Kapitulli 111
Shenja e ditëve të fundit
TANI është e martë pasdite. Ndërsa Jezui qëndron i ulur në Malin e Ullinjve, duke parë poshtë drejt tempullit, Pjetri, Andrea, Jakovi dhe Gjoni vijnë tek ai privatisht. Ata janë të shqetësuar për tempullin, pasi Jezui sapo ka parathënë se prej tij nuk ka për të mbetur asnjë gur mbi gur.
Por, me sa duket, ata kanë akoma më shumë gjëra në mendje, ndërsa i afrohen Jezuit. Disa javë më parë, ai kishte folur për «praninë» e tij, kohë gjatë së cilës «Biri i njeriut do të shfaqet». Gjithashtu, në një rast të mëparshëm, ai u kishte folur atyre mbi «përfundimin e sistemit të gjërave». Prandaj, apostujt janë shumë kureshtarë.
«Na thuaj,—thonë ata,—kur do të ndodhin këto gjëra [që do të çojnë në shkatërrimin e Jerusalemit dhe të tempullit të tij] dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?» Në thelb, pyetja e tyre përbëhet nga tri pjesë. Së pari, ata duan të dinë për fundin e Jerusalemit dhe të tempullit të tij, pastaj për praninë e Jezuit në pushtetin e Mbretërisë dhe së fundi, për përfundimin e gjithë sistemit të gjërave.
Në përgjigjen e tij të zgjeruar, Jezui u përgjigjet të tria pjesëve të pyetjes. Ai jep një shenjë që identifikon kohën kur sistemi judaik i gjërave do të marrë fund, por jo vetëm kaq. Ai jep, gjithashtu, një shenjë që do t’i paralajmërojë dishepujt e tij të ardhshëm, në mënyrë që të mund ta kuptojnë se po jetojnë gjatë pranisë së tij dhe afër fundit të gjithë sistemit të gjërave.
Me kalimin e viteve, apostujt vërejnë përmbushjen e profecisë së Jezuit. Po, pikërisht gjërat që ai paratha, fillojnë të ndodhin në ditët e tyre. Kështu, të krishterët që janë gjallë 37 vjet më vonë, në vitin 70 të e.s., nuk kapen në befasi nga shkatërrimi i sistemit judaik dhe i tempullit të tij.
Sidoqoftë, prania e Krishtit nuk erdhi në vitin 70 të e.s. Prania e tij në pushtetin e Mbretërisë vjen shumë kohë më vonë. Por kur? Një shqyrtim i profecisë së Jezuit, e zbulon këtë.
Jezui parathotë se do të ketë «luftëra dhe lajme luftërash». Ai thotë se «do të ngrihet komb kundër kombi» dhe se do të ketë mungesa në ushqime, tërmete dhe epidemi. Dishepujt e tij do të urrehen dhe do të vriten. Do të dalin profetë të rremë dhe do të mashtrojnë shumë njerëz. Paligjshmëria do të rritet dhe dashuria e shumë njerëzve do të ftohet. Në të njëjtën kohë, lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë do të predikohet si një dëshmi për të gjitha kombet.
Edhe pse profecia e Jezuit ka një përmbushje të kufizuar para shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 70 të e.s., përmbushja kryesore e saj ndodh gjatë pranisë së tij dhe përfundimit të sistemit të gjërave. Një rishqyrtim i kujdesshëm i ngjarjeve botërore që prej 1914-s zbulon se profecia madhore e Jezuit e ka përjetuar përmbushjen e saj kryesore që prej atij viti.
Një pjesë tjetër e shenjës që jep Jezui është shfaqja e ‘gjësë së neveritshme që shkakton shkretim’. (BR) Në vitin 66 të e.s. kjo gjë e neveritshme shfaqet në formën e ‘ushtrive të fushuara’ të Romës, të cilat rrethojnë Jerusalemin dhe shembin murin e tempullit. ‘Gjëja e neveritshme’ qëndron aty ku nuk duhet.
