A keni «mendjen e Krishtit»?
«Perëndia që jep qëndrueshmëri dhe ngushëllim ju dhëntë të keni . . . të njëjtin qëndrim mendor që kishte Krishti Jezu!»—ROMAKËVE 15:5, BR.
1. Si e kanë paraqitur Jezuin shumë nga pikturat e të ashtuquajturit krishterim dhe përse ky nuk është një portretizim i drejtë i Jezuit?
«AS EDHE një herë të vetme nuk e kanë parë të qeshë.» Kështu është përshkruar Jezui në një dokument që në mënyrë të rreme tregon se është shkruar nga një zyrtar i lashtë romak. Thuhet se ky dokument, i cili njihet në formën aktuale që nga shekulli i 11-të, ka ndikuar te shumë artistë.a Në disa piktura, Jezui shfaqet si një person me pamje të trishtuar që rrallëherë buzëqeshte, për të mos thënë kurrë. Por ky vështirë se është një përshkrim i drejtë i Jezuit, të cilin Ungjijtë e portretizojnë si një person të përzemërt e zemërmirë, me ndjenja të thella.
2. Si mund të zhvillojmë «të njëjtin qëndrim mendor që kishte Krishti Jezu» dhe për çfarë do të na pajisë kjo?
2 Qartë, për të njohur Jezuin e vërtetë, ne duhet t’i mbushim mendjet dhe zemrat me një kuptueshmëri të saktë për llojin e personit që ishte në të vërtetë Jezui, kur ndodhej këtu në tokë. Prandaj, le të shqyrtojmë disa tregime nga Ungjijtë, që na japin mendjehollësi për «mendjen e Krishtit», domethënë për ndjenjat e tij, për perceptimet e tij, për mendimet e tij dhe për arsyetimet e tij. (1. Korintasve 2:16) Ndërsa bëjmë këtë, le të shqyrtojmë se si mund të zhvillojmë «të njëjtin qëndrim mendor që kishte Krishti Jezu». (Romakëve 15:5, BR) Në këtë mënyrë, mund të jemi më të pajisur në jetën tonë dhe në marrëdhëniet me të tjerët, për të ndjekur modelin që na la ai.—Gjoni 13:15.
Mund t’i afroheshin lirshëm
3, 4. (a) Në cilat rrethana u zhvillua ngjarja e dokumentuar te Marku 10:13-16? (b) Si reagoi Jezui kur dishepujt e tij u përpoqën t’i ndalonin fëmijët e vegjël që të shkonin tek ai?
3 Njerëzit ndiheshin të tërhequr ndaj Jezuit. Në raste të ndryshme, atij iu afruan lirisht individë me mosha e me prejardhje të ndryshme. Shqyrtoni ngjarjen e dokumentuar te Marku 10:13-16. Ajo ndodhi afër fundit të shërbimit të tij, ndërsa po shkonte në Jerusalem për herë të fundit, që të përballonte një vdekje agonike.—Marku 10:32-34.
4 Imagjinoni skenën. Njerëzit fillojnë t’i sjellin Jezuit fëmijët, duke përfshirë edhe foshnjat, që ai t’i bekojë.b Por dishepujt përpiqen t’i ndalojnë fëmijët, që të mos shkojnë te Jezui. Ndoshta mendojnë se me siguri Jezui nuk dëshiron që ta shqetësojnë fëmijët gjatë këtyre javëve kritike. Por e kanë gabim. Kur Jezui e kupton se çfarë po bëjnë dishepujt, nuk është i kënaqur nga kjo. Jezui i thërret fëmijët që të shkojnë tek ai, duke thënë: «I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni.» (Marku 10:14) Pastaj, bën diçka që zbulon një mënyrë të vepruari vërtet të butë e të dashur. Tregimi thotë: «Dhe si i mori në krahë, i bekoi.» (Marku 10:16) Sigurisht që fëmijët ndihen rehat kur me dashuri Jezui i merr në krahët e tij.
5. Çfarë na zbulon tregimi te Marku 10:13-16 për llojin e personit që ishte Jezui?
5 Ky tregim i shkurtër na zbulon shumë gjëra për llojin e personit që ishte Jezui. Vini re se ai ishte një person të cilit mund t’i afroheshe. Edhe pse kishte pasur një pozitë të lartë në qiej, ai as nuk i frikësonte, as nuk i përbuzte njerëzit e papërsosur. (Gjoni 17:5) A nuk është, gjithashtu, domethënëse që edhe fëmijët ndiheshin rehat me të? Patjetër që ata nuk do t’i kishte tërhequr një person i ftohtë e i ngrysur, i cili nuk buzëqeshte ose nuk qeshte kurrë. Jezuit i afroheshin njerëz të çdo moshe, sepse e ndienin që ishte një person i përzemërt e i dashur dhe ishin të sigurt se nuk do t’i kthente mbrapsht.
