Aftësia për të shquar parimet pasqyron pjekuri
SHOQËRITË e këqija prishin zakonet e mira. Korr atë që mbjell. (1. Korintasve 15:33; Galatasve 6:7) Si në aspektin fizik, ashtu dhe në atë frymor, secila thënie është shembull i një të vërtete themelore, i një parimi dhe secila prej tyre siguron një bazë për ligjet. Megjithatë, ligjet mund të shkojnë e të vijnë dhe priren të jenë specifike. Nga ana tjetër, parimet kanë sferë të gjerë zbatimi dhe mund të qëndrojnë përgjithmonë. Pra, Fjala e Perëndisë na inkurajon që të mendojmë në lidhje me parimet e përfshira në të, kudo që është e mundur.
Webster’s Third New International Dictionary e përkufizon një parim si «një të vërtetë të përgjithshme ose themelore: një ligj i gjithanshëm dhe themelor, një doktrinë, apo një supozim mbi të cilin janë bazuar të tjerë apo prej të cilit kanë rrjedhur të tjerë». Për shembull, një fëmije dikush mund t’i japë ligjin: «Nuk duhet ta prekësh sobën.» Por një të rrituri, thënia «soba është e nxehtë», do t’i mjaftonte. Vëre se kjo e fundit është një thënie që përfshin më shumë gjëra. Meqenëse ajo ndikon shumë në atë që mund të bëjë dikush, ndoshta të gatuajë, të pjekë apo ta shuajë sobën, ajo bëhet në njëfarë kuptimi parim.
Parimet kyçe të jetës, sigurisht që janë frymore; ato drejtojnë adhurimin që i bëjmë Perëndisë dhe lumturinë tonë. Por disa, sprapsen para përpjekjes që kërkohet për të arsyetuar mbi parimet. Kur ndeshen me marrjen e një vendimi, ata preferojnë leverdinë e një rregulle. Kjo është e pamençur dhe në kontrast me shembullin e lënë nga njerëz besimplotë të lashtësisë në kohët biblike.—Romakëve 15:4.
Burra parimesh hyjnore
Mes burrave të papërsosur, Abeli mund të quhet i pari burrë parimesh hyjnore. Ka të ngjarë që ai të ketë menduar shumë për premtimin rreth «farës» dhe të ketë kuptuar se shpërblerja nga mëkati do të përfshinte një flijim gjaku. (Zanafilla 3:15) Kështu që i ofroi Perëndisë «të parëlindurit e kopesë së tij». Fraza «dhe yndyrën e tyre», tregon se Abeli i dha Jehovait tamam më të mirën e tij. Por megjithatë, do të kalonin më shumë se dy mijë vjet pas vdekjes së Abelit, që Perëndia të jepte në mënyrë të qartë kërkesa të hollësishme në lidhje me flijimet. Në kontrast me Abelin, atë burrë parimesh, që kishte frikë Perëndie, vëllai i tij Kaini, i bëri Perëndisë një flijim sa për sy e faqe. Por qëndrimi i tij la shumë për të dëshiruar; në ofertën e tij kishte diçka që tregonte një zemër me mungesë parimesh.—Zanafilla 4:3-5.
Edhe Noeja ishte një burrë parimesh hyjnore. Ndonëse tregimi biblik thotë se Perëndia e urdhëroi atë në mënyrë specifike të ndërtonte një arkë, ne nuk lexojmë që t’i jetë dhënë ndonjë urdhër për t’u predikuar të tjerëve. Megjithatë, Noeja është quajtur «predikuesi i drejtësisë». (2. Pjetrit 2:5) Edhe pse ka të ngjarë që Perëndia ta ketë drejtuar Noen të predikonte, pa dyshim që për të vepruar kështu, atë e nxiti edhe kuptimi i tij parimor dhe dashuria për të afërmin. Meqenëse jetojmë në kohë si ato të Noes, le të imitojmë qëndrimin dhe shembullin e tij të shkëlqyer.
