A ‘e kapni domethënien’?
«Ua hapi plotësisht mendjet, që të kapnin domethënien e Shkrimeve.»—LUKA 24:45.
1, 2. Si u dha forcë Jezui dishepujve ditën që u ringjall?
S’KISHTE mbaruar ende dita kur u ringjall Jezui. Dy nga dishepujt po shkonin në një fshat rreth 11 kilometra larg Jerusalemit. Nuk e dinin se Jezui ishte ringjallur, prandaj ishin zemërvrarë nga ngjarjet e fundit. Befas, Jezui u doli para dhe nisi të ecte me ta. Ai u dha zemër dishepujve. Po si? «Duke nisur që nga Moisiu deri te gjithë profetët, u shpjegoi në të gjitha Shkrimet gjërat që kishin të bënin me të.» (Luka 24:13-15, 27) Ndërkaq atyre u digjej zemra, sepse ai po ‘ua zbërthente plotësisht’ Shkrimet.—Luka 24:32.
2 Po atë mbrëmje, dy dishepujt u kthyen në Jerusalem. Me të gjetur apostujt, u treguan ç’u kishte ngjarë. Teksa po flitnin, Jezui iu shfaq të gjithëve. Mirëpo apostujt i zuri tmerri, e madje në zemër u lindën dyshime. Si u dha forcë Jezui? Bibla na thotë: «Ua hapi plotësisht mendjet, që të kapnin domethënien e Shkrimeve.»—Luka 24:45.
3. Çfarë vështirësish mund të hasim, dhe ç’mund të na ndihmojë të fitojmë një pikëpamje të ekuilibruar për shërbimin?
3 Sikurse ata dishepuj, edhe ne hera-herës mund të jemi zemërvrarë. Mbase po japim me gjithë shpirt në veprën e Zotërisë, por shkurajohemi ngaqë nuk shohim rezultate. (1 Kor. 15:58) Ose ndoshta na duket se studentët tanë po bëjnë fare pak përparim. Të tjerë që po ndihmojmë edhe mund t’i kthejnë shpinën Jehovait. Ç’mund të bëjmë që të fitojmë një pikëpamje të ekuilibruar për shërbimin? Një ndihmë mund të jetë të kapim plotësisht domethënien e ilustrimeve të Jezuit që gjejmë në Shkrimet e Shenjta. Le të ndalemi te tri nga këto ilustrime e të shohim ç’mësime mund të nxjerrim.
MBJELLËSI QË FLE
4. Cila është domethënia e ilustrimit të Jezuit për mbjellësin që fle?
4 Lexo Markun 4:26-29. Cila është domethënia e ilustrimit të Jezuit për mbjellësin që fle? Njeriu në ilustrim paraqet lajmëtarët e Mbretërisë si individë. Fara është mesazhi për Mbretërinë që u predikohet njerëzve me zemër të çiltër. Tamam siç ndodh në rrjedhën e një dite normale, mbjellësi «fle natën e çohet ditën». Procesi i rritjes kërkon një periudhë kohe, që nga mbjellja e deri në fund te korrja. Gjatë kësaj periudhe «fara mbin e rritet». Rritja ndodh «vetvetiu», dalëngadalë e me disa faza. Kështu është edhe me rritjen frymore: ndodh dalëngadalë e kalon nga një fazë në tjetrën. Kur dikush përparon deri në atë pikë sa ndihet i nxitur t’i shërbejë Perëndisë, jep fryt, pra ia kushton jetën Jehovait dhe pagëzohet.
5. Pse e bëri Jezui ilustrimin për mbjellësin që fle?
5 Pse e bëri këtë ilustrim Jezui? Ai dëshiron të kuptojmë se është Jehovai ai që e rrit të vërtetën në zemrën e njerëzve «të prirur». (Vep. 13:48; 1 Kor. 3:7) Ne mbjellin e ujitim, por rritjen s’e kemi në dorë. Nuk bëhet me zor dhe as e përshpejtojmë dot. Ashtu si njeriu në ilustrim, nuk e dimë si rritet fara. Shpesh merremi me aktivitetet e përditshme dhe as që e vëmë re rritjen. Por, pas njëfarë kohe, fara e Mbretërisë mund të japë fryt. Atëherë, dishepulli i ri bashkohet me ne në veprën e korrjes dhe na bëhet krah.—Gjoni 4:36-38.
