T’i japim lavdi Jehovait me anë të veprave të shkëlqyera
1 Kur na zë një stuhi e vrullshme sa mirë është nëse arrijmë të gjejmë një vend për t’u strehuar! Në qoftë se brenda vendi është i ngrohtë dhe i sigurt e nëse ata që banojnë aty janë mikpritës, do të qëndronim me kënaqësi në të. Vepra e predikimit të Mbretërisë, i drejton njerëzit drejt një strehimi të tillë për t’u mbrojtur nga sistemi i Satanait. A mund t’i ndihmojë të tjerët sjellja jonë e përditshme që të shohin se sa tërheqës është ky liman mbrojtës? Po, sepse Jezui tha se njerëzit ‘do të shihnin veprat tona të shkëlqyera dhe do t’i jepnin lavdi Atit tonë që është në qiej.’—Mat. 5:16.
2 Si mund të sillemi në mënyrë që veprat tona t’i tërheqin të tjerët drejt Jehovait dhe organizatës së tij? Duke lejuar që fjalët e Jezuit të regjistruara në Lukën 6:31 dhe 10:27 t’i japin formë çdo ditë jetës sonë. Kjo do të na motivojë që të tregojmë interes të dashur për njerëzit e tjerë, duke bërë që të dallohemi si të ndryshëm nga kjo botë e ftohtë dhe e pandjeshme.
3 Një motër që ndodhej në një anije, vërejti se një grua të re e kishte zënë kaq keq deti, saqë nuk ishte në gjendje të kujdesej për fëmijën e saj të vogël. Motra u ofrua që të kujdesej vetë për fëmijën. Kur gruaja e pyeti se si mund t’i tregonte se sa mirënjohëse i ishte, motra i tha: ‘Të lutem dëgjoji Dëshmitarët e Jehovait herën tjetër kur të të vizitojnë.’ Gruaja veproi në këtë mënyrë dhe tani bashkë me burrin e saj janë Dëshmitarë. Veprat e shkëlqyera shkaktuan një ndryshim në mënyrën se si ata iu përgjigjën mesazhit të Mbretërisë.
4 Përfshihet e gjithë jeta jonë: Sjellja jonë në lagje, kur jemi në punë ose në shkollë dhe gjatë periudhave të pushimit, bën që të tjerët të krijojnë një opinion për ne dhe për fenë tonë. Prandaj, bëjmë mirë të pyesim veten: ‘Ata që më vëzhgojnë, çfarë mendimi kanë për mua dhe për familjen time? Fqinjët tanë, a janë të mendimit se shtëpia dhe oborri ynë mbahen pastër dhe mirë? A na shohin shokët e punës e të shkollës si persona të përpiktë dhe punëtorë? A vënë re të tjerët që paraqitja jonë është modeste dhe e respektueshme?’ Veprat tona të shkëlqyera mund ta bëjnë adhurimin e Jehovait më tërheqës për të tjerët.
5 Pjetri paralajmëroi se të krishterët do të ishin objekt talljeje. (1 Pjet. 4:4) Duhet të sigurohemi që sjellja jonë të mos jetë shkaku i të folurit negativ. (1 Pjet. 2:12) Nëse veprat tona të përditshme i japin lavdi Perëndisë që adhurojmë, atëherë do të jemi si llamba të mbajtura lart, që i drejtojnë të tjerët për nga strehimi i sigurt që siguron Jehovai.—Mat. 5:14-16.