Kapitulli 27
Thirrja e Mateut
PAK kohë pas shërimit të të paralizuarit, Jezui largohet nga Kapernaumi dhe shkon në Detin e Galilesë. Përsëri, turma njerëzish vijnë tek ai dhe ai fillon t’i mësojë. Ndërsa është duke ecur, ai shikon Mateun, që ndryshe quhet Levi, ulur në zyrën e taksave. «Ndiqmë!»—është ftesa që i bën Jezui.
Ka të ngjarë që Mateu tashmë i njeh mësimet e Jezuit, ashtu siç i njihnin edhe Pjetri, Andrea, Jakovi dhe Gjoni, kur u thirrën. Dhe ashtu si ata, edhe Mateu i përgjigjet menjëherë ftesës. Ai çohet, heq dorë nga përgjegjësitë e tij si mbledhës taksash dhe ndjek Jezuin.
Më vonë, ndoshta për të festuar thirrjen që i është bërë, Mateu shtron një banket të madh në shtëpinë e tij. Përveç Jezuit dhe dishepujve të tij, të pranishëm janë edhe kolegë të mëparshëm të Mateut. Në përgjithësi, këta burra përçmohen nga bashkëqytetarët e tyre judenj, sepse ata mbledhin taksa për autoritetet e urryera romake. Për më tepër, ata shpesh në mënyrë të pandershme, kërkojnë nga populli një sasi më të madhe parash në krahasim me taksën e detyrueshme.
Duke e parë Jezuin në festë me njerëz të tillë, farisenjtë pyesin dishepujt e tij: «Pse mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët?» Pasi Jezuit ia kap veshi pyetjen, ai u përgjigjet farisenjve: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Tani shkoni dhe mësoni ç’do të thotë, ‘Unë dua mëshirë dhe jo flijime’. Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët.»
Me sa duket, Mateu i ka ftuar këta taksambledhës në shtëpinë e tij, që të mund të dëgjojnë Jezuin dhe të shërohen frymësisht. Prandaj, Jezui shoqërohet me ta për t’i ndihmuar që të fitojnë një marrëdhënie të shëndoshë me Perëndinë. Jezui nuk i përçmon njerëz të tillë, siç bëjnë farisenjtë e vetëquajtur të drejtë. Në vend të kësaj, i shtyrë nga dhembshuria, ai u shërben atyre në të vërtetë si një mjek frymor.
Prandaj, mëshira që tregon Jezui ndaj mëkatarëve nuk do të thotë se ai mbyll sytë para mëkateve të tyre, por ajo është shprehje e të njëjtave ndjenja të ngrohta që shfaqi ndaj atyre që ishin të sëmurë fizikisht. Kujto për shembull rastin, kur me dhembshuri ai shtriu dorën dhe preku të lebrosurin, duke thënë: «Po, unë dua, shërohu.» Në të njëjtën mënyrë, edhe ne, le të tregojmë mëshirë duke ndihmuar njerëzit që janë në nevojë, duke e bërë këtë sidomos në aspektin frymor. Mateu 8:3; 9:9-13; Marku 2:13-17; Luka 5:27-32.
▪ Ku është Mateu kur e shikon Jezui?
▪ Çfarë pune bën Mateu dhe përse përçmohen kaq shumë këta njerëz nga judenjtë e tjerë?
▪ Çfarë ankese është bërë kundër Jezuit dhe si përgjigjet ai?
▪ Përse shoqërohet Jezui me mëkatarët?