6. Ç’duhet të pranojmë për rritjen frymore?
6 Ç’mund të mësojmë nga ky ilustrim? Në radhë të parë, duhet të pranojmë se rritja frymore e një studenti të Biblës nuk është në dorën tonë. Modestia do të na ndihmojë t’i rezistojmë prirjes që t’i bëjmë presion studentit ose ta detyrojmë të pagëzohet. Ne e ndihmojmë dhe e mbështetim pa u kursyer, por pranojmë me përulësi se në fund vendimi për t’iu kushtuar Jehovait i takon studentit. Ky vendim duhet të burojë nga një zemër e gatshme që motivohet nga dashuria për Perëndinë. Jehovai nuk do të pranonte më pak se kaq.—Psal. 51:12; 54:6; 110:3.
7, 8. (a) Ç’mësime të tjera nxjerrim nga ilustrimi për mbjellësin që fle? Jepni një shembull. (b) Ç’na mëson kjo për Jehovain dhe për Jezuin?
7 Së dyti, mësimi i këtij ilustrimi na ndihmon të mos shkurajohemi nëse në fillim nuk shohim rezultate nga puna jonë. Duhet të jemi të duruar. (Jak. 5:7, 8) Edhe sikur fara të mos japë fryt, ndërkohë që kemi bërë më të mirën për të ndihmuar studentin, kjo s’do të thotë se nuk kemi miratimin e Jehovait. Ai lejon që fara e së vërtetës të lulëzojë vetëm në një zemër të përulur që pranon të bëjë ndryshime. (Mat. 13:23) Prandaj, nuk duhet ta matim suksesin e shërbimit tonë thjesht nga rezultatet. Në sytë e Jehovait suksesi nuk përcaktohet nga reagimi i atyre që mësojmë. Cilatdo qofshin rezultatet, ai çmon përpjekjet tona besnike.—Lexo Lukën 10:17-20; 1 Korintasve 3:8.
8 Së treti, nuk i dallojmë gjithnjë ndryshimet që ndodhin brenda dikujt. Për shembull, një çift që po studionin me një misionar i thanë vëllait se donin të bëheshin lajmëtarë të papagëzuar. Ai u kujtoi se, që të kualifikoheshin, duhej të linin duhanin. Sa u çudit kur i thanë se e kishin lënë prej muajsh! Po pse vallë? Kishin kuptuar se Jehovai i shihte kur pinin duhan dhe se ai e urren hipokrizinë. Kështu zemra i nxiti të merrnin një vendim—ose të pinin hapur, në sy të misionarit, ose ta linin fare. Dashuria që po u rritej në zemër për Jehovain i ndihmoi të merrnin vendimin e duhur. Edhe pse misionari nuk e kishte idenë se ç’kishte ndodhur, çifti ishte rritur frymësisht.
RRJETA TRATË
9. Cila është domethënia e ilustrimit për rrjetën tratë?
9 Lexo Mateun 13:47-50. Cila është domethënia e ilustrimit të Jezuit për rrjetën tratë? Jezui e krahasoi predikimin e mesazhit për Mbretërinë që i jepet mbarë njerëzimit me hedhjen e një rrjete të madhe në det. Kjo rrjetë tratë zë ç’i del përpara, një shumicë ‘peshqish të çdo lloji’. Po ashtu, vepra jonë e predikimit tërheq miliona njerëz të çdo lloji. (Isa. 60:5) Një dëshmi e kësaj është numri i madh i njerëzve që ndjekin çdo vit kongreset tona dhe Përkujtimin. Disa nga këta peshq simbolikë janë ‘të mirë’ dhe janë bërë pjesë e kongregacionit të krishterë. Kurse të tjerë del se janë ‘të papërshtatshëm’. Jo të gjithë ata që mblidhen janë të pranueshëm në sytë e Jehovait.
