Dëshmitarë të krishterë për sovranitetin hyjnor
«Të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme.»—1. PJETRIT 2:9.
1. Çfarë dëshmie e efektshme u dha për Jehovain në kohët para krishterimit?
NË KOHËT para krishterimit, një listë e gjatë dëshmitarësh kishin dëshmuar me guxim se Jehovai është Perëndia i vetëm i vërtetë. (Hebrenjve 11:4–12:1) Të fortë në besimin e tyre, ata iu bindën pa u trembur ligjeve të Jehovait dhe nuk pranuan të bënin kompromis në çështjet e adhurimit. Ata dhanë një dëshmi të fuqishme për sovranitetin universal të Jehovait.—Psalmi 18:21-23; 47:1, 2.
2. (a) Kush është Dëshmitari më i madh i Jehovait? (b) Kush e zëvendësoi kombin e Izraelit, si dëshmitar i Jehovait? Si e dimë?
2 Dëshmitari i fundit dhe më i madh para krishterimit ishte Gjon Pagëzori. (Mateu 11:11) Ai pati privilegjin të shpallte ardhjen e të Zgjedhurit dhe i hapi rrugën Jezuit, si Mesisë së premtuar. (Gjoni 1:29-34) Jezui është Dëshmitari më i madh i Jehovait, «Dëshmitari besnik dhe i vërtetë». (Zbulesa 3:14) Pasi Izraeli natyror nuk e pranoi Jezuin, Jehovai i hodhi ata dhe emëroi një komb të ri, Izraelin frymor të Perëndisë, që të ishte dëshmitar i tij. (Isaia 42:8-12; Gjoni 1:11, 12; Galatasve 6:16) Pjetri citoi një profeci në lidhje me Izraelin dhe tregoi se ajo zbatohej për «Izraelin e Perëndisë», kongregacionin e krishterë, duke thënë: «Ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme.»—1. Pjetrit 2:9; Të Dalët 19:5, 6; Isaia 43:21; 60:2.
3. Cila është përgjegjësia kryesore e Izraelit të Perëndisë dhe e «shumicës së madhe»?
3 Fjalët e Pjetrit tregojnë se përgjegjësia kryesore e Izraelit të Perëndisë është të japë dëshmi publike mbi lavdinë e Jehovait. Në ditët tona, me këtë komb frymor është bashkuar «një shumicë e madhe» dëshmitarësh, të cilët edhe ata e lëvdojnë Perëndinë publikisht. Ata bërtasin me zë të lartë që të dëgjojnë të gjithë: «Shpëtimi është i Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit.» (Zbulesa 7:9, 10; Isaia 60:8-10) Si mund të dëshmojë Izraeli i Perëndisë dhe shokët e tij? Me besimin dhe me bindjen e tyre.
Dëshmitarë të rremë
4. Përse hebrenjtë e ditëve të Jezuit ishin dëshmitarë të rremë?
4 Besimi dhe bindja përfshijnë jetesën sipas parimeve hyjnore. Rëndësia e kësaj kuptohet nga ajo që tha Jezui mbi krerët fetarë hebrenj të ditëve të tij. Ata ‘uleshin në vendin e Moisiut’ si mësues të Ligjit. Dërgonin edhe misionarë për të kthyer jobesimtarët. Megjithatë, Jezui u tha: «Përshkoni detin dhe dheun për të bërë prozelitë dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenas dhe dy herë më të keq se ju!» Këta fetarë ishin dëshmitarë të rremë: arrogantë, hipokritë dhe pa dashuri. (Mateu 23:1-12, 15) Në një rast, Jezui u tha disa hebrenjve: «Ju jeni nga Djalli, që është ati juaj dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj.» Përse e tha ai një gjë të tillë për anëtarë të kombit të zgjedhur të Perëndisë? Sepse ata nuk dëgjuan fjalët e Dëshmitarit më të madh të Jehovait.—Gjoni 8:41, 44, 47.
