‘Nëse kripa bëhet e amësht’
PËR të janë bërë luftëra. Është përdorur si mall me vlerë këmbimi. Në Kinën e lashtë, vinte e dyta pas arit, për nga vlera. Po, nga shumë kohë njerëzimi e ka konsideruar kripën si një produkt me vlerë shumë të madhe. Edhe sot e kësaj dite, asaj i atribuohen veti shëruese dhe antiseptike, si edhe përdoret përreth globit për t’u shtuar shijen gjërave dhe për t’i ruajtur.
Duke pasur parasysh cilësitë dhe përdorimet e shumta të dëshirueshme të kripës, nuk është për t’u habitur që ajo përdoret në Bibël, me një kuptim të figurshëm. Ligji i Moisiut, për shembull, kërkonte që çdo gjë që do t’i ofrohej Jehovait mbi altar, të kishte kripë. (Levitiku 2:13) Kjo nuk bëhej për të përmirësuar shijen e flijimeve, por ka të ngjarë të bëhej sepse kripa përfaqësonte lirinë nga prishja ose nga kalbja.
Në Predikimin e tij të famshëm në Mal, Jezu Krishti u tha ithtarëve të tij: «Ju jeni kripa e tokës.» (Mateu 5:13) Duke bërë këtë pohim, Jezui kishte ndër mend faktin se predikimi që do t’u bënin ata të tjerëve, mbi Mbretërinë e Perëndisë, do të kishte një ndikim me potencial ruajtës ose jetëshpëtues për dëgjuesit. Në fakt, ata që vinin në praktikë fjalët e Jezuit do të mbroheshin nga prishja morale dhe frymore që ekzistonte në komunitetet ku ata jetonin dhe shërbenin.—1. Pjetrit 4:1-3.
Megjithatë, Jezui vazhdoi, duke dhënë paralajmërimin: «Por në qoftë se kripa bëhet e amësht, . . . nuk vlen më për asgjë, veçse për ta hedhur dhe ta shkelin njerëzit.» Duke komentuar mbi këtë varg, studiuesi biblik Albert Barns tha se kripa që njihnin Jezui dhe apostujt e tij «kishte papastërti, pasi ishte përzier me substanca vegjetale dhe të dheut». Prandaj, nëse kripa e humbte shijen e saj, në të mund të mbetej «një sasi e konsiderueshme substancash të dheut». «Kjo lloj kripe,—vërejti Barns,—nuk vlente për asgjë tjetër përveçse . . . të hidhej nëpër rrugë ose shëtitore, siç përdorim sot zhavorrin.»
Duke i vënë veshin këtij paralajmërimi, të krishterët duhet të kujdesen që të mos e ndalin dëshminë publike ose të mos bien përsëri në modelet e paperëndishme të sjelljes. Përndryshe, do të dëmtoheshin frymësisht dhe mund të bëheshin të padobishëm, ashtu si ‘kripa që bëhet e amësht’.