Dinjiteti: Për asnjë i pamundur
«Duhet të ndërtojmë një botë të re—një botë më të mirë— ku të respektohet dinjiteti i përhershëm i njeriut.»—PRESIDENTI I SHBA-së HERI TRUMAN, SAN-FRANCISKO, KALIFORNI, SHBA, 25 PRILL 1945.
ASHTU si shumë të tjerë që jetuan në vitet pas Luftës II Botërore, presidenti Truman besonte se njeriu mund të mësonte nga e kaluara dhe të vendoste «një botë të re» ku të gjithë do të trajtoheshin me dinjitet. Është për të ardhur keq, por historia moderne paraqet një realitet tjetër. «Dinjiteti i përhershëm i njeriut» vazhdon të shkelet, sepse rrënja e problemit qëndron, jo tek njeriu, por tek armiku më i madh i tij.
Rrënja e problemit
Bibla e identifikon këtë armik si Satana Djallin, një krijesë e ligë frymore i cili, që nga fillimi i historisë njerëzore, ka sfiduar të drejtën e Perëndisë për të qeverisur. Që kur Satanai foli me Evën në kopshtin e Edenit, qëllimi i tij ishte që njerëzit të mos i shërbenin Krijuesit të tyre. (Zanafilla 3:1-5) Mendoni pak për pasojat e tmerrshme që patën Adami dhe Eva ngaqë ia vunë veshin fjalëve së Djallit. Cila ishte pasoja e menjëhershme e kësaj mosbindjeje ndaj ligjit të Perëndisë për frytin e ndaluar? Ata «zunë të fshiheshin nga Perëndia Jehova». Përse? Vetë Adami rrëfeu: «Pata frikë, sepse isha lakuriq, e prandaj u fsheha.» (Zanafilla 3:8-10) Marrëdhënia e Adamit me Atin qiellor dhe pikëpamja e tij për veten kishte ndryshuar. Atij i vinte turp dhe nuk ndihej më rehat në praninë e Jehovait.
Pse donte Djalli që Adami të mos kishte më respekt për veten? Sepse njeriu është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, dhe Satanai kënaqet kur njeriu sillet në një mënyrë që prish pasqyrimin e lavdisë së Perëndisë. (Zanafilla 1:27; Romakëve 3:23) Kjo na ndihmon të kuptojmë pse është poshtëruar kaq shumë njeriu gjatë gjithë historisë. Duke qenë «perëndia i kësaj bote», Satanai e ka nxitur më shumë këtë frymë ‘gjatë kohës që njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij’. (2 Korintasve 4:4; Eklisiastiu 8:9; 1 Gjonit 5:19) A do të thotë kjo se njeriu e ka humbur përgjithmonë dinjitetin e duhur?
Jehovai i jep dinjitet krijesës së tij
Le t’i kthehemi edhe njëherë kushteve në kopshtin e Edenit, para se Adami dhe Eva të mëkatonin. Kishin ushqim me bollëk, punë shpërblyese dhe i priste një jetë e pafund dhe e shëndetshme bashkë me pasardhësit e tyre. (Zanafilla 1:28) Çdo aspekt i jetës së tyre nxirrte në pah qëllimin e dashur të Perëndisë, një qëllim që i jepte dinjitet njeriut.
A ndryshoi pikëpamja e Jehovait për dinjitetin e njeriut kur Adami dhe Eva u bënë të papërsosur? Jo. Ai mori parasysh turpin që ndienin ngaqë tani ishin lakuriq. Me dashuri, Perëndia u dha «rroba të gjata prej lëkure» që t’i përdornin në vend të mbulesës me gjethe fiku që kishin sajuar vetë. (Zanafilla 3:7, 21) Perëndia nuk i la me ndjenjën e turpit, por i trajtoi me dinjitet.