Ndryshe nga kleri i kohës së tij, Jezui i mësoi njerëzit të mendonin në lidhje me parimet. Predikimi i tij në Mal është një shembull. I gjithë karakteri i këtij predikimi, është një thirrje ndaj parimeve. (Mateu, kapitujt 5-7) Jezui mësoi në këtë mënyrë, sepse ashtu si Abeli dhe Noeja para tij, ai e njihte me të vërtetë Perëndinë. Edhe si çunak, ai tregoi nderim për të vërtetën themelore: «Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron me çdo fjalë që del nga goja e Zotit.» (Ligji i përtërirë 8:3; Luka 2:41-47) Po, çelësi për të qenë një person parimesh hyjnore është ta njohësh me të vërtetë Jehovain, ato që i pëlqejnë atij dhe ato që nuk i pëlqejnë, si dhe qëllimet e tij. Kur këto parime në lidhje me Perëndinë drejtojnë jetën tonë, mund të themi se ato bëhen parime të gjalla.—Jeremia 22:16; Hebrenjve 4:12.
Parimet dhe zemra
Ekziston mundësia që një ligji t’i bindesh pa dëshirë, ndoshta vetëm nga frika se mos ndëshkohesh për mosbindje. Megjithatë, pajtimi me një parim, e përjashton një qëndrim të tillë, pasi është në natyrën e parimeve se të drejtohesh prej tyre, do të thotë të përgjigjesh nga zemra. Merr në shqyrtim Jozefin, i cili ashtu si Abeli dhe Noeja, jetoi përpara vendosjes së besëlidhjes së Ligjit të Moisiut. Kur gruaja e Potifarit u përpoq ta joshte, Jozefi iu përgjigj: «Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?» Po, Jozefi e njihte parimin se burri dhe gruaja janë «një mish».—Zanafilla 2:24; 39:9.
Sot bota është e zbrazur nga parimet e drejtësisë. Ajo ushqehet si një grykëse, me dhunën dhe imoralitetin. Ekziston rreziku që një i krishterë të tundohet për të cimbisur, ndoshta në fshehtësi, të njëjtin ushqim joshës të çastit: filmat, videot ose librat. Sa e lavdërueshme është, pra, kur ne, ashtu si Jozefi, e hedhim poshtë të keqen në parim, duke mos harruar se Perëndia do të ruajë vetëm besnikët, përmes «mjerimit të madh» që po vjen. (Mateu 24:21) Po, parësore është ajo se si jemi kur ndodhemi vetëm, jo në publik, e cila zbulon se çfarë jemi me të vërtetë nga brenda.—Psalmi 11:4; Fjalët e urta 15:3.
Si pasojë e kësaj, nëse drejtohemi nga parimet biblike, nuk do të kërkojmë të çara në ligjet e Perëndisë; as nuk do të përpiqemi për të kuptuar se deri ku mund të shkojmë, pa e thyer me të vërtetë një ligj të caktuar. Një mënyrë e tillë të menduari është vetëmposhtëse; në fund, na dëmton.
Shiko përtej ligjit
Sigurisht, ligjet luajnë rol jetësor në jetën e një të krishteri. Ato janë si roje që ndihmojnë për të na mbrojtur dhe në themel të tyre ka shumë parime të rëndësishme. Dështimi në kapjen e këtyre parimeve, mund ta ftohë dashurinë tonë për ligjet që lidhen me to. Këtë e tregoi kombi i lashtë i Izraelit.
Perëndia i dha Izraelit Dhjetë Urdhërimet, i pari prej të cilëve ndalonte adhurimin e çdo perëndie tjetër, përveç Jehovait. Prapa këtij ligji ndodhet e vërteta themelore se Jehovai krijoi të gjitha gjërat. (Eksodi 20:3-5) Por a jetoi sipas këtij parimi ky komb? Vetë Jehovai përgjigjet: «‘Ti je ati ynë’ [i thanë izraelitët] një blloku druri dhe [i thirrën] ‘Nënë’ një guri. Por mua [Jehovait] më kanë kthyer shpinën dhe e kanë larguar fytyrën prej meje.» (Jeremia 2:27, The New English Bible) Çfarë marrëzie e pashpirt dhe e paskrupullt! Sa e ka lënduar ajo zemrën e Jehovait!—Psalmi 78:40, 41; Isaia 63:9, 10.
