato e pritën për njëfarë kohe atë, deri «në mes të natës», por nuk ishin të përgatitura për mbërritjen e tij kurdo që të ndodhte, qoftë më herët, qoftë më vonë sesa e prisnin ato fillimisht.
8. Si provuan pesë nga virgjëreshat e shëmbëlltyrës se ishin të matura?
8 Edhe pesë të tjerat, të cilat Jezui i quajti të matura, dolën me llamba të ndezura, duke pritur mbërritjen e dhëndrit. Edhe atyre iu desh të prisnin, por ishin «të matura». Fjala greke e përkthyer «i matur» mund të përcjellë idenë e të qenët «i kujdesshëm, i arsyeshëm, i mençur në mënyrë praktike». Këto të pesta provuan se ishin të matura, duke sjellë me vete enë me vaj më tepër, për t’i mbushur përsëri llambat e tyre po të ishte e nevojshme. Në fakt, ato ishin kaq të përqendruara për të qenë gati për dhëndrin, saqë nuk pranuan t’ua jepnin të tjerave vajin e tyre. Një vigjilencë e tillë nuk ishte e pavend, siç provohet nga fakti se ato ishin të pranishme dhe plotësisht të përgatitura kur mbërriti dhëndri. Këto, të cilat «ishin gati, hynë brenda me të në gostinë e dasmës dhe dera u mbyll».
9, 10. Cila është çështja kryesore e shëmbëlltyrës së virgjëreshave dhe cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
9 Jezui nuk po jepte një mësim lidhur me sjelljen e kulturuar në dasmë, as po jepte këshilla nëse duhet të ndajmë gjërat me të tjerët apo jo. Çështja kryesore ishte: «Qëndroni vigjilentë, pra, sepse nuk e dini as ditën, as orën!» Pyet veten: ‘A jam vërtet vigjilent për sa i përket pranisë së Jezuit?’ Ne besojmë se Jezui tani mbretëron në qiell, por sa të përqendruar jemi në realitetin se ‘Biri i njeriut do të vijë së shpejti mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe’? (Mateu 24:30) Aty nga «mesi i natës», mbërritja e dhëndrit ishte patjetër më afër se në kohën kur virgjëreshat dolën fillimisht për ta takuar. Në mënyrë të ngjashme, mbërritja e Birit të njeriut për të shkatërruar sistemin e tanishëm të lig është më afër se në kohën kur ne filluam ta prisnim ardhjen e tij. (Romakëve 13:11-14) A e kemi mbajtur vigjilencën, madje duke e shtuar akoma më shumë atë, ndërsa koha afrohet më tepër?
10 Bindja ndaj urdhrit «qëndroni vigjilentë» kërkon një vigjilencë të vazhdueshme. Pesë nga virgjëreshat lanë që t’u mbaronte vaji dhe shkuan për të blerë tjetër. Sot, një i krishterë mund të shpërqendrohet në mënyrë të ngjashme, kështu që nuk është plotësisht i përgatitur për mbërritjen e afërt të Jezuit. U ndodhi kështu disa të krishterëve të shekullit të parë. Mund t’u ndodhë edhe disave sot. Prandaj, le të pyesim veten: ‘A po më ndodh mua?’—1. Selanikasve 5:6-8; Hebrenjve 2:1; 3:12; 12:3; Zbulesa 16:15.
Ji i zellshëm ndërsa afrohet fundi!
11. Cilën shëmbëlltyrë tjetër jep Jezui dhe me çfarë ngjan ajo?
11 Në shëmbëlltyrën tjetër, Jezui bëri më tepër se thjesht nxitjen e ithtarëve të tij për të qenë vigjilentë. Pasi foli për virgjëreshat e mençura dhe ato të pamenda, ai tregoi ilustrimin e talentave. (Lexo Mateun 25:14-30.) Në shumë aspekte, ky ilustrim i ngjan shëmbëlltyrës së minave, të cilën e kishte thënë Jezui më parë, sepse shumë veta «mendonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë».—Luka 19:11-27.
