Bota
Përkufizimi: Fjala greke kósmos, e përkthyer «botë», mund të ketë kuptimet: (1) njerëzimi si një i tërë, pa marrë parasysh gjendjen morale ose mënyrën e jetesës, (2) tërësia e rrethanave, në të cilat lind e jeton një njeri ose (3) masa e njerëzimit, e ndarë nga shërbëtorët e miratuar të Jehovait. Disa përkthyes të Biblës kanë bërë që të krijohen përshtypje të gabuara, duke e përdorur fjalën «botë» edhe për termat grekë që kanë kuptimin «tokë», «tokë e banuar» dhe «sistem». Pjesa e mëposhtme përqendrohet kryesisht tek i treti nga kuptimet e fjalës «botë» që përmenden më sipër.
A do të shkatërrohet bota me zjarr?
2 Pjet. 3:7: «Me anë të së njëjtës fjalë [të Perëndisë], qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin dhe po rezervohen për ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm.» (Vër re se ata që do të shkatërrohen janë ‘njerëzit e paperëndishëm’, jo njerëzimi në tërësi. Ngjashëm, në vargun 6 flitet për shkatërrimin e ‘botës’ të kohës së Noesë. U shkatërruan njerëzit e ligj, por jo toka, dhe as Noeja me familjen e tij, që i frikësoheshin Perëndisë. A do të jetë një zjarr i vërtetë ‘zjarri’ i ditës së ardhshme të gjykimit apo simbolizon shkatërrimin e plotë? Ç’ndikim do të kishte një zjarr i vërtetë te trupat qiellorë, si dielli dhe yjet, që kanë vetë një nxehtësi të madhe? Për shqyrtimin e mëtejshëm të këtij shkrimi, shih faqet 393-395, te tema «Toka».)
Prov. 2:21, 22: «Vetëm të drejtët do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit do të mbeten në të. Kurse të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj.»
Kush sundon në këtë botë: Perëndia apo Satanai?
Dan. 4:35: «[Më i Larti, Perëndia Jehova] bën si të dojë me ushtrinë e qiejve dhe me banorët e tokës. Nuk ka njeri që t’ia ndalë dorën ose që t’i thotë: ‘Ç’bëre kështu?’» (Po ashtu, te Jeremia 10:6, 7 Jehovai quhet «Mbret i kombeve», sepse ai është Mbret mbi të gjithë; është i zoti t’u kërkojë llogari mbretërve njerëzorë dhe kombeve mbi të cilat ata sundojnë, e do ta bëjë këtë. Si Krijuesi i tokës, Jehovai është Sundimtari legjitim i saj; ai s’ka hequr dorë kurrë nga kjo pozitë.)
Gjoni 14:30: «[Jezui tha:] sundimtari i kësaj bote po vjen. Ai nuk ka pushtet mbi mua.» (Është e qartë se ky sundimtar nuk është Perëndia Jehova, vullnetin e të cilit Jezui e plotëson përherë me besnikëri. «Sundimtari i kësaj bote» duhet të jetë ‘i ligu’, Satana Djalli, nën pushtetin e të cilit ‘dergjet e gjithë bota’, si thotë 1 Gjonit 5:19. Edhe pse njerëzimi jeton në një planet që i përket Perëndisë, bota—e përbërë nga njerëzit që s’janë shërbëtorë të bindur të Jehovait—është nën kontrollin e Satanait, sepse këta njerëz i binden atij. Ata që i nënshtrohen me gjithë zemër sundimit të Jehovait, nuk janë pjesë e kësaj bote. Krahaso 2 Korintasve 4:4.)
Zbul. 13:2: «Dragoi [Satana Djalli] i dha bishës fuqinë e tij, fronin e tij dhe autoritet të madh.» (Krahasimi i përshkrimit të kësaj ‘bishe’ me Danielin 7, tregon se ajo paraqet qeveritë njerëzore, jo një qeveri të vetme, por mbarë sistemin e sundimit politik. Sundimtari i tij është Satanai, dhe kjo përputhet me Lukën 4:5-7, e po ashtu me Zbulesën 16:14, 16, që tregon se shprehjet demonike i çojnë sundimtarët e mbarë tokës drejt luftës kundër Perëndisë, në Harmagedon. Perëndia thjesht ka lejuar që Satanai të sundojë mbi botën deri në kohën që ka caktuar Ai për të zgjidhur çështjen e sovranitetit universal.)