Më vonë, kur Izraeli ishte populli i Jehovait, Ai tregoi dhembshuri për jetimët, vejushat dhe banorët e huaj, domethënë për atë pjesë të shoqërisë që nëpërkëmbet më shpesh. (Psalmi 72:13) Për shembull, gjatë korrjes së drithit dhe vjeljes së ullirit ose rrushit, izraelitëve u ishte thënë që të mos ktheheshin për së dyti për të mbledhur atë që kishte mbetur mbrapa. Sepse, Perëndia kishte urdhëruar që ajo të lihej «për të ardhurin, për jetimin dhe për vejushën». (Ligji i përtërirë 24:19-21) Kur zbatohej, ky ligj bënte të mundur që të mos lypte njeri dhe siguronte punë të respektueshme edhe për më të varfrit.
Jezui i trajtonte me dinjitet të tjerët
Kur ishte në tokë, Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, tregoi respekt për dinjitetin e të tjerëve. Për shembull, kur ishte në Galile, iu afrua një burrë që ishte në një fazë të përparuar të sëmundjes së lebrës. Sipas Ligjit të Moisiut, që të mos ua ngjiste të tjerëve, i lebrosuri duhej të thërriste: «I papastër! I papastër!» (Levitiku 13:45) Megjithatë, ky burrë nuk veproi kështu kur iu afrua Jezuit. Ai u gjunjëzua me fytyrë nga toka dhe iu përgjërua Jezuit: «Zotëri, po të duash, ti mund të më pastrosh.» (Luka 5:12) Si reagoi Jezui? Ai nuk e qortoi që theu Ligjin, as e shpërfilli, as e shmangu. Përkundrazi, ai tregoi respekt për të, e preku dhe i tha: «Dua. Pastrohu.»—Luka 5:13.
Në raste të tjera, Jezui kishte treguar se mund ta shëronte të sëmurin edhe pa e prekur, madje ndonjëherë edhe që larg. Por, në këtë rast, ai vendosi ta prekte të lebrosurin. (Mateu 15:21-28; Marku 10:51, 52; Luka 7:1-10) Ngaqë ishte «plot lebër», sigurisht që nuk e kishte prekur askush prej vitesh. Sa duhet të jetë ngushëlluar që po ndiente sërish prekjen e dikujt! Gjithçka që ai kërkonte ishte thjesht të shërohej nga lebra. Por, mënyra si e shëroi Jezui pa dyshim e ndihmoi të rifitonte diçka tjetër—dinjitetin. A mund të besojmë se ky shqetësim për dinjitetin e të tjerëve mund të ekzistojë edhe në shoqërinë e sotme? Nëse po, si mund të shfaqet?
Një rregull që jep dinjitet
Jezui dha një këshillë që shumë e konsiderojnë këshillën më të famshme që i është dhënë ndonjëherë njerëzimit për marrëdhëniet me njëri-tjetrin: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12) Rregulla e Artë, siç quhet shpesh, na nxit që t’i respektojmë të tjerët, duke shpresuar se edhe ata do të veprojnë po njësoj me ne.
Siç ka treguar edhe historia, nuk është e lehtë ta bëjmë këtë, pasi na vjen më natyrshëm të bëjmë të kundërtën. Ja çfarë thotë dikush që po e quajmë Harold: «Në të vërtetë më pëlqente t’i ulja të tjerët. Vetëm me pak fjalë që thosha i acaroja, i vija në siklet dhe ndonjëherë i bëja për të qarë.» Por diçka që ndodhi e bëri Haroldin të ndryshonte mënyrën se si i trajtonte të tjerët. Ai vazhdon: «Disa Dëshmitarë të Jehovait filluan të më vizitonin. Kur e kujtoj, më vjen turp për ato që kam thënë dhe për mënyrën si i kam trajtuar. Por ata nuk u dorëzuan dhe, pak nga pak, e vërteta biblike më hyri në zemër dhe më bëri të ndryshoja.» Sot, Haroldi shërben si plak në kongregacionin e krishterë.
