«Ora ka ardhur!»
«Kishte ardhur ora e tij të largohej nga kjo botë për tek Ati.»—GJONI 13:1.
1. Ndërsa afrohet Pashka e vitit 33 të e.s., nga cilat hamendje zien Jerusalemi dhe përse?
NË PAGËZIMIN e tij në vitin 29 të e.s., Jezui mori drejtimin që do të çonte në ‘orën’ e vdekjes, të ringjalljes dhe të lartësimit të tij. Tani është pranvera e vitit 33 të e.s. Kanë kaluar vetëm disa javë që nga koha kur gjykata e lartë judaike, Sinedri, është këshilluar për të vrarë Jezuin. Duke mësuar për planin e tyre, ndoshta nga Nikodemi, një anëtar i Sinedrit që ka qenë miqësor me të, Jezui është larguar nga Jerusalemi dhe ka shkuar në zonën përgjatë lumit Jordan. Ndërsa afrohet Festa e Pashkës, shumë njerëz shkojnë nga i gjithë vendi për në Jerusalem dhe qyteti gëlon nga hamendjet për Jezuin. «Si mendoni?—pyesin njerëzit njëri-tjetrin.—A thua nuk do të vijë fare në festë?» Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë e kanë rritur rrëmujën, duke dhënë urdhra që kushdo që e sheh Jezuin duhet t’ua raportojë atyre vendin ku rri ai.—Gjoni 11:47-57.
2. Cili veprim i Marisë bën të lindin polemika dhe çfarë tregon përgjigjja e Jezuit në mbrojtje të saj, lidhur me vetëdijen që kishte ai për ‘orën e tij’?
2 Më 8 nisan, gjashtë ditë para Pashkës, Jezui është përsëri në afërsi të Jerusalemit. Ai vjen në Bethani, qyteti i miqve të tij të dashur, Martës, Marisë dhe Lazarit, një vend që ndodhet rreth 3 kilometra larg Jerusalemit. Është e premte mbrëma dhe Jezui kalon atje sabatin. Mbrëmjen vijuese, kur Maria i shërben duke përdorur vaj të çmuar të parfumuar, dishepujt kundërshtojnë. Jezui u përgjigjet: «Lëreni rehat, që ta bëjë këtë zakon, duke pasur parasysh ditën e varrimit tim. Sepse të varfrit i keni gjithmonë me vete, kurse mua nuk do të më keni gjithmonë.» (Gjoni 12:1-8; Mateu 26:6-13) Jezui e di se ‘i ka ardhur ora që të largohet nga kjo botë për tek Ati’. (Gjoni 13:1) Edhe pesë ditë dhe ai do të «japë shpirtin e tij si shpërblesë në këmbim të shumë vetave». (Marku 10:45) Prandaj, një ndjenjë urgjence ndikon në çdo gjë që bën dhe mëson Jezui. Sa shembull të mrekullueshëm përbën ky për ne, ndërsa presim me padurim fundin e këtij sistemi! Shqyrtoni çfarë ndodh në rastin e Jezuit, tamam ditën tjetër.
Dita e hyrjes triumfuese të Jezuit
3. (a) Si hyn Jezui në Jerusalem, të dielën më 9 nisan dhe si reagojnë shumë njerëz përqark tij? (b) Çfarë përgjigjeje u jep Jezui farisenjve që ankohen për turmën?
3 Të dielën, më 9 nisan, Jezui vjen triumfues në Jerusalem. Ndërsa i afrohet qytetit, hipur në kërriçin e një gomarice në përmbushje të Zaharisë 9:9, shumë njerëz që janë mbledhur përreth tij i shtrojnë veshjet e tyre në rrugë, kurse të tjerë presin degë nga pemët dhe i shtrojnë. «I bekuar është Ai që vjen si Mbreti në emrin e Jehovait!»—thërrasin ata. Disa farisenj në turmë duan që Jezui t’i qortojë dishepujt e tij. Por, Jezui u përgjigjet: «Unë po ju them: Nëse këta do të heshtnin, gurët do të thërritnin.»—Luka 19:38-40; Mateu 21:6-9.
4. Përse është në lëvizje Jerusalemi kur hyn Jezui në qytet?
4 Vetëm disa javë më parë, shumë veta nga turma kishin parë që Jezui kishte ringjallur Lazarin. Tani, këta vazhdojnë t’u tregojnë të tjerëve për atë mrekulli. Kështu, ndërsa Jezui hyn në Jerusalem, i gjithë qyteti vihet në lëvizje. «Kush është ky?»—pyesin njerëzit. Ndërsa turmat vazhdojnë të thonë: «Ky është profeti Jezu, nga Nazareti i Galilesë!» Duke parë çfarë po ndodh, farisenjtë ankohen: «Bota ka shkuar pas tij.»—Mateu 21:10, 11; Gjoni 12:17-19.
