KAPITULLI 2
Jezui nderohet para se të lindë
MARIA VIZITON KUSHËRIRËN E SAJ ELIZABETËN
Engjëlli Gabriel sapo i ka treguar Marisë se do të lindë një djalë, i cili do të quhet Jezu dhe do të qeverisë si Mbret përgjithmonë. Ja pse ajo e pyet: «Si do të ndodhë kjo, përderisa unë s’kam pasur marrëdhënie me asnjë burrë?»—Luka 1:34.
Gabrieli i përgjigjet: «Fryma e shenjtë do të vijë te ti dhe fuqia e Më të Lartit do të prehet mbi ty. Për këtë arsye, ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë, Bir i Perëndisë.»—Luka 1:35.
Ndoshta që t’ia bëjë më kollaj Marisë ta besojë mesazhin, Gabrieli shton: «Edhe Elizabeta, e afërmja jote, është shtatzënë dhe pret një djalë tani në pleqëri. Ajo që e quanin shterpë, është në muajin e gjashtë, sepse asgjë nuk është e pamundur për Perëndinë.»—Luka 1:36, 37.
Maria u beson fjalëve të Gabrielit, siç e shohim edhe nga përgjigjja e saj: «Ja, skllavja e Jehovait! Le të më ndodhë sipas fjalës sate.»—Luka 1:38.
Gabrieli ikën dhe Maria përgatitet të shkojë te Elizabeta, e cila jeton me të shoqin, Zakarinë, në kodrat e Judesë pranë Jerusalemit. Nga shtëpia e saj në Nazaret, Marisë i duhen tri ose katër ditë rrugë.
Më në fund, Maria mbërrin në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndet kushërirën e saj Elizabetën. Në këtë moment, Elizabeta mbushet me frymë të shenjtë dhe i thotë: «E bekuar je mes grave dhe i bekuar është fryti i barkut tënd! Ç’është ky privilegj për mua, që të vijë tek unë nëna e Zotërisë tim?! Se ja, sapo dëgjova zërin tënd kur më përshëndete, foshnja në barkun tim kërceu nga gëzimi.»—Luka 1:42-44.
Me zemrën plot mirënjohje, Maria shprehet: «Shpirti im madhëron Jehovain dhe zemra ime s’ka si të mos ngazëllohet për Perëndinë, Shpëtimtarin tim, sepse i ka kushtuar vëmendje skllaves së tij të parëndësishme. Ja, tani e tutje, të gjithë brezat do të më quajnë të lumtur, sepse i Fuqishmi ka bërë gjëra të mëdha për mua.» Edhe pse ka marrë një privilegj kaq të veçantë, Maria ia jep gjithë nderimin Perëndisë. Ajo thotë: «I shenjtë është emri i tij, dhe [ai] u tregon mëshirë brez pas brezi atyre që i frikësohen.»—Luka 1:46-50.
Maria vazhdon të lëvdojë Perëndinë me këto fjalë profetike: «Me krahun e tij ka bërë vepra të fuqishme dhe i ka shpërndarë andej-këtej zemrat fodulle. Ai i ka zbritur nga fronet burrat e pushtetshëm dhe i ka lartësuar të përulurit, i ka ngopur të uriturit plot me të mira dhe i ka kthyer duarbosh të pasurit. I ka ardhur në ndihmë Izraelit, shërbëtorit të vet, e kështu nuk e ka harruar premtimin se do t’u tregonte gjithnjë mëshirë paraardhësve tanë, Abrahamit dhe pasardhësit të tij.»—Luka 1:51-55.
Maria rri te Elizabeta për rreth tre muaj, mbase që ta ndihmojë gjatë javëve të fundit të shtatzënisë. Të dyja këto gra besnike kanë mbetur shtatzënë falë ndihmës së Perëndisë. Sa të kënaqura duhet të ndihen që janë bashkë në këtë periudhë të veçantë të jetës!
Dhe vër re si nderohet Jezui, madje para se të lindë. Elizabeta e quan ‘Zotëria im’, dhe fëmija në barkun e saj ‘kërcen nga gëzimi’ kur vjen Maria. Siç do ta shohim, kjo ndryshon kryekëput nga mënyra si do ta trajtojnë më vonë Marinë dhe foshnjën që pret.