Kapitulli 131
Shfaqjet e fundit dhe Rrëshajët e vitit 33 të e.s.
PAS njëfarë kohe Jezui bën përgatitje që të 11 apostujt e tij ta takojnë në një mal të Galilesë. Me sa duket, për këtë mbledhje njoftohen edhe dishepuj të tjerë, kështu që gjithsej mblidhen mbi 500 vetë. Sa e gëzueshme del kjo asamble, kur Jezui shfaqet dhe fillon t’i mësojë!
Midis të tjerave, Jezui i shpjegon turmës së madhe se Perëndia i ka dhënë çdo autoritet në qiell dhe mbi tokë. «Shkoni, pra,—i nxit ai,—dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emrin e Atit dhe të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke i mësuar ata që të mbajnë të gjitha gjërat që unë ju urdhërova.»—BR.
Mendoni mbi këtë! Burra, gra e fëmijë, të gjithë marrin të njëjtën detyrë, atë të pjesëmarrjes në veprën e bërjes së dishepujve. Kundërshtarët do të përpiqen ta ndalojnë veprën e tyre të predikimit dhe të mësimdhënies, por Jezui i qetëson: «Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.» Jezui qëndron me ithtarët e tij me anë të frymës së shenjtë, me qëllim që t’i ndihmojë të kryejnë shërbimin e tyre.
Pas ringjalljes së tij Jezui u shfaqet i gjallë dishepujve për një periudhë prej 40 ditësh. Gjatë këtyre shfaqjeve ai i mëson ata mbi Mbretërinë e Perëndisë dhe thekson se cilat janë përgjegjësitë e tyre si dishepuj të tij. Në një rast, ai i shfaqet madje edhe vëllait të tij nga nëna, Jakovit, që dikur nuk ishte besimtar dhe e bind se është me të vërtetë Krishti.
Ndërsa apostujt janë akoma në Galile, Jezui siç duket, i udhëzon që të kthehen në Jerusalem. Kur takohen atje, ai u thotë: «Mos u largoni nga Jerusalemi, por vazhdoni të pritni atë që Ati ka premtuar, në lidhje me të cilën dëgjuat prej meje, sepse Gjoni në të vërtetë pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni në frymën e shenjtë jo shumë ditë më pas.»—BR.
Më vonë, Jezui takohet përsëri me apostujt e tij dhe i çon nga Jerusalemi në Betani, e cila gjendet në shpatin lindor të Malit të Ullinjve. Çuditërisht, pavarësisht nga gjithë ato gjëra që ai u ka thënë në lidhje me nisjen e tij të afërt për në qiell, ata besojnë akoma se Mbretëria e tij do të vendoset në tokë. Kështu, ata pyesin: «Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?»
Në vend se të përpiqet përsëri që të korrigjojë konceptet e tyre të gabuara, Jezui përgjigjet duke thënë thjesht: «Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e tij.» Pastaj, duke theksuar edhe një herë veprën që ata duhet të bëjnë, ai thotë: «Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në të gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut.»
Ndërsa janë akoma duke e vështruar, Jezui fillon të ngrihet drejt qiellit dhe më pas, një re e fsheh atë nga pamja e tyre. Pas çmaterializimit të trupit të tij prej mishi, ai ngjitet në qiell si një person frymor. Ndërsa të 11-ët vazhdojnë të shikojnë ngultas drejt qiellit, pranë tyre shfaqen 2 burra me rroba të bardha. Këta engjëj të materializuar pyesin: «Burra galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell.»
Mënyra në të cilën Jezui sapo është larguar nga toka, është pa bujë dhe vetëm ithtarët e tij besnikë e vërejtën. Prandaj, edhe kthimi i tij do të jetë i ngjashëm: pa bujë dhe vetëm ithtarët e tij besnikë do ta dallojnë se ai është kthyer dhe se prania e tij në pushtetin e Mbretërisë ka filluar.
Tani, apostujt zbresin nga Mali i Ullinjve, përshkojnë luginën e Kidronit dhe hyjnë përsëri në Jerusalem. Ata qëndrojnë atje, duke iu bindur urdhërit të Jezuit. Dhjetë ditë më vonë, në festën judeje të Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., ndërkohë që afërsisht 120 dishepuj janë mbledhur në një dhomë të sipërme në Jerusalem, një zhurmë tamam si ajo e një puhie të fortë ere mbush papritmas gjithë shtëpinë. Gjuhë si prej zjarri bëhen të dukshme dhe qëndrojnë nga një mbi secilin të pranishëm, dhe të gjithë dishepujt fillojnë të flasin në gjuhë të ndryshme. Kjo është derdhja e frymës së shenjtë që Jezui kishte premtuar! Mateu 28:16-20; Luka 24:49-52; 1. Korintasve 15:5-7; Veprat 1:3-15; 2:1-4.
▪ Cilëve u jep Jezui udhëzime përfundimtare në një mal në Galile dhe cilat janë këto udhëzime?
▪ Çfarë ngushëllimi u jep Jezui dishepujve të tij dhe si do të qëndrojë ai me ta?
▪ Për sa kohë pas ringjalljes së tij u shfaqet Jezui dishepujve dhe çfarë u mëson ai atyre?
▪ Cilit person i shfaqet Jezui, i cili siç duket para vdekjes së Tij nuk ishte një dishepull?
▪ Cilat janë dy takimet e fundit të Jezuit me apostujt e tij dhe çfarë ndodh gjatë tyre?
▪ Ç’do të thotë që Jezui do të kthehet në të njëjtën mënyrë në të cilën u largua?
▪ Çfarë ndodh në Rrëshajët e vitit 33 të e.s.?