Dhënia që i pëlqen Perëndisë
JEZUI dhe dishepujt e tij ishin shtruar e po hanin një darkë të shijshme në Betani, bashkë me disa miq të ngushtë, duke përfshirë Martën, Marinë dhe Lazarin që ishte ringjallur pak kohë më parë. Kur Maria mori rreth 300 gramë vaj të parfumuar të kushtueshëm dhe i leu këmbët Jezuit, Judë Iskarioti u zemërua dhe ngriti zërin. «Pse nuk u shit ky vaj i parfumuar për treqind denarë [e barazvlefshme me pagën e pothuaj një viti] e t’u jepej të varfërve?»—protestoi ai. Edhe të tjerët pas tij u ankuan në mënyrë të ngjashme.—Gjoni 12:1-6; Marku 14:3-5.
Por Jezui u përgjigj: «Lëreni rehat. . . . Sepse të varfrit i keni gjithmonë me vete dhe kur të doni mund t’u bëni gjithmonë mirë, kurse mua nuk më keni gjithmonë.» (Marku 14:6-9) Udhëheqësit fetarë judenj u mësonin të tjerëve se dhënia e lëmoshave jo vetëm që ishte veprim i virtytshëm, por edhe mund të shërbente për të shlyer mëkatet. Nga ana tjetër, Jezui e bëri të qartë se dhënia që i pëlqen Perëndisë nuk kufizohet vetëm duke u bërë dhurata bamirësie të varfërve.
Do t’i hedhim një sy shkurtimisht mënyrës se si bëhej dhënia në kongregacionin e hershëm të krishterë. Kjo do të na theksojë disa mënyra praktike si mund të tregojmë interesimin tonë dhe t’i pëlqejmë Perëndisë me mënyrën se si japim. Gjithashtu, do të identifikojë një lloj të veçantë dhënieje që është më e mira.
«Jepni lëmoshë»
Në disa raste të ndryshme, Jezui i nxiti dishepujt e tij të ‘jepnin lëmoshë’. (Luka 12:33) Megjithatë, Jezui paralajmëroi kundër shfaqjeve për t’u dukur, të cilat kishin për qëllim vetëm t’i sillnin lavdi atij që jepte, jo Perëndisë. «Kur shkon për të dhënë lëmosha,—tha ai,—mos i bjer trumbetës para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët nëpër sinagoga dhe nëpër rrugë, që të marrin lavdi prej njerëzve.» (Mateu 6:1-4) Duke zbatuar këtë këshillë, të krishterët e hershëm nuk bënin si udhëheqësit fetarë hipokritë të kohës së tyre, që kapardiseshin për t’u dukur. Ata të krishterë zgjodhën t’i ndihmonin nevojtarët duke u bërë shërbime personalisht ose duke u dhënë dhurata privatisht.
Për shembull, te Luka 8:1-3 na thuhet se Maria Magdalena, Joana, Suzana dhe gra të tjera përdorën «zotërimet e tyre» për t’i shërbyer pa bujë Jezuit dhe apostujve të tij. Ndonëse nuk ishin të skamur, këta burra i kishin braktisur punët që u sillnin të ardhura, për t’i përqendruar forcat vetëm në shërbim. (Mateu 4:18-22; Luka 5:27, 28) Duke i ndihmuar ata që të plotësonin caktimin që u kishte dhënë Perëndia, në të vërtetë këto gra po i sillnin lavdi Perëndisë. Perëndia e tregoi se e vlerësonte këtë, duke ruajtur në Bibël tregimin për bujarinë e tyre mirëdashëse, me qëllim që ta lexonin gjithë brezat e ardhshëm.—Fjalët e urta 19:17; Hebrenjve 6:10.
Dorka ishte një tjetër grua që ‘në mënyrë të bollshme bënte vepra të mira dhe jepte lëmosha’. Ajo bënte rroba për vejushat nevojtare që ndodheshin në Jopë, në qytetin e saj buzë detit. Nuk e dimë nëse paguante vetë për gjithë materialet apo thjesht u dhuronte punën e duarve të saj. Megjithatë, veprat e saj të mira bënë që t’u hynte në zemër atyre që ndihmoi, si edhe Perëndisë, i cili me mëshirë e bekoi atë për mirësinë që tregoi.—Veprat 9:36-41.