5. Çfarë ndodh kur Jezui shkon në tempull?
5 Siç e ka zakon kur viziton Jerusalemin, Jezui, Mësuesi i Madh, shkon në tempull për të mësuar. Atje, vijnë tek ai të verbër e të çalë dhe i shëron. Krerët e priftërinjve dhe skribët zemërohen kur e shohin këtë dhe kur dëgjojnë djemtë në tempull që thërrasin: «Shpëtoje, të lutemi, Birin e Davidit!» «A e dëgjon se ç’po thonë këta?»—protestojnë ata. «Po,—përgjigjet Jezui.—Nuk e keni lexuar kurrë këtë: ‘Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave të gjirit ti ke sjellë lëvdim’?» Ndërsa vazhdon t’i mësojë njerëzit, Jezui vëren me kujdes rreth e rrotull për të parë atë që po ndodh në tempull.—Mateu 21:15, 16; Marku 11:11.
6. Si ndryshon qëndrimi me të cilin afrohet Jezui tani, nga ai i mëparshmi dhe përse?
6 Sa i ndryshëm është qëndrimi me të cilin afrohet tani Jezui, në krahasim me atë të gjashtë muajve më parë! Atëherë ai erdhi në Jerusalem për Festën e Tabernakujve, «jo haptas, por si në fshehtësi». (Gjoni 7:10) Gjithashtu, merrte gjithnjë masa për t’u larguar shëndoshë e mirë, kur i kërcënohej jeta. Tani ai hyn haptas në qytetin ku janë dhënë urdhra për ta kapur! Gjithashtu, Jezui nuk e kishte zakon ta shpallte veten e tij si Mesia. (Isaia 42:2; Marku 1:40-44) Nuk dëshironte që shpalljet e zhurmshme ose raportet e shtrembëruara për të të kalonin gojë më gojë. Tani, turmat po e shpallin haptas Mbret dhe Shpëtimtar, Mesi, dhe ai refuzon kërkesat e udhëheqësve fetarë për t’i bërë të heshtin turmat! Përse ky ndryshim? Sepse «ka ardhur ora që Birit të njeriut t’i jepet lavdi», siç njofton Jezui ditën vijuese.—Gjoni 12:23.
Veprime të guximshme e, pastaj, mësime jetëshpëtuese
7, 8. Si pasqyrojnë veprimet e Jezuit më 10 nisan të vitit 33 të e.s. atë që bëri në tempull, në Pashkën e vitit 30 të e.s.?
7 Pasi mbërrin në tempull të hënën, më 10 nisan, Jezui ndërmerr veprime për atë që pa pasditen e mëparshme. Ai fillon ‘të flakë jashtë ata që shesin e blejnë në tempull, përmbys tryezat e këmbyesve të parave dhe stolat e atyre që shesin pëllumba dhe nuk lë askënd që të mbartë pajisje nëpër tempull’. Duke dënuar keqbërësit, ai shpall: «A nuk është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjitha kombet’? Por ju e keni bërë shpellë kusarësh.»—Marku 11:15-17.
8 Veprimet e Jezuit pasqyrojnë atë që bëri tre vjet më parë, kur vizitoi tempullin për Pashkën e vitit 30 të e.s. Gjithsesi, kësaj radhe denoncimi është më therës. Tani tregtarëve në tempull u bëhet referimi si ‘kusarë’. (Luka 19:45, 46; Gjoni 2:13-16) Janë të tillë, sepse vënë çmime marramendëse për ata që kanë nevojë të blejnë kafshë për flijime. Krerët e priftërinjve, skribët dhe të parët e popullit marrin vesh atë që po bën Jezui dhe kërkojnë përsëri mënyra për ta vrarë. Por, nuk dinë si ta eliminojnë Jezuin, sepse i gjithë populli, i mahnitur nga mësimi i tij, rri ngjitur pas tij për ta dëgjuar.—Marku 11:18; Luka 19:47, 48.
9. Çfarë mësimi jep Jezui dhe cilën ftesë u bën dëgjuesve të tij në tempull?