6. Çfarë mund të bëjnë pleqtë që të tjerët t’u afrohen më shumë?
6 Duke medituar për këtë tregim, mund të pyesim veten: ‘A e kam unë mendjen e Krishtit? A jam një person të cilit mund t’i afrohesh?’ Në këto kohë kritike, delet e Perëndisë kanë nevojë për barinj të cilëve mund t’u afrohen, për burra që të jenë si «një mbrojtje nga era». (Isaia 32:1, 2; 2. Timoteut 3:1) Pleq, nëse zhvilloni interes të sinqertë e të përzemërt për vëllezërit tuaj dhe nëse jeni të gatshëm të jepni nga vetja për dobinë e tyre, ata do ta ndiejnë merakun tuaj. Do ta shohin këtë në shprehjen e fytyrës suaj, do ta dëgjojnë në tonin e zërit tuaj dhe do ta vërejnë në mënyrën dashamirëse me të cilën veproni. Një ngrohtësi dhe një interes i tillë i sinqertë mund të krijojë një atmosferë mirëbesimi, ku të tjerët, duke përfshirë edhe fëmijët, e kanë më të lehtë t’ju afrohen. Një grua e krishterë shpjegon përse mundi t’i fliste lirshëm një plaku: «Ai më foli në mënyrë të butë e të dhembshur. Përndryshe, nuk do të kisha thënë ndoshta as edhe një fjalë. Më bëri të ndihesha e sigurt.»
I vëmendshëm ndaj të tjerëve
7. (a) Si e tregoi Jezui se ishte i vëmendshëm ndaj të tjerëve? (b) Për ç’arsye Jezui mund t’ia ketë kthyer gradualisht shikimin një burri të verbër?
7 Jezui ishte i vëmendshëm ndaj të tjerëve. Ai ishte i ndjeshëm ndaj ndjenjave të tyre. Mjaftonte të shihte njerëz të pikëlluar dhe ai prekej kaq thellë, saqë shtyhej për t’ua lehtësuar vuajtjen. (Mateu 14:14) Gjithashtu, ai merrte parasysh kufizimet dhe nevojat e të tjerëve. (Gjoni 16:12) Një herë, njerëzit i sollën Jezuit një burrë të verbër dhe iu lutën që ta shëronte. Jezui ia ktheu shikimin burrit, por e bëri këtë gradualisht. Fillimisht, burri i shihte njerëzit jo qartë, «si pemë që ecin». Pas kësaj, Jezui ia ktheu plotësisht shikimin. Përse e shëroi gradualisht atë burrë? Arsyeja fare mirë mund të ketë qenë se ai donte t’i jepte mundësi këtij personi—që ishte mësuar kaq shumë me errësirën,—të përshtatej me tronditjen që do të kishte, kur të shihte papritur një botë komplekse dhe plot dritë.—Marku 8:22-26.
8, 9. (a) Çfarë ndodhi pak pasi Jezui dhe dishepujt e tij hynë në krahinën e Dekapolit? (b) Përshkruani shërimin që i bëri Jezui burrit të shurdhër.
8 Shqyrtoni, gjithashtu, një ngjarje që ndodhi pas Pashkës së vitit 32 të e.s. Jezui dhe dishepujt e tij kishin hyrë në krahinën e Dekapolit, në lindje të Detit të Galilesë. Atje, shumë shpejt i gjetën turma të mëdha njerëzish, të cilët sollën te Jezui shumë veta që ishin të sëmurë e sakatë dhe ai i shëroi që të gjithë. (Mateu 15:29, 30) Është interesant fakti që Jezui veçoi një burrë, të cilit i kushtoi vëmendje të veçantë. Marku, një shkrimtar Ungjilli, i vetmi që e ka dokumentuar këtë ngjarje, raporton se çfarë ndodhi.—Marku 7:31-35.
9 Burri ishte i shurdhër dhe kishte shumë vështirësi për të folur. Jezui mund ta ketë ndier nervozizmin dhe sikletin e tij të veçantë. Atëherë, ai bëri diçka disi të pazakontë. E mori mënjanë burrin, larg turmës, në një vend privat. Pastaj, përdori disa shenja për t’i treguar burrit atë që do të bënte. Ai «futi gishtat në veshët e atij njeriu dhe pasi pështyu, i preku gjuhën». (Marku 7:33, BR) Më pas, Jezui pa nga qielli dhe psherëtiu si të ishte duke u lutur. Këto veprime demonstrative shërbyen si për t’i thënë këtij burri: ‘Ajo që do të bëj për ty është falë fuqisë që vjen nga Perëndia.’ Më në fund, Jezui tha: «Hapu!» (Marku 7:34) Me këto fjalë, burrit iu kthye dëgjimi dhe mundi të fliste normalisht.