5. Si e dimë se i ashtuquajturi krishterim ka dhënë një dëshmi të rreme mbi Perëndinë?
5 Në mënyrë të ngjashme, gjatë shekujve që nga koha e Jezuit, qindra milionë njerëz në të ashtuquajturin krishterim kanë pohuar se janë dishepuj të tij. Megjithatë, ata nuk kanë bërë vullnetin e Perëndisë e prandaj Jezui nuk i pranon. (Mateu 7:21-23; 1. Korintasve 13:1-3) I ashtuquajturi krishterim ka dërguar misionarë, shumë prej të cilëve ishin padyshim të sinqertë. Megjithatë, ata i mësuan njerëzit të adhuronin një perëndi trinitet, i cili i djeg mëkatarët në zjarrin e ferrit dhe shumë nga ata që janë kthyer prej tyre tregojnë pak dëshmi se janë të krishterë. Për shembull, Ruanda, një shtet afrikan, ka qenë një fushë pjellore për misionarët e Kishës Katolike. Gjithsesi, katolikët ruandezë janë hedhur me gjithë zemër në luftën e fundit etnike në atë vend. Frytet në atë fushë të punuar nga misionarët tregojnë se ata nuk kanë marrë një dëshmi të sinqertë nga i ashtuquajturi krishterim.—Mateu 7:15-20.
Të jetosh sipas parimeve hyjnore
6. Në ç’mënyrë sjellja e drejtë është një pjesë jetësore e dhënies së dëshmisë?
6 Sjellja e gabuar e atyre që pohojnë se janë të krishterë sjell sharje për ‘udhën e së vërtetës’. (2. Pjetrit 2:2) Një i krishterë i sinqertë jeton sipas parimeve hyjnore. Nuk vjedh, nuk gënjen, nuk mashtron dhe nuk kryen imoralitet. (Romakëve 2:22) Sigurisht që nuk i vret fqinjët e tij. Burrat e krishterë mbikëqyrin me dashuri familjet e tyre. Gratë e mbështesin me respekt këtë mbikëqyrje. Fëmijët stërviten nga prindërit e në këtë mënyrë janë të përgatitur për t’u bërë të krishterë të rritur dhe të ndërgjegjshëm. (Efesianëve 5:21–6:4) Vërtet, të gjithë ne jemi të papërsosur dhe bëjmë gabime. Por një i krishterë i vërtetë respekton normat e Biblës dhe bën përpjekje të sinqerta për t’i zbatuar ato. Të tjerët e vërejnë këtë dhe marrin një dëshmi të shkëlqyer. Disa herë, ata që më parë i kundërviheshin së vërtetës, vërejnë sjelljen e drejtë të një të krishteri dhe pranojnë të vërtetën.—1. Pjetrit 2:12, 15; 3:1.
7. Sa e rëndësishme është që të krishterët të duan njëri-tjetrin?
7 Jezui tregoi një aspekt kryesor të sjelljes së krishterë, kur tha: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Bota e Satanait karakterizohet nga «padrejtësi, kurvërim, mbrapshtësi, lakmi, ligësi; plot smirë, vrasje, grindje, mashtrim, poshtërsi, mashtrues, shpifës, armiq të Perëndisë, fyes, krenarë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve». (Romakëve 1:29, 30) Në një ambient të tillë, një organizatë ndërkombëtare e karakterizuar nga dashuria është një dëshmi e fuqishme e veprimit të frymës së Perëndisë: një dëshmi efikase. Kjo organizatë përbëhet nga Dëshmitarët e Jehovait.—1. Pjetrit 2:17.
Dëshmitarët studiojnë Biblën
8, 9. (a) Si ishte forcuar psalmisti nga studimi i Ligjit të Perëndisë dhe nga meditimi mbi të? (b) Në ç’mënyrë studimi dhe meditimi mbi Biblën na forcon për të vazhduar në dhënien e dëshmisë?
8 Që të ketë sukses në dhënien e një dëshmie të shkëlqyer, një i krishterë duhet të njohë e të dojë parimet e drejta të Jehovait dhe të urrejë me të vërtetë korrupsionin e kësaj bote. (Psalmi 97:10) Bota është toleruese, duke nxitur mendimin e saj personal dhe mund të jetë e vështirë t’i rezistosh frymës së saj. (Efesianëve 2:1-3; 1. Gjonit 2:15, 16) Ç’do të na ndihmojë për të mbajtur qëndrimin e duhur mendor? Studimi i rregullt dhe domethënës i Biblës. Shkrimtari i psalmit 119 e përsëriti shpesh dashurinë e tij për ligjin e Jehovait. Ai e lexonte dhe meditonte vazhdimisht mbi të, «gjithë ditën». (Psalmi 119:92, 93, 97-105) Si rezultat, ai mundi të shkruante: «Urrej dhe s’e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd.» Për më tepër, dashuria e thellë e nxiste të vepronte. Ai thotë: «Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta.»—Psalmi 119:163, 164.