Në përmbushjen kryesore të shenjës, gjëja e neveritshme është Lidhja e Kombeve dhe pasardhësja e saj, Kombet e Bashkuara. Kjo organizatë për paqen botërore konsiderohet nga i ashtuquajturi krishterim si zëvendësuese e Mbretërisë së Perëndisë. Sa gjë e neveritshme! Prandaj, me kalimin e kohës, fuqitë politike anëtare të OKB-së, do t’i kthehen të ashtuquajturit krishterim (Jerusalemit antitipik) dhe do ta shkretojnë.
Kështu, Jezui parathotë: «Atëherë do të jetë mjerim i madh, i tillë që nuk ka ndodhur qysh nga fillimi i botës e deri tani, jo, as do të ndodhë përsëri.» Shkatërrimi i Jerusalemit në vitin 70 të e.s. është me të vërtetë një mjerim i madh, gjatë të cilit me sa dihet janë vrarë mbi një milion persona. Përmbushja kryesore e kësaj pjese të profecisë së Jezuit do të jetë shumë herë më e madhe.
Besim gjatë ditëve të fundit
Ndërsa dita e martë, 11 nisan, po i afrohet fundit, Jezui vazhdon diskutimin me apostujt mbi shenjën e pranisë së tij në pushtetin e Mbretërisë dhe të përfundimit të sistemit të gjërave. Ai i paralajmëron ata në lidhje me ndjekjen e Krishtërve të rremë. Ai thotë se do të bëhen përpjekje për ‘të mashtruar, nëse është e mundur, madje edhe të zgjedhurit’. Por, ashtu si shqiponjat që shikojnë larg, këta të zgjedhur do të mblidhen atje ku do të gjendet ushqimi i vërtetë frymor, domethënë, pranë Krishtit të vërtetë në praninë e tij të padukshme. Ata nuk do të mashtrohen për t’u bashkuar me ndonjë Krisht të rremë.
Krishtërit e rremë mund të shfaqen vetëm në mënyrë të dukshme. Në kontrast me këtë, prania e Jezuit do të jetë e padukshme. Jezui thotë se pas shpërthimit të mjerimit «dielli do të errësohet dhe hëna nuk do të japë dritën e saj». Po, kjo do të jetë periudha më e errët e ekzistencës njerëzore. Do të jetë, sikur dielli të errësohej gjatë ditës dhe sikur hëna të mos e jepte dritën e saj gjatë natës.
«Fuqitë e qiejve do të tronditen»,—vazhdon Jezui. Në këtë mënyrë, ai tregon se qiejtë fizikë do të marrin një pamje kërcënuese. Frika e dhuna do të tejkalojnë gjithçka të përjetuar më parë në historinë njerëzore.
Si rezultat, Jezui thotë se do të ketë «ankth kombesh, duke mos ditur si të dalin, për shkak të uturimës së detit dhe trazimit të tij, ndërsa njerëzve do t’u bjerë të fikët për shkak të frikës dhe pritjes së gjërave që do të jenë duke ardhur mbi tokën e banuar». Në të vërtetë, ndërsa kjo periudhë, më e errëta e ekzistencës njerëzore shkon drejt fundit, «shenja e Birit të njeriut do të shfaqet në qiell dhe atëherë të gjitha fiset e tokës do të godasin veten me vajtime».
Megjithatë, jo të gjithë do të jenë duke vajtuar kur ‘Biri i njeriut të vijë me fuqi’ për të shkatërruar këtë sistem të lig gjërash. «Të zgjedhurit», 144.000 personat që do të marrin pjesë bashkë me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore, nuk do të vajtojnë, e as shokët e tyre, ata që Jezui më parë i ka quajtur ‘delet e tjera’. Megjithëse jetojnë gjatë periudhës më të errët të historisë njerëzore, këta i përgjigjen inkurajimit të Jezuit: «Kur këto gjëra të fillojnë të ndodhin, ngrihuni dhe ngrini kokat lart, sepse çlirimi juaj po afrohet.»
