Kapitulli 98
Dishepujt diskutojnë ndërsa afrohet vdekja e Jezuit
JEZUI dhe dishepujt gjenden afër lumit Jordan, të cilin e kalojnë për të shkuar nga krahina e Peresë në Jude. Bashkë me ta po udhëtojnë edhe shumë të tjerë, për të marrë pjesë në Pashkën e vitit 33 të e.s., e cila është pak a shumë një javë larg.
Jezui ecën përpara dishepujve dhe ata habiten me vendosmërinë e tij të guximshme. Kujtoni që, disa javë më parë, kur Lazri vdiq dhe Jezui u bë gati të shkonte nga Perea në Jude, Thomai i nxiti të tjerët: «Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të.» Kujtoni, gjithashtu, që pas ringjalljes së Lazrit, Sinedri bëri plane për ta vrarë Jezuin. Prandaj, nuk është për t’u çuditur që dishepujt i zë frika ndërsa hyjnë në Jude përsëri.
Që t’i përgatitë për atë që i pret përpara, Jezui i merr mënjanë të 12-t dhe u thotë: «Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve; dhe ata do ta dënojnë me vdekje dhe do ta dorëzojnë në duar të paganëve, të cilët do ta tallin, do ta fshikullojnë, do ta pështyjnë dhe do ta vrasin, por ai, ditën e tretë, do të ringjallet.»
Kjo është hera e tretë në muajt e fundit që Jezui u flet dishepujve për vdekjen dhe ringjalljen e tij. Dhe megjithëse e dëgjojnë, ata nuk arrijnë të kuptojnë. Ndoshta, kjo ndodh, sepse ata besojnë se Mbretëria e Izraelit do të rivendoset mbi tokë dhe mezi presin të marrin lavdi dhe nder në një mbretëri tokësore me Krishtin.
Midis atyre që udhëtojnë për të marrë pjesë në Pashkë është edhe Saloma, e ëma e apostujve Jakov dhe Gjon. Jezui i ka quajtur këta burra «Bij të Bubullimës», pa dyshim për shkak të temperamentit të tyre të zjarrtë. Për një farë kohe të dy këta kanë ushqyer ambicien për të pasur një pozitë të shquar në Mbretërinë e Krishtit dhe ia kanë bërë të njohur dëshirat nënës së tyre. Tani, ajo i afrohet Jezuit në vend të tyre, përkulet para tij dhe kërkon një favor.
«Çfarë do»,—e pyet Jezui.
Ajo përgjigjet: «Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njëri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde.»
Duke e kuptuar burimin e kërkesës, Jezui u thotë Jakovit e Gjonit: «Ju nuk e dini se çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi?»
«Po mundemi»,—përgjigjen ata. Edhe pse Jezui sapo u ka thënë që do të përballojë persekutim të tmerrshëm dhe së fundi do të ekzekutohet, me sa duket, ata nuk e kuptojnë se me «kupën» që do të pijë, ai nënkupton pikërisht këtë.
Megjithatë, Jezui u thotë: «Ju do ta pini me të vërtetë kupën time, por, sa për uljen në krahun tim të djathtë dhe në krahun tim të majtë, nuk më takon mua ta caktoj, por u përket atyre për të cilët është përgatitur nga Ati im.»—BR.
Më vonë, dhjetë apostujt e tjerë e marrin vesh se çfarë kanë kërkuar Jakovi dhe Gjoni dhe për këtë zemërohen. Ndoshta Jakovi dhe Gjoni ishin dalluar mbi të tjerët, në diskutimin e mëparshëm midis apostujve mbi atë se kush është më i madhi. Kërkesa që sapo kanë bërë, zbulon se ata nuk e kanë zbatuar këshillën që ka dhënë Jezui mbi këtë çështje. Mjerisht, dëshira e tyre për një pozitë të shquar është ende e fortë.
Prandaj, për t’i dhënë fund kësaj polemike të fundit dhe ndjenjave armiqësore që ka krijuar ajo, Jezui i thërret të 12-t rreth vetes. Duke i këshilluar me dashuri, ai u thotë: «Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi to, por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj.»
Jezui ka dhënë shembullin që ata duhet të imitojnë, siç shpjegon ai vetë: «Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.» Jezui jo vetëm që ka shërbyer në dobi të të tjerëve, por do ta bëjë këtë deri në atë pikë sa të vdesë për njerëzimin! Dishepujt duhet të kenë të njëjtën mënyrë të menduari si ajo e Krishtit, duke dëshiruar t’u shërbejnë të tjerëve, në vend se të tjerët t’u shërbejnë atyre dhe të jenë më të vegjël, në vend se të kenë një pozitë të shquar. Mateu 20:17-28; Marku 3:17; 9:33-37; 10:32-45; Luka 18:31-34; Gjoni 11:16.
▪ Përse dishepujt i zë frika tani?
▪ Si i përgatit Jezui dishepujt e tij për atë që i pret?
▪ Çfarë kërkese i bëhet Jezuit dhe si ndikohen apostujt e tjerë?
▪ Si e trajton Jezui problemin që lind midis apostujve të tij?