9 Duke vazhduar mësimin në tempull, Jezui deklaron: «Ka ardhur ora që Birit të njeriut t’i jepet lavdi.» Po, ai e di se i kanë mbetur vetëm disa ditë jetë njerëzore. Pasi tregon se si një kokërr gruri duhet të vdesë me qëllim që të japë fryt—dhe kjo përkon me vdekjen e tij, duke u bërë mjeti për t’u dhënë të tjerëve jetë të përhershme—Jezui u bën një ftesë dëgjuesve të tij, duke thënë: «Nëse dikush dëshiron të më shërbejë, le të më ndjekë dhe ku jam unë, aty do të jetë edhe shërbëtori im. Nëse dikush dëshiron të më shërbejë, Ati do ta nderojë.»—Gjoni 12:23-26.
10. Si ndihet Jezui për vdekjen angështuese që e pret?
10 Duke menduar për vdekjen angështuese, që është vetëm katër ditë larg, Jezui vazhdon: «Tani, shpirti im është i trazuar e çfarë do të them? O Atë, shpëtomë nga kjo orë.» Por ajo që e pret Jezuin nuk mund të shmanget. «Sidoqoftë,—thotë ai,—për këtë kam ardhur në këtë orë.» Në të vërtetë, Jezui është dakord me tërë rregullimin e Perëndisë. Ai është i vendosur që vullneti hyjnor të udhëheqë veprimet e tij deri në vdekjen flijuese që do të ketë. (Gjoni 12:27) Çfarë shembulli që la ai për ne, një shembull nënshtrimi të plotë ndaj vullnetit hyjnor!
11. Çfarë mësimesh i jep Jezui turmës që sapo ka dëgjuar një zë nga qielli?
11 Duke qenë thellësisht i shqetësuar për ndikimin që do të ketë vdekja e tij në reputacionin e të Atit, Jezui lutet: «Jepi lavdi, o Atë, emrit tënd.» Për habinë e turmës që është mbledhur në tempull, nga qielli vjen një zë, i cili shpall: «Unë i dhashë lavdi dhe do t’i jap lavdi përsëri.» Mësuesi i Madh e përdor këtë rast për t’i treguar turmës përse u dëgjua zëri, cilat do të jenë pasojat e vdekjes së tij dhe përse ata duhet të ushtrojnë besim. (Gjoni 12:28-36) Dy ditët e fundit, sigurisht, kanë qenë të mbushura me punë për Jezuin. Por një ditë kyçe është ende përpara.
Dita për denoncime
12. Të martën, më 11 nisan, si përpiqen udhëheqësit fetarë ta zënë në grackë Jezuin dhe me çfarë përfundimi?
12 Të martën, më 11 nisan, Jezui shkon përsëri në tempull për të mësuar. I pranishëm është një auditor armiqësor. Duke iu referuar veprimeve që bëri Jezui një ditë më parë, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit e pyesin: «Me ç’autoritet i bën këto gjëra? Dhe kush ta dha këtë autoritet?» Mësuesi i Madh i ngatërron me përgjigjen e tij dhe tregon tri ilustrime të gjalla: dy për një vresht dhe një për një dasmë, ilustrime që nxjerrin në pah sa të ligj janë kundërshtarët e tij. Të zemëruar nga ajo që dëgjojnë, udhëheqësit fetarë duan ta kapin. Por, kanë frikë nga turma, e cila e konsideron Jezuin një profet. Prandaj, përpiqen ta bëjnë të thotë diçka për të cilën mund ta arrestojnë. Përgjigjet që jep Jezui i bëjnë të heshtin.—Mateu 21:23–22:46.
13. Çfarë këshille u jep Jezui dëgjuesve për skribët dhe farisenjtë?
13 Meqë skribët dhe farisenjtë deklarojnë se u mësojnë të tjerëve Ligjin e Perëndisë, tani Jezui i nxit dëgjuesit: «Gjithçka t’ju thonë, bëjeni dhe zbatojeni, por mos bëni sipas veprave të tyre, sepse ata thonë, por nuk kryejnë.» (Mateu 23:1-3) Çfarë denoncimi i fuqishëm publik! Por Jezui ende nuk ka mbaruar me ta. Kjo është dita e tij e fundit në tempull dhe, me guxim, ai bën disa denoncime, njërin pas tjetrit, si bubullima kumbuese.
14, 15. Çfarë denoncimesh të ashpra shqipton Jezui kundër skribëve dhe farisenjve?