9 Në mënyrë të ngjashme, studimi ynë i rregullt i Fjalës së Perëndisë dhe meditimi mbi të i prek zemrat tona dhe na nxit ‘ta lëvdojmë’, të dëshmojmë vazhdimisht për Jehovain, madje «shtatë herë në ditë». (Romakëve 10:10) Në përputhje me këtë, shkrimtari i psalmit të parë thotë se kush mediton rregullisht mbi fjalët e Jehovait «do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi». (Psalmi 1:3) Edhe apostulli Pavël tregoi fuqinë e Fjalës së Perëndisë, kur shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.»—2. Timoteut 3:16, 17.
10. Ç’gjë është e qartë për popullin e Jehovait në këto ditë të fundit?
10 Rritja e shpejtë e numrit të adhuruesve të vërtetë në shekullin e 20-të tregon bekimin e Jehovait. Pa asnjë dyshim, si grup, këta dëshmitarë modernë të sovranitetit hyjnor kanë kultivuar në zemrat e tyre dashuri për ligjin e Jehovait. Ashtu si psalmisti, ata ndihen të nxitur që t’i binden ligjit të Tij dhe dëshmojnë me besnikëri «ditë e natë» për lavdinë e Jehovait.—Zbulesa 7:15.
Veprat e fuqishme të Jehovait
11, 12. Çfarë u arrit me anë të mrekullive që kryen Jezui dhe ithtarët e tij?
11 Në shekullin e parë, fryma e shenjtë u dha fuqi dëshmitarëve besnikë të krishterë për të kryer mrekulli, të cilat provuan fortësisht se dëshmia e tyre ishte e vërtetë. Kur Gjon Pagëzori ishte në burg, dishepujt e tij pyetën Jezuin: «A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?» Jezui nuk u përgjigj po ose jo. Përkundrazi, ai tha: «Shkoni dhe i tregoni Gjonit gjërat që dëgjoni dhe shikoni: të verbërit po shohin, të çalët po ecin, lebrozët janë pastruar dhe të shurdhërit po dëgjojnë; të vdekurit po ngjallen dhe ungjilli po u predikohet të varfërve. Lum ai që nuk do të skandalizohet nga unë!» (Mateu 11:3-6) Këto vepra të fuqishme shërbenin si dëshmi për Gjonin, se Jezui ishte në fakt ‘ai që duhej të vinte’.—Veprat 2:22.
12 Në mënyrë të ngjashme, disa nga ithtarët e Jezuit shëruan të sëmurët dhe madje ngritën të vdekurit. (Veprat 5:15, 16; 20:9-12) Këto mrekulli ishin si dëshmi nga vetë Perëndia në mbështetje të tyre. (Hebrenjve 2:4) Këto vepra treguan, gjithashtu, plotfuqinë e Jehovait. Për shembull, është e vërtetë se Satanai, «sundimtari i botës», ka mjetet për të shkaktuar vdekjen. (Gjoni 14:30; Hebrenjve 2:14) Por, kur Pjetri ngriti nga të vdekurit gruan besnike, Dorka, mund ta kishte bërë këtë vetëm me fuqinë e Jehovait, pasi vetëm Ai mund të kthejë jetën.—Psalmet 16:10; 36:9; Veprat 2:25-27; 9:36-43.
13. (a) Në ç’mënyrë mrekullitë e Biblës dëshmojnë ende për fuqinë e Jehovait? (b) Si luan një rol kyç plotësimi i profecive, në vërtetimin e Hyjnisë së Jehovait?
13 Sot, nuk ndodhin më vepra të tilla të mrekullueshme. Ato e plotësuan qëllimin e tyre. (1. Korintasve 13:8) Megjithatë, ne kemi ende tregimet e tyre në Bibël, me dëshminë e shumë vetave që i kanë parë. Kur të krishterët e sotëm tërheqin vëmendjen drejt këtyre tregimeve historike, veprat e tyre ende japin një dëshmi të efektshme të fuqisë së Jehovait. (1. Korintasve 15:3-6) Veç kësaj, po të kthehemi në ditët e Isaisë, Jehovai tregoi se profecitë e sakta ishin një provë e jashtëzakonshme se Ai është Perëndia i vërtetë. (Isaia 46:8-11) Shumë profeci të Biblës, të frymëzuara në mënyrë hyjnore, po plotësohen sot, disa prej tyre në kongregacionin e krishterë. (Isaia 60:8-10; Danieli 12:6-12; Malakia 3:17, 18; Mateu 24:9; Zbulesa 11:1-13) Përveçse tregon saktësisht se ne jetojmë në «ditët e fundit», plotësimi i këtyre profecive shfajëson Jehovain si Perëndinë e vetëm të vërtetë.—2. Timoteut 3:1.
