KAPITULLI 101
Për darkë te Simoni në Betani
MATEU 26:6-13 MARKU 14:3-9 GJONI 11:55–12:11
JEZUI KTHEHET NË BETANI, PRANË JERUSALEMIT
MARIA DERDH VAJ AROMATIK MBI KOKËN DHE KËMBËT E JEZUIT
Pasi largohet nga Jerikoja, Jezui drejtohet për në Betani. I duhet të përshkojë rreth 20 kilometra, duke u ngjitur nëpër një terren të vështirë. Jerikoja është rreth 250 metra nën nivelin e detit, kurse Betania është rreth 610 metra mbi nivelin e detit. Lazari bashkë me dy motrat jetojnë në fshatin e vogël të Betanisë, në shpatin lindor të Malit të Ullinjve, rreth tre kilometra larg Jerusalemit.
Shumë judenj kanë mbërritur tashmë në Jerusalem për Festën e Kalimit. Kanë ardhur më herët që ‘të pastrohen ceremonialisht’, në rast se janë të papastër ngaqë kanë prekur ndonjë të vdekur a për ndonjë arsye tjetër. (Gjoni 11:55; Numrat 9:6-10) Disa prej tyre grumbullohen në tempull. Ata hamenden nëse Jezui do të vijë për Festën e Kalimit.—Gjoni 11:56.
Jezui është qendra e bisedave. Disa krerë fetarë duan ta kapin e ta vrasin, ndaj kanë dhënë urdhër që, nëse dikush e merr vesh se ku është, duhet t’u raportojë ‘që ta arrestojnë.’ (Gjoni 11:57) Këta krerë janë përpjekur ta vrasin Jezuin që kur ringjalli Lazarin. (Gjoni 11:49-53) Ja pse disa dyshojnë nëse Jezui do të shfaqet në publik.
Jezui mbërrin në Betani të premten, «gjashtë ditë para Festës së Kalimit». (Gjoni 12:1) Dita e re (Sabat, 8 nisan) fillon me perëndimin e diellit. Prandaj, Jezui e ka përfunduar udhëtimin para Sabatit. Meqë ligji judaik e ndalonte të udhëtoje në Sabat, ai s’mund të jetë nisur nga Jerikoja ditën e Sabatit, e cila fillonte të premten pas perëndimit të diellit dhe mbaronte të shtunën kur perëndonte dielli. Ka të ngjarë që Jezui shkon në shtëpinë e Lazarit, siç ka bërë edhe herë të tjera.
Simoni, që po ashtu jeton në Betani, fton të shtunën për darkë Jezuin dhe shokët e tij, përfshirë dhe Lazarin. Simonin e thërrasin edhe ‘i lebrosuri’, mbase ngaqë më parë ka qenë i lebrosur, dhe Jezui e ka shëruar. Marta, si gjithmonë e papërtuar, u shërben mysafirëve, ndërsa Maria bën për Jezuin diçka të veçantë që ngjall shumë debat.
Ajo hap një enë alabastri që mban «një libër vaj aromatik, nard të pastër». (Gjoni 12:3) Ky vaj është shumë i çmuar. Ai vlen 300 denarë, gati sa paga e një viti punë! Maria e derdh vajin mbi kokën dhe këmbët e Jezuit, pastaj ia than këmbët me flokët e saj. Aroma përhapet në gjithë shtëpinë.
Dishepujt pyesin të indinjuar: «Pse të harxhohet kot ky vaj aromatik?» (Marku 14:4) Edhe Judë Iskarioti kundërshton e thotë: «Pse të mos shitej ky vaj aromatik për 300 denarë e paratë t’u jepeshin të varfërve?» (Gjoni 12:5) E vërteta është se Juda nuk po merakoset për të varfrit. Faktikisht, ai ka ca kohë që vjedh nga kutia e parave që mban për dishepujt.
Jezui e mbron Marinë duke thënë: «Pse e bezdisni këtë grua? Ajo bëri një vepër të mirë ndaj meje. Të varfrit do t’i keni gjithmonë, kurse mua nuk do të më keni gjithmonë. Ajo grua e hodhi këtë vaj aromatik mbi trupin tim që të më përgatiste për varrim. Vërtet po ju them: kudo që të predikohet lajmi i mirë në mbarë botën, do të tregohet edhe ajo që bëri kjo grua, në kujtim të saj.»—Mateu 26:10-13.
Jezui ndodhet në Betani prej më se një dite, dhe është përhapur fjala se ai është aty. Shumë judenj vijnë te shtëpia e Simonit për të parë jo vetëm Jezuin, por edhe Lazarin, «të cilin [Jezui] e kishte ngritur nga të vdekurit». (Gjoni 12:9) Krerët e priftërinjve këshillohen që të vrasin si Jezuin, edhe Lazarin. Këta udhëheqës fetarë mendojnë se shumë njerëz po tregojnë besim te Jezui ngaqë Lazari është kthyer në jetë. Sa të ligj që janë!