Kapitulli 95
Mësime mbi divorcin e mbi dashurinë për fëmijët
JEZUI dhe dishepujt e tij po udhëtojnë për në Jerusalem, që të jenë të pranishëm në Pashkën e vitit 33 të e.s. Ata kalojnë lumin Jordan dhe marrin rrugën që kalon përmes krahinës së Peresë. Jezui ka qenë në Pere edhe disa javë më parë, por në atë kohë e thirrën për të shkuar në Jude, sepse miku i tij Lazri ishte sëmurë. Atëherë, ndërsa ishte në Pere, ai u foli farisenjve mbi divorcin dhe tani, ata e nxjerrin përsëri këtë çështje.
Midis farisenjve ekzistojnë rryma të ndryshme mendimi në lidhje me divorcin. Moisiu ka thënë se gruaja mund të divorcohet, nëse shihet ‘në të diçka e turpshme’. Disa besojnë se kjo i referohet vetëm papastërtisë morale. Por shumë të tjerë janë të mendimit se ‘diçka e turpshme’ përfshin edhe shkeljet më të vogla. Prandaj, për të vënë në provë Jezuin, farisenjtë pyesin: «A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan për një shkak çfarëdo?» Ata janë të sigurt se çfarëdo gjëje që të thotë Jezui, do ta futë atë në telashe me farisenjtë e tjerë që kanë një pikëpamje të ndryshme.
Jezui e trajton situatën me mjeshtëri, duke mos iu drejtuar mendimeve njerëzore, por duke iu referuar qëllimit fillestar të martesës. «A nuk keni lexuar,—pyet ai,—se ai që i krijoi që në fillim, i krijoi mashkull e femër? Dhe tha: ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’ Dhe kështu ata nuk janë më dy, por një mish i vetëm; prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë.»
Jezui tregon se qëllimi fillestar i Perëndisë, është që bashkëshortët të qëndrojnë të bashkuar, të mos bëjnë divorc. Por, nëse është kështu, përgjigjen farisenjtë, «atëherë përse Moisiu urdhëroi të jepet letërndarja dhe të lëshohet»?
«Moisiu ju lejoi t’i ndani gratë tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja,—përgjigjet Jezui,— por në fillim nuk ka qenë kështu.» Po, kur Perëndia caktoi standardin e vërtetë të martesës në kopshtin e Edenit, ai nuk dha asnjë dispozitë për divorcin.
Jezui vazhdon, duke u thënë farisenjve: «Po ju them, se kushdo që divorcohet me gruan e tij, përveçse për shkak të kurvërisë [greqisht, porneiʹa] dhe martohet me një tjetër, kryen tradhti bashkëshortore.» (BR) Në këtë mënyrë, ai tregon se porneiʹa, që është imoralitet i rëndë seksual, është e vetmja bazë për divorc e miratuar nga Perëndia.
Duke e kuptuar se martesa duhet të jetë një lidhje e qëndrueshme dhe se kurvëria është e vetmja bazë për divorc, dishepujt nxiten të thonë: «Në qoftë se kushtet e burrit ndaj gruas janë të tilla, më mirë të mos martohet.» S’ka dyshim, që një person, i cili mendon të martohet, duhet të marrë seriozisht në konsideratë natyrën e qëndrueshme të lidhjes martesore!
Jezui vazhdon, duke folur mbi beqarinë. Ai shpjegon se disa djem kanë lindur eunukë dhe nuk janë në gjendje të martohen, ngaqë janë të pazhvilluar seksualisht. Disa të tjerë janë bërë eunukë nga njerëzit, duke u hequr mizorisht aftësitë seksuale. Së fundi, disa përmbahen nga dëshira për t’u martuar dhe për të pasur marrëdhënie seksuale, në mënyrë që të mund t’u kushtohen në një masë sa më të plotë çështjeve lidhur me Mbretërinë e qiejve. «Kush mund t’i bëjë vend [beqarisë], le t’i bëjë vend»,—përfundon Jezui.—BR.
Tani, njerëzit fillojnë të sjellin fëmijët e vegjël te Jezui. Megjithatë, dishepujt i qortojnë fëmijët dhe përpiqen t’i largojnë, pa dyshim, duke dashur ta mbrojnë Jezuin nga një stres i panevojshëm. Por Jezui thotë: «I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni sepse e tyre është Mbretëria e Perëndisë. Në të vërtetë po ju them se kushdo që nuk pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të.»
Çfarë mësimesh të shkëlqyera jep Jezui në këtë rast! Për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë, ne duhet të imitojmë përulësinë dhe gatishmërinë për të mësuar, të cilat karakterizojnë fëmijët. Por shembulli që la Jezui tregon, gjithashtu, se sa e rëndësishme është, sidomos për prindërit, që të kalojnë kohë me fëmijët e tyre. Tani, Jezui tregon dashurinë e tij për të vegjlit, duke i marrë në krahë dhe duke i bekuar. Mateu 19:1-15; Ligji i përtërirë 24:1; Luka 16:18; Marku 10:1-16; Luka 18:15-17.
▪ Cilat pikëpamje të ndryshme kanë farisenjtë mbi divorcin dhe si i përdorin ato për të vënë në provë Jezuin?
▪ Si vepron Jezui kur farisenjtë përpiqen ta vënë në provë dhe cilën jep ai si bazë të vetme për divorcin?
▪ Përse dishepujt e Jezuit thonë se martesa nuk është e këshillueshme dhe çfarë rekomandimi jep Jezui?
▪ Çfarë na mëson Jezui me anë të mënyrës në të cilën i trajton fëmijët?