KAPITULLI 28
Pse nuk agjërojnë dishepujt e Jezuit?
MATEU 9:14-17 MARKU 2:18-22 LUKA 5:33-39
DISHEPUJT E GJONIT PYESIN JEZUIN PËR AGJËRIMIN
Gjon Pagëzori është burgosur pak pasi Jezui ka festuar Festën e Kalimit të vitit 30 të e.s., dhe është ende në burg. Dëshira e Gjonit ishte që dishepujt e tij të ndiqnin Jezuin, por jo të gjithë kanë bërë kështu.
Ndërsa afrohet Festa e Kalimit e vitit 31 të e.s., disa nga dishepujt e Gjonit vijnë te Jezui dhe e pyesin: «Pse ne dhe farisenjtë e kemi zakon të agjërojmë, kurse dishepujt e tu nuk agjërojnë?» (Mateu 9:14) Për farisenjtë agjërimi është një rit fetar. Madje, më vonë, Jezui përdor edhe një ilustrim, ku një farise që e mban veten për të drejtë, lutet: «O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si gjithë të tjerët . . . Unë agjëroj dy herë në javë.» (Luka 18:11, 12) Mbase edhe dishepujt e Gjonit agjërojnë për hir të zakonit ose për të shprehur dhimbjen që ndiejnë për burgosjen e Gjonit. Ndaj pyesin veten se pse dishepujt e Jezuit nuk agjërojnë, që të shprehin edhe ata trishtimin për atë që i ka ndodhur Gjonit.
Jezui u përgjigjet me një shembull: «Miqtë e dhëndrit s’kanë pse të vajtojnë për sa kohë dhëndri është me ta, apo jo? Por do të vijnë ditët kur do t’ua marrin dhëndrin, dhe atëherë do të agjërojnë.»—Mateu 9:15.
Edhe vetë Gjoni e kishte quajtur Jezuin ‘dhëndër’. (Gjoni 3:28, 29) Prandaj, për sa kohë Jezui është me ta, dishepujt e tij nuk agjërojnë. Por, kur të vdesë, dishepujt do të vajtojnë e nuk do të hanë. Sa ndryshe do të jetë kur Jezui të ringjallet! Ata nuk do të kenë më shkak për të agjëruar në shenjë zie.
Pastaj, Jezui bën dy ilustrime: «Askush nuk e arnon një rrobë të vjetër me një copë të re, sepse copa e re futet në ujë dhe mblidhet, e kështu rroba griset edhe më keq. As vera e re nuk hidhet në kacekë të vjetër, përndryshe ata çahen, vera derdhet dhe kacekët prishen. Por vera e re hidhet në kacekë të rinj.» (Mateu 9:16, 17) Ku e ka fjalën Jezui?
Jezui po i ndihmon dishepujt e Gjon Pagëzorit të kuptojnë se askush nuk duhet të presë që dishepujt e tij të ndjekin praktikat e vjetra të judaizmit, siç është agjërimi. Ai nuk ka ardhur të arnojë e të zgjatë një lloj adhurimi të vjetruar, pra një sistem të tërë adhurimi që është në prag shkatërrimi. Adhurimi që po nxit Jezui ndryshon nga judaizmi që është plot me tradita njerëzish. Jezui nuk po përpiqet të arnojë një rrobë të vjetër me një copë të re dhe as të hedhë verë të re në kacekë të vjetër, që e kanë humbur elasticitetin.