Zbul. 11:15: «Në qiell ushtuan zëra të fortë, që thoshin: ‘Mbretëria e botës u bë mbretëria e Zotërisë tonë [Jehova] dhe e Krishtit të tij.’» (Kur ndodhi kjo, në vitin 1914, nisën «ditët e fundit» për sistemin e tanishëm të lig. Sovraniteti i Jehovait u shfaq kësaj here në një mënyrë tjetër, me anë të Birit të tij, si Sundimtar Mesianik. Së shpejti, kjo botë e ligë do të shkatërrohet, dhe Satanai, sundimtari i saj i lig frymor, do të flaket në humnerë e s’do të ndikojë dot te njerëzimi.)
Çfarë qëndrimi mbajnë të krishterët e vërtetë ndaj botës dhe ndaj njerëzve që janë pjesë e botës?
Gjoni 15:19: «[Ju, ithtarët e Jezuit] nuk jeni pjesë e botës, por unë ju kam zgjedhur nga bota.» (Pra, të krishterët e vërtetë nuk janë pjesë e asaj mase të shoqërisë njerëzore të armiqësuar me Perëndinë. Ata kryejnë aktivitetet normale të jetës, por shmangin qëndrimet, të folurin dhe sjelljet karakteristike të botës, që bien ndesh me udhët e drejta të Jehovait.) (Shih faqet 37-43 dhe 148-152.)
Jak. 4:4: «O kurorëshkelëse, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Prandaj, kush dëshiron të jetë mik i botës, bëhet armik i Perëndisë.» (Meqë janë të papërsosur, të krishterët mund të ndoten hera-herës nga kontaktet me botën. Por kur marrin këshilla nga Fjala e Perëndisë, pendohen dhe i ndreqin udhët e tyre. Kurse ata që zgjedhin me vetëdije të bashkohen me botën a të imitojnë frymën e saj, tregojnë se nuk janë më të krishterë të vërtetë, por janë bërë pjesë e botës, që është në armiqësi me Perëndinë.)
Rom. 13:1: «Çdo shpirt të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta, sepse nuk ka autoritet veçse nga Perëndia. Autoritetet ekzistuese qëndrojnë në pozitat e tyre relative nga Perëndia.» (Ata që ia vënë veshin kësaj këshille, nuk rebelohen e nuk orvaten të përmbysin qeveritë e botës. I nënshtrohen autoritetit të sundimtarëve politikë dhe u binden, për sa kohë që kërkesat e tyre nuk shkojnë kundër kërkesave të Perëndisë. Ekzistenca e këtyre qeverive u paratha nga Perëndia. Ato ushtrojnë autoritet, jo ngaqë ai u ka dhënë pushtet, por ngaqë i ka lejuar. Në kohën që ka caktuar, Perëndia do t’i heqë.)
Gal. 6:10: «Derisa të kemi kohë të volitshme, le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.» (Pra, të krishterët e vërtetë nuk kursehen kur vjen puna për t’u bërë mirë të tjerëve. Ata imitojnë Perëndinë, i cili e bën diellin të shndritë edhe mbi të ligjtë, edhe mbi të mirët.—Mat. 5:43-48.)
Mat. 5:14-16: «Ju jeni drita e botës. . . . Le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.» (Që të tjerët t’i japin lavdi Perëndisë falë asaj që bëjnë të krishterët, është e qartë se këta të fundit duhet t’i japin dëshmi botës në mënyrë aktive për emrin dhe qëllimet e Perëndisë. Për të krishterët e vërtetë, kjo vepër vjen para të gjithave.)
Cila është domethënia e kushteve të tanishme të botës?
Shih temën «Ditët e fundit».