Kapitulli 112
Pashka e fundit e Jezuit është afër
NDËRSA dita e martë, 11 nisan, i afrohet fundit, Jezui përfundon së mësuari apostujt në Malin e Ullinjve. Çfarë dite e ngarkuar dhe e lodhshme që ka qenë! Tani, ndoshta ndërsa kthehen në Betani për të kaluar natën, ai u thotë apostujve të tij: «Ju e dini se pas dy ditësh mbahet Pashka dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t’u vënë në shtyllë.»—BR.
Jezui, me sa duket, e kalon ditën tjetër, të mërkurën, 12 nisan, në një vend të veçuar e të qetë bashkë me apostujt e tij. Një ditë më parë, ai i kishte qortuar krerët fetarë publikisht dhe e kupton se tani ata kërkojnë ta vrasin. Prandaj, të mërkurën ai nuk shfaqet haptazi, pasi nuk do që t’i ndodhë ndonjë gjë, e cila mund ta pengojë për të kremtuar Pashkën me apostujt e tij mbrëmjen tjetër.
Ndërkohë, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e vendit janë mbledhur në oborrin e kryepriftit Kajafa. Të fyer nga sulmi i Jezuit një ditë më parë, ata po bëjnë plane që ta kapin atë me anë të një plani dinak dhe ta vrasin. Megjithatë, vazhdojnë të thonë: «Jo gjatë festës, që të mos bëhet ndonjë trazirë në popull.» Ata i frikësohen popullit, i cili mban anën e Jezuit.
Ndërsa po komplotojnë me ligësi për të vrarë Jezuin, krerëve fetarë u vjen një vizitor. Për habinë e tyre, vizitori është një nga apostujt e vetë Jezuit, Judë Iskarioti, ai tek i cili Satanai ka mbjellë mendimin e ulët për të tradhëtuar Zotërinë e tij! Sa të gëzuar janë ata kur Juda i pyet: «Sa do të më jepni që unë t’jua dorëzoj?» Të kënaqur, ata bien dakord ta paguajnë me 30 monedha argjendi, sa është çmimi i një skllavi sipas besëlidhjes së Ligjit të Moisiut. Që prej atij momenti, Juda kërkon rastin e përshtatshëm për t’ua dorëzuar atyre Jezuin, pa pasur njerëz të pranishëm përreth.
Të mërkurën, me të perënduar dielli, fillon 13 nisani. Jezui ka ardhur nga Jerikoja të premten, prandaj kjo është nata e gjashtë dhe e fundit që ai kalon në Betani. Ditën tjetër, të enjten, duhen bërë përgatitjet e fundit për Pashkën, e cila fillon me të perënduar dielli. Ky është momenti, në të cilin qengji i Pashkës duhet të theret dhe më pas të piqet i tëri. Ku do ta kremtojnë ata festën dhe kush do t’i bëjë përgatitjet?
Jezui nuk i ka dhënë këto hollësi, ndoshta për të parandaluar mundësinë që Juda të njoftojë krerët e priftërinjve dhe kështu ata të mund ta kapin Jezuin gjatë kremtimit të Pashkës. Megjithatë, tani, ndoshta herët në pasditen e së enjtes, Jezui dërgon nga Betania Pjetrin dhe Gjonin, duke u thënë: «Shkoni e na bëni gati Pashkën, që ne ta hamë.»
«Ku dëshiron ta përgatisim?»—pyesin ata.
«Kur të hyni në qytet,—shpjegon Jezui,—do t’ju dalë përpara një njeri që mban një brokë uji; ndiqeni në shtëpinë ku ai do të hyjë. I thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi të çon fjalë: ‘Ku është salla, në të cilën mund të ha Pashkën bashkë me dishepujt e mi?’ ” Atëherë ai do t’ju tregojë një sallë të madhe të shtruar; aty do të bëni përgatitjet.»
I zoti i shtëpisë është pa dyshim, një dishepull i Jezuit, i cili ndoshta pret që Jezui t’i kërkojë të përdorë shtëpinë e tij për këtë rast të veçantë. Sido që të jetë, kur arrijnë në Jerusalem, Pjetri dhe Gjoni gjejnë çdo gjë ashtu siç kishte parathënë Jezui. Kështu, të dy kujdesen që qengji të jetë gati dhe që të jenë bërë të gjitha përgatitjet e tjera për plotësimin e nevojave të 13 kremtuesve të Pashkës, Jezuit dhe 12 apostujve të tij. Mateu 26:1-5, 14-19; Marku 14:1, 2, 10-16; Luka 22:1-13; Eksodi 21:32.
▪ Me sa duket, çfarë bën Jezui ditën e mërkurë dhe përse?
▪ Çfarë mbledhjeje mbahet në shtëpinë e kryepriftit dhe për çfarë qëllimi i viziton Juda krerët e priftërinjve?
▪ Cilët dërgon Jezui në Jerusalem ditën e enjte dhe për çfarë qëllimi?
▪ Çfarë gjejnë këta të dërguar, që zbulon edhe një herë fuqitë e mbinatyrshme të Jezuit?