10. Pse e bëri Jezui ilustrimin për rrjetën tratë?
10 Pse e bëri këtë ilustrim Jezui? Ndarja simbolike e peshqve nuk ka të bëjë me gjykimin përfundimtar gjatë shtrëngimit të madh. Përkundrazi, nxjerr në pah ç’do të ndodhë gjatë ditëve të fundit të këtij sistemi të lig. Jezui tregoi se jo të gjithë ata që i tërheq e vërteta do të marrin anën e Jehovait. Shumë veta kanë ardhur në mbledhjet tona. Të tjerë kanë qenë të gatshëm të studiojnë Biblën me ne, por ngurrojnë të angazhohen më tej. (1 Mbret. 18:21) Të tjerë akoma nuk shoqërohen si dikur me kongregacionin e krishterë. Disa të rinj janë rritur nga prindër besimtarë, por prapë nuk kanë kultivuar dashuri për normat e Jehovait. Sido që të jetë, Jezui theksoi se gjithkush duhet të marrë një vendim personal. Ata që veprojnë kështu, i sheh si gjërat «e dëshirueshme» ose e vyera «të të gjitha kombeve».—Hag. 2:7.
11, 12. (a) Si mund të nxjerrim dobi nga ilustrimi për rrjetën tratë? (b) Ç’na mëson kjo për Jehovain dhe për Jezuin?
11 Si mund të nxjerrim dobi nga ilustrimi për rrjetën tratë? Kur e kuptojmë mësimin e këtij ilustrimi, nuk dëshpërohemi ose zhgënjehemi tepër nëse një student i Biblës a një nga fëmijët tanë nuk e bën të tijën të vërtetën. Kjo mund të ndodhë edhe po të jemi përpjekur me mish e me shpirt. Nëse dikush ka pranuar të studiojë Biblën ose është rritur në të vërtetën, kjo nuk do të thotë që do të ndërtojë se s’bën një marrëdhënie të ngushtë personale me Jehovain. Ata që nuk duan t’i nënshtrohen sundimit të Jehovait, në fund do të hiqen nga populli i Tij.
12 A do të thotë kjo se kush është larguar nga e vërteta nuk do të lejohet më kurrë të kthehet në kongregacion? Ose nëse dikush nuk ia kushton jetën Jehovait, a do të mbajë përgjithmonë vulën ‘i papërshtatshëm’? Jo. Edhe për pak kohë, ata kanë ende një derë të hapur para se të shpërthejë shtrëngimi i madh. Është sikur Jehovai po u bën thirrje: «Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem te ju.» (Mal. 3:7) Këtë e thekson një ilustrim tjetër që bëri Jezui, ilustrimi i birit plëngprishës.—Lexo Lukën 15:11-32.
BIRI PLËNGPRISHËS
13. Cila është domethënia e ilustrimit të Jezuit për birin plëngprishës?
13 Cila është domethënia e ilustrimit të Jezuit për birin plëngprishës? Babai i dhembshur në këtë ilustrim paraqet Atin tonë të dashur qiellor, Jehovain. Biri që kërkon trashëgiminë e vet dhe pastaj e harxhon kot, paraqet ata që janë larguar nga kongregacioni. Është sikur këta kanë ikur në «një vend të largët», në botën e Satanait, që është e ndarë nga Jehovai. (Efes. 4:18; Kolos. 1:21) Prapëseprapë, disa më pas vijnë në vete dhe marrin udhën e vështirë të kthimit për në organizatën e Jehovait. Ati ynë që fal, i pret krahëhapur këta të përulur e të penduar.—Isa. 44:22; 1 Pjet. 2:25.
