Ajo ishte shumë e favorizuar nga Jehovai
«TUNGJATJETA, o hirplote, Zoti është me ty.» Ç’përshëndetje! Ai që flet është vetë engjëlli Gabriel. Po i flet një gruaje të re me zemër të përulur—Marijes, të bijës së një njeriu të quajtur Heli. Është viti 3 p.e.s. dhe vendi është qyteti i Nazaretit.—Luka 1:26-28.
Marija i është premtuar për grua një marangozi, Jozefit. Sipas ligjit dhe zakonit hebre, ajo tashmë konsiderohet si nusja e tij. (Mateu 1:18) Si ajo, edhe ai i përket shtresave të thjeshta. Përse atëherë engjëlli e takoi atë si një person shumë të favorizuar?
Privilegji i saj i mrekullueshëm
Gabrieli shton: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë dhe do t’ia vesh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur.»—Luka 1:29-33.
E mahnitur dhe e hutuar, Marija pyet: «Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?» Gabrieli iu përgjigj: «Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë.» Për të hequr çdo dyshim, engjëlli shton: «Ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë, sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme.»—Luka 1:34-37.
Marija e pranon menjëherë këtë privilegj të mrekullueshëm shërbimi. Me gatishmëri, por me përulësi ajo përgjigjet: «Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate.» Pastaj, Gabrieli ikën. Marija nxiton për në një qytet në zonën malore të Judës. Sapo arriti në shtëpinë e priftit Zaharia dhe gruas së tij, Elizabetës, gjen pikërisht situatën e përshkruar nga engjëlli. Ç’gëzim ka Marija në zemër! Buzët e saj murmurisin shprehje lavdie për Jehovain.—Luka 1:38-55.
Bëhet gruaja e Jozefit
Nevojitet një virgjëreshë për t’i dhënë trup njerëzor Jezuit, sepse kështu ishte parathënë lindja e tij. (Isaia 7:14; Mateu 1:22, 23) Por, përse kërkohet një virgjëreshë e fejuar? Për t’i siguruar një baba të adoptuar, që do të mund t’i transmetonte fëmijës të drejtën ligjore të fronit Mbretëror të Davidit. Edhe Jozefi edhe Marija i përkasin fisit të Judës dhe janë pasardhës të Mbretit David. Kështu, të drejtat e Jezuit mbi trashëgiminë forcohen dyfish. (Mateu 1:2-16; Luka 3:23-33) Ja, përse më vonë engjëlli i siguroi Jozefit se ai nuk duhej të ngurronte ta merrte Marijen për grua, megjithëse ajo ishte shtatzënë.—Mateu 1:19-25.a
Një dekret tatimi nga Çesar Augusti e detyroi Jozefin dhe Marijen të shkonin e të regjistroheshin në Betlehem. Ndërkohë që gjenden atje, ajo lind të parëlindurin e saj. Barinjtë erdhën të shihnin foshnjën dhe lavdëruan Atin e tij, Jehovain. Pas 40 ditësh pastrimi sipas Ligjit të Moisiut, Marija shkoi në tempull për të bërë shlyerjen e mëkateve. (Levitiku 12:1-8; Luka 2:22-24) Po, meqenëse Marija nuk është fryt i ngjizjes së panjollosur e kështu nuk është e lirë nga njolla e mëkatit, papërsosmëria e saj e trashëguar duhet mbuluar me sakrifica shlyerjeje.—Psalmi 51:5.
Ndërkohë që Marija dhe Jozefi janë në tempull, plaku Simeon dhe profetesha e moshuar Ana kanë privilegjin të shohin Birin e Perëndisë. Nuk është Marija qendra e vëmendjes. (Luka 2:25-38) Më pas, astrologët nderuan Jezuin dhe jo atë.—Mateu 2:1-12.
Pasi ikën në Egjipt dhe qëndruan atje derisa vdiq Herodi i lig, prindërit e Jezuit u kthyen dhe u vendosën në një fshat të vogël të Nazaretit. (Mateu 2:13-23; Luka 2:39) Atje Marija dhe Jozefi e rrisin Jezuin në gjirin e një familjeje të devotshme.
Marija pati fëmijë të tjerë
Me kalimin e kohës, Marija dhe Jozefi i dhanë Jezuit vëllezër dhe motra fizikë. Kur shërbimi e çoi Jezuin në qytetin e tij të lindjes, në Nazaret, ata që e kishin njohur që nga fëmijëria e njohën menjëherë. «A nuk është ky i biri i marangozit?—pyetën ata.—Nuk quhet nëna e tij Mari, dhe vëllezërit e tij Jakob, Iose, Simon dhe Juda? Dhe motrat e tij nuk janë të gjitha ndër ne?» (Mateu 13:55, 56) Nazaretasit i referohen familjes fizike të Marijes dhe Jozefit, duke përfshirë bijtë dhe bijat e tyre që i njohin si motrat dhe vëllezërit e Jezuit.