10, 11. Si mund të jemi të vëmendshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve në kongregacion? Po në familje?
10 Sa i vëmendshëm ishte Jezui ndaj të tjerëve! Ai ishte i ndjeshëm ndaj ndjenjave të tyre dhe ky kujdes mirëdashës, nga ana e vet, e shtynte të vepronte në mënyra që merrnin parasysh ndjenjat e tyre. Si të krishterë, bëjmë mirë të zhvillojmë dhe të shfaqim mendjen e Krishtit në këtë aspekt. Bibla na këshillon: «Jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe dashamirës.» (1. Pjetrit 3:8) Patjetër, një gjë e tillë kërkon nga ne që të flasim dhe të veprojmë në mënyra që marrin parasysh ndjenjat e të tjerëve.
11 Në kongregacion, mund të tregohemi të vëmendshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve, duke u dhënë atyre dinjitet, duke i trajtuar siç do të dëshironim të na trajtonin ne të tjerët. (Mateu 7:12) Kjo përfshin edhe që të jemi të kujdesshëm lidhur me atë që themi dhe me mënyrën se si e themi. (Kolosianëve 4:6) Mos harroni se ‘fjalët e pa menduara mund të godasin si një shpatë’. (Proverbat [Fjalët e urta] 12:18, BR) Po në familje? Një burrë e një grua që e duan vërtet njëri-tjetrin janë të ndjeshëm ndaj ndjenjave të njëri-tjetrit. (Efesianëve 5:33) Ata shmangin fjalët e ashpra, kritikën e vazhdueshme dhe sarkazmën therëse, pasi që të gjitha këto mund t’i lëndojnë ndjenjat, të cilat pastaj mezi shërohen. Edhe fëmijët kanë ndjenja dhe prindërit e dashur i marrin parasysh ato. Kur nevojitet korrigjimi, këta prindër e japin në mënyra që respektojnë dinjitetin e fëmijëve të tyre dhe që nuk i bëjnë të ndihen në siklet.c (Kolosianëve 3:21) Kështu, kur jemi të vëmendshëm ndaj të tjerëve, tregojmë se kemi mendjen e Krishtit.
I gatshëm për të pasur besim te të tjerët
12. Cilën pikëpamje të ekuilibruar dhe realiste kishte Jezui për dishepujt e tij?
12 Jezui kishte një pikëpamje të ekuilibruar dhe realiste për dishepujt e tij. Ai e dinte mirë se ata nuk ishin të përsosur. Në fund të fundit, ai mund t’i lexonte zemrat e njerëzve. (Gjoni 2:24, 25) Por, megjithëkëtë, nuk i shihte ata thjesht nga papërsosmëritë e tyre, por nga cilësitë e mira që kishin. Gjithashtu, ai pa mundësitë që ekzistonin te këta burra, të cilët i kishte tërhequr Jehovai. (Gjoni 6:44) Pikëpamja pozitive që kishte Jezui për dishepujt e tij ishte e dukshme në marrëdhëniet që kishte me ta dhe në mënyrën se si i trajtonte. Pikësëpari, ai tregoi gatishmëri për të pasur besim tek ata.
13. Si e tregoi Jezui se kishte besim te dishepujt e vet?
13 Si e tregoi Jezui këtë besim që kishte? Kur e la tokën, ai u besoi dishepujve të tij të mirosur një përgjegjësi jo të lehtë. U la në dorë përgjegjësinë që të kujdeseshin për interesat mbarëbotërore të Mbretërisë së tij. (Mateu 25:14, 15; Luka 12:42-44) Gjatë shërbimit të tij, ai e tregoi edhe me gjëra të vogla e në mënyrë të tërthortë se kishte besim te dishepujt. Kur e shumëfishoi me anë të një mrekullie ushqimin për të ushqyer turmat, ai u besoi dishepujve të tij përgjegjësinë për ta shpërndarë atë.—Mateu 14:15-21; 15:32-37.