Motivi i duhur është thelbësor
Çfarë i motivoi këta individë që të jepnin? Nuk ishte vetëm një nxitje e çastit nga mëshira, e shkaktuar nga një thirrje për ndihmë drejtuar ndjenjave të tyre. Ata ndien personalisht përgjegjësinë morale për të bërë çfarë mundeshin çdo ditë për të ndihmuar ata që po përballeshin me varfërinë, me vështirësi, sëmundje ose probleme të tjera. (Fjalët e urta 3:27, 28; Jakovit 2:15, 16) Ky është lloji i dhënies që i pëlqen Perëndisë. Është një dhënie e motivuar kryesisht nga dashuria e thellë për Perëndinë dhe nga dëshira për të imituar personalitetin e tij të mëshirshëm dhe bujar.—Mateu 5:44, 45; Jakovit 1:17.
Apostulli Gjon e theksoi këtë aspekt thelbësor të dhënies kur pyeti: «Si qëndron dashuria e Perëndisë në atë që ka mjetet e jetesës së kësaj bote e megjithatë, kur sheh vëllanë e tij që ka nevojë, e mbyll derën e dhembshurive të tij të buta?» (1 Gjonit 3:17) Përgjigjja është e qartë. Dashuria për Perëndinë i shtyn njerëzit që të jenë bamirës. Perëndia e vlerëson këtë dhe i shpërblen ata që, ashtu si ai, tregojnë një frymë bujare. (Fjalët e urta 22:9; 2 Korintasve 9:6-11) A e shohim këtë lloj bujarie sot? Shqyrtoni se çfarë ndodhi kohët e fundit në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait.
Shtëpia e një të krishtereje të moshuar kishte shumë nevojë për meremetime. Ajo jetonte vetëm dhe s’kishte asnjë familjar që ta ndihmonte. Gjatë viteve, shtëpia e saj kishte qenë gjithnjë hapur për mbledhjet e krishtere dhe shpesh ajo ftonte vëllezër e motra në shtëpi për të ngrënë. (Veprat 16:14, 15, 40) Duke parë këtë gjendje të vështirë, anëtarët e kongregacionit u mblodhën bashkë për ta ndihmuar. Disa dhanë para si kontribut, kurse të tjerët punuan me duart e tyre. Pastaj, gjatë disa fundjavëve, vullnetarët i vunë një çati të re shtëpisë, instaluan një banjë të re, suvatuan dhe lyen gjithë katin e parë dhe montuan dollapë të rinj në kuzhinë. Për pasojë, jo vetëm që asaj gruaje iu plotësuan nevojat, por edhe anëtarët e kongregacionit u afruan më shumë me njëri-tjetrin. Ndërsa për fqinjët u bë e qartë çfarë është dhënia e vërtetë e krishterë.
Ka vërtet shumë mënyra se si mund t’i ndihmojmë personalisht të tjerët. A mund të kalojmë kohë me një djalë ose vajzë pa baba? A mund të bëjmë pazarin ose të qepim diçka për një vejushë të moshuar që njohim? A mund të gatuajmë diçka ose të ndihmojmë me shpenzimet dikë që ka të ardhura të kufizuara? S’duhet të jemi medoemos të pasur për të ndihmuar. Apostulli Pavël shkroi: «Nëse ekziston së pari gatishmëria, kjo është veçanërisht e pranueshme sipas asaj që një njeri ka, jo sipas asaj që nuk ka.» (2 Korintasve 8:12) Por, a është kjo dhënie personale e drejtpërdrejtë e vetmja lloj dhënieje që bekon Perëndia? Jo.
Ç’të themi për ndihmën e organizuar?
Nganjëherë nuk mjaftojnë vetëm përpjekjet personale. Jezui dhe apostujt e tij, për shembull, kishin një fond të përbashkët për të varfrit dhe pranonin kontribute nga njerëzit mirëdashës që takonin në veprën e tyre. (Gjoni 12:6; 13:29) Në mënyrë të ngjashme, kongregacionet e shekullit të parë organizonin mbledhje parash kur lindte nevoja dhe siguronin ndihmë të organizuar në shkallë më të gjerë.—Veprat 2:44, 45; 6:1-3; 1 Timoteut 5:9, 10.