Rasti i Haroldit vërteton se «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën e tyre dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës». (Hebrenjve 4:12) Fjala e Perëndisë ka fuqinë të prekë zemrën, të ndryshojë qëndrimet dhe sjelljen. Ky është çelësi që na ndihmon t’u japim të tjerëve dinjitetin e duhur—dëshira nga zemra për të ndihmuar, dhe jo për të lënduar, për të nderuar, dhe jo për të ulur.—Veprat 20:35; Romakëve 12:10.
Vihet në vend dinjiteti i duhur
Është pikërisht kjo dëshirë që i shtyn Dëshmitarët e Jehovait të flasin me të tjerët për shpresën e mrekullueshme të Biblës. (Veprat 5:42) Nuk ka mënyrë më të mirë për t’i dhënë të afërmit respektin dhe dinjitetin e duhur sesa me anë të ‘lajmit të mirë për diçka më të mirë’. (Isaia 52:7) ‘Diçka më e mirë’ përfshin veshjen e ‘personalitetit të ri’ që bën të vdesin «dëshirat e dëmshme» për të ulur të tjerët. (Kolosianëve 3:5-10) Gjithashtu përfshin qëllimin e Jehovait për t’i dhënë fund së shpejti kushteve dhe qëndrimeve që e zhveshin njeriun nga dinjiteti i tij, bashkë me atë që nxit gjithë këto, Satana Djallin. (Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10; Zbulesa 20:1, 2, 10) Vetëm atëherë kur toka «të mbushet me njohurinë e Jehovait», të gjithëve më në fund do t’u jepet dinjiteti i duhur.—Isaia 11:9.
Ju ftojmë që të mësoni për këtë shpresë të mrekullueshme. Duke u shoqëruar me Dëshmitarët e Jehovait, do të kuptoni edhe vetë se, nëse zbatojmë parimet biblike, u japim dinjitet të tjerëve. Do të keni mundësi të mësoni se si Mbretëria e Perëndisë së shpejti do të sjellë «një botë të re, më të mirë», një botë ku «dinjiteti i përhershëm i njeriut» do të jetë diçka reale, nuk do të shkelet kurrë më.
[Kutia dhe figura në faqen 6]
Integriteti i ndihmoi të ruanin dinjitetin
Gjatë Luftës II Botërore, më shumë se 2.000 Dëshmitarë të Jehovait i futën në kampet e përqendrimit për shkak të besimit. Duke theksuar mënyrën e mrekullueshme se si e shfaqën integritetin, ish e burgosura e Ravensbrukut Xhema la Guardia Gluk në librin e saj Historia e jetës sime (anglisht) thotë: «Erdhi një moment që Gestapoja shpalli se, çdo Student i Biblës që mohonte besimin dhe firmoste një deklaratë ku vërtetohej kjo gjë, do të fitonte lirinë dhe nuk do ta përndiqnin më.» Për ata që nuk pranuan ta firmosnin këtë deklaratë, ajo shkruan: «Ata zgjodhën më mirë të vazhdonin të vuanin dhe të prisnin me durim ditën e çlirimit.» Pse morën një vendim të tillë? Tani, te të 80-at, Magdalena, që u përmend në fillim të artikullit të mëparshëm, shpjegon: «T’i qëndroje besnik Jehovait ishte më e rëndësishme sesa të qëndroje gjallë me çdo kusht. Të ruanim dinjitetin do të thoshte të ruanim integritetin.»a
[Shënimi]
a Për të ditur më shumë rreth familjes Kuserov, shih Kullën e Rojës, 1 shtator 1985, faqet 10-15 (anglisht).
[Figura në faqen 5]
Jezui i trajtonte me dinjitet ata që shëronte
[Figura në faqen 7]
Dëshmitarët e Jehovait u japin dinjitet të tjerëve duke u dhënë «lajmin e mirë për diçka më të mirë»