Në mënyrë që dishepujt, të cilët do të jetonin gjatë ditëve të fundit, të mund të përcaktonin se sa afër do të ishte fundi, Jezui jep këtë ilustrim: «Vini re pemën e fikut dhe të gjitha pemët e tjera: kur ato tashmë kanë lëshuar sytha, duke e vërejtur këtë, ju e dini vetë se tani vera është afër. Po kështu edhe ju, kur t’i shihni këto gjëra duke ndodhur, dijeni se Mbretëria e Perëndisë është afër. Në të vërtetë po ju them: Ky brez, në asnjë mënyrë nuk do të kalojë, derisa të ndodhin të gjitha gjërat.»
Kështu, kur dishepujt të shohin aspekte të ndryshme të shenjës duke u plotësuar, ata duhet ta kuptojnë se fundi i sistemit të gjërave është afër dhe se Mbretëria e Perëndisë së shpejti do të eliminojë të gjithë ligësinë. Në fakt, fundi do të vijë brenda periudhës së jetës së njerëzve që shohin përmbushjen e të gjitha gjërave që parathotë Jezui! Duke këshilluar ata dishepuj që do të ishin në jetë gjatë ditëve vendimtare të fundit, Jezui thotë:
«Kushtojini vëmendje vetes suaj, që zemrat tuaja kurrë të mos rëndohen nga teprimet në të ngrënë e në të pirë dhe nga ankthet e jetës dhe ajo ditë të mos bjerë menjëherë befas mbi ju si një lak. Sepse do të vijë mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë tokës. Prandaj, rrini zgjuar, duke u përgjëruar vazhdimisht, që të mund t’ia dilni mbanë t’u ikni të gjitha këtyre gjërave që janë paracaktuar të ndodhin dhe të qëndroni para Birit të njeriut.»
Virgjëreshat e mençura dhe ato të pamenda
Jezui sapo e ka plotësuar kërkesën e apostujve për një shenjë të pranisë së tij në pushtetin e Mbretërisë. Tani ai jep aspekte të tjera të shenjës, me anë të tri shëmbëlltyrave ose ilustrimeve.
Përmbushja e secilit ilustrim do të mund të vërehej nga ata që do të jetonin gjatë pranisë së tij. Ai e fillon të parin me këto fjalë: «Atëherë mbretëria e qiejve do të bëhet ngjashëm 10 virgjëreshave që morën llambat e tyre dhe dolën për të takuar dhëndrin. Pesë prej tyre ishin të pamenda dhe pesë ishin të matura.»
Me anë të shprehjes «mbretëria e qiejve do të bëhet ngjashëm 10 virgjëreshave», Jezui nuk do të thotë se gjysma e atyre që trashëgojnë Mbretërinë qiellore janë të pamend dhe gjysma tjetër të matur! Jo. Ai do të thotë se në lidhje me Mbretërinë e Perëndisë ekziston një aspekt si ky apo si ai ose që disa çështje të cilat kanë të bëjnë me Mbretërinë do të jenë ngjashëm kësaj apo asaj gjëje.
Dhjetë virgjëreshat simbolizojnë të gjithë të krishterët që kanë ose që pretendojnë se kanë perspektivën për të hyrë në Mbretërinë qiellore. Në Rrëshajët e vitit 33 të e.s. kongregacioni i krishterë iu premtua për martesë Dhëndrit të ringjallur e të lavdëruar, Jezu Krishtit. Megjithatë, martesa duhej të bëhej në qiell, në një kohë të papërcaktuar në të ardhmen.
Në ilustrim, dhjetë virgjëreshat dalin me qëllim që t’i japin mirëseardhjen dhëndrit dhe të bashkohen me karvanin e dasmorëve. Kur të arrijë dhëndri, ato do të ndriçojnë me llambat e tyre rrugën nga do të kalojë karvani i dasmorëve, duke e nderuar, në këtë mënyrë, ndërsa sjell nusen e tij në shtëpinë e përgatitur për të. Megjithatë Jezui shpjegon: «Të pamendat i morën llambat e tyre, por nuk morën vaj me vete, ndërsa të maturat morën vaj në enët e tyre bashkë me llambat. Ndërsa dhëndri po vonohej, të gjitha dremitën dhe i zuri gjumi.»