14. Në cilat aspekte historia moderne e Dëshmitarëve të Jehovait është një dëshmi e fuqishme se Jehovai është Zotëria Universal?
14 Së fundi, Jehovai akoma bën gjëra të mëdha, gjëra të mrekullueshme, për popullin e tij. Drita gjithnjë në rritje mbi të vërtetën biblike drejtohet nga fryma e Jehovait. (Psalmi 86:10; Zbulesa 4:5, 6) Rritjet e jashtëzakonshme që raportohen anembanë botës janë dëshmi se Jehovai ‘po i shpejton gjërat në kohën e tyre’. (Isaia 60:22) Kur persekutimet e ashpra kanë shpërthyer nga njëri vend në tjetrin gjatë këtyre ditëve të fundit, durimi i guximshëm i popullit të Jehovait ka qenë i mundur falë mbështetjes forcëdhënëse të frymës së shenjtë. (Psalmi 18:1, 2, 17, 18; 2. Korintasve 1:8-10) Po, historia moderne e Dëshmitarëve të Jehovait është në vetvete një dëshmi e fuqishme se Jehovai është Zotëria Universal.—Zaharia 4:6.
Lajmi i mirë duhet predikuar
15. Çfarë dëshmie të gjerë duhej të jepte kongregacioni i krishterë?
15 Jehovai e kishte caktuar Izraelin si dëshmitar të vetin midis kombeve. (Isaia 43:10) Megjithatë, vetëm pak izraelitë kishin marrë në mënyrë hyjnore urdhrin për të shkuar e për t’u predikuar joizraelitëve dhe zakonisht për të lajmëruar gjykimet e Jehovait. (Jeremia 1:5; Jona 1:1, 2) Sidoqoftë, profecitë e Shkrimeve Hebreje tregojnë se Jehovai do ta kthente një ditë vëmendjen e tij ndaj kombeve në një masë të gjerë dhe këtë ai po e bën me anë të Izraelit frymor të Perëndisë. (Isaia 2:2-4; 62:2) Përpara se të ngrihej në qiell, Jezui i urdhëroi ithtarët e tij: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt.» (Mateu 28:19) Ndërsa Jezui ishte përqendruar mbi «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit», ithtarët e tij u dërguan në «të gjitha kombet», «deri në skajin e dheut». (Mateu 15:24; Veprat 1:8) Dëshmia e krishterë duhet dëgjuar nga mbarë njerëzimi.
16. Cilën detyrë plotësoi kongregacioni i krishterë i shekullit të parë dhe deri në ç’masë?
16 Pavli tregoi se e kishte kuptuar shumë mirë këtë gjë. Në vitin 61 të e.s., ai mundi të thoshte se lajmi i mirë ‘po jepte fryt e rritej në të gjithë botën’. Lajmi i mirë nuk ishte kufizuar vetëm për një komb apo për një sekt, si ai që kryente ‘kultin e engjëjve’. Përkundrazi, në mënyrë të hapur «i është predikuar çdo krijese që është nën qiell». (Kolosianëve 1:6, 23; 2:13, 14, 16-18) Prandaj, Izraeli i Perëndisë në shekullin e parë e plotësoi detyrën për ‘të shpallur mrekullitë e atij që i thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme’.