Një nevojë e tillë lindi rreth vitit 55 të e.s. Kongregacionet në Jude ishin varfëruar, ndoshta si pasojë e një zie buke të madhe që kishte rënë. (Veprat 11:27-30) Apostulli Pavël, gjithnjë i interesuar për të varfrit, siguroi ndihmën e kongregacioneve deri në Maqedoni. Ai personalisht organizoi mbledhjen e parave dhe ngarkoi disa burra të miratuar për t’i dorëzuar ato. (1 Korintasve 16:1-4; Galatasve 2:10) As ai, as ndonjë tjetër nga ata që u përfshinë, nuk u paguan për këtë shërbim.—2 Korintasve 8:20, 21.
Po ashtu, Dëshmitarët e Jehovait sot janë të shpejtë për të ndihmuar kur godasin katastrofa. Për shembull, gjatë verës së vitit 2001, disa stuhi me rrebeshe shkaktuan përmbytje të mëdha në Hjuston, Teksas, SHBA. Gjithsej u dëmtuan 723 shtëpi të Dëshmitarëve, shumë prej tyre keqas. Menjëherë u formua një komitet i lehtësimit nga katastrofa, i përbërë nga pleq të kualifikuar të krishterë. Ky komitet përcaktoi nevojat individuale dhe i shpërndau fondet për të ndihmuar Dëshmitarët vendës që të përballonin situatën dhe të riparonin shtëpitë. Të gjithë punën e bënë vullnetarë të gatshëm nga kongregacionet fqinje. Një Dëshmitare ishte kaq mirënjohëse për ndihmën, saqë kur mori pagesën nga shoqëria e sigurimeve për të mbuluar riparimet e shtëpisë, menjëherë e dhuroi shumën e parave në fondin e ndihmave, që të ndihmonte të tjerë në nevojë.
Gjithsesi, kur bëhet fjalë për bamirësinë e organizuar, duhet të jemi të kujdesshëm e të peshojmë mirë thirrjet e shumta që na bëhen. Disa organizata bamirëse shpenzojnë shumë për administratën ose për reklamat për mbledhje fondesh, duke lënë vetëm një pjesë të vogël të parave të mbledhura për qëllimin e caktuar. Te Fjalët e urta 14:15 thuhet: «Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» Prandaj, është e mençur t’i shqyrtojmë me kujdes faktet.
Dhënia më e mirë
Ka një lloj dhënieje që është edhe më e rëndësishme se bamirësia. Jezui e kishte fjalën për këtë kur një sundimtar i ri i pasur e pyeti çfarë duhej të bënte për të marrë jetën e përhershme. Jezui i tha: «Shko, shit zotërimet e tua dhe jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell dhe eja e bëhu ithtari im.» (Mateu 19:16-22) Vini re se Jezui nuk tha vetëm ‘jepu të varfërve dhe do të marrësh jetën’. Ai shtoi: «Eja e bëhu ithtari im.» Me fjalë të tjera, sado të lavdërueshme dhe të dobishme të jenë veprat bamirëse, të jesh dishepull i krishterë përfshin më tepër se kaq.
Interesi kryesor i Jezuit ishte t’i ndihmonte të tjerët frymësisht. Pak kohë para se të vdiste, ai i tha Pilatit: «Për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën.» (Gjoni 18:37) Ndonëse merrte drejtimin për të ndihmuar të varfrit, për të shëruar të sëmurët dhe për të ushqyer të uriturit, Jezui kryesisht i stërviti dishepujt e tij që të predikonin. (Mateu 10:7, 8) Pikërisht, ndër udhëzimet e fundit që u dha atyre ishte urdhri: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve.»—Mateu 28:19, 20.
Natyrisht që predikimi nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet e botës. Megjithatë, t’u japim lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë të gjithë njerëzve i sjell lavdi Perëndisë, sepse predikimi përmbush vullnetin e Perëndisë dhe u hap rrugën për dobi të përjetshme atyre që e pranojnë mesazhin hyjnor. (Gjoni 17:3; 1 Timoteut 2:3, 4) Pse të mos e dëgjoni atë që kanë për të thënë Dëshmitarët e Jehovait, herën tjetër kur t’ju trokasin në derë? Ata po ju sjellin një dhuratë frymore dhe e dinë se kjo është mënyra më e mirë për t’ju dhënë diçka.
[Figurat në faqen 6]
Ka shumë mënyra për të treguar se kujdesemi për të tjerët
[Figura në faqen 7]
T’u predikojmë lajmin e mirë të tjerëve kënaq Perëndinë dhe hap rrugën për dobi të përjetshme