14. Pse e bëri Jezui ilustrimin për birin plëngprishës?
14 Pse e bëri këtë ilustrim Jezui? Krishti ilustroi bukur dëshirën e Jehovait që të ikurit të kthehen tek Ai. Babai në ilustrim nuk e humbi kurrë shpresën se djali do të kthehej. Me t’ia zënë syri të birin që po kthehej, ndonëse «ishte ende larg», babai vrapoi ta mirëpriste. Sa nxitje e fortë që kush është larguar nga e vërteta të kthehet te Jehovai pa vonesë! Mbase është i sfilitur frymësisht, dhe udha e kthimit mund t’i duket e sikletshme dhe e vështirë. Por ia vlejnë përpjekjet—edhe në qiell do të gëzojnë për kthimin e tij.—Luka 15:7.
15, 16. (a) Ç’mësime nxjerrim nga ilustrimi i Jezuit për birin plëngprishës? Jepni disa shembuj. (b) Ç’na mëson kjo për Jehovain dhe për Jezuin?
15 Si mund të nxjerrim dobi nga ilustrimi për birin plëngprishës? Duhet të imitojmë shembullin e Jehovait. Nuk duam kurrsesi të jemi ‘të drejtë së tepërmi’ aq sa të mos i mirëpresim mëkatarët e penduar. Kjo vetëm sa do të na ‘shkatërronte’ frymësisht. (Ekl. 7:16) Mund të nxjerrim edhe një mësim tjetër nga ky ilustrim. Dikë që largohet nga kongregacioni duhet ta shohim si ‘dele të humbur’ e jo t’i vëmë vizën. (Psal. 119:176) Ta zëmë se takojmë ndonjë që nuk është i përjashtuar, por është larguar nga kongregacioni. A do t’i japim ndihmë të dashur dhe praktike që të kthehet? A do t’i njoftojmë menjëherë pleqtë, që të ofrojnë ndihmën e duhur? Patjetër që po, nëse zbatojmë me mençuri mësimin që nxjerrim nga ilustrimi i Jezuit për birin plëngprishës.
16 Të shohim si e kanë shprehur mirënjohjen për mëshirën e Jehovait, si edhe për dashurinë e mbështetjen e kongregacionit disa plëngprishës të ditëve tona. Një vëlla që ishte i përjashtuar për 25 vjet thotë: «Që kur u rivendosa, gëzimi që ndiej sa vjen e shtohet, ndërsa shijoj ‘kohë freskuese’ nga Jehovai. (Vep. 3:19) Të gjithë janë të gjindshëm e të dashur sa s’thuhet. Tani kam një familje frymore të mrekullueshme.» Një motër e re që u largua nga Jehovai dhe ishte joaktive për pesë vjet, tha për kthimin e vet: «Nuk gjej fjalë për të treguar si ndihesha kur më mbuluan me atë dashuri që përshkroi Jezui. S’ka të çmuar të jesh pjesë e organizatës së Jehovait!»
17, 18. (a) Cilat mësime praktike nxorëm nga tri ilustrimet që shqyrtuam? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur?
17 Cilat mësime praktike nxorëm nga këto tri ilustrime? Së pari, duhet ta pranojmë se rritja frymore nuk është në dorën tonë. Ajo i takon Jehovait. Së dyti, nuk është realiste të presim që të gjithë ata që shoqërohen dhe studiojnë me ne të vendosin të ecin në të vërtetën. Së fundi, edhe pse disa mund të largohen nga e vërteta e t’i kthejnë shpinën Jehovait, le të mos na shuhet shpresa se do të kthehen. E po të kthehen, le t’i mirëpresim në një mënyrë që pasqyron këndvështrimin e Jehovait.
18 Secili nga ne vazhdoftë të kërkojë njohuri, kuptueshmëri dhe mençuri! Ndërsa lexojmë ilustrimet e Jezuit, të pyesim cila është domethënia e tyre, pse janë dokumentuar në Bibël, si t’i zbatojmë mësimet që përmbajnë dhe ç’na mësojnë për Jehovain e për Jezuin. Kështu do të tregojmë se e kapim vërtet domethënien e fjalëve të Jezuit.