12. Cili është thelbi i shëmbëlltyrës së talentave?
12 Në shëmbëlltyrën e talentave, Jezui foli për një njeri i cili, para se të bënte një udhëtim jashtë vendit, mblodhi tre skllevërit e tij. Njërit prej tyre i dha pesë talenta, një tjetri dy dhe të fundit i dha vetëm një, «secilit sipas zotësisë së tij». Ka të ngjarë që këtu të bëhej fjalë për një talent argjendi, një sasi standarde që atëherë kishte vlerën e parave që mund të fitonte një punëtor për 14 vjet, pra goxha para! Kur njeriu u kthye, u kërkoi llogari skllevërve për atë që kishin bërë gjatë «kohës së gjatë» që ai kishte qenë larg. Dy skllevërit e parë e kishin dyfishuar vlerën e asaj që u ishte besuar. Ai i tha «të lumtë» secilit prej tyre, u premtoi përgjegjësi të tjera dhe përfundoi: ‘Hyni në gëzimin e zotërisë tuaj.’ Duke deklaruar se zotëria ishte tepër kërkues, skllavi që kishte marrë një talent nuk e kishte vënë atë në përdorim të dobishëm. Ai i kishte fshehur paratë, madje as nuk i kishte depozituar te bankierët për t’i marrë me interes. Zotëria e quajti ‘të mbrapshtë dhe përtac’, sepse kishte punuar kundër interesave të zotërisë së tij. Për pasojë, atij iu mor talenti dhe e nxorën jashtë ku do të ishte «e qara e tij dhe kërcëllimi i dhëmbëve të tij».
13. Si doli Jezui se qe ngjashëm zotërisë së shëmbëlltyrës?
13 Edhe këtu, disa hollësi mund të merren në një kuptim simbolik. Për shembull, Jezui, i paraqitur nga njeriu që udhëtoi jashtë vendit, do t’i linte dishepujt e tij, do të shkonte në qiell dhe do të priste një kohë të gjatë derisa të merrte fuqinë e tij si mbret.b (Psalmi 110:1-4; Veprat 2:34-36; Romakëve 8:34; Hebrenjve 10:12, 13) Por, edhe një herë, mund të dallojmë një mësim ose parim më të gjerë, të cilin të gjithë ne duhet ta zbatojmë në jetën tonë. Cili është ky parim?
14. Cilën nevojë jetësore thekson shëmbëlltyra e talentave?
14 Çfarëdo shprese që të kemi, atë të jetës së pavdekshme në qiell ose të jetës së përhershme në një tokë parajsore, nga shëmbëlltyra e Jezuit del qartë se duhet të përpiqemi energjikisht në aktivitetet e krishtere. Në fakt, mesazhi i kësaj shëmbëlltyre mund të përmblidhet me një fjalë: zell. Apostujt dhanë shembullin në këtë gjë, që nga Rrëshajët e vitit 33 të e.s. e më tej. Lexojmë: «Me shumë fjalë të tjera [Pjetri] dha dëshmi të plotë dhe vazhdoi t’i nxiste, duke u thënë: ‘Shpëtohuni nga ky brez i shtrembër!’» (Veprat 2:40-42, BR) Sa rezultate të shkëlqyera pati ai për përpjekjet që bëri! Ndërkohë që të tjerë bashkoheshin me apostujt në veprën e krishterë të predikimit, edhe ata tregoheshin të zellshëm, kështu që lajmi i mirë ‘rritej në gjithë botën’.— Kolosianëve 1:3-6, 23; 1. Korintasve 3:5-9.
15. Në cilën mënyrë të veçantë duhet ta zbatojmë mësimin kryesor të shëmbëlltyrës së talentave?
15 Mbaj në mendje kontekstin e kësaj shëmbëlltyre, që është një profeci mbi praninë e Jezuit. Kemi prova të bollshme se parousia e Jezuit është në vazhdim dhe se së shpejti do të arrijë kulmin e saj. Sill ndër mend lidhjen që bëri Jezui mes «fundit» dhe veprës që duhej të bënin të krishterët: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar për dëshmi në të gjitha kombet dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14, BR) Me këtë në mendje, cilit lloj skllavi i ngjajmë ne? Pyet veten: ‘A do të kishte arsye për të nxjerrë përfundimin se jam si skllavi që e fshehu atë që i ishte besuar, në një kohë kur ndoshta u kujdesua për interesat e tij personale? Apo është e qartë se jam si ata që u treguan të mirë e besnikë? A jam plotësisht i vendosur për të rritur interesat e Zotërisë në çdo rast që më jepet?’
Vigjilentë dhe të zellshëm gjatë pranisë së tij
16. Çfarë mesazhi përmbajnë këto dy shëmbëlltyra për ty?
16 Por përveç kuptimit të tyre figurativ dhe profetik, këto dy shëmbëlltyra na paraqiten me një inkurajim të qartë që vjen nga goja e vetë Jezuit. Mesazhi i tij është: ji vigjilent, ji i zellshëm, veçanërisht kur të shihet shenja e parousias së Krishtit! Kjo kohë është tani. Prandaj, a po tregohemi vërtet vigjilentë dhe të zellshëm?
17, 18. Çfarë këshilloi dishepulli Jakov lidhur me praninë e Jezuit?