14 «Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë!»—deklaron gjashtë herë me radhë Jezui. Janë të tillë, sepse, siç e shpjegon ai, ua mbyllin Mbretërinë e qiejve njerëzve, duke mos i lejuar të hyjnë ata që janë për të hyrë. Këta hipokritë kapërcejnë det e tokë për të bërë një prozelit, vetëm e vetëm për ta bërë të meritojë shkatërrimin e përjetshëm. Duke lënë pas dore «çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë, drejtësinë, mëshirën dhe besueshmërinë», ata i kushtojnë shumë vëmendje pagimit të së dhjetës. Në fakt, pastrojnë «anën e jashtme të kupës e të pjatës, por përbrenda ato janë plot me plaçkitje dhe teprime», në kuptimin që kalbja dhe prishja e tyre e brendshme fshihet pas një shfaqjeje të jashtme devocioni. Më tej, janë të gatshëm të ndërtojnë varre për profetët dhe t’i zbukurojnë për të tërhequr vëmendjen ndaj veprave të tyre bamirëse, edhe pse vetë ‘janë bij të atyre që vranë profetët’.—Mateu 23:13-15, 23-31.
15 Duke dënuar mungesën e vlerave frymore nga ana e kundërshtarëve të tij, Jezui thotë: «Mjerë ju, udhërrëfyes të verbër.» Ata janë të verbër nga ana morale, sepse e vënë më shumë theksin në arin e tempullit, sesa në vlerën frymore të atij vendi adhurimi. Duke vazhduar më tej, Jezui shqipton fjalët më të forta denoncuese. «Gjarpërinj, pasardhës nepërkash,—thotë ai,—si do të ikni nga gjykimi i Gehenës?» Po, Jezui po u thotë se ngaqë ndjekin drejtimin e tyre të lig, ata do të pësojnë shkatërrimin e përhershëm. (Mateu 23:16-22, 33) Të tregojmë edhe ne guxim duke shpallur mesazhin e Mbretërisë, edhe kur kjo përfshin denoncimin e fesë së rreme.
16. Ndërsa janë ulur në Malin e Ullinjve, çfarë profecie të rëndësishme u jep Jezui dishepujve të tij?
16 Tani, Jezui largohet nga tempulli. Nën diellin e zbehtë të pasdites, ai dhe apostujt ngjiten në Malin e Ullinjve. Ndërsa janë ulur atje, Jezui jep profecinë për shkatërrimin e tempullit dhe shenjën e pranisë së tij e të përfundimit të sistemit. Domethënia e këtyre fjalëve profetike arrin deri në kohën tonë. Atë mbrëmje, Jezui u thotë, gjithashtu, dishepujve të tij: «Ju e dini se pas dy ditësh bie pashka dhe Biri i njeriut ka për t’u dorëzuar që të vihet në shtyllë.»—Mateu 24:1-14; 26:1, 2.
Jezui ‘i do të vetët deri në fund’
17. (a) Gjatë Pashkës më 14 nisan, çfarë mësimi u jep Jezui të 12-ve? (b) Cilin përkujtim themelon Jezui, pasi largon Judë Iskariotin?
17 Dy ditët vijuese, 12 dhe 13 nisan, Jezui nuk shfaqet haptas në tempull. Udhëheqësit fetarë po përpiqen ta vrasin dhe ai nuk do që ndonjë gjë të pengojë kremtimin e Pashkës me apostujt e tij. Perëndimi i diellit të enjten fillon 14 nisanin, ditën e fundit të jetës së Jezuit si njeri në tokë. Atë mbrëmje, Jezui dhe apostujt e tij janë së bashku në një shtëpi në Jerusalem, ku janë bërë përgatitjet që të kremtojnë Pashkën. Ndërsa kalojnë Pashkën së bashku, ai u jep të 12-ve një mësim të bukur për përulësinë, duke u larë këmbët. Pasi largon Judë Iskariotin, i cili ka rënë dakord ta tradhëtojë Zotërinë e tij për 30 monedha argjendi (çmimi i një skllavi të thjeshtë, sipas Ligjit të Moisiut), Jezui themelon Përkujtimin e vdekjes së tij.—Eksodi (Dalja) 21:32; Mateu 26:14, 15, 26-29; Gjoni 13:2-30.
18. Çfarë mësimesh të mëtejshme u jep me dashuri Jezui 11 apostujve të tij besnikë dhe si i përgatit për ikjen e tij të afërt?
18 Pas themelimit të Përkujtimit, apostujt përfshihen në një debat të zjarrtë se kush prej tyre është më i madhi. Në vend që t’i qortojë, Jezui me durim u mëson vlerën që ka t’u shërbesh të tjerëve. Duke e vlerësuar faktin që ata kanë qëndruar me të gjatë sprovave të tij, ai bën një besëlidhje personale me ta për një mbretëri. (Luka 22:24-30) Gjithashtu, Jezui i urdhëron që ta duan njëri-tjetrin, siç i ka dashur ai. (Gjoni 13:34) Ndërsa qëndron ende në atë dhomë, me dashuri, Jezui i përgatit ata për ikjen e tij që është shumë afër. I siguron për miqësinë e tij, i inkurajon që të ushtrojnë besim dhe u premton ndihmën e frymës së shenjtë. (Gjoni 14:1-17; 15:15) Para se të largohet nga shtëpia, Jezui i lutet Atit të vet: «Ora ka ardhur; jepi lavdi birit tënd, që biri yt të të japë lavdi ty.» Në fakt, Jezui i ka përgatitur apostujt për ikjen e tij dhe, patjetër, ‘i do të vetët deri në fund’.—Gjoni 13:1; 17:1.