Këta vëllezër dhe motra nuk janë kushërinjtë e Jezuit. Nuk janë as dishepuj të tij, vëllezër dhe motra frymore, sepse Gjoni 2:12 e bën të qartë dallimin ndërmjet dy grupeve, kur thotë: «Ai [Jezui] zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij dhe me dishepujt e tij.» Vite më vonë, apostulli Pavël pa në Jeruzalem Kefën ose Pjetrin dhe tha: «Nuk pashë asnjë nga apostujt e tjerë, përveç Jakobit, vëllait të Zotit.» (Galatasve 1:19) Për më tepër, deklarata se Jozefi «nuk e njohu [Marijen] derisa ajo lindi djalin», tregon se babai i adoptuar i Jezuit pati marrëdhënie me të më pas dhe i lindi Marijes fëmijë të tjerë. (Mateu 1:25) Si rrjedhim, Luka 2:7 e quan Jezuin birin e saj «të parëlindur».
Nënë me frikë Perëndie
Si nënë me frikë Perëndie, Marija bashkëpunoi me Jozefin për t’i mësuar fëmijët e saj në drejtësi. (Proverbat 22:6) Ajo i studionte me zell Shkrimet dhe kjo duket nga shprehjet e saj frymësisht të pasura kur u përshëndet nga Elizabeta. Në atë rast, nëna e Jezuit përsëriti ndjenjat e shprehura në këngën e Hanës dhe tregoi se i njihte psalmet, shkrimet historike e profetike dhe librat e Moisiut. (Zanafilla 30:13; 1. Samuelit 2:1-10; Proverbat 31:28; Malakia 3:12; Luka 1:46-55) Marija i dinte përmendësh ngjarjet dhe thëniet profetike, i ruante në zemër dhe meditonte mbi to. Prandaj, ajo ishte mjaft mirë e përgatitur si nënë, për të mësuar Jezuin e vogël.—Luka 2:19, 33.
Në moshën 12 vjeç, Jezui i mësuar mirë shfaq një njohuri mbi Shkrimet që i mahnit mësuesit në tempull. Meqenëse gjatë sezonit të Pashkëve ka qenë larg nga prindërit, e ëma i tha: «Bir, pse na e bëre këtë? Ja, yt atë dhe unë, në ankth, po të kërkonim.» Jezui i përgjigjet: «Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?» Pasi nuk mundi të kuptonte domethënien e kësaj përgjigjeje, Marija e ruajti atë në zemër. Pasi u kthye në Nazaret, Jezui vazhdoi të «rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve».—Luka 2:42-52.
Marija, ithtare e Jezuit
Është e përshtatshme që Marija me kalimin e kohës të bëhet një ithtare e devotshme e Jezuit. Është e butë dhe nuk do të bjerë në sy për detyrën e jashtëzakonshme që Perëndia i ka ngarkuar. Marija i njeh Shkrimet. Nëse bën një kërkim, nuk do ta gjesh kurrë atë të përshkruar me një kurorë të madhërishme drite, të ulur mbi një fron si «mbretëresha-nënë» dhe të mbuluar me lavdinë e Krishtit. Përkundrazi, do ta gjesh në plan të dytë, larg nga qendra e vëmendjes.—Mateu 13:53-56; Gjoni 2:12.
Jezui parandaloi çdo gjë që do të mund t’i bënte dishepujt e tij të adhuronin Marijen. Njëherë, kur ishte duke folur «një grua nga turma e çoi zërin dhe i tha: ‘Lum barku që të barti dhe gjinjtë që të mëndën.’ Por ai tha: ‘Më tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë.’» (Luka 11:27, 28) Në një dasmë Jezui i tha Marijes: «Ç’ke me mua, o grua? Ora ime s’ka ardhur akoma!» (Gjoni 2:4) Versione të tjera e përkthejnë: «Ma lër mua në dorë.» (Weymouth) «Mos më jep mend mua.» (An American Translation) Po, Jezui e respektoi nënën e tij, por ama nuk e vuri atë në piedestal.
Privilegje të përjetshme
Ç’privilegje pati Marija! Ajo lindi Jezuin. Më pas e rriti dhe edukoi djalin e vogël. Më në fund edhe ajo ushtroi besim dhe u bë një ithtare e Krishtit dhe motër frymore e tij. Hera e fundit që Shkrimet flasin për të, gjendet në një dhomë të epërme në Jeruzalem. Është atje bashkë me apostujt e Jezuit, bijtë e tjerë të saj dhe disa gra besnike—të gjithë adhurues të Jehovait.—Veprat 1:13, 14.
Më pas, Marija vdiq dhe trupi i saj u kthye në pluhur. Ashtu si ithtarët e tjerë të parë të mirosur të birit të saj, ajo fjeti në vdekje, derisa në kohën e duhur Perëndia e ringjalli atë si një krijesë frymore me jetë të pavdekshme në qiell. (1. Korintasve 15:44, 50; 2. Timoteut 4:8) Çfarë gëzimi duhet të ketë kjo grua «shumë e favorizuar» tani në prani të Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit!
[Shënimi]
a Sikur Marija të mos kishte qenë e virgjër, kush do të donte ta kishte për grua? Për hebrejtë ishte e domosdoshme që vajza të ishte e virgjër.—Ligji i përtërirë 22:13-19; krahaso Zanafillën 38:24-26.
[Figura në faqen 31]
Marija ishte shumë e favorizuar si nëna e Jezuit