14. Si do ta përmblidhnit tregimin e dokumentuar te Marku 4:35-41?
14 Shqyrtoni, gjithashtu, tregimin e dokumentuar te Marku 4:35-41. Në këtë rast, Jezui dhe dishepujt e tij hipën në një varkë dhe lundruan drejt lindjes përgjatë Detit të Galilesë. Pak kohë pasi kishin dalë në det, Jezui u shtri në fund të varkës dhe menjëherë e zuri gjumi. Por shumë shpejt «shpërtheu një furtunë e madhe». Në Detin e Galilesë nuk ishin të pazakonta stuhi të tilla. Për shkak të nivelit të ulët të këtij deti (rreth 200 metra nën nivelin e detit), ajri aty është shumë më i ngrohtë se në zonën përreth dhe kjo gjë krijon çrregullime atmosferike. Përveç kësaj, nëpër luginën e Jordanit fryjnë erëra të forta që vijnë nga mali Hermon, i cili gjendet në veri. Qetësia e një momenti mund të shndërrohet fare mirë në një stuhi të tërbuar momentin tjetër. Mendoni për këtë: Jezui, pa dyshim, ishte në dijeni për stuhitë e zakonshme, sepse ishte rritur në Galile. Megjithatë, flinte i qetë, duke pasur besim në aftësitë e dishepujve të tij, disa prej të cilëve ishin peshkatarë.—Mateu 4:18, 19.
15. Si mund ta imitojmë gatishmërinë e Jezuit për të pasur besim te dishepujt e vet?
15 A mund ta imitojmë gatishmërinë e Jezuit për të pasur besim te dishepujt e vet? Disa e kanë të vështirë t’u japin përgjegjësi të tjerëve. Ata, si të thuash, duan ta kenë gjithnjë vetë timonin në dorë. Ndoshta mendojnë: ‘Nëse dua që një gjë të bëhet siç duhet, duhet ta bëj vetë.’ Por nëse na duhet ta bëjmë gjithçka vetë, rrezikojmë të sfilitemi dhe ndoshta po harxhojmë pa qenë nevoja, kohën që duhet t’ia kushtonim familjes sonë. Përveç kësaj, nëse nuk u japim detyra dhe përgjegjësi të përshtatshme të tjerëve, mund t’i privojmë ata nga përvoja dhe stërvitja që u nevojitet. Do të ishte e mençur të mësonim të kishim besim te të tjerët, duke u caktuar disa detyra. Bëjmë mirë të pyesim veten ndershmërisht: ‘A e kam mendjen e Krishtit në këtë aspekt? A ua kaloj me gatishmëri disa detyra të tjerëve, duke qenë i sigurt se ata do të bëjnë më të mirën e tyre?’
Shprehu mirëbesim te dishepujt e tij
16, 17. Çfarë sigurie u dha Jezui apostujve natën e fundit të jetës së tij tokësore, ndonëse e dinte që ata do ta braktisnin?
16 Jezui tregoi se kishte pikëpamje pozitive për dishepujt e tij në një mënyrë tjetër të rëndësishme. Ai u dha të kuptonin se kishin mirëbesimin e tij. Kjo dukej qartë në fjalët siguruese që u tha apostujve, natën e fundit të jetës së tij tokësore. Vini re se çfarë ndodhi.
17 Ajo ishte një mbrëmje e mbushur me punë për Jezuin. Ai u dha apostujve një mësim praktik për përulësinë, duke u larë këmbët. Pas kësaj, themeloi darkën që do të ishte një përkujtim i vdekjes së tij. Pastaj, apostujt u përfshinë përsëri në një diskutim të zjarrtë se kush nga ata dukej se ishte më i madhi. Gjithnjë i duruar, Jezui nuk i qortoi, por arsyetoi me ta. Ai u tha se çfarë i priste: «Këtë natë të gjithë ju do të skandalizoheni për shkakun tim, sepse është shkruar: ‘Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të shpërndahen.’» (Mateu 26:31; Zaharia 13:7) Ai e dinte se shokët e tij më të ngushtë do ta braktisnin pikërisht në momentin kur kishte nevojë për ta. Megjithatë, nuk i dënoi për këtë. Përkundrazi, u tha: «Por pasi të jem ngjallur, do të shkoj përpara jush në Galile.» (Mateu 26:32) Tamam, ai i siguroi se, megjithëse ata do ta braktisnin, ai nuk do t’i braktiste. Kur të kishte kaluar kjo sprovë e tmerrshme, ai do t’i takonte përsëri.