Edhe të krishterët kanë ligje nga Perëndia. Për shembull, ata duhet të shmangin idhujtarinë, imoralitetin seksual dhe keqpërdorimin e gjakut. (Veprat 15:28, 29) Kur mendon rreth tyre, mund të kuptosh parimet që fshihen pas, të tilla si: Perëndia meriton devotshmërinë tonë ekskluzive; duhet t’i jemi besnikë bashkëshortit tonë dhe se Jehovai është Dhënësi i jetës. (Zanafilla 2:24; Eksodi 20:5; Psalmi 36:9) Nëse ne i kapim, si dhe i vlerësojmë thellë parimet që ndodhen pas këtyre direktivave, e kuptojmë se ato janë për të mirën tonë. (Isaia 48:17) Për ne, ‘urdhërimet e Perëndisë nuk janë të rënda’.—1. Gjonit 5:3.
Ndërsa dikur izraelitët shpërfillën urdhërimet e Perëndisë, kur erdhi Jezui, ‘doktorët e tyre të ligjit’, skribët, kishin shkuar në ekstremin tjetër. Ata kishin formuluar një mal me rregulla dhe tradita, të cilat e bllokuan adhurimin e pastër dhe varrosën parimet hyjnore. (Mateu 23:2, NEB) Njerëzit ndiheshin të dorëzuar ndaj dështimit, mungesës së shpresës, apo hipokrizisë. (Mateu 15:3-9) Shumë prej rregullave të bëra nga njeriu, ishin çnjerëzore. Kur qe rasti i shërimit të një burri me dorë të tharë, Jezui i pyeti farisenjtë e pranishëm: «A është e ligjshme të bësh një vepër të mirë në sabat?» Heshtja e tyre që ushtoi ‘jo’, e ‘hidhëroi Jezuin për ngurtësinë e zemrës së tyre’. (Marku 3:1-6) Farisenjtë mund t’i vinin në ndihmë një kafshe shtëpiake që kishte ngecur apo ishte dëmtuar (një investim financiar) në sabat, por kurrë një burri apo një gruaje, përveçse po të ishte çështje jete ose vdekjeje. Në të vërtetë, ata ishin kaq maniakë pas rregullave njerëzore dhe teknikave ligjore, që ashtu si milingonat, të cilat vijnë vërdallë mbi një pikturë, nuk e shikonin të gjithë pikturën, domethënë parimet hyjnore.—Mateu 23:23, 24.
Megjithatë, edhe të rinjtë, kur zemrat e tyre janë të sinqerta, mund t’i sjellin lavdi Jehovait, me anë të vlerësimit të tyre për parimet biblike. Mësuesi i Rebekës trembëdhjetëvjeçare e pyeti klasën se kush do të luante bixhoz. Shumica tha se nuk do të luante. Por megjithatë, kur u përmendën situata të ndryshme, të gjithë përveç Rebekës, pranuan se në një mënyrë apo në një tjetër do të luanin. Mësuesi e pyeti Rebekën nëse do të blente një biletë llotarie 12 lek, për një kauzë që ia vlen. Rebeka tha jo dhe dha arsyet biblike se përse bërja e një gjëje të tillë do të ishte një lloj bixhozi. Atëherë, mësuesi i saj i tha të gjithë klasës: ‘Për mendimin tim, këtu Rebeka është e vetmja që ka ato, të cilat unë i quaj «parime» në kuptimin e vërtetë të fjalës.’ Po, Rebeka mund të ishte përgjigjur thjesht: «Është në kundërshtim me fenë time», por ajo mendoi më thellë se kaq; ajo mundi të përgjigjej se përse bixhozi është i gabuar dhe pse refuzoi të merrte pjesë në të.
Shembuj si ai i Abelit, Noes, Jozefit dhe Jezuit, na tregojnë se si nxjerrim dobi nga përdorimi i ‘aftësisë sonë të të menduarit’ dhe i ‘fuqisë sonë të arsyes’ në adhurimin e Perëndisë. (Fjalët e urta 2:11, BR; Romakëve 12:1, BR) Pleqtë e krishterë bëjnë mirë të imitojnë Jezuin, ndërsa «kullotin tufën e Perëndisë që është nën kujdesin [e tyre]». (1. Pjetrit 5:2, BR) Siç e tregoi më së miri me shembullin e tij Jezui, dashuruesit e parimeve hyjnore janë ata, të cilëve u shkon mbarë nën sovranitetin e Perëndisë.—Isaia 65:14.