17. Si vazhdon Mateu 24:14 të plotësohet në një masë të gjerë?
17 Megjithatë, vepra e predikimit në shekullin e parë ishte thjesht një provë paraprake e asaj që do të kryhej gjatë ditëve të fundit. Duke folur veçanërisht për kohën tonë, Jezui tha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në mbarë tokën e banuar, për dëshmi në të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14, BR; Marku 13:10) A është përmbushur kjo profeci? Në fakt, po. Nga një fillim i vogël në 1919-ën, predikimi i lajmit të mirë është përhapur tani në më shumë se 230 vende. Dëshmia është dëgjuar në veriun e ngrirë dhe në zonat tropike. Është predikuar nëpër kontinentet e mëdha dhe në ishujt e largët. Edhe atje ku ka turbullira të mëdha, si në Bosnje dhe Hercegovinë, lajmi i mirë vazhdon të predikohet. Ashtu si në shekullin e parë, dëshmia po jep fryte «në të gjithë botën». Lajmi i mirë është shpallur në mënyrë të hapur për «çdo krijesë që është nën qiell». Rezultati? Së pari, mbetja e Izraelit të Perëndisë është mbledhur «nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb». Së dyti, milionat e ‘turmës së madhe’ filluan të grumbulloheshin «prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve». (Zbulesa 5:9; 7:9) Mateu 24:14 po vazhdon të plotësohet në një masë të gjerë.
18. Cilat janë disa gjëra që po arrihen falë predikimit mbarëbotëror të lajmit të mirë?
18 Predikimi mbarëbotëror i lajmit të mirë ndihmon për të provuar se prania mbretërore e Jezuit ka filluar. (Mateu 24:3) Për më tepër, ai është mjeti kryesor me anë të të cilit po mblidhen «të korrat e dheut», përderisa i drejton njerëzit nga shpresa e vetme e vërtetë për njerëzimin, nga Mbretëria e Jehovait. (Zbulesa 14:15, 16) Pasi vetëm të krishterët e vërtetë marrin pjesë në predikimin e lajmit të mirë, kjo vepër e rëndësishme ndihmon për të dalluar të krishterët e vërtetë nga të rremët. (Malakia 3:18) Në këtë mënyrë, ajo vepron për shpëtimin e atyre që predikojnë, si dhe të atyre që i përgjigjen këtij predikimi. (1. Timoteut 4:16) Më e rëndësishmja është se predikimi i lajmit të mirë i sjell lavdi dhe nder Perëndisë Jehova, atij që urdhëroi kryerjen e kësaj vepre, i cili mbështet ata që e kryejnë dhe që e bën veprën të frytshme.—2. Korintasve 4:7.
19. Çfarë vendosmërie janë të inkurajuar të kenë të gjithë të krishterët, ndërsa futen në vitin e ri të shërbimit?
19 Nuk habitemi që apostulli Pavël u nxit për të thënë: «I mjeri unë në qoftë se nuk e transmetoj lajmin e mirë.» (1. Korintasve 9:16, ECM) Njësoj ndihen edhe të krishterët sot. Është privilegj i madh dhe përgjegjësi e madhe të jemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë», duke përhapur dritën e së vërtetës në këtë botë të errësuar. (1. Korintasve 3:9; Isaia 60:2, 3) Vepra që pati një fillim të vogël në 1919-ën, tani ka arritur përmasa të jashtëzakonshme. Pothuajse pesë milionë të krishterë dëshmojnë sovranitetin hyjnor, ndërsa harxhojnë më shumë se një miliard orë në vit, për t’u çuar mesazhin e shpëtimit të tjerëve. Sa gëzim është të kesh një pjesë në këtë vepër që shenjtëron emrin e Jehovait! Ndërsa hyjmë në vitin e shërbimit 1996, le të jemi të vendosur për të mos u ndalur. Përkundrazi, më shumë se kurrë më parë, le t’u vëmë veshin fjalëve që Pavli i drejtoi Timoteut: «Prediko fjalën, jepu pas saj me urgjencë.» (2. Timoteut 4:2, BR) Ndërsa veprojmë kështu, me gjithë zemër lutemi që Jehovai të vazhdojë së bekuari përpjekjet tona.
A të kujtohet?
◻ Kush e zëvendësoi Izraelin, si «dëshmitar» i Jehovait midis kombeve?
◻ Si kontribuon sjellja e krishterë në dhënien e dëshmisë?
◻ Përse studimi i Biblës dhe meditimi mbi të janë thelbësore për Dëshmitarët e krishterë?
◻ Në ç’mënyrë historia moderne e Dëshmitarëve të Jehovait shërben si dëshmi që Jehovai është Perëndia i vërtetë?
◻ Çfarë po arrihet falë predikimit të lajmit të mirë?
[Figurat në faqen 15]
Në vend se të jetë kufizuar, lajmi i mirë po shpallet tani për «çdo krijesë që është nën qiell»