19. Përse Jezui është i angështuar në kopshtin e Getsemanisë?
19 Mund të ketë kaluar tashmë mesnata, kur Jezui dhe 11 apostujt besnikë mbërrijnë në kopshtin e Getsemanisë. Ai ka shkuar shpesh atje me apostujt. (Gjoni 18:1, 2) Brenda pak orësh, Jezui do të vdesë sikur të jetë një kriminel i neveritshëm. Angështia e pritjes së kësaj përvoje dhe e sharjes që mund të sjellë ajo mbi Atin e tij është kaq e madhe, saqë, kur Jezui lutet, djersa i bëhet si pika gjaku që bien përtokë. (Luka 22:41-44) «Ora ka ardhur!»—u thotë Jezui apostujve. «Ja, tradhtari im është afruar.» Ndërsa është ende duke folur, afrohet Judë Iskarioti, i shoqëruar nga një turmë e madhe me pishtarë e llamba dhe me armë. Kanë ardhur për të arrestuar Jezuin. Ai nuk bën rezistencë. «Në atë rast,—shpjegon ai,—si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë në këtë mënyrë?»—Marku 14:41-43; Mateu 26:48-54.
Birit të njeriut i jepet lavdi!
20. (a) Çfarë mizorish i ndodhin Jezuit pas arrestimit? (b) Vetëm disa momente para se të vdesë, përse thërret Jezui «u krye»?
20 Pas arrestimit, Jezuin e akuzojnë me anë të dëshmitarëve të rremë, e deklarojnë fajtor disa gjykatës me paragjykime, e dënon Ponc Pilati, e përqeshin priftërinjtë dhe turmat, e tallin dhe e torturojnë ushtarët. (Marku 14:53-65; 15:1, 15; Gjoni 19:1-3) Nga mesdita e së premtes, Jezuin e gozhdojnë në një shtyllë torture dhe ka dhembje të padurueshme ndërsa pesha e trupit ia shqyen plagët e gozhdëve në duar e në këmbë. (Gjoni 19:17, 18) Rreth orës tre pasdite, Jezui thërret: «U krye!» Po, ai e ka përfunduar të gjithë atë për të cilën erdhi në tokë. Duke ia besuar frymën e tij Perëndisë, ai ul kokën dhe vdes. (Gjoni 19:28, 30; Mateu 27:45, 46; Luka 23:46) Ditën e tretë pas kësaj, Jehovai e ringjall Birin e tij. (Marku 16:1-6) Dyzet ditë pas ringjalljes, Jezui ngjitet në qiell dhe i jepet lavdi.—Gjoni 17:5; Veprat 1:3, 9-12; Filipianëve 2:8-11.
21. Si mund ta imitojmë Jezuin?
21 Si mund t’i ‘ndjekim me kujdes gjurmët e Jezuit’? (1 Pjetrit 2:21) Ashtu si ai, le të përpiqemi fuqimisht në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. Gjithashtu, le të jemi të guximshëm e me kurajë për të thënë fjalën e Perëndisë. (Mateu 24:14; 28:19, 20; Veprat 4:29-31; Filipianëve 1:14) Të mos e humbim asnjëherë nga sytë pikën ku jemi në rrjedhën e kohës dhe të mos dështojmë të nxitim njëri-tjetrin për dashuri dhe vepra të shkëlqyera. (Marku 13:28-33; Hebrenjve 10:24, 25) Le të lëmë që çdo veprim i yni të udhëhiqet nga vullneti i Perëndisë Jehova dhe nga dijenia se po jetojmë në «kohën e mbarimit»!—Danieli 12:4.
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë ndikimi pati në shërbimin e fundit të Jezuit në tempullin e Jerusalemit dijenia se vdekja e tij ishte afër?
• Nga duket se Jezui ‘i deshi të vetët deri në fund’?
• Çfarë tregojnë për Jezuin ngjarjet e orëve të fundit të jetës së tij?
• Si mund ta imitojmë Krishtin Jezu në shërbimin tonë?
[Figura në faqen 18]
Jezui ‘i deshi ata deri në fund’