18. Cilën detyrë të rëndësishme u besoi Jezui dishepujve të vet në Galile dhe si e kryen apostujt këtë detyrë?
18 Jezui e mbajti fjalën. Më vonë, në Galile, Jezui i ringjallur iu shfaq 11 apostujve besnikë, të cilët me sa duket ishin mbledhur bashkë me shumë të tjerë. (Mateu 28:16, 17; 1. Korintasve 15:6) Atje, Jezui u dha një detyrë të rëndësishme: «Shkoni, pra dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të frymës së shenjtë dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Libri i Veprave na jep dëshmi të qarta se apostujt e kryen këtë detyrë. Ata e drejtuan me besnikëri veprën e predikimit të lajmit të mirë në shekullin e parë.—Veprat 2:41, 42; 4:33; 5:27-32.
19. Çfarë na mësojnë rreth mendjes së Krishtit, veprimet e Jezuit pasi u ringjall?
19 Çfarë na mëson ky tregim domethënës rreth mendjes së Krishtit? Jezui i kishte parë apostujt e tij në rrethana ku ishin treguar tepër të dobët, e megjithatë «i deshi deri në fund». (Gjoni 13:1) Pavarësisht nga mangësitë e tyre, ai u dha të kuptonin se kishin mirëbesimin e tij. Vini re se mirëbesimi që shprehu Jezui nuk ishte i pavend. Siguria dhe besimi që kishte shprehur ai, pa dyshim, i forcoi apostujt për të qenë të vendosur në zemrat e tyre që të kryenin veprën që u kishte urdhëruar.
20, 21. Si mund të shfaqim një pikëpamje pozitive për bashkëbesimtarët tanë?
20 Si mund ta shfaqim mendjen e Krishtit në këtë aspekt? Të mos jemi pesimistë për sa u përket bashkëbesimtarëve. Nëse mendojmë më të keqen për ta, fjalët dhe veprimet tona ka të ngjarë ta zbulojnë këtë. (Luka 6:45) Megjithatë, Bibla na thotë se dashuria «i beson të gjitha». (1. Korintasve 13:7) Dashuria është pozitive, jo negative. Ajo ndërton e nuk rrënon. Njerëzit reagojnë më me gatishmëri ndaj dashurisë dhe inkurajimit, sesa ndaj frikësimit. Ne mund t’i ndërtojmë e t’i inkurajojmë të tjerët, duke u shprehur mirëbesimin tonë. (1. Thesalonikasve [Selanikasve] 5:11) Nëse, ashtu si Krishti, kemi një pikëpamje pozitive për vëllezërit tanë, do t’i trajtojmë ata në mënyra që i ndërtojnë dhe do të nxjerrim më të mirën prej tyre.
21 Të zhvillojmë dhe të shfaqim mendjen e Krishtit shkon më thellë sesa thjesht të imitojmë disa gjëra që bëri Jezui. Siç u përmend në artikullin e mëparshëm, nëse dëshirojmë vërtet të veprojmë si Jezui, së pari duhet të mësojmë t’i shohim gjërat siç i shihte ai. Ungjijtë na japin mundësi të shohim një aspekt tjetër të personalitetit të tij: mendimet e ndjenjat që kishte për veprën që i ishte caktuar, siç do të trajtohet në artikullin vijues.
[Shënimet]
a Në dokument, falsifikuesi përshkruan gjoja pamjen fizike të Jezuit, duke përfshirë ngjyrën e flokëve, të mjekrës dhe të syve. Edgar J. Gudspid, një përkthyes i Biblës, shpjegon se ky falsifikim «kishte për qëllim ta bënte të pranueshëm përshkrimin që gjendej në manualet e piktorëve lidhur me paraqitjen e jashtme të Jezuit».
b Me sa duket, fëmijët ishin të moshave të ndryshme. Fjala që në këtë rast përkthehet «fëmijë të vegjël» përdoret edhe për vajzën 12-vjeçare të Jairit. (Marku 5:39, 42; 10:13) Megjithatë, në tregimin paralel, Luka përdor një fjalë që përdoret edhe për foshnjat.—Luka 1:41; 2:12; 18:15.
c Shiko artikullin «A e respekton dinjitetin e tyre?» në Kullën e Rojës, 1 prill 1998.
A mund ta shpjegoni?
• Si reagoi Jezui kur dishepujt e tij u përpoqën t’i pengonin fëmijët që të shkonin tek ai?
• Në cilat mënyra ishte i vëmendshëm Jezui ndaj të tjerëve?
• Si mund ta imitojmë gatishmërinë e Jezuit për të pasur besim te dishepujt e vet?
• Si mund ta imitojmë mirëbesimin që u shprehu Jezui apostujve të tij?
[Figura në faqen 16]
Fëmijët ndiheshin rehat me Jezuin
[Figura në faqen 17]
Jezui i trajtoi me dhembshuri të tjerët
[Figura në faqen 18]
Pleqtë e afrueshëm janë një bekim