Kapitulli 126
«Me siguri ky ishte Biri i Perëndisë»
JEZUI ka pak kohë që është mbi shtyllë, kur në mesditë pllakos një errësirë e mistershme që zgjat tri orë. Kjo nuk është pasojë e një eklipsi diellor, pasi këta ndodhin vetëm në periudhën e hënës së re, ndërsa në kohën e Pashkës hëna është e plotë. Përveç kësaj, eklipset diellore zgjatin vetëm pak minuta. Prandaj, errësira është me origjinë hyjnore! Ka mundësi që kjo i bën përqeshësit e Jezuit të reflektojnë dhe t’i japin fund madje edhe talljeve të tyre.
Nëse kjo dukuri e frikshme ndodh para se keqbërësi ta qortojë shokun e tij dhe t’i kërkojë Jezuit që ta kujtojë, ajo mund të jetë një ndër faktorët e pendimit të tij. Ndoshta, pikërisht gjatë kësaj errësire, pranë shtyllës së mundimeve afrohen katër gra: e ëma e Jezuit, motra e saj Saloma, Maria Magdalena dhe Maria, e ëma e apostullit të quajtur Jakovi i Vogël. Bashkë me to është edhe Gjoni, apostulli i dashur i Jezuit.
Zemra e nënës së Jezuit «tejshpohet» me të vërtetë, ndërsa shikon birin që ka mëndur dhe ka rritur tek qëndron i varur në agoni. Megjithatë, Jezui nuk mendon për dhembjet e tij por për mirëqenien e saj. Me shumë përpjekje ai e kthen kokën drejt Gjonit dhe i thotë të ëmës: «O grua, ja biri yt!» Pastaj, duke treguar me kokë nga Maria, i thotë Gjonit: «Ja nëna jote!»
Në këtë mënyrë, Jezui ia beson kujdesin e nënës së tij, e cila siç duket tashmë është e ve, apostullit që do në mënyrë të veçantë. E bën këtë sepse bijtë e tjerë të Marisë nuk kanë shfaqur akoma besim në të. Në këtë mënyrë ai lë një shembull të shkëlqyer, duke marrë masa jo vetëm për nevojat fizike të nënës së tij, por edhe për ato frymore.
Rreth orës tre të pasdites, Jezui thotë: «Kam etje!» Jezui e ndjen se Ati i tij, si të thuash, e ka tërhequr mbrojtjen prej tij, në mënyrë që integriteti i tij të mund të provohet deri në fund. Prandaj, thërret me zë të lartë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?» Kur e dëgjojnë këtë, disa nga ata që janë aty pranë thërrasin: «Ja, ai po thërret Elian!» Menjëherë, njëri prej tyre vrapon dhe pasi vë në majë të një dege hisopi një sfungjer të zhytur në verë të thartë, i jep të pijë. Por disa të tjerë thonë: «Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë.»
Kur merr verën e fermentuar, Jezui thërret: «U krye!» Po, ai ka çuar deri në fund gjithçka që Ati i tij e ka dërguar për të bërë në tokë. Së fundi ai thotë: «O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën time!» Në këtë mënyrë, Jezui ia beson forcën e tij jetësore Perëndisë, me sigurinë se Perëndia do t’ia kthejë atë përsëri. Pastaj, ul kokën dhe vdes.
Në momentin që Jezui jep frymën e fundit, ndodh një tërmet i fuqishëm që çan shkëmbinjtë. Tërmeti është kaq i fuqishëm saqë varret përkujtimore jashtë Jerusalemit hapen dhe kufomat flaken jashtë tyre. Disa kalimtarë që shikojnë trupat e vdekur, të cilët janë zbuluar, hyjnë në qytet dhe njoftojnë për këtë gjë.
Përveç kësaj, në momentin që Jezui vdes, perdja e madhe që ndan të Shenjtën nga Më e Shenjta në tempullin e Perëndisë çahet më dysh, nga fillimi në fund. Kjo perde e stolisur jashtëzakonisht bukur, është me sa duket afërsisht 18 metra e lartë dhe shumë e rëndë! Kjo mrekulli e habitshme, jo vetëm që tregon zemërimin e Perëndisë kundër vrasësve të Birit të Tij, por, gjithashtu, lë të kuptohet se rruga për në vendin Më të Shenjtë, domethënë për në qiell, tani është hapur me anë të vdekjes së Jezuit.
Kur ndiejnë tërmetin dhe shikojnë gjërat që po ndodhin, njerëzit frikësohen jashtë mase. Oficeri i ushtrisë, të cilit i është ngarkuar ekzekutimi, i jep lavdi Perëndisë. «Me siguri ky ishte Biri i Perëndisë»,—thërret ai. (BR) Ka të ngjarë që ai kishte qenë i pranishëm kur çështja e birërisë hyjnore u diskutua para Pilatit në gjyqin e Jezuit. Tani ai është i bindur që Jezui është Biri i Perëndisë, po, që është me të vërtetë njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë.
Edhe të tjerët janë tronditur nga këto ngjarje të mbinatyrshme, prandaj fillojnë të kthehen në shtëpitë e tyre, duke goditur kraharorin në shenjë pikëllimi të thellë dhe turpi. Shumë gra që janë dishepuj të Jezuit, e shikojnë skenën nga larg, të prekura thellë nga këto ngjarje të rëndësishme. I pranishëm është, gjithashtu, edhe apostulli Gjon. Mateu 27:45-56; Marku 15:33-41; Luka 23:44-49; 2:34, 35; Gjoni 19:25-30.
▪ Përse errësira prej tri orësh nuk mund të jetë pasojë e një eklipsi diellor?
▪ Çfarë shembulli të shkëlqyer jep Jezui pak para vdekjes së tij për ata që kanë prindër të moshuar?
▪ Cilat janë katër thëniet e fundit të Jezuit para se të vdesë?
▪ Çfarë shkakton tërmeti dhe cila është domethënia e çarjes më dysh të perdes së tempullit?
▪ Ç’ndikim kanë mrekullitë mbi oficerin e ushtrisë të ngarkuar për ekzekutimin?