17 Jakovi, vëllai i Jezuit nga nëna, nuk ishte në Malin e Ullinjve për të dëgjuar profecinë e Jezuit, por mori vesh më vonë për të dhe menjëherë e kapi rëndësinë që kishte. Ai shkroi: «Prandaj, vëllezër, ushtroni durim deri në praninë e Zotërisë. Shikoni! Fermeri vazhdon të presë frytin e çmuar të tokës, duke ushtruar durim në lidhje me të, derisa të marrë shiun e parë dhe shiun e fundit. Edhe ju ushtroni durim, bëjini zemrat tuaja të vendosura, sepse prania e Zotërisë është afruar!»—Jakovit 5:7, 8, BR.
18 Pasi u dha sigurinë se Perëndia do t’i gjykojë pa favor ata që i keqpërdorin pasuritë e tyre, Jakovi i nxiti të krishterët që të mos ishin të paduruar ndërsa prisnin që Jehovai të vepronte. Një i krishterë i paduruar mund të bëhet hakmarrës, sikur atij vetë t’i duhet të ndreqë gabimet e kryera. Por nuk duhet të ndodhë kështu, pasi koha e gjykimit është e sigurt se do të vijë. Këtë e ilustron mirë shembulli i një fermeri, siç e shpjegoi Jakovi.
19. Çfarë lloj durimi mund të ushtronte një fermer izraelit?
19 Një fermer izraelit që mbillte farën duhej të priste së pari shfaqjen e fijes së barit, pastaj rritjen e bimës dhe në fund korrjen. (Luka 8:5-8; Gjoni 4:35) Në ata muaj të pritjes ai kishte kohë e ndoshta edhe shkak për të pasur ndonjë ankth. A do të binin shirat e parë dhe a do të ishin të mjaftueshëm? Po shirat e fundit? Mos ndoshta insektet ose stuhitë do t’i prishnin bimët? (Krahaso Joelin 1:4; 2:23-25.) Sidoqoftë, në përgjithësi një fermer izraelit mund t’i besonte Jehovait dhe cikleve natyrore që ai ka vendosur. (Ligji i përtërirë 11:14; Jeremia 5:24) Durimi i fermerit mund të jetë vërtet baras me një pritje plot siguri. Ai kishte besim se ajo që po priste do të dilte. Me të vërtetë do të dilte!
20. Si mund të tregojmë ne durim në harmoni me këshillën e Jakovit?
20 Megjithëse një fermer mund të ketë njëfarë dijenie se kur do të jetë koha e korrjes, të krishterët e shekullit të parë nuk mund ta llogaritnin se kur do të ishte prania e Jezuit. Por ishte e sigurt që ajo prani do të vinte. Jakovi shkroi: «Prania [greqisht parousia] e Zotërisë është afruar.» Në kohën kur Jakovi shkroi këto fjalë, shenja e zgjeruar ose globale e pranisë së Krishtit nuk ishte ende e dukshme. Por tani është e dukshme! Prandaj, si duhet të ndihemi në këtë periudhë? Shenja është faktikisht e dukshme. Ne e shohim atë. Mund të themi me siguri: ‘Unë e shoh shenjën që po përmbushet.’ Ne mund të themi të sigurt: ‘Prania e Zotërisë është këtu dhe kulmi i saj është afër.’
21. Çfarë jemi plotësisht të vendosur të bëjmë?
21 Duke qenë se situata është e tillë, ne kemi arsye veçanërisht të fortë për t’i marrë për zemër dhe për t’i zbatuar mësimet e dy shëmbëlltyrave të Jezuit që kemi trajtuar. Ai tha: «Qëndroni vigjilentë, pra, sepse e nuk dini as ditën, as orën!» (Mateu 25:13, BR) Tani është padyshim koha që të jemi të zellshëm në shërbimin tonë të krishterë. Le ta tregojmë përditë në jetën tonë se e kuptojmë domethënien e mësimit të Jezuit! Le të jemi vigjilentë! Le të jemi të zellshëm!
[Shënimet]
a Lidhur me hollësitë simbolike të shëmbëlltyrës, shiko librin Mbretëria Mijëvjeçare e Perëndisë është afruar (God’s Kingdom of a Thousand Years Has Approached), faqet 169-211, anglisht, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Shiko librin Mbretëria Mijëvjeçare e Perëndisë është afruar, faqet 212-256, anglisht.
A të kujtohet?
◻ Çfarë mesazhi kryesor ke nxjerrë nga shëmbëlltyra e virgjëreshave të mençura dhe e atyre të pamenda?
◻ Çfarë këshille themelore po të ofron Jezui me anë të shëmbëlltyrës së talentave?
◻ Në cilin kuptim durimi yt në lidhje me parousian është si durimi i një fermeri izraelit?
◻ Pse koha në të cilën jetojmë është një kohë veçanërisht emocionuese dhe sfiduese?
[Figurat në faqen 23]
Çfarë mësimesh nxjerr nga shëmbëlltyra e virgjëreshave dhe ajo e talentave?