Vonesa e zgjatur e dhëndrit tregon se prania e Krishtit si Mbret me pushtet do të jetë në të ardhmen e largët. Ai hipën në fron, më në fund, në vitin 1914. Gjatë natës së gjatë, përpara kësaj ngjarjeje, të gjitha virgjëreshat i zë gjumi. Por ato nuk dënohen për këtë. Virgjëreshat e pamenda dënohen ngaqë nuk kanë vaj për enët e tyre. Jezui shpjegon se si zgjohen ato para ardhjes së dhëndrit: «Pikërisht në mes të natës u dëgjua një thirrje: ‘Ja, dhëndri! Dilni ta pritni.’ Atëherë, të gjitha ato virgjëresha u ngritën dhe rregulluan llambat e tyre. Të pamendat u thanë të maturave: ‘Na jepni pak nga vaji juaj, sepse llambat tona janë gati për t’u fikur.’ Të maturat iu përgjigjën me këto fjalë: ‘Ndoshta nuk mjafton për ne dhe për ju. Më mirë, shkoni tek ata që e shesin dhe blijeni për vete.’»
Vaji simbolizon atë që i bën të krishterët e vërtetë të shkëlqejnë vazhdimisht si ndriçues. Kjo është Fjala e frymëzuar e Perëndisë, pas së cilës të krishterët mbahen fortësisht dhe fryma e shenjtë, e cila i ndihmon ata që ta kuptojnë atë Fjalë. Vaji frymor u jep mundësi virgjëreshave të matura të lëshojnë dritë ndërsa i japin mirëseardhjen dhëndrit, gjatë rrugës që përshkon karvani për në dasmë. Por ata të klasës së virgjëreshave të pamenda nuk e kanë brenda vetes, në enët e tyre, vajin e nevojshëm frymor. Prandaj, Jezui përshkruan se çfarë ndodh:
«Ndërsa [virgjëreshat e pamenda] po largoheshin për të blerë [vaj], arriti dhëndri dhe virgjëreshat që ishin gati hynë bashkë me të në festën martesore dhe dera u mbyll. Më vonë, erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: ‘Zotëri, zotëri, na e hap derën!’ Duke u përgjigjur ai tha: “Po ju them të vërtetën: ‘Unë nuk ju njoh.’”»
Pas ardhjes së Krishtit në Mbretërinë e tij qiellore, të krishterët e mirosur që përbëjnë klasën e virgjëreshave të matura zgjohen në lidhje me privilegjin që kanë për të përhapur dritë në këtë botë të errësuar, në lavdi të Dhëndrit të rikthyer. Por ata që paraqiten nga virgjëreshat e pamenda janë të papërgatitur për të dhënë këtë lavdi mirëseardhjeje. Kështu, kur vjen momenti, Krishti nuk ua hap atyre derën për të hyrë në dasmë në qiell. Ai i lë ata në terrin e natës më të errët të kësaj bote, që të marrin fund bashkë me gjithë bërësit e tjerë të paligjshmërisë. «Prandaj, jini vigjilentë,—përfundon Jezui,—sepse nuk e dini as ditën e as orën.»
Ilustrimi i talentave
Jezui e vazhdon bisedën me apostujt e tij në Malin e Ullinjve, duke u treguar një ilustrim tjetër, të dytin në serinë e tre ilustrimeve. Pak ditë më parë, ndërsa ishte në Jeriko, ai bëri ilustrimin e minave për të treguar se Mbretëria do të vinte në një të ardhme akoma të largët. Ilustrimi që tregon tani, ndonëse ka disa aspekte të ngjashme, në përmbushjen e tij përshkruan aktivitete që do të ndodhin gjatë pranisë së Krishtit në pushtetin e Mbretërisë. Ai ilustron faktin se dishepujt e tij duhet të punojnë, ndërsa janë akoma në tokë, për të shtuar «zotërimet e tij».
Jezui fillon: «Sepse është [domethënë, rrethanat në lidhje me Mbretërinë] ashtu si një njeri, i cili, kur ishte gati për t’u larguar jashtë vendit, thirri skllevërit e tij dhe u besoi atyre zotërimet e tij.» Jezui është njeriu, i cili përpara se të largohet jashtë vendit, domethënë në qiell, u beson skllevërve të tij, që janë dishepujt me perspektivën për të hyrë në Mbretërinë qiellore, zotërimet e tij. Këto zotërime nuk janë prona materiale, por përfaqësojnë një fushë të kultivuar, të cilën Krishti e ka bërë të aftë të prodhojë dishepuj të tjerë.
Jezui ua beson zotërimet skllevërve të tij pak para se të ngjitet në qiell. Në ç’mënyrë e bën këtë? Duke i udhëzuar që të vazhdojnë punën në fushën e kultivuar, me anë të predikimit të mesazhit të Mbretërisë deri në pjesët më të largëta të tokës. Siç thotë Jezui «njërit ai i dha pesë talenta, një tjetri dy, një tjetri akoma një, secilit sipas aftësisë së vet dhe iku jashtë vendit».
Tetë talentat, zotërimet e Krishtit, shpërndahen, kështu, sipas aftësive apo mundësive frymore të skllevërve. Skllevërit simbolizojnë klasat e dishepujve. Në shekullin e parë, klasa që mori pesë talenta është e qartë që përfshinte apostujt. Jezui vazhdon duke treguar se të dy skllevërit që morën përkatësisht pesë dhe dy talenta, i dyfishuan ato me anë të predikimit të Mbretërisë dhe bërjes së dishepujve. Ndërsa skllavi që mori një talent e fshehu atë në tokë.
«Pas një kohe të gjatë,—vazhdon Jezui,—zotëria i atyre skllevërve u kthye dhe bëri llogaritë me ta.» Vetëm në shekullin e 20-të, rreth 1.900 vjet më vonë, Krishti u kthye për të bërë llogaritë, pra, erdhi me të vërtetë «pas një kohe të gjatë». Atëherë Jezui shpjegon:
«Ai që kishte marrë pesë talenta doli përpara dhe solli pesë talenta të tjera, duke thënë: ‘Zotëri, ti më besove mua pesë talenta; ja, unë fitova edhe pesë talenta më tepër.’ Zotëria i tij i tha: ‘Të lumtë, skllav i mirë e i besueshëm! Ti ke qenë i besueshëm mbi pak gjëra. Unë do të të caktoj mbi shumë gjëra. Hyr në gëzimin e zotërisë tënd.’» Po ashtu, edhe skllavi që kishte marrë dy talenta i dyfishoi talentat e tij dhe mori të njëjtin lavdërim dhe shpërblim.
Por, në ç’mënyrë hyjnë këta skllevër në gëzimin e Zotërisë së tyre? Mirë pra, gëzimi i Zotërisë së tyre, Jezu Krishtit, ka të bëjë me marrjen në zotërim të Mbretërisë, gjë që ndodhi kur iku jashtë, domethënë pranë Atit të tij në qiell. Për sa i përket skllevërve të besueshëm në epokën moderne, ata kanë një gëzim të madh, duke qenë se u janë besuar përgjegjësi të mëtejshme në lidhje me Mbretërinë dhe në fund të jetës së tyre tokësore, gëzimi i tyre do të arrijë kulmin kur të jenë të ringjallur në Mbretërinë qiellore. Por ç’të themi për skllavin e tretë?
«Zotëri, unë e dija që ti je një njeri kërkues,—ankohet ky skllav.—Prandaj pata frikë dhe u largova, dhe e fsheha talentin tënd në tokë. Ja ku e ke atë që është jotja.» Skllavi refuzoi kastile që të punonte në fushën e kultivuar, duke predikuar dhe duke bërë dishepuj. Prandaj, zotëria e quan atë ‘të lig dhe përtac’ dhe shpall gjykimin: «Merrjani talentin . . . Dhe flakeni këtë skllav që s’vlen për asgjë në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara e tij dhe kërcëllimi i dhëmbëve të tij.» Ata të klasës së skllavit të lig, duke qenë të flakur jashtë, privohen nga çdo gëzim frymor.
Nga kjo del një mësim serioz për të gjithë ata që pohojnë se janë ithtarë të Krishtit. Nëse duan të marrin lavdërim dhe shpërblim prej tij dhe nëse duan të shmangin hedhjen në errësirat e jashtme dhe më në fund shkatërrimin, ata duhet të punojnë për shtimin e zotërimeve të Zotërisë së tyre qiellor, duke pasur një pjesëmarrje të plotë në veprën e predikimit. A jeni të zellshëm në këtë aspekt?
Kur Krishti të vijë në pushtetin e Mbretërisë
Jezui është akoma me apostujt e tij në Malin e Ullinjve. Në përgjigje të kërkesës së tyre për një shenjë të pranisë së tij dhe të përfundimit të sistemit të gjërave, tani, ai u tregon atyre ilustrimin e fundit në serinë e tre ilustrimeve. «Kur Biri i njeriut të vijë në lavdinë e tij dhe të gjithë engjëjt me të,—fillon Jezui,—atëherë do të ulet në fronin e tij të lavdishëm.»
Kjo ardhje ndodh kur fundi i sistemit të gjërave është shumë afër. Por për çfarë qëllimi? Jezui shpjegon: «Të gjitha kombet do të mblidhen para tij dhe ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, sikurse ndan një bari delet nga cjeptë. Dhe ai do t’i vendosë delet në të djathtën e tij, por cjeptë në të majtën e tij.»
Duke përshkruar se çfarë do t’u ndodhë atyre që janë veçuar në anën e favorshme, Jezui thotë: «Atëherë mbreti do t’u thotë atyre që janë në të djathtë të tij: ‘Ejani, ju që keni qenë të bekuar prej Atit tim, trashëgojeni mbretërinë e përgatitur për ju që nga themelimi i botës.’» Delet e këtij ilustrimi nuk do të sundojnë me Krishtin në qiell, por do ta trashëgojnë Mbretërinë në kuptimin që do të jenë nënshtetas tokësorë të saj. «Themelimi i botës» ndodhi kur Adami dhe Eva lindën për herë të parë fëmijë, të cilët mund të nxirrnin dobi nga masat që kishte marrë Perëndia për të riblerë njerëzimin.
Por përse ndahen delet në anën e djathtë të favorizuar, të Mbretit? «Sepse isha i uritur,—përgjigjet mbreti,—dhe ju më dhatë diçka për të ngrënë; isha i etur dhe ju më dhatë diçka për të pirë. Isha një i huaj dhe ju më pritët me mikpritje; i zhveshur dhe ju më veshët. Rashë i sëmurë dhe ju u kujdesët për mua. Isha në burg dhe ju erdhët tek unë.»
Meqenëse janë mbi tokë, delet duan të dinë se si mund t’i kenë bërë këto vepra të shkëlqyera për Mbretin e tyre qiellor. «Zotëri, kur të pamë të uritur dhe të ushqyem,—pyesin ata,—ose të etur dhe të dhamë diçka për të pirë? Kur të pamë të huaj dhe të pritëm me mikpritje ose të zhveshur dhe të veshëm? Kur të pamë të sëmurë ose në burg dhe erdhëm te ti?»
«Vërtet po ju them,—thotë Mbreti,—aq sa ia bëtë këtë njërit nga më të vegjlit e këtyre vëllezërve të mi, ma bëtë mua.» Vëllezërit e Krishtit janë mbetja e 144.000-ve në tokë që do të sundojnë me të në qiell. Jezui thotë se kur dikush u bën mirë atyre, është njësoj sikur t’i ketë bërë mirë atij.
Pastaj Mbreti u drejtohet cjepëve: «Shporruni nga unë, ju që ishit të mallkuar, në zjarrin e përhershëm të përgatitur për Djallin dhe engjëjt e tij. Sepse pata uri, por nuk më dhatë asgjë për të ngrënë dhe pata etje, por nuk më dhatë asgjë për të pirë. Isha i huaj, por nuk më pritët me mikpritje; i zhveshur, por nuk më veshët; i sëmurë dhe në burg, por nuk u kujdesët për mua.»
Mirëpo, cjeptë ankohen: «Zotëri, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të zhveshur, ose të sëmurë, ose në burg dhe nuk të shërbyem?» Cjeptë janë gjykuar në mënyrë të pafavorshme në bazë të po asaj gjëje, për të cilën delet janë gjykuar në mënyrë të favorshme. «Aq sa nuk ia bëtë këtë njërit nga më të vegjlit e këtyre [vëllezërve të mi],—përgjigjet Jezui,—nuk ma bëtë mua.»
Kështu, pak përpara fundit të këtij sistemi të lig gjërash në mjerimin e madh, prania e Krishtit në pushtetin e Mbretërisë do të përfshijë një kohë gjykimi. Cjeptë «do të shkojnë në shkatërrim të përhershëm, por të drejtët [delet] në jetën e përhershme».—BR. Mateu 24:2–25:46; 13:40, 49, BR; Marku 13:3-37, BR; Luka 21:7-36; 19:43, 44; 17:20-30, BR; 2. Timoteut 3:1-5, BR; Gjoni 10:16, BR; Zbulesa 14:1-3.
▪ Çfarë i shtyn apostujt të pyesin, por me sa duket çfarë gjëje tjetër kanë në mendje ata?
▪ Cila pjesë e profecisë së Jezuit përmbushet në vitin 70 të e.s., por çfarë nuk ndodh në atë kohë?
▪ Kur e përjeton përmbushjen e parë profecia e Jezuit, por kur ndodh përmbushja kryesore?
▪ Çfarë është gjëja e neveritshme në përmbushjen e parë dhe në atë të fundit?
▪ Përse mjerimi i madh nuk e ka përmbushjen e tij përfundimtare me shkatërrimin e Jerusalemit?
▪ Cilat kushte botërore shënojnë praninë e Krishtit?
▪ Kur do të ndodhë që «të gjitha fiset e tokës do të godasin veten me vajtime», por çfarë do të jenë duke bërë ithtarët e Krishtit atëherë?
▪ Çfarë ilustrimi jep Jezui për të ndihmuar dishepujt e tij të ardhshëm që të dallojnë kohën kur fundi do të jetë afër?
▪ Çfarë këshille jep Jezui për ata dishepuj të tij që do të jetonin gjatë ditëve të fundit?
▪ Çfarë simbolizojnë dhjetë virgjëreshat?
▪ Kur iu premtua për martesë dhëndrit kongregacioni i krishterë, por kur vjen dhëndri për ta marrë nusen e tij në dasmë?
▪ Çfarë përfaqëson vaji dhe çfarë kanë mundësi të bëjnë virgjëreshat e matura në saje të zotërimit të tij?
▪ Ku bëhet dasma?
▪ Çfarë shpërblimi madhështor humbin virgjëreshat budallaqe dhe cili është fundi i tyre?
▪ Çfarë mësimi nxjerrim nga ilustrimi i talentave?
▪ Cilët janë skllevërit dhe çfarë janë zotërimet që u janë besuar atyre?
▪ Kur vjen zotëria për të bërë llogaritë dhe çfarë gjen ai?
▪ Çfarë është gëzimi në të cilin hyjnë skllevërit dhe çfarë i ndodh skllavit të tretë që është i lig?
▪ Gjatë pranisë së Krishtit çfarë vepre gjykimi bën ai?
▪ Në ç’kuptim e trashëgojnë delet Mbretërinë?
▪ Kur ndodhi «themelimi i botës»?
▪ Mbi çfarë baze gjykohen njerëzit